Ministria e Kulturës i detyrohet Radiotelevizionit të Kosovës me 750 mijë euro bazuar në Memorandumin e shkurtit të këtij viti. Por këto dy institucione e interpretojnë këtë dokument duke ofruar të dhëna që nuk zënë vend në marrëveshje. I bashkon deklarimi se nuk kanë afat se kur do të nisë zbatimi i marrëveshjes. Sipas MKRS-së mjetet do të paguhen për orkestrën e RTK-së dhe Festivalin e këtij institucioni. Për RTK-në një kanal aktual do të ketë përmbajtje kulturore. Të dyja e kishin interpretuar marrëveshjen ndryshe nga njëra-tjetra, pas raportimit të KOHË-s në shkurt të këtij viti. Por përtej palëve që janë marrë vesh, Memorandumi mbetet i qartë qysh në pikën e parë
Më shumë se dy muaj pas nënshkrimit të Memorandumit nëpërmjet të cilit Ministria e Kulturës i detyrohet Radiotelevizionit të Kosovës me 750 mijë euro, këto dy institucione e interpretojnë këtë dokument duke ofruar të dhëna që nuk zënë vend në marrëveshje. I bashkon deklarimi se nuk kanë afat se kur do të nisë zbatimi i marrëveshjes. Sipas MKRS-së, mjetet do të paguhen për orkestrën e RTK-së dhe Festivalin e këtij institucioni. Për RTK-në një kanal aktual do të ketë përmbajtje kulturore. Këto institucione e kishin interpretuar marrëveshjen ndryshe nga njëra-tjetra pas raportimit të KOHË-s në shkurt të këtij viti. Por përtej palëve që janë marrë vesh, Memorandumi mbetet i qartë qysh në pikën e parë.
Sipas nenit të parë, qëllimi i këtij memorandumi është zhvillimi i bashkëpunimit afatgjatë në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Radiotelevizionit të Kosovës - RTK “në promovimin dhe dokumentimin e aktivitetit të plotë vjetor të MKRS-së dhe institucioneve të varësisë në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore...”. Po në këtë nen përcaktohet se RTK-ja do të bëjë pasurimin e programit kulturor e artistik nëpërmjet reportazheve, dokumentarëve, emisioneve, kronikave dhe mbulimit të ngjarjeve vjetore të të gjitha niveleve të MKRS-së. Aty përmendet edhe zhvillimi i kapaciteteve orkestrale e korale, realizimi i Festivalit të Këngës në RTK, si dhe “themelimin e kanalit televiziv për artin dhe kulturën”.
Midis obligimeve të MKRS-së ndaj RTK-së është transferimi i mjeteve financiare në vlerë prej 300 mijë eurosh për vitin 2023, pastaj 250 mijë për vitin 2024 dhe 200 mijë të tjera për vitin 2025. Mjetet financiare do të merren nga buxheti i Departamentit të Kulturës, saktësisht nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve. Sipas marrëveshjes, në fillim të vitit përkatës, MKRS-ja ia siguron RTK-së programin e aktiviteteve kryesore që duhen përcjellë. RTK-ja, sipas këtij dokumenti, merr përsipër incizimin profesional, produksionin dhe post-produksionin e ngjarjeve premierë, shfaqjeve, koncerteve, shfaqjeve operistike, hapjeve të ekspozitave dhe formave të tjera të institucioneve të MKRS-së.
“Përcjell dhe promovon aktivitetet kulturore dhe të trashëgimisë kulturore të organizuara nga MKRS-ja dhe institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore në varësi të MKRS-së, përmes formateve të ndryshme profesionale, duke përfshirë reportazhet e metrazhit të shkurtër/mesëm/gjatë, dokumentarët, emisionet kulturore, emisionet kulturore dhe edukative për fëmijë dhe mosha më të reja...”, shkruhet në dokumentin e nënshkruar midis dy institucioneve më 9 shkurt të këtij viti.
RTK-ja, po ashtu, obligohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet për zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK, në baza vjetore.
