Kulturë

Ministria e Komuna në betejë kallëzimesh penale për “Xhorxh Bushin”

Sheshi "Xhorxh Bush" (Foto: Driton Paçarada)

Me rastin e sheshit “Xhorxh Bush”, punimet për të cilin nisën pa autorizim të organeve të trashëgimisë kulturore, kutia e akuzave midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës tashmë është hapur

Foto: Driton Paçarada

Me paralajmërim për kallëzim penal për kallëzim të rrejshëm, i është kundërpërgjigjur Ministria e Kulturës kallëzimit penal të Komunës së Prishtinës ndaj Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Pasoi ofrimi i dorëheqjes së drejtorit të ITK-së, të cilën s’e ka miratuar MKRS-ja, që në sqarimin e së martës tërthorazi ka bërë publik edhe një tjetër hap tek i cili gjen edhe shkakun e reagimit të Komunës: kërkesën për fillim të hetimeve për fenomenin e ndërhyrjeve pa leje në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës. Numri i kallëzimeve penale midis Komunës e Ministrisë për “Xhorxh Bushin” dhe një tjetër projekt ka arritur në tre

Kallëzim penal për kallëzim të rrejshëm, është një pjesë e kundërpërgjigjes së Ministrisë së Kulturës ndaj Komunës së Prishtinës, pa u bërë 24 orë prejse kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë publike një pjesë të kallëzimit ndaj Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Shkas është bërë nisja pa aprovim të autoriteteve të trashëgimisë kulturore e punimeve për sheshin “Xhorxh Bush”, të ndërprera menjëherë, gati një muaj më parë, por historia e përplasjeve nuk nis e përfundon këtu. 

Tok me kallëzimin kryetari Rama të hënën kishte renditur jo pak akuza, se projektet transformuese që kanë filluar në kryeqytet janë bllokuar dhe ndaluar nga autoritetet e qeverisë qendrore. MKRS-ja nëpërmjet “sqarimit të opinionit publik” të martën ka thënë se “i konsideron të pabazuara dhe manipuluese pretendimet e kryetarit Përparim Rama, që qeverisja qendrore po i bllokon dhe ndalon projektet kapitale të Komunës së Prishtinës”. 

“Komuna po tenton të paraqesë zbatimin e ligjit si pengesë politike. Në fakt, është vetë ajo që ka vepruar dhe po vazhdon të veprojë në kundërshtim me Ligjin për trashëgiminë kulturore e ligjet e tjera dhe po e dëmton buxhetin e shtetit e cenon interesin publik”, ka shkruar Ministria në sqarim. Për më tepër, MKRS-ja ka shkruar se në vazhdimësi është sfiduar me veprimet e njëanshme të Komunës së Prishtinës, përkatësisht për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”, atë të “Ishullit Urban”, rrugës “Rexhep Luci” dhe projektin te rruga “Agim Ramadani”.

“Veprimi i tyre i fundit, ngritja e kallëzimit penal ndaj inspektorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Pajtim Zogaj, është formë e presionit ndaj zyrtarëve që zbatojnë ligjin, i pabazuar e tendencioz”, shkruhet ndër të tjera në sqarim. 

Por kallëzimin e Komunës e lidh edhe me një tjetër hap të MKRS-së. Në sqarim tërthorazi bëhet e ditur se në ditën e dytë të këtij muaji “ka dorëzuar kërkesën për fillim të hetimeve për fenomenin e ndërhyrjeve pa leje në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës”, ku, siç pretendon MKRS-ja, ka “argumentuar shkeljet e rënda që janë bërë në këto projekte”. Nuk sqarohet se për cilat projekte konkretisht bëhet fjalë. Sqarimit – njësoj siç kishte bërë kryetari Rama me faqen e parë të kallëzimit penal – ia ka bashkëngjitur faqen e parë të kërkesës për nisje hetimesh drejtuar Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës. 

“Kërkesë për fillim të hetimeve lidhur me ndërhyrjet pa leje në sipërfaqe të mbrojtur dhe zonën mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës dhe dyshimi për keqpërdorim të parasë publike në kundërshtim me Ligjin për Menaxhim të Parasë Publike dhe Përgjegjësitë si shkak pasoje e kontratës publike 1,550,000,00”, është titulli i lëndës së protokolluar më 2 prill. Deri më tash MKRS-ja s’e ka bërë publike këtë kërkesë. KOHA deri vonë ka pritur përgjigje për detajet e saj, por ende nuk ka marrë. Te arsyetimi i kërkesës, në pikën e parë shkruhet se “Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave të Komunës së Prishtinës ka filluar punimet në ditë vikendi lidhur me projektin sheshi ‘Xhorxh Bush’ në Prishtinë, pa leje të ndërtimit, pa aprovim të projektit nga organet e trashëgimisë kulturore, në këtë rast Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe pa pëlqimin e këtyre të fundit për ndërhyrje në sipërfaqe me status të mbrojtjes”.  

