Kulturë

Ministria akuzon Komunën se po ia cenon projektin e Teatrit dhe Operës

Ishulli urban

“Ishulli urban Arbëri - Pallati i Rinisë”, të cilin Komuna e Prishtinës e nisi kundërligjshëm në nëntorin e kaluar, kalon nëpër hapësirën e dedikuar për Teatër të Operës dhe Baletit

“Cenim të 2.5 milionë eurove”, sa kushton projektimi i Teatrit të Operës dhe Baletit, është kryefjala e kallëzimit penal që ka ushtruar Ministria e Kulturës ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Çështja qëndron pikërisht te lokacioni ku është vendosur që të realizohet projekti më i madh kapital i shtetit në kulturë. Ka të bëjë me projektin komunal të “Ishullit urban Arbëri - Pallati i Rinisë”. “Fatkeqësisht mënyra se si ka vepruar Komuna, ka shkelur vendimet e veta dhe Ligjin për trashëgimi kulturore. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj Komunës në lidhje me këtë projekt të kundërligjshëm”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku

Euforia e publikimit të projektit ideor të Teatrit të Operës dhe Baletit ka nisur të venitet pa kaluar dy ditë prej publikimit të renderëve. Përplasjet midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës tashmë janë lëndë e Prokurorisë së shtetit. Çështja qëndron pikërisht te lokacioni ku është vendosur që të realizohet projekti më i madh kapital i shtetit në kulturë. 

Ministria e Kulturës ka ushtruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama për “cenim të 2.5 milionë eurove”. Kaq kushton projektimi i Teatrit të Operës, kontratë e lidhur midis MKRS-së dhe konsorciumit “BIG Partners LTD dhe Alb Architects”. Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës në nëntorin e vjetëm ka nisur ndërtimin e atij që e quan “Ishulli urban Arbëri  - Pallati i Rinisë”. Nisja e punimeve qe bërë pa pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pasi “Ishulli...” prek Pallatin e Rinisë dhe Sportit, që është monument, e po ashtu zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. 

Të hënën është prezantuar projekti ideor i Teatrit të Operës dhe Baletit. Për projektin që në pamje të jashtme për dizajn është marrë për bazë xhubleta – pjesë e Listës së Trashëgimisë botërore të UNESCO-s – projektuesi danez Bjarke Ingels ka thënë se duhen pesë vjet që të realizohet. E në anën tjetër “prapa perdeve” të festës institucionet veçse kanë nisur përplasjet. 

Më 2022, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte ndarë hapësirën prapa Pallatit të Rinisë si lokacion për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Por marrëveshja ndërinstitucionale nuk ka ecur mirë gjatë rrugës. 

“Vitin e kaluar përkundër paralajmërimeve tona paraprake ndaj Komunës, Komuna në shkelje të vendimit të Kuvendit të Komunës, duke mos marrë pëlqim as nga autoritetet e trashëgimisë kulturore e as nga hekurudhat, ka nisur një projekt, ka lidhur një kontratë, bile ka ekzekutuar edhe pagesa, të gjitha të kundërligjshme”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku për KOHËN menjëherë pas prezantimit të projektit të Teatrit. Çeku ka thënë se gjërat duhet thënë ashtu siç janë. 

“Edhe në detyrën projektuese për Teatër të Operës, ne kemi kërkuar nga ndërtuesi që ta ketë parasysh këtë urë, pra këtë ndërlidhjen midis Pallatit të Rinisë dhe ‘Arbërisë’. Fatkeqësisht mënyra se si ka vepruar Komuna, ka shkelur vendimet e veta dhe Ligjin për trashëgimi  kulturore. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj Komunës në lidhje me këtë projekt të kundërligjshëm”, ka thënë ai. 

Vjet Komuna kishte nisur realizmin e “Ishullit...” duke manovruar me vendin ku planifikohej të nisnin punimet. Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Meqenëse edhe Pallati i Rinisë dhe Sportit mbrohet si monument, Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i kishte ndalur punimet që me vënien e tabelave pasi Komuna s’kishte përfillur përcaktimet ligjore për marrjen e pëlqimeve nga institucionet e trashëgimisë kulturore. 
Pasi i ishin ndërprerë punimet nëpërmjet të cilave Komuna po bëhej gati për inaugurim të fillimit të projektit, institucioni kishte gjetur një zgjedhje: kishte zhvendosur tabelat matanë rrugës e hekurudhës dhe i kishte nisur punimet në “Arbëri”. E më pas kishte aplikuar për pëlqim, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar projektin me arsyetimin se është duke u hartuar Plani i konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe se projekti i Komunës duhet rishikuar. “Ishulli...” kalon nëpër hapësirën e dedikuar për Teatër të Operës dhe Baletit. 

“Ne kemi qenë të detyruar që atë projekt ta dërgojmë në Prokurori në formën e kallëzimit penal. Komuna as nuk mund të nisë procedurë të prokurimit pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Faktet janë të qarta andaj presim veprimet e organeve të drejtësisë”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. 

KOHA gjatë gjithë ditës së martë ka provuar të marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës, por kjo ka qenë e pamundur. 

Ligji për trashëgiminë kulturore, i miratuar që nga vitit 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore duhet të kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. 

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. 

Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një ansambli, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.  

Në kallëzim penal Ministria e Kulturës pretendon se pavarësisht krejt parregullsive Komuna ka lidhur kontratë me punëkryerësin e “Ishullit” në vlerë prej 6.5 milionë eurosh dhe deri tash ka paguar një milion e 156 mijë euro. 

Pavarësisht kësaj mosmarrëveshjeje, hartuesit e projektit ideor të Teatrit të Operës kanë 15 muaj kohë që të punojnë projektin zbatues. 

Arkitekti me nam botëror, Bjarke Ingels, të hënën ka shpjeguar konceptin e tij për dizajnin. 

“Kemi provuar të krijojmë, le të themi, fabrikën më racionale dhe efiçiente të interpretimeve. Pastaj për të qenë atraktive për publikun e kemi lënë ndërtesën të hapur nga të gjitha anët që të jetë ftuese. Zgjedhja arkitekturore bazohet në xhubletën. Në njërën anë është ndërtesë racionale e krijimit të interpretimeve e në tjetrën një ndërtesë që fton qytetarët të hyjnë brenda”, ka thënë ai. Projekti duket madhështor. Njëkohësisht, shumë me vështirësi i zbatueshëm në rrethanat e Kosovës, duke pasur parasysh tentimet për të pasur ndërtesa reprezentative publike. Janë katër salla. Një me 1.200 ulëse, një tjetër me 1.000 dhe dy me nga 300 ulëse. Teatri i Operës dhe Baletit pritet të jetë shtëpia e katër institucioneve: Filharmonisë së Kosovës, Baletit Kombëtar të Kosovës, ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Operës së Kosovës.

Historia e telasheve me projekte e lokacione për këtë ndërtesë, që mbetet ende veç tentativë, është e vjetër. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emrin: Teatri i Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. U shpenzuan mbi një milion euro dhe projekti i asaj kohe nuk u realizua kurrë.