Në fiks 1 minutë e 36 sekonda ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në një video promovuese flet për kulturën e trashëgiminë kulturore. Aty ofron edhe të dhëna që në realitet nuk ekzistojnë. Për një pjesë të akterëve në trashëgimi e kulturë, ministri Çeku pos realitet, po shpërfaq demagogji të panevojshme, duke sajuar suksese nga hiçi. E për opozitën kjo video e lansuar në rrjete sociale është përtej propagandës
Nëpërmjet një videoje prej 2 minutash e 46 sekonda ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, promovon veten dhe punët e kryera nga Ministria që ai udhëheq. Në fiks 1 minutë e 36 sekonda ministri Çeku flet për kulturën e trashëgiminë kulturë. Aty ofron edhe të dhëna që në realitet nuk ekzistojnë. Për një pjesë akterëve në trashëgimi e kulturë, ministri Çeku pos realitet, po shpërfaq demagogji të panevojshme, duke sajuar suksese nga hiçi. E për disa opozitarë kjo video e lansuar në rrjete sociale është përtej propagandës.
Çeku: “Degradimi dydekadësh është ndalur”
Sipas ministrit Çeku, para pak vjetësh lajmet për shkatërrimin e monumenteve kanë qenë pothuajse të përjavshme.
“Madje, u pati normalizuar shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë. Kjo nuk ndodh më. Degradimi dydekadësh është ndalur. Sot kemi restaurime në të gjithë vendin, plane të menaxhimit, inspektorat efektiv e ligjshmëri, punësim dhe shërbim ndaj komunitetit. Muzetë e Kosovës po funksionalizohen, kompleksi memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz po merr vëmendjen e merituar shtetërore”, thotë ministri Çeku në videon që ilustrohet edhe me pamje.
Por asetet e trashëgimisë kulturore ndër më reprezentativet, si parku arkeologjik “Ulpiana” e Kalaja e Prizrenit janë të braktisura më shumë se kurrë nga shteti.
Lokalitetet e braktisura
“Ulpiana” është ende pa plan të menaxhimit. I inauguruar si park arkeologjik më 2016, i vetmi në Kosovë, ka më shumë se pesë muaj që nuk ka mirëmbajtës e as rojtar. Marrëveshjet për shërbime të veçanta të stafit nuk janë vazhduar ende dhe vizitorët kur shkojnë në Park nuk shohin askënd aty pari. Për ciceron as që bëhet fjalë, edhe kur stafi elementar kishte kontratat e përkohshme. E Ministria e Kulturës bashkë me institucionet e tjera “Ulpianën” e kanë destinacionin e parë kur presin delegacione të shteteve të tjera. Në këtë lokalitet janë shpenzuar mbi një milion euro që të vijë deri në atë gjendje.
Po kaq janë shpenzuar edhe në Kalanë e Prizrenit. Ky lokalitet arkeologji pos planit të menaxhimit me letra, ka edhe njësit menaxhues. Por numëron mbi pesë muaj që qëndron mbyllur, pasi stafi elementar është pa kontrata. Ministria ka nisur procesin për riangazhimin e punonjësve. MKRS-ja në dy vjetët e fundit është fokusuar shumë te ndërhyrjet emergjente me arsyetimin se do të shpëtojnë monumentet që janë në rrezik. Sikurse në dy vjetët paraprakë, edhe në dy vjetët e Qeverisë aktuale arkeologjia është në gjendje “kome”. Sivjet nuk është punuar në asnjë lokalitet me përjashtim të një pjese të Ulpianës jashtë hapësirës së Parkut Arkeologjik, ku me fonde të BE-së po bëhen hulumtime nga arkeologë vendorë e të shteteve të tjera, bazuar në një marrëveshje ndërkombëtare. Lokalitet arkeologjike, sipas arkeologëve përgjegjës, janë duke degraduar shkaku i mirëmbajtjes. Në anën tjetër, sipas videos së ministrit Çeku, trashëgimia kulturore është duke marrë trajtim fort të mirë.
Shoshi: “Të kalohet në gjendje stabile”
Sali Shoshi, i cili udhëheq me fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, ka thënë se duhet të dilet nga gjendja emergjente në trashëgimi kulturore dhe të kalohet në gjendje stabile dhe të qëndrueshme, ku investimet në trashëgimi maten me numrin e vizitorëve, të hyrat ekonomike, qasjen e personave me aftësi të kufizuara.
“Ku ruajtja e trashëgimisë matet me mënyrën se si një monument është i integruar në kontekstin e vet urban dhe social, në Kosovë ka disa shembuj të mirë, por duhet shumë punë.
Gjithashtu mbrojtja efikase është e ndërlidhur shumë me reformën institucionale, respektivisht transformimin rrënjësor të institucioneve ekzistuese, që janë të thirrura në përkujdesjen ndaj trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.
Sipas Shoshit, ministri aktual i Kulturës, për dallim prej atyre paraprakë, e ka një dinamikë sidomos në intervenime fizike, por tash duhet lëvizur për të kaluar në një situatë tjetër të qëndrueshme.
Sipas ministrit Çeku, deri para pak vjetësh Qeveria as që mërzitej për gjendjen e institucioneve të kulturës dhe për pozitën e artistëve.