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se Festivali i Këngës në RTK është themeluar tashmë. Ka treguar se rregullorja përkatëse është miratuar nga bordi i RTK-së dhe pritet që Festivali të zhvillohet në tetor. Drejtor i festivalit është emëruar Adrian Krasta.
“Ne synojmë të kemi orkestrën e RTK-së, por aktualisht nuk mund ta kemi një orkestër të përhershme. Orkestra që do të angazhojmë sivjet do të shfrytëzohet për nevojat e programeve artistike të RTK-së (koncerte dhe Festivali i Këngës)”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Transmetuesi publik financohet nga buxheti i shtetit që i ndahet në baza vjetore nga Kuvendi i Kosovës. KOHA ka pyetur RTK-në se përse financimi për Festivalin e kanalin e veçantë për kulturë nuk është bërë nga Kuvendi. Ahmetxhekaj ka thënë se financimi që bëhet përmes Ligjit për Buxhetin nuk i merr parasysh kërkesat programore të RTK-së. Sipas tij, pavarësisht se në vitin 2022 kanë bërë shkurtime për rreth 12 për qind në kategorinë e pagave, shuma prej 8.9 milionë eurosh e ndarë nga buxheti nuk është e mjaftueshme për të zhvilluar program cilësor. “Në rastin konkret, kemi ndjekur modelin që e shfrytëzojnë edhe transmetues të tjerë publik, përfshirë Shqipërinë, ku Ministria e Kulturës financon drejtpërdrejt orkestrën dhe Festivalin e Këngës”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Sipas tij, edicioni i parë i Festivalit, pritet të mbahet në muajin tetor. “Besojmë që ky aktivitet do të jetë një ngjarje e madhe në nivel vendi. Do të organizohet përgjatë 3 netëve dhe ne me këtë rast jemi të gatshëm po ashtu që marrim pjesë në ‘Eurosong’, nëse arrijmë të sigurojmë ftesë për pjesëmarrje”, ka thënë ai.
Sipas Memorandumit, RTK-ja do të themelojë kanal të veçantë për kulturë.
përsipër themelimin e kanalit televiziv për artin dhe kulturën ku edhe do të transmetojë të gjitha materialet televizive të prodhuara si dakordim i këtij memorandumi”, shkruhet në pikën 4 të nenit 6 të Memorandumit. Por sipas Ahmetxhekajt, nuk bëhet fjalë për themelim.
“Kanali i 4-t i RTK-së është i dedikuar për kulturë. Edhe vetë akti i themelimit të tij para 10 vjetësh ka qenë i tillë. Në diskutim me Bordin e RTK-së jemi zotuar që të kthejmë këtë kanal në identitet dhe ta profilizojmë si kanal për art. Në memorandum përmendet edhe ky fakt, pasi ne e kemi prezantuar si synim të zhvillimit tonë dhe prezantimit më të madh të aktiviteteve kulturore qoftë teatër, film, muzikë e të gjitha zhanreve, etj. Ndër të tjera, ky është edhe obligim yni ligjor”, ka thënë ai.
Ka sqaruar se “RTK 4” edhe aktualisht ka program 24 orë, ndërkaq janë duke e rikonceptuar skemën programore. “Paralelisht duhet të rrisim edhe kapacitetet e produksionit dhe besojmë që brenda këtij viti do të mund të nisim me një skemë të qëndrueshme programore të RTK4”, ka thënë Ahmetxhekaj. Sipas tij, kanali “RTK 4” do të riemërtohet si “RTK Art” dhe është funksional.
“Ne nuk kemi kërkuar buxhet shtesë enkas për këtë kanal. Nga Ministria kemi kërkuar që të financojë festivalin e këngës dhe orkestrën e RTK-së”, ka thënë ai. Sipas tij, ende nuk janë transferuar në llogarinë e RTK-së, mjetet e parapara për këtë vit. Por në Memorandum askund nuk shkruhet se mjetet e MKRS-së do të shfrytëzohen vetëm për orkestrën dhe festivalin. Madje pas neneve ku përmenden mjetet financiare, fillimisht flitet për mbulimin e ngjarjeve e kanalin për kulturë e më pas, për festivalin e orkestrën.
