Për t’u siguruar që objekti i ish-Gjykatës në Vushtrri nuk do të rrafshohet derisa të vendoset nëse ia vlen të shpallet monument, Ministria e Kulturës u është drejtuar organeve të drejtësisë që të caktohet masa e sigurisë. Kësisoj tenton që edhe me letra të zmbrapsë autoritetet komunale, që të dielën e kaluar nisën ta rrënonin. Objekti i vitit 1964 vlerësohet si një ndër objektet e pakta të qytetit të Vushtrrisë, i cili prezanton kohën moderne të arkitekturës në Kosovë.
Pos Policisë së Kosovës, Ministria e Kulturës ka përdorur edhe mundësi të tjera për të kërkuar sigurimin e ish-ndërtesës së Gjykatës në Vushtrri. Tentimi i Komunës së Vushtrrisë bashkë me kompaninë punëkryerëse që ndërtesa të rrënohet të dielën e javës së kaluar – pavarësisht se MKRS-ja kishte nisur vlerësimin nëse objekti i plotëson kushtet për të qenë monument – ka bërë që institucioni më i lartë kulturor në vend t’i ashpërsojë përpjekjet.
Në ditën e 24-t të këtij muaji MKRS-ja i është drejtuar Policisë së Kosovës. E një ditë më pas edhe Degës në Vushtrri të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila tash gjashtë vjet funksionon në objekt të ri. Shkresën ia ka përcjellë nëpërmjet Avokaturës Shtetërore. Në letrën të cilën e posedon KOHA, zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Ibër Alaj, i ka shkruar Sami Istrefit, avokat i përgjithshëm shtetëror në Avokaturën Shtetërore.
“Kërkesë për propozim për sigurimin e kërkesëpadisë me caktimin e masës së sigurisë për ndalimin e kundërshtarit të sigurimit që të kryejë veprime me të cilat mund të dëmtohet ndërtesa e ish-Gjykatës, Komuna e Vushtrrisë”, është përshkrimi i temës për të cilën është bërë kërkesa.
Kërkesës i është bashkuar Vendimi i Kuvendit Komunal për rrënim, propozimi për sigurimin e kërkesëpadisë dhe kërkesa që i është drejtuar Policisë së Kosovës.
“Kërkojmë nga ana juaj që t’i ndërmerrni veprimet ligjore për caktimin e masës së sigurisë për ndalimin e kundërshtarit të sigurimit që të kryejë veprime me të cilat mund të dëmtohet ndërtesa e ish-Gjykatës Komunale”, shkruhet në kërkesë.
Të mërkurën e kësaj jave Ministria e Kulturës ka mbledhur komisionin për të bërë vlerësimin e ish-ndërtesës së Gjykatës në Vushtrri. Komisioni ka vendosur që të mblidhen ende të dhëna në mënyra që çështja të jetë e sqaruar në detaje. Patrullat e Policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë tek ish-ndërtesa e Gjykatës në Vushtrri. E ruajnë atë që Komuna të mos e rrënojë nëpërmjet një kompanie punëkryerëse të angazhuar për ta rrafshuar atë. Pjesa qendrore e ndërtesës nga prapa ishte dëmtuar goxha mëngjesin e së dielës, kur kishte nisur rrënimi. Reagimi i opozitës, shoqërisë civile, MKRS-së dhe Policisë kishte bërë që puna të ndalej.
Ministria e Kulturës të martën i është drejtuar me një shkresë Policisë së Kosovës. Ka sqaruar se qysh në fillim të këtij muaji ka nisur me procesin e vlerësimit të ndërtesës.
“Kërkojmë nga Policia e Kosovës që të sigurojë hapësirën ku ndodhet ndërtesa deri në momentin kur institucioni kompetent të ketë vlerësuar rëndësinë e ndërtesës dhe rrjedhimisht të ketë përcaktuar statusin ligjor të ndërtesës”, shkruhet në letrën që i është drejtuar koloneles Afërdita Mikullovci.
Autorja e kësaj shkrese, drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, po atë ditë kishte thënë se procesi ka nisur prej ditës së pestë të këtij muaji, kur kanë pranuar një kërkesë për vlerësim të ndërtesës. Ajo ka thënë se MKRS-ja ka njoftuar Komunën e Vushtrrisë për procesin e nisur.
