“Ne do të shohim për së afërmi nëse ky zhvillim ka ndodhur për shkak të neglizhencës ose mungesës së mbikëqyrjes së institucioneve tona që janë të mandatuara për një proces të tillë. Në çdo rast do të ndiqen rrugët ligjore, duke mos përjashtuar këtu masat administrative e diplomatike të adresimit të kësaj problematike”, ka shkruar Ministria e Kulturës në përgjigjen rreth rastit të artefakteve të Kalasë Novobërdës që del se janë bartur në Serbi pa dijeninë e institucioneve të Kosovës
Ministria e Kulturës ka thënë se po pret të zbardhet çështja e përgjegjësisë sa i përket bartjes së artefakteve nga Kalaja e Novobërdës për në Beograd. Institucioni më i lartë kulturor në vend ka paralajmëruar masa administrative dhe diplomatike nëse konfirmohet se bartja e artefakteve është bërë jashtëligjshëm, përderisa krejt projektin e restaurimit të Kalasë e ka cilësuar të paqartë. Pret edhe përgjigje prej institucioneve nën varësi të saj nëse e kanë kryer si duhet detyrën e mbikëqyrjes së projektit restaurues.
Një ditë pas raportimit të KOHËS se artefakte nga Kalaja e Novobërdës janë kontrabanduar për në Serbi, Ministria e Kulturës është përgjigjur duke rikujtuar se nxjerrja e paautorizuar e objekteve kulturore jashtë vendit është vepër penale.
KOHA të hënën ka raportuar se një punim shkencor i botuar në dhjetor të vitit të kaluar në numrin e 40-të të revistës arkeologjike “Journal of Archaeological Science” nxjerr në dritë marrjen ilegale të artefakteve nga Kalaja e Novobërdës.
Më 2015 kompania beogradase “KOTO”, e përzgjedhur nga UNESCO-ja, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO-ja. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Studiuesit serbë kanë nisur publikimin e rezultateve të studimeve të artefakteve të nxjerra në atë periudhë të cilat janë marrë pa dijeninë e institucioneve vendore.
Të martën MKRS-ja është përgjigjur duke thënë se ky institucion e ka të rëndësishme që të konfirmojë me saktësi dokumentare faktin e nxjerrjes jashtë territorit shtetëror të artefakteve që janë gjetur gjatë zbatimit të projektit të restaurimit të Kalasë së Novobërdës. Në përgjigje shkruhet se MKRS-ja konsideron se ky projekt, nisur nga mënyra se si është dizajnuar dhe aprovuar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, ka shumë paqartësi dhe mund të thuhet se është përcjellë me përplot dritëhije.
“Sidoqoftë, në bazë të akteve aprovuese të këtij projekti, ne kemi të përcaktuar institucione e përgjegjës që kanë qenë të obliguar të mbikëqyrin kryerjen e punëve në këtë lokalitet. Gjithmonë në rast se kjo vërtetohet, atëherë, për MKRS–në kjo paraqet një vepër në shkelje të rëndë të përcaktimeve kushtetuese e ligjore me elemente të kryerjes së veprës penale ‘nxjerrje e paautorizuar e objekteve kulturore’ e dënueshme në bazë të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përveçse shkelje e Ligjit për Trashëgimi Kulturore”, shkruhet në përgjigjet e përcjella nga Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Sipas MKRS-së, kjo çështje nuk do të kalojë pa adresim të përgjegjësisë ligjore për kryerësit e veprimeve eventuale të kundërligjshme ashtu sikurse do të vlerësohet edhe zbatimi ose jo me sukses i detyrave mbikëqyrëse të institucioneve vartëse e personave përgjegjës në këto institucione.
“Ne do të shohim për së afërmi nëse ky zhvillim, ka ndodhur për shkak të neglizhencës ose mungesës së mbikëqyrjes së institucioneve tona që janë të mandatuara për një proces të tillë. Në çdo rast do të ndiqen rrugët ligjore, duke mos përjashtuar këtu masat administrative e diplomatike të adresimit të kësaj problematike”, shkruhet në përgjigje.
Mbikëqyrës në emër të institucioneve të Kosovës ka qenë Instituti Arkeologjik i Kosovës. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Enver Rexha, nuk është korrekte të merret materiali nga punëkryerësit.