Përgjigje që të paktën në Memorandum nuk gjejnë mbështetje, ka dhënë edhe MKRS-ja. Sipas Zana Fetiut, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku, MKRS-ja financon vetëm festivalin.
“Ajo çfarë po zbaton MKRS-ja është pikërisht Ligji i Buxhetit, duke e financuar vetëm festivalin, teksa pikat e tjera të Memorandumit janë pjesë e dakordimit për bashkëpunim”, ka thënë ajo.
Sipas saj, siç është praktikë edhe për shumë transmetues të tjerë publik në rajon, ministritë përkatëse financojnë aktivitete jo vetëm kulturore, por edhe të fushave të tjera, ndaras nga buxheti i rregullt. “Në këtë rast, shuma e apostrofuar është ekskluzivisht për orkestrën e RTK-së, kapacitetet orkestrale, ku po krijojmë vende të reja angazhimi profesional për muzikantët e rinj dhe Festivalin e Këngës. Organizimi i Festivalit të Këngës është parakusht dhe mundësi për anëtarësimin e pjesëmarrjen e Kosovës në ‘Eurosong’”, ka thënë ajo.
Sipas Fetiut, ka një prirje dashakeqe për të dezinformuar lidhur me qëllimin e Memorandumit.
“Megjithatë, me të lexuar mund ta kuptoni për rëndësinë e mbulimit të aktiviteteve kulturore. Sërish, synimi i këtij memorandumi është dokumentimi i punës dhe programit të institucioneve publike të kulturës, me qëllim arkivimin e brendshëm dhe bartjen e këtij programi tek audiencat e gjera, por edhe promovimin e programit të institucioneve të kulturës, organizatave dhe artistëve me qëllim zhvillimin e audiencave kulturore në Kosovë. Pra, kjo pjesë e memorandumit ka të bëjë vetëm me fuqizim të bashkëpunimit me RTK-në, në mbulimin e kalendarit të ngjarjeve kulturore”, ka thënë ajo. Sipas Fetiut, mbulimi dhe transmetimi i tyre në ekran edhe është obligim ligjor i RTK-së, por përmes këtij bashkëpunimi po ofrojnë për publikun kanal enkas të kulturës. Ka shtuar se ky bashkëpunim dhe financim nuk paraqet konflikt interesi.
Kur në shkurt KOHA kishte raportuar për nënshkrimin e këtij Memorandumi, profesori universitar i artit, Adem Rusinovci e dramaturgu Jeton Neziraj e kishin kritikuar goxha bashkëpunimin midis RTK-së e MKRS-së. Sipas Nezirajt, së pari, ky memorandum “e shndërron RTK-në në një agjenci marketingu që duhet të prodhojë program specifik për një ministri, në këtë rast, Ministrinë e Kulturës”.
“Në një situatë normale, ky angazhim për të prodhuar program kulturor do të duhej të ishte përgjegjësi e RTK-së. Dhe dhënia e përgjegjësive shtesë të kësaj natyre do të duhej të ishte detyrë e Kuvendit të Kosovës, si financues dhe si themelues i RTK-së”, kishte thënë ai. Sipas dramaturgut, veprat e të cilit janë përkthyer në mbi 10 gjuhë në botë e janë inskenuar deri në SHBA, marrëveshja midis MKRS-së dhe RTK-së ka shumë probleme.
“Tani kemi një ministri specifike, e cila, përpos që e financon RTK-në, ia dikton edhe formatin e mbulimit të ngjarjeve dhe ia ngushton mbulimin medial të vetëm aktiviteteve të veta, të institucioneve vartëse dhe të aktiviteteve që ka financuar”, kishte thënë ai.
Ministria e Kulturës kohëve të fundit ka nisur të prodhojë video, ku ministri Hajrulla Çeku i plason ato që i quan suksese e arritje. Jo pak, aty janë edhe punë që nuk kanë përfunduar. E sipas asaj që shpjegohet në Memorandum, video të ngjashme mund të transmetohen edhe në kanalin e ri të televizionit publik.