Deri në ditën e 5-të të nëntorit krejt ata që kanë synime për të udhëhequr institucionin më të lartë muzeor në vend mund të aplikojnë në konkursin e hapur nga MKRS-ja. Aktualisht tri institucione qendrore të trashëgimisë kulturore janë duke funksionuar me ushtrues detyre. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës janë pa drejtorë. Kësaj “valleje” mund t’i shkëputet Muzeu Kombëtar i Kosovës, pasi Ministria është vënë në kërkim të drejtorit. Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit është Vjollca Aliu, me pozitë të përhershme, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS
Pas gati dy vjetësh prej kur Ministria e Kulturës vendosi që nëpërmjet një marrëveshjeje verbale të largojë nga pozita e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Lecin, është hapur konkurs për këtë pozitë. Deri në ditën e 5-të të nëntorit krejt ata që kanë synime për të udhëhequr institucionin më të lartë muzeor në vend, mund të aplikojnë në konkursin e hapur nga MKRS-ja. Aktualisht tri institucione qendrore të trashëgimisë kulturore janë duke funksionuar me ushtrues. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës janë pa drejtorë. Kësaj “valleje” mund t’i shkëputet Muzeu Kombëtar i Kosovës, pasi Ministria është vënë në kërkim të drejtorit. Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit është Vjollca Aliu, me pozitë të përhershme, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS.
MKRS-ja sipas konkursit që do të mbyllet më 3 nëntor, kërkon kandidatë me kualifikim në studime bazike e në histori, arkeologji, etnologji, antropologji, muzeologji, arkitekturë, filozofi, letërsi, politika publike të trashëgimisë kulturore, artit ose shkencave shoqërore. Kërkohet që kandidatët t’i kenë së paku tetë vjet përvojë profesionale të punës e pastaj tre vjet e sipër përvojë pune në pozitë drejtuese, varësisht nga niveli i edukimit.
Sipas konkursit, drejtori është udhëheqës dhe organi më i lartë ekzekutiv i MKK-së me mandat katërvjeçar.
“Drejtori mbështet dhe ofron këshilla të nivelit të lartë për titullarin e institucionit dhe sekretarin e përgjithshëm lidhur me fushëveprimtarinë e MKK-së; Drejton, organizon, koordinon dhe mbikëqyr të gjitha aktivitetet e institucionit dhe siguron funksionim efikas të saj, si dhe menaxhon nëpunësit publikë dhe punonjësit e tjerë të MKK-së; I propozon dhe i raporton Këshillit Drejtues planin vjetor te punës dhe planin vjetor financiar; Merr pjesë kur ftohet në mbledhjet e Këshillit Drejtues, pa të drejtë vote; Siguron zbatimin e planit vjetor të punës dhe planit vjetor financiar sipas legjislacionit për menaxhimin e financave publike...”, shkruhet në konkurs.
Prej marsit të vitit 2023, MKK-ja është pa drejtor. KOHA pati mësuar se menaxhmenti aktual i MKRS-së kishte arritur një marrëveshje verbale me Ajet Lecin që ai ta lërë detyrën e drejtorit të MKK-së. Më pas i ishte gjetur mënyra se si të zhvillohej zyrtarisht procesi. Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ishte identifikuar si pozitë e lirë ajo e drejtorit të Departamentit për Arkiva Komunale.
“Duke u bazuar në kërkesën e ASHAK-ut unë kam pranuar transferim të përkohshëm”, kishte thënë shkurt Leci. Ai kishte bërë kërkesë për transferim dhe ajo ishte miratuar nga Këshilli Drejtues i Muzeut. I njëjti organ kishte propozuar që Vjollca Aliu të emërohej zëvendëse e drejtorit të Muzeut. Gjatë ditës së diel KOHA nuk ka arritur të kontaktojë me Aliun për ta pyetur nëse do të konkurrojë për pozitën më të lartë menaxhuese të MKK-së.
