Kulturë

Ministria e Kulturës me 750 mijë euro për TV-kanal në promovim të vetes

Faksimilet e Memorandumit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe RTK-së

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nëse implementohet memorandumi me RTK-në, nuk do të ketë më brengë se si do të paraqitet në media puna e tij dhe e institucionit që ai udhëheq. Me Memorandum Bashkëpunimi janë sqaruar krejt detajet për themelimin e atij që është paraparë të jetë kanal televiziv “në promovimin dhe dokumentimin e aktivitetit të plotë vjetor të MKRS-së dhe institucioneve të varësisë”. Kostoja: 750 mijë euro për tre vjet. Akterë të kulturës e shohin me dyshim këtë marrëveshje, duke pasur parasysh edhe mundësinë që RTK-ja të bëhet agjenci marketingu për MKRS-në

Ka muaj që ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka shprehur një brengë publikisht. Është ankuar se mediat nuk po ia mbulojnë aktivitetet dhe sukseset e institucionit që ai udhëheq. Madje, duke shprehur habi ka pyetur se përse, sipas tij, po ndodh kjo. Në tetor të vitit të kaluar kishte thënë se të paktën një ose dy herë në javë MKRS-ja dërgon komunikata dhe lajme në adresë të mediave.

“A e dini sa prej tyre dalin në mediat e Kosovës. As dy për qind. Tash, kur unë e bëj gjithë këtë dhe nuk kam kurrfarë mbulese nga mediat, çfarë mund të bëj më shumë…?”, kishte shtruar ai pyetjen retorike më 5 tetor të vitit të kaluar në KTV.

Por katër muaj më vonë e ka gjetur opsionin. MKRS-ja do ta financojë themelimin e një kanali televiziv për të përcjellë ngjarjet e Ministrisë. Ka zotuar 750 mijë euro të Ministrisë së Kulturës, të cilat për tre vjet do t’ia jep Radiotelevizionit të Kosovës që të përcjellë aktivitetet e MKRS-së. Këtë e ka zyrtarizuar më 9 shkurt, kur vetë ministri Çeku ka nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit me kryetarin e Bordit të RTK-së, Besnik Boletini. Me shtatë rreshta e gjysmë komunikatë për media, ishte bërë i ditur nënshkrimi i Memorandumit, pa u specifikuar detajet e përmbajtjes.

Për ata që janë ndër akterët kryesorë të jetës kulturore në vend, kjo marrëveshje është problematike. Madje është vlerësuar edhe si mundësi që RTK-ja të jetë agjenci marketingu për Ministrinë e Kulturës.

Sipas nenit të parë, qëllimi i këtij memorandumi është zhvillimi i bashkëpunimit afatgjatë në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Radiotelevizionit të Kosovës - RTK “në promovimin dhe dokumentimin e aktivitetit të plotë vjetor të MKRS-së dhe institucioneve të varësisë në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore...”. Po në këtë nen përcaktohet se RTK-ja do të bëjë pasurimin e programit kulturor e artistik nëpërmjet reportazheve, dokumentarëve, emisioneve, kronikave dhe mbulimit të ngjarjeve vjetore të të gjitha niveleve të MKRS-së. Aty përmendet edhe zhvillimi i kapaciteteve orkestrale e korale, realizimi i Festivalit të Këngës në RTK, si dhe themelimi i një kanali televiziv për artin dhe kulturën.

Midis obligimeve të MKRS-së ndaj RTK-së është transferimi i mjeteve financiare në vlerë prej 300 mijë eurosh për vitin 2023, pastaj 250 mijë për vitin 2024 dhe 200 mijë të tjera për vitin 2025. Mjetet financiare do të merren nga buxheti i Departamentit të Kulturës, saktësisht nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve. Sipas marrëveshjes, në fillim të vitit përkatës MKRS-ja ia siguron RTK-së programin e aktiviteteve kryesore që duhen përcjellë.