Kutia e akuzave të ndërsjella tashmë është hapur. 

“Gjatë mandatit tonë qeverisës kemi kërkuar vazhdimisht mundësi bashkëpunimi për të punuar në interes të qytetarëve të Prishtinës. Megjithatë, përpjekjet tona në vazhdimësi janë penguar nga strukturat qeveritare, të cilat për arsye politike dhe interesa të ngushta kanë bllokuar realizimin e projekteve jetike për qytetin, madje duke shkelur ligjin”, kishte shkruar kryetari Përparim Rama në rrjete sociale. Sipas tij, të ndodhur në këtë situatë, janë detyruar të ndërmarrim hapa ligjorë të nevojshëm.  

“Ekipi ligjor i Komunës së Prishtinës ka nisur procedura ndaj atyre që kanë kontribuuar në bllokimin e projekteve! Kemi iniciuar kallëzim penal ndaj inspektorit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, për veprime në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik”, kishte shkruar ai. Kishte shtuar se do të veprojnë me të njëjtën rrugë dhe vendosmëri ndaj çdo personi që guxon të shkelë ligjin dhe të cenojë të ardhmen e qytetarëve të Prishtinës. Kallëzimi ishte bërë për inspektorin Pajtim Zogaj, i cili i kishte thënë KOHËS se situata është krejt e thjeshtë.  

“Ditën që i kemi ndalur punët drejtori i Drejtorisë për Transformim, Gëzim Kastrati, ka thënë: ‘Po na e bëni këtë për qëllime politike’. Vetë e kam udhëzuar që të bëjë kallëzim penal ndaj neve nëse mendon që po e keqpërdorim detyrën. E paskan bërë kallëzimin. Tash prokuroria ia hedh poshtë edhe bëhet e qartë që ne e kemi kryer punën mirë”, kishte thënë ai. 

Drejtori i Inspektoratit, Imer Hakaj, kishte ofruar publikisht dorëheqjen.  Nëpërmjet rrjeteve sociale kishte thënë se beteja për drejtësi do të vazhdojë ndaj të gjithë shkelësve të Ligjit për trashëgimi kulturore, për ndërhyrjet e paautorizuara lidhur me punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë. 
“Përgjegjës për të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani jam dhe mbetem vetëm unë, si drejtor i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, duke u nisur nga udhëzimi dhe miratimi për inspektim për inspektorin e ITK-së. Personalisht tani ndiej përgjegjësi të plotë zyrtare për mosveprimet me kohë ndaj shkelësve të Ligjit për trashëgimi kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës”, kishte shkruar ai. 

Por, Ministria e Kulturës të martën ka sqaruar se nuk e ka miratuar dorëheqjen e tij.  

“Kjo pasi gjithë puna e bërë deri tani është brenda mandatit të tij. Inspektorati ka vepruar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe brenda autorizimeve ligjore”, shkruhet në sqarim. Kërkesa për hetim përmendet edhe te sqarimi kur shkruhet se MKRS-ja “konsideron që veprimet e përsëritura, të qëllimshme dhe me paramendim të Komunës së Prishtinës nuk paraqesin vetëm shkelje procedurale, por kemi dyshime të bazuara për keqpërdorim dhe dëmtim të buxhetit publik”. Ka rikujtuar se në dhjetorin e vitit të kaluar ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi i njëjti ka lidhur kontratë mbi 6.5 milionë euro, pa leje, sipas Ligjit për trashëgimi, ka kryer afër 1.5 milionë euro pagesa të paligjshme, dhe ka kontraktuar punë në pronën e dhënë në shfrytëzim afatgjatë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. 

MKRS-ja kishte akuzuar Komunën e Prishtinës se po ia cenon ndërtimin e TOB-it dhe 2.5 milionë eurot e projektit të prezantuar tashmë. Për këtë, siç ka raportuar KOHA, kishte ushtruar kallëzim penal, lëndë e të cilit është projekti komunal i ishullit urban që synon të lidhë lagjen “Arbëria” me Pallatin e Rinisë. Projekti komunal kishte nisur të realizohej në nëntorin e vitit të kaluar pa pëlqimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore, megjithëse ishulli urban prek Pallatin e Rinisë që mbrohet me ligj si monument.

Projekti për sheshin “Xhorxh Bush” qe i treti prej intervenimeve të mëdha në kryeqytet për të cilin s’ka pajtim midis palëve. Për pasojë, Komunës i qenë ndalur punimet për projektin që peshon 18.4 milionë euro. Zyrtarët komunalë në ditën e ndaljes së punimeve kishin thënë se bëhej fjalë për qasje bllokuese politike. Megjithëse zyrtarët komunalë kishin thënë se punimet do të vazhdojnë, ata kanë vepruar ndryshe. Pas pak ditësh kanë dorëzuar projektin voluminoz në institucionet e trashëgimisë kulturore. 
Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim. 

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.