“Në momentin që fillon procesi i vlerësimit ndalohet çdo veprim ndërhyrës në atë ndërtesë dhe ndërhyrja përbën shkelje ligjore”, kishte thënë ajo. Aliu ka bërë të dituar se gjatë javës Komisioni do të mblidhet për të përcaktuar statusin ligjor të ndërtesës.
Në anën tjetër, Komuna e Vushtrrisë, të martën, kishte lëshuar një komunikatë për media. Ato që ka thënë Komuna janë renditur në 9 pika.
Sipas komunikatës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, në vizitën e bërë në terren “gojarisht ua ka kumtuar zyrtarëve komunalë që ky objekt nuk përbën trashëgimi kulturore”. “Zyrtarët komunalë janë të gatshëm të dëshmojnë kudo e në çdo kohë se ky ishte qëndrim zyrtar i QRTK-së në Mitrovicë, në vizitën në terren e mbi këtë vlerësim gojor...”, shkruhet në komunikatë. Shkruhet se Komuna nuk ka dashur të humbë kohë që të njëjtin vlerësim ta presë edhe me shkrim. Aty tërthorazi bëhet e ditur se çështja do të përfundojë në Gjykatë.
“Tani MKRS-ja me ndikim politik po tenton të ndërhyjë në vlerësimet e QRTK-së në Mitrovicë. Ne në proces gjyqësor do të kërkojmë deklaratë nën betim të QRKT-së në Mitrovicë, sepse ose atë ditë e kanë vënë në lajthitje institucionin e Komunës, ose tani po ndryshojnë vendim sipas instruksioneve politike”, shkruhet në komunikatë.
Por, sipas zejtarëve në Bulevardin qendror të Vushtrrisë, prapa ndërtesës që Komuna synon ta rrënojë me arsyetimin që të krijojë hapësira për qytetarë, posedon prona një prej biznesmenëve më të zotë në qytet. Zejtarët kanë thënë se Komuna tenton që me rrënim të objektit t’i krijohet biznesmenit qasje direkte në Bulevard.
Të premten kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nuk ka dashur ta komentojë kërkesën për masë sigurie nga MKRS-ja.
Prej vitit 2015, dega e Gjykatës Themelore në Vushtrri nuk e shfrytëzon atë ndërtesë. Në fund të marsit të këtij viti Kuvendi Komunal kishte nxjerrë vendim për rrënim. Reagimet e opozitës dhe të shoqërisë civile nuk i kishin bërë përshtypje Komunës.
Komunën nuk e kishte zmbrapsur as vendimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që përcakton se “akti i Komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”. Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal kërkon nga Komuna që ta rishqyrtojë këtë vendim.
Në ditën e 6-të të këtij muaji ekipi i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë kishte vizituar ndërtesën e vitit 1964. Sipas raportit të përgatitur, objekti prezanton një arkitekturë të unifikuar të objekteve të ndërtuara për funksion si gjykatë në kohën e ish-Jugosllavisë.
“Ai është edhe një ndër objektet e pakta të qytetit të Vushtrrisë, i cili prezanton kohën moderne të arkitekturës në Kosovë”, shkruhet në raport. Aty sqarohet se gjendja e ndërtesës është e favorshme dhe ka krejt pak kërcënime të lokalizuara.
Katër zyrtarët e QRTK-së, që e kanë hartuar raportin, kanë ardhur në përfundimin se ndërtesa që gjendet në bulevardin kryesor të qytetit të Vushtrrisë paraqet stilin modern me etazhitet B+P+2 me formë drejtkëndore.
“Vlerat artistike të stilit modern shprehen në fasadën ballore të objektit. Në strukturën e vjetër urbane integrimi i ndërtesës në fjalë ka shkaktuar ndërhyrje të vrazhdë urbane. Sot objekti është jashtë funksionit dhe si i tillë me predispozita të shndërrohet në ‘ndotës potencial ambiental’. Objekti në tërë periudhën e eksploatimit nuk ka pësuar transformime”, shkruhet në raport.