Kulturë

Ministri me zotime para disa kineastëve, tok për diskutime e shkarkime

Se Qendra Kinematografike e Kosovës për vitin që vjen do të ketë 1.5 milionë euro e që pesë kinema do të shpallen objekte me interes të veçantë publik, kanë qenë lajmet e mira që të mërkurën mbrëma ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ua ka dhënë kineastëve që i ka takuar në “Kino Armata”. Temë diskutimi ka qenë edhe Projektligji për kinematografi, por për të ka folur vetëm ministri, e të tjerët janë pajtuar se do të diskutojnë pasi s’e kanë lexuar, meqë është publikuar të martën

Një pjesë e kineastëve të vendit, rreth 30 veta, dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të mërkurën mbrëma janë pajtuar për disa gjëra. Në vija të trasha janë marrë vesh për vazhdimin e diskutimeve për Projektligjin për kinematografi dhe shkarkimin e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku. Bile, këtë të fundit ministri Çeku e ka konsideruar si punë të kryer, pasi disa herë i është referuar si “ish-drejtori”, megjithëse ligjërisht Arben Zharku vazhdon të jetë drejtor i QKK-së. Është veç i pezulluar. Herën e parë Komisioni Disiplinor ia kishte huqur duke e shkarkuar e në të dytën i ka rekomanduar ministrit që ta “largojë nga shërbimi publik”. Procedurën e ka përmendur edhe ministri Çeku, por, pavarësisht kësaj, i është drejtuar me “ish-drejtori”.

Krejt në fillim të takimit, në “Kino Armatë” – ku s’kanë qenë të pranishëm regjisorët e regjisoret që kanë shënuar vitin e kinematografisë së vendit – ministri i Kulturës ka treguar se Qendra Kinematografike e Kosovës për vitin që vjen do të ketë dyfishin e buxhetit. Sipas Projektbuxhetit, QKK-ja do të ketë 1.5 milionë euro për subvencione dhe transfere. Ministri Çeku ka përmendur se Projektligji për kinematografi – i publikuar në platformën online të konsultimeve të martën – përcakton se veprimtaria kinematografike në Republikën e Kosovës konsiderohet fushë e interesit të veçantë publik. Ka treguar se pesë kinema që aktualisht janë nën menaxhim të AKP-së nëpërmjet Projektligjit do të shpallen objekte me interes të veçantë publik. Bëhet fjalë për Kinemanë ABC, ish-Kino Rininë e “Kino Armatën” në Prishtinë, “Jusuf Gërvalla” e “Lumbardhi” në Prizren. Menjëherë më pas, ministri Çeku ka qenë i hapur për pyetje dhe komente.

Aktorja e regjisorja Flutura Zymi ka pasur një varg pyetjesh prej statistikave se sa ka aktorë e regjisore Kosova, pamundësisë, sipas saj, të qasjes në dokumente publike e deri te temat që duhet të trajtojnë filmat. Sipas saj, nuk ka argumente që filmi të shpallet interes nacional. Por ministri Çeku ka thënë se me shpalljen e filmit si interes të veçantë do të krijohen mundësi që të përfitojë industria e filmit dhe të krijohet një ambient i filmbërjes që krijon edhe dobi financiare për shtetin.

Regjisori Luan Kryeziu ka thënë se janë 30 qytete, por kinema ka vetëm në dy qytete. Ka kërkuar që të krijohet mundësia që të shfaqen filmat për tatimpaguesit e vendit. Por në raport me buxhetin e Kosovës, që është derivat i taksave të qytetarëve, Kryeziu të paktën një herë ka marrë mjete financiare jashtë rregullave ligjore të shtetit. Në shkurt të vitit 2019, Qeveria që asokohe udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, nga kategoria e shpenzimeve rezervë ia kishte ndarë Kryeziut 180 mijë euro për projektin filmik “Lojë jete”. Qeveria kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për kinematografi dhe atë për menaxhimin e financave publike. Bile, ky projekt një vit më herët nuk kishte kaluar në QKK, pasi kishte marrë vetëm 23 pikë nga juria, në përbërje të Isa Qosjes, regjisor, Giovanni Robbian, ekspert i skenarit, Jozko Rutar, producent, Blerta Zeqirit, regjisore, Doruntina Bashës, skenariste, Florent Mehmetit, regjisor dhe Ilir Gjocajt, skenarist.

“Si Union i Artistëve të Filmit jemi neglizhuar nga të gjitha proceset”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk ishin pjesë e grupit punues të Projektligjit. Por ministri Çeku ka thënë se ka pasur informacione të tjera.

“Në informatat që kam marrë më është thënë se ka vite që Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës nuk funksionon për shkak të disa çështjeve të brendshme. Nëse informacioni është gabim ju ftoj që nesër në takim në MKRS”, ka thënë ai. Në këtë rast edhe disa artistë të tjerë kanë kërkuar që edhe organizata të tjera të priten në takim. Midis tyre edhe regjisori Jeton Ahmetaj, i cili disa herë ka thënë se qasja e ministrit Çeku duhet duartrokitur. Asnjë prej tyre nuk ka pohuar se e ka ditur që Projektligji ka dalë për konsultim. Kërkesat kanë qenë prej më të ndryshmeve. Prej asaj se shteti duhet të përkrahë më shumë filmat, funksionalizimi i kinemave publike, shfaqja e filmave në televizionin publik e deri te mbështetja e producentëve për aplikim në festivale. Ndër vite, RTK-ja, por edhe televizione të tjera kanë paguar për shfaqje filmash vendorë të financuar nga shteti.