“Kodi etik, profesional, nuk e ‘parasheh, lejon’ një ndërmarrje të tillë. Gjithçka ishte dashur të jetë në marrëveshje apo bashkëveprime me institucione relevante ndërkombëtare e vendore. E dini që ky projekt për realizim i është dhënë nga UNESCO-ja kompanisë serbe nga Beogradi me miratimin e institucioneve vendore të MKRS-së dhe institucioneve të tjera shtetërore”, kishte thënë Rexha në përgjigjet për KOHËN.
Sipas tij, Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk ka pasur dijeni për marrje të materialeve, mostrave e depozitimeve.
“E dimë se në bazë të marrëveshjes – kontratës për punë – kompania ‘KOTO’ nga Beogradi nuk ka pasur të drejtë të realizojë gërmime arkeologjike. Nuk ka realizuar gërmime arkeologjike. Ka pasur për detyrë pastrimin e depozitimit të materialit të rënë shekullor brenda Kështjellës, për të realizuar konservime-restaurime në ‘Qytetin e Epërm’ të Kështjellës”, kishte thënë ai. Sipas Rexhës, po ashtu, është dashur që gjithë materialin e gjetur arkeologjik kompania restauruese ta dorëzonte në institucione vendore, në këtë rast, në Institutin Arkeologjik të Kosovës.
Por tash del se jo krejt materiali arkeologjik është dorëzuar tek IAK-u.
Një pjesë ishte marrë në Beograd. Grupi i autorëve i përbërë nga Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinskin, e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, kanë publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkura e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga Kalaja e mesjetës së vonë e Novobërdës (Ballkani Qendror). Punimi është publikuar në revistën “Journal of Archaeological Science”.
KOHA të martën ka komunikuar me stafin editorial të revistës, i cili ka premtuar se do të përgjigjet se çfarë masash do të ndërmarrin ata, duke qenë se studimi del se bazohet në eksponate të Kosovës për bartjen e të cilave institucionet e vendit nuk dinë gjë. Zyra rajonale e UNESCO-s në Sarajevë, Zyra e BE-së në Kosovë dhe kompania “KOTO”, deri në momentin e raportimit nuk janë përgjigjur.
Pesëshja në studimin prej nëntë faqesh ka shtjelluar krejt përfundimet shkencore të nxjerra nga ky material i rrallë. Qysh në abstrakt autorët vënë në pah se materialet organike janë të rralla në kontekstin e vendbanimeve arkeologjike të zonës qendrore të Ballkanit.
“Një përmbledhje unike e përbërë nga lëkura e mumifikuar e kafshëve me qime të ruajtura, e mbushur me rrëshirë e katran, u zbulua gjatë gërmimeve arkeologjike të Kalasë së Novobërdës më 2015”, shkruhet në abstrakt. Aty jepet një përshkrim i qytetit të Novobërdës duke e konsideruar si një qendër të rëndësishme minerare të Ballkanit dhe të gjithë Evropës.
Studimi i pesëshes nga Serbia është përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik dhe nga Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi.
“Dëshirojmë të falënderojmë gjurmuesin e Novobërdës, dr. Marko Popoviq, nga Instituti i Arkeologjisë, Beograd, për krijimin e qasjes dhe mbështetjen në analizimin dhe publikimin e materialit”, kanë shkruar autorët.
Arkeologu Marko Popoviq, i cili vdiq në vitin 2020, ishte studiues i arkeologjisë mesjetare. Ai ka qenë i ngarkuar si mbikëqyrës në punimet që janë zhvilluar në Kalanë e Novobërdës.
Një grup arkeologësh nga Kosova dhe Shqipëria kishin vizituar punishten në tetor të vitit 2015, kishin konstatuar shumë parregullsi. Për këtë kishin përgatitur një raport, i cili nuk ishte marrë parasysh nga institucionet e Kosovës.
“Projekti nuk ka pozicion për gërmimet arkeologjike dhe gërmimi është jashtë këtij projekti. Të gjitha strukturat arkitektonike të zbuluara kishin edhe shtresë kulturore dhe kjo shtresë kulturore është gërmuar në shumë pjesë”, shkruhet në raportin e përpiluar nga Shafi Gashi, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.