“Ofron bashkëpunim të institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore të MKRS-se në qasje për xhirim profesional të premierave, huazim të materialit të xhiruar për promovim në RTK dhe huazim të filmave dhe materialeve të tjera të financuara nga institucionet e MKRS-se në përputhje me Ligjin e të drejtave të autorit dhe legjislacionin tjetër në fuqi”, shkruhet në Memorandum.

Nga ana tjetër RTK-ja, sipas këtij dokumenti, merr përsipër incizimin profesional, produksionin dhe post-produksionin e ngjarjeve premierë, shfaqjeve, koncerteve, shfaqjeve operistike, hapjeve të ekspozitave dhe formave të tjera të institucioneve të MKRS-së.

“Përcjell dhe promovon aktivitetet kulturore dhe të trashëgimisë kulturore të organizuara nga MKRS-ja dhe institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore në varësi të MKRS-së, përmes formateve të ndryshme profesionale, duke përfshirë reportazhet e metrazhit të shkurtër/mesëm/gjatë, dokumentarët, emisionet kulturore, emisionet kulturore dhe edukative për fëmijë dhe mosha më të reja...”, shkruhet në dokument. RTK-ja, po ashtu, obligohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet për zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK, në baza vjetore.

“Merr përsipër themelimin e kanalit televiziv për artin dhe kulturën ku edhe do të transmetojë të gjitha materialet televizive të prodhuara si dakordim i këtij memorandumi”, shkruhet në dokument. Përtej kësaj, RTK-ja obligohet për pasurimin e skemës programore me emisione speciale dhe reportazhe të realizuara në lidhje me datat e rëndësishme, subjektet dhe temat e veçanta të kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Madje, sipas mundësisë, përcjell ngjarjet e institucioneve komunale publike të kulturës dhe të organizatave të artistëve të skenës së pavarur që financohen nëpërmjet skemës së garantëve të kulturës.

Por në këtë dokument nuk përmenden afate specifike se kur do të nisë implementimi, megjithëse si memorandum ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit.

“Afati i realizimit të qëllimit të Memorandumit të Bashkëpunimit duhet të arrihet brenda viteve 2023-2025, me mundësi vazhdimi edhe për dy vite të tjera me marrëveshje të dyanshme”, shkruhet në dokument.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, buxheti i sivjetmë i RTK-së është 8 milionë e 960 mijë euro.

Adem Rusinovci, profesori i rregullt i arteve figurative në Fakultetin e Arteve të Universitetin të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, ka thënë se është skeptik nëse do të mund të mbahet një kanal televiziv vetëm për art e kulturë. Rusinovci, i cili për 7 vjet ishte dekan i Fakultetit të Arteve, ka thënë se në Kosovë nuk ka aq ngjarje të kulturës sa të mund të mbahej gjallë një kanal televiziv.

“Nuk ka sa duhet, por hapësirë për kulturë ka nëpër televizionet tona pasi informacionet i marrim. Nëse Ministri do ta promovojë veten në atë kanal, atëherë është diçka tjetër. Por të mbushet një kanal televiziv me art e kulturë nuk e di si do t’ia dalin”, ka thënë Rusinovci. Sipas tij, krejt çka është prodhuar pas luftës sa u përket dokumentarëve për skenën kulturore janë bërë dobët.

“Nëse do të bëhej një kanal dhe të shfaqen çdo dy ditë aty gjëra e të përsëritën të njëjtat në pamundësi për të mbushur hapësirën e kanalit, do të ishte monotone”, ka thënë ai.

Sipas Rusinovcit, nëse RTK-ja është në atë gjendje tash e 30 vjet dhe nuk ndryshon, atëherë cila është mundësia që të hapet një kanal televiziv që të kënaqë dëshirat e një numri të njerëzve.

