Kulturë

Ministri i Kulturës numëron arritjet, pranon dështimet në ligje

Jo pak suksese në tetë muaj si ministër i Kulturës ka numëruar Hajrullah Çeku para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Lista që ka prezantuar ai ka qenë goxha e gjatë, por edhe ka pranuar disa dështime, sidomos ato të agjendës legjislative. Për ish-ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi, 90 për qind prej atyre që Çeku pa prezantuar si suksese janë vazhdimësi e punëve që ka nisur ajo, e deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka renditur disa vërejtje, prej legjislacionit deri te ndërhyrja në zgjedhje drejtorësh

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ia ka mësyrë të martën Kuvendit të Kosovës për të raportuar për punën e bërë në MKRS për këtë vit. Para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, për afro 20 minuta ka prezantuar ato që ai i ka paraqitur si të arritura. Lista që ka prezantuar ai ka qenë goxha e gjatë, por edhe ka pranuar disa dështime, sidomos ato të agjendës legjislative.

Ministria e Kulturës sivjet nuk ia del dot të dorëzojë në Qeveri dy projektligje shumë të rëndësishme. Edhe për këtë është munduar të arsyetohet.

Ministri Çeku ka folur për vlerësimin në terren dhe për identifikim të 200 monumenteve në gjendje të rëndë. Por realisht MKRS-ja çdo vit e bën një gjë të tillë pasi nëpërmjet institucioneve vartëse vlerëson gjendjen e monumenteve. Ka thënë se kanë dyfishuar fondin për ndërhyrje.

“Deri tash kanë përfunduar dy asete, 19 janë në realizim dhe për 18 asete po zhvillohen procedurat e prokurimit, ndërsa ndërhyrjet fillojnë ditëve në vijim”, ka thënë ai. Për vitin e ardhshëm ka folur për 50 ndërhyrje. Ka thënë se gjatë këtij muaji do të dorëzohen 30 dosje të monumenteve në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore si propozim për statusin e mbrojtjes së përhershme. Sipas tij, ndërhyrjet restauruese janë duke u realizuar ose janë në fazë të nisjes së punëve në 6 monumente: Muzeu Etnologjik në Prishtinë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e Parë në Prizren, Hani i Haraqisë në Gjakovë, Kulla e Sheremetit në Pejë e Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë.

“Aktualisht janë në proces të hartimit tri plane të menaxhimit: Lokaliteti arkeologjik ‘Ulpiana’, Hamami i Prishtinës dhe Çarshia e Pejës”, ka thënë ai. Ka përmendur një varg të akteve nënligjore që janë në hartim e sipër. Ka thënë se mbështetja totale financiare për organizatat dhe individët në fushën e trashëgimisë kulturore për vitin 2021 është 913 mijë e 893 euro. Sipas tij, krahasuar me vitin 2020 mbështetja është rritur për 3.5 fish, ndërsa në krahasim me 2019 është rritur dhjetëfish.

Por jo pak telashe me shpenzim buxheti ka pasur MKRS-ja edhe sivjet. KOHA javën e kaluar ka raportuar se kësaj Ministrie i kanë “tepruar” 6 milionë euro. Dështon kryesisht në investime kapitale e në këtë linjë sivjet i teprojnë hiç më pak se 5.5 milionë euro në kulturë, rini e sport. Prej tyre 1.6 iu morën qysh në qershor e 3.9 milionë euro në fund të muajit të kaluar. Në kursim hyjnë edhe gjysmë milioni nga mallrat, shërbimet dhe subvencionet. Për ata që udhëheqin organizata, që merren me kulturë e trashëgimi kulturore, kjo gjendje tregon se Ministria nuk di të planifikojë.

Ministri Çeku para deputetëve ka folur edhe për menaxhim të aseteve të trashëgimisë.

“Me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe organizatën ‘Trashëgimia Kulturore pa Kufij’ po e zhvillojmë sistemin e integruar për menaxhim të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore”, ka thënë ai, derisa ka përmendur disa bashkëpunime me institucione e shtete të tjera. Themelimi i Komitetit Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e Komisioni shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe, gjatë luftës 1998-1999, po ashtu janë perënduar si arritje. Shkresat drejtuar Beogradit e për kthimin e artefakteve të marra gjatë luftës ministri Çeku i ka përmendur si diçka që ka ngjarë për herë të parë. Por, nuk ka përmendur asnjë rezultat në këtë aspekt. Rezultat nuk ka përmendur as sa i përket mundësisë që Manastiri i Deçanit të largohet nga lista e monumenteve në rrezik të “Europa Nostras”.