“Brenda më pak se dy vitesh ka pasur veprime që nuk janë ndërmarrë asnjëherë më parë. Ndërtesat e kulturës po rinohen, hapësirat e reja për artistët po krijohen, pagat e performuesve janë të dinjitetshme, po vazhdon blerja e artistëve vendorë, fondi për librin është gjashtëfishuar, ndërsa mbështetja përmes granteve vetëm për vitin 2022 ka qenë mbi 4 milionë euro, e paprecedentë në historinë e pasluftës”, thotë ai në video. Realisht ende nuk ka nisur asnjë rinovim në praktikë. Synohet të nisë në Teatër Kombëtar të Kosovës, Bibliotekë Kombëtare të Kosovës dhe Galeri Kombëtare të Kosovës.
Rinovimet që praktikisht nuk kanë nisur
Ministri Çeku fillimisht kishte premtuar teatër të ri kombëtar. Më pas kishte thënë se do të bëhet rinovimi i ndërtesës aktuale të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Prej fundit të qershorit të vitit të kaluar ndërtesa është mbyllur me arsyetimin se “paraqet rrezik” dhe se do të rinovohet. MKRS-ja ende nuk ka pasur projekt për rinovim. E arsyetimi se paraqet rrezik, duke u bazuar në një raport të profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë, nuk qëndron. Askund në atë raport nuk shkruhet se ndërtesa paraqet rrezik për punonjësit apo publikun. Madje, KOHA ka raportuar se këtë e rikonfirmon edhe kryesuesi i Komisionit, inxhinieri i ndërtimtarisë, Naser Kabashi, njëherësh dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë.
Sa i përket zgjerimit të hapësirave, MKRS-ja ka marrë me qira hapësira në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit. Në amfiteatër të kësaj ndërtesë është duke funksionuar Teatri Kombëtar i Kosovës. E Baleti Kombëtar i Kosovës nuk ka ende hapësirë për të dhënë shfaqje në kryeqytet.
Sipas ministrit Çeku, institucionet e kulturës “i patën lënë me buxhete të mjerueshme. Përveç rritjes së konsiderueshme të mbështetjes financiare, filmin e shpallëm prioritet shtetëror, ndërsa Teatri e Filharmonia, Baleti e Shota me program në të gjithë Kosovën e sallat përplot me publik”. Realisht institucionet qendrore të kulturës kanë lëvizur nëpër qendrat e mëdha të vendit edhe në të kaluarën. Tash kanë mundësitë që të lëvizin edhe nëpër qendra më të vogla. Filmi nuk është shpallur interes shtetëror ende. Projektligji për kinematografi që e bën këtë, është miratuar vetëm në lexim të parë ose në parim në Kuvend. Duhet të miratohet në lexim të dytë, të nënshkruhet nga presidentja Vjosa Osmani, të publikohet në Gazetë Zyrtare e pas dy javësh të hyjë në fuqi.
“Operën e themeluam, në proces themelimi është muzeu i artit bashkëkohor dhe së shpejti bëhet themelimi i institutit kulturor të Kosovës. Qendra të reja të kulturës e rinisë në qytet e fshatra, mundësi shtesë për zhvillimin e talentit rinor të Kosovës”, thotë ministri Çeku në video.
Neziraj: “Tendencë për të paraqitur një pamje tjetër prej asaj që ofron realiteti”
Për dramaturgun Jeton Neziraj, i cili udhëheq me qendrën “Multimedia”, videoja e ministrit Çeku paraqet “demagogji e llafologji të panevojshme.”
“Përpjekje për të sajuar suksese nga hiçi, tendencë për të paraqitur një pamje tjetër prej asaj që ofron realiteti. E panevojshme, e paarsyeshme do të thosha. Askush nuk pret nga ministri i Kulturës që të jetë në rol Supermeni, prandaj s’e kuptoj këtë përpjekje për retush e për ‘fotoshop’ të gjendjes kulturore”, ka thënë ai.
Për një pjesë të opozitës, situata nuk është ashtu sikurse thotë ministri Çeku në video.
Hoxha: “Thjesht një video propagandistike”
Eliza Hoxha si artiste ka qenë pjesë e disa projekteve në vend. Tash është edhe deputet në radhët e PDK-së.
Sipas saj, rritja e subvencioneve për art e kulturë nga ana e MKRS-së, njëjtë sikurse blerja e veprave të artit pamor nga Ministria e Kulturës janë gjëra të mira që kanë ndodhur. Por, ajo ka thënë se videoja ka karakter propagandistik “Thjesht një video propagandistike. Kinse për 20 vjet asgjë nuk ka ndodhur e për dy vjet këta (qeverisja aktuale v.j.) e kanë lulëzuar”.
“Është prononcim i pandershëm të thuash nuk është bërë asgjë. Qendra Kinematografike e Kosovës ka pasur rezultate, njësoj edhe trashëgimia kulturore. Fokusi te trashëgimia është rritur, por Inspektorati është me të njëjtat kapacitete dhe tash na e paska rritur performancën veç përse janë këta në pushtet!”, ka thënë Hoxha. Sipas saj, kontrata për intervenime emergjente në trashëgimi kulturore janë duke u dhënë vetëm me negocim dhe janë të kundërligjshme pasi Ligji për prokurimin publik kërkon që në këtë formë të nënshkruhen kontrata vetëm për emergjenca ekstreme. Ka përmendur pjesëmarrjet në Bienalen Ndërkombëtare në Venecia e festivalet prestigjioze ku kanë shkuar filmat kosovarë e po ashtu kanë marrë çmime. “Qasja është fëmijërore”, ka thënë Hoxha.