Udhëheqësi i fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, Sali Shoshi, ka thënë se është shumë e rëndësishme që në cilindo rast si me ushtrues detyre e si me drejtor menaxheri të ketë aftësi menaxhuese e të bëjë një transformim rrënjësor.
“Duhet që këto institucione të kthehen kah publiku dhe të ketë kuptim ekzistenca e tyre. Nëse ky është qëllimi, atëherë nuk është me rëndësi a do të qëndrojë dikush si drejtor apo si ushtrues detyre. Me rëndësi është që institucionet të kenë program për publikun dhe ky duhet të jetë qëllimi”, ka thënë Shoshi
Muzeu Kombëtar i Kosovës ka nisur praktikisht përgatitjet për procesin më të madh ndërhyrës: restaurimin e tërësishëm, që do të peshojë 3 milionë euro. Për këtë institucioni më i lartë muzeor në vend ka njoftuar se për një vit do t’i ketë hapësirat të mbyllura për publikun. Me fiks 2 milionë e 946 mijë e 757 euro, MKRS-ja ka vendosur që grupi i operatorëve ekonomikë “Froni 1 ShPK” dhe “Çeta-General Invest Group” ta marrin përsipër zbatimin e projektit më kompleks të punuar deri më tash për këtë monument që ruan thesarin e trashëgimisë kulturore të luajtshme të vendit. Aktualisht po bëhet trajtimi i eksponateve në këtë institucion.
Historia me drejtorët e Muzeut ka qenë sfidë për MKRS-në për një kohë të gjatë. Në mbrëmjen e 21 gushtit të vitit 2019, Ajet Leci kishte dalë nga intervista duke u vlerësuar me më së shumti pikë nga përbërja e atëhershme e Këshillit Drejtues.
KOHA të nesërmen pati raportuar se ai ishte anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas. Paraprakisht ishte zgjedhur edhe drejtor i shkollës “Mehmet Gradica” në fshatin Gradicë. Ai ka gradën master në histori me temën “Shërbimi sanitar mjekësor në Zonën e Drenicës 1998/99”. Sipas listës, konkursit për drejtor të MKK-së, pos Lecit, ia patën mësyrë edhe: Izet Miftari, Sadik Krasniqi, Arsim Mehmeti, Sedat Sahitaj, Naim Çekaj, Bekim Vishaj, Bekim Gashi, Arben Arifi, Fatmir Hoxha e Ismet Mulaj.
Një ditë pas zgjedhjes së Lecit, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në kuadër të trumbetimit se do t’i luftojnë korrupsionin e nepotizmin, i kishin dhënë vetes të drejta që nuk i gëzonin ligjërisht. Veseli e Gashi ishin shndërruar në vlerësues të procedurave të rekrutimit në shërbimin civil të Kosovës. Pa kurrfarë kompetence ligjore kishin thënë se kanë anuluar procedurën nëpërmjet së cilës Ajet Leci ishte zgjedhur drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës. Pas deklarimit të tyre për këtë çështje, Ministria e Kulturës nëpërmjet një vendimi kishte anuluar konkursin. Por Leci do të bënte një ankesë dhe vetë MKRS-ja do ta gjente atë si të bazuar duke bërë që më 12 nëntor të atij viti ai të merrte drejtimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Një tjetër kapitull me drejtorin e Muzeut ka qenë edhe ai me Skënder Boshtrakajn. Ai ishte emëruar në pozitën e drejtorit më 4 maj 2015 nga Ministria e Kulturës, ishte detyruar që të largohej nga zyra pas tre vjetësh pune si drejtor në atë institucion. Vendimin për largimin e tij e kishte dhënë Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila kishte ardhur në përfundim se emërimi i Boshtrakajt në pozitën e drejtorit të MKK-së ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Asokohe Boshtrakaj me vendim të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ishte transferuar nga pozita e udhëheqësit të Divizionit për Menaxhim të Integruar dhe Turizëm Kulturor në atë të drejtorit të Muzeut. Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, transferimi nuk ishte bërë në pozita ekuivalente.