“Paralelisht kemi kërkuar nga ICOMOS International një vlerësim profesional për Manastirin e Deçanit qe quhet ‘Heritage Impact Assessment’. Ky vlerësim do të na ndihmojë të vazhdojmë insistimin tonë në raport me UNESCO-n që të largojë katër monumentet e Kosovës nga Lista e Trashëgimisë Botërore në rrezik”, ka thënë ai. Nisma për ligj unik të kulturës, themelimi i Operës së Kosovës – që nuk ekziston pos në letra – janë prezantuar si arritje në fushën e kulturës.

“Kemi rritur mbështetjen financiare për skenën e pavarur. Mbështetja totale për organizata kulturore dhe artistë sivjet është rreth 3.8 milionë euro, një rritje prej rreth 60 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Për herë të parë në Kosovë ka nisur programi i blerjes së veprave të artit nga shteti”, ka thënë Çeku.

Por, sipas anëtarëve të Komisionit të cilët janë deputetë të Kuvendit, MKRS-ja nuk po punon si duhet.

Deputetja Eliza Hoxha ka thënë se përse duhet bërë e ribërë akte nënligjore e statute të institucioneve kur ka nismë për ligje të reja, pasi ato duhet të jenë në harmoni me ligjet. Në këtë rast Çeku ka thënë se nganjëherë ka nevoja imediate që të punohen aktet nënligjore.

“Procesi për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës ka përfunduar e përse nuk e shpallni drejtorin”, ka pyetur Hoxha.

Realisht procesi ka përfunduar edhe vlerësimet janë kryer. Në raste të tjera Këshilli Drejtues i Galerisë menjëherë pas intervistave ka shpallur drejtor atë që ka pasur më së shumti poenë. Por kësaj radhe nuk ka ndodhur kësisoj. Hoxha ka qenë goxha e zëshme për këtë rast. E Çeku ka kërkuar ndihmën e Bislim Bislimit, si zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së.

“Po vlerësohet potencialiteti i dyshimit për konflikt interesi. Vijat e raportimit nuk janë ashtu sikurse në konkurs. Këto lëshime ndodhin kudo në botë”, ka thënë Bislimi.

Sipas Hoxhës, blerja e veprave të artit duhet të jetë kompetencë e GKK-së e jo e MKRS-së, pasi veprat do të shkojnë në GKK. MKRS-ja prej Fondit të Ringjalljes Ekonomike ka blerë vepra të artit pamor në vlerë prej 247 mijë eurosh. Rezultatet janë shpallur të martën pasdite dhe rezulton që MKRS-ja ka blerë vepra të 68 artistëve.

Ministri Çeku ka folur për Projektligjin për kinematografi. Këtë bashkë me atë për trashëgimi kulturore MKRS-ja ka pasur t’i dorëzojë në Qeveri deri me 30 nëntor. Nuk ia ka dalë.

“Projektligji për kinematografi nuk do të vijë në Komision sivjet për fat të keq. Ne e kemi tërhequr nga procedura dhe në këtë përfundim kemi ardhur pas disa përpjekjeve për të krijuar një lloj konsensusi brenda komunitetit kinematografik. Andaj të mos ngutemi për ta përmbushur një agjendë legjislative. Ne e kemi tërhequr, sepse ka nevojë për diskutime shtesë”, ka thënë ai.

Ka një dekadë që synohet plotësimi i Ligjit aktual për kinematografi, që ishte miratuar më 2004. Në gusht të vitit 2016 Projektligji i atëhershëm ishte tërhequr nga Kuvendi. Këtë e kishte bërë asokohe ministri i Kulturës, Kujtim Shala. Përbërja e jurisë përzgjedhëse të projekteve nga Qendra Kinematografike, përqindja e përkrahjes së projekteve dhe statusi i “KosovaFilmit” ishin ndër vërejtjet kryesore të komunitetit të kineastëve.

Sa i përket Projektligjit për trashëgimi kulturore, i cili kërkon dy të tretat e dyfishta në Kuvend, Çeku as që ka paralajmëruar se një ditë ky Projektligj do të shkojë në Kuvend.

“Ligji për trashëgimi kulturore përveç aspektit problematik politik, të cilin e dini ju të gjithë, është një proces ku janë gjetur disa drafte por edhe përmbajtësisht kanë nevojë për goxha punë aty. Vazhdojmë në nivelin e koncept-dokumentit dhe besojmë që edhe përmbajtësisht kur të plotësohen kushtet por edhe politikisht të procedojmë me Projektligjin për trashëgimi kulturore”, ka thënë ai.

Ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se 90 për qind të projekteve që Çeku i ka paraqitur si suksese janë vazhdimësi e punëve të nisura nga ajo. Ka kërkuar përgjegjësi për mospavarësim të institucioneve nën varësi të MKRS-së.