“Ne kemi bërë edhe shumë universitete, por shikojeni se si janë”, ka thënë ai. Sipas tij, problem më vete janë fondet për të mirëmbajtur një kanal të tillë që kërkon prodhim të madh e kualitativ.

“Dyshoj që kemi fonde e kuadro të mbushim atë kanal. Veç nëse e pasqyrojnë aktivitetet e ministrit që do të ishte muhabet tjetër. Shpresoj ta kem gabim dhe ata të MKRS-së të bëjnë një super-atraksion aty”, ka thënë Rusinovci. Nuk e ka lënë me kaq. Ka thënë se televizionet duhet të kenë më shumë përmbajtje kulturore. E nismën e MKRS-së e ka parë si diçka të pamundur, ku dëshira e mundësia nuk preken njëra me tjetrën.

“Dëshira dhe mundësitë janë si binarët e trenit, shkojnë paralel por nuk puqen asnjëherë. Këtë MKRS-ja duhet ta ketë parasysh”, ka thënë Rusinovci.

Memorandum problematik e ka cilësuar dokumentin dramaturgu Jeton Neziraj. Sipas tij, së pari, ky memorandum “e shndërron RTK-në në një agjenci marketingu që duhet të prodhojë program specifik për një ministri, në këtë rast, Ministrinë e Kulturës”.

“Në një situatë normale, ky angazhim për të prodhuar program kulturor do të duhej të ishte përgjegjësi e RTK-së. Dhe dhënia e përgjegjësive shtesë të kësaj natyre do të duhej të ishte detyrë e Kuvendit të Kosovës, si financues dhe si themelues i RTK-së”, ka thënë ai. Sipas dramaturgut, veprat e të cilit janë përkthyer në mbi 10 gjuhë në botë e janë inskenuar deri në SHBA, marrëveshja midis MKRS-së dhe RTK-së ka shumë probleme.

“Tani kemi një ministri specifike, e cila, përpos që e financon RTK-në, ia dikton edhe formatin e mbulimit të ngjarjeve dhe ia ngushton mbulimin medial të vetëm aktiviteteve të veta, të institucioneve vartëse dhe të aktiviteteve që ka financuar”, ka thënë ai. Neziraj ka thënë se ndokush do të mund edhe të thoshte: “Paj, mirë që do të mbulohen ngjarjet kulturore”.

“Mirë, megjithatë, është tendencë e rrezikshme. Është marrëdhënie klienteliste me qëllime propagandistike, më tepër sesa për qëllime vërtet kulturore. Ky lloj raporti e bën MKRS-në njëlloj kapoje të jetës kulturore në Kosovë, që dirigjon e kontrollon mediumin publik, dhe në të njëjtën kohë promovon dhe plason – me para të taksapaguesve – politikat e veta, qëndrimet dhe vendimet, edhe kur ato janë të gabueshme, edhe kur ato janë subjekt i kritikës”, ka thënë Neziraj.

Në anën tjetër, në perspektivën e tij, ky memorandum ngushton hapësirën për kritika ndaj MKRS-së, që do të duhej të ishte baza dhe themeli edhe i gazetarisë kulturore.

“Ka një pikë tjetër, në të cilën MKRS-ja e siguron RTK-në se ‘nuk do të ketë implikime të të drejtave autoriale që në të ardhmen mund t’i shkaktojnë RTK-së pasoja juridike’. Kjo e bën MKRS-në të duket si një agjenci e të drejtave autoriale, respektivisht MKRS-ja merr një barrë, të cilën juridikisht nuk mund ta mbështesë”, ka thënë Neziraj.

Ministria e Kulturës kohëve të fundit ka nisur të prodhojë video ku ministri Hajrulla Çeku i plason ato që i quan suksese e arritje. Jo pak, aty janë edhe punë që nuk kanë përfunduar. E sipas asaj që shpjegohet në Memorandum, ato video mund të dalin edhe në kanalin e ri që pritet të themelojë televizioni publik.