Plan konkret për funksionalizim të kinemave publike dhe bashkëpunim me transmetuesin publik në shfaqjen e filmave ka kërkuar producenti Eroll Bilibani, emër i njohur botërisht, e që sivjet me “Pa vend” nën regji të Samir Karahodës, Kosovën e çoi në festivalet kulmore, si ai i “Cannes”, i nominuar për “Oscar” evropian.

Vonesa e pagesave nga ana e QKK-së dhe MKRS-së ka qenë çështje në vete. Krejt bashkë kanë rënë dakord që ta lexojnë Projektligjin, të dërgojnë komente e po ashtu javën që vjen të mbahet edhe një takim. Ben Apolloni e Enver Petrovci kanë kërkuar kategorikisht që të shkarkohet Arben Zharku nga pozita e drejtorit të QKK-së. E ministri Çeku ka thënë se çështja e drejtorit të QKK-së “është në procedurë dhe duhet të mbyllet si procedurë rasti i ish-drejtorit, në mënyrë që të ketë mundësi të shpallet konkursi për drejtorin e ri”.

Ka një dekadë që synohet plotësimi i Ligjit aktual për kinematografi, që ishte miratuar më 2004. Në gusht të vitit 2016 Projektligji i atëhershëm ishte tërhequr nga Kuvendi. Këtë e kishte bërë asokohe ministri i Kulturës, Kujtim Shala. Kundërshtuesja më e madhe ishte Shoqata e Producentëve e Kosovës. Ishin 39 kineastë që kishin firmosur kërkesën për tërheqjen e Projektligjit. Ndër arsyet e shumta që ishin përmendur në reagimin e Shoqatës së Producentëve të Kosovës ishte edhe afati për realizimin e projektit që, sipas tyre, është plotësisht i gabuar dhe i pamundshëm që të arrihet. E një prej pikave më të diskutueshme të Projektligjit ishte përbërja e jurisë, që do të vlerësojë projektet kinematografike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kjo çështje kaherë e ka ndarë në dysh komunitetin artistik, duke bërë që disa ta përkrahin idenë që juria duhet të përbëhet nga shtetas të Kosovës e disa të tjerë që kërkojnë edhe anëtarë me shtetësi të huaj. Një tjetër pikë e nxehtë ka qenë edhe çështja e “KosovaFilmit”. Sipas Projektligjit të asaj kohe , ish-shtëpia për prodhimin e filmave transformohet në Arkiv të Filmit, përderisa pronat e “KosovaFilmit” do të kalojnë në pronësi të Kuvendit të Kosovës.

E sipas Projektligjit të ri juria vlerësuese e projekteve përbëhet nga shtatë anëtarë e së paku dy prej tyre duhet të jenë ndërkombëtarë.

Me Ligjin aktual, QKK-ja nuk financon në lartësi më shumë se 51 për qind të shumës së përgjithshme të projektit, përpos për filmin vizatimor, të animuar dhe projektet e kineastëve të posadiplomuar, që mund të jetë në lartësi deri në 90 për qind. E me Projektligj “vlera e mbështetjes financiare të veprave filmike dhe audiovizuale vendase të metrazhit të gjatë mund të arrijë deri në 80 për qind të buxhetit total të veprës, përveç veprave të regjisorëve debutues dhe filmave të metrazhit të shkurtër dhe të mesëm, që mund të mbështeten deri në 100 për qind të buxhetit total të veprës”. Kurse vlera e mbështetjes financiare të veprave filmike dhe audiovizuale të bashkëprodhimit mazhoritar mund të shkojë nga 5 për qind deri në 50 për qind. Kurse për ato që janë bashkëprodhim minoritar planifikohet të përkrahen nga 5 për qind deri me 20 për qind të buxhetit total të veprës. E me të marrë vesh se me vepra audiovizuale Ministria e Kulturës nënkupton serialet, regjisori Agim Sopi ka reaguar duke kundërshtuar që të përkrahen ato. Me Projektligjin e ri kohëzgjatja e realizimit të projektit nuk mund të jetë më e gjatë se tre vjet për filma të shkurtër dhe pesë vjet për filma të mesëm dhe të gjatë nga data e lidhjes së kontratës. Aty po ashtu ceket se “afati për realizimin e projektit mund të shtyhet edhe për një (1) vit, me vendim të drejtorit të QKK-së, në rast se bartësi i projektit ka kërkesë dhe specifika të veçanta”.

Sa i përket “KosovaFilmit”, Projektligji parasheh që ky institucion të jetë arkiv në kuadër të QKK-së. “Ndërmarrja shoqërore ‘Kosovafilm’ e themeluar në vitin 1969 si kompani për prodhimin, shfaqjen dhe distribuimin e filmit, e cila tani është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me këtë ligj bartet dhe ruhet me të gjitha të drejtat pronësore dhe intelektuale në njësi të posaçme të Qendrës Kinematografike të Kosovës”, shkruhet në Projektligj.