Kulturë

Ministri i Kulturës gjashtë minuta për suksese, “harron” sfidat

Në gjashtë minuta, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka përmbledhur punën e bërë në kulturë e trashëgimi kulturore. Të martën ai ka listuar të arriturat e MKRS-së gjatë këtij vitit, sidomos të periudhës nëntëmujore, prej kur është në krye të institucionit. Për sfidat ka folur vetëm kur është pyetur për to e në konferencë ka dhënë edhe disa lajme, si propozimi që Kalaja e Novobërdës të shpallet monument në rrezik, që së shpejti do të hapet konkurs ndërkombëtar për objekt teatri kombëtar dhe se ish-objekti i “Tulltores” mund të bëhet muze i artit bashkëkohor. Ndër të tjera ka thënë se më 2022 mbi 5 milionë euro do të investohen në restaurim

Tradicionalisht në konferencat e fundvitit, ministrat e Kulturës rreken veç pas atyre që ata i prezantojnë si suksese. U ikin dështimeve e zotimet e papërfunduara i prezantojnë si “procese në të cilat po punohet”.

Njësoj ka vepruar edhe ministri aktual i Kulturës, Hajrulla Çeku. Në gjashtë minuta ka përmbledhur punën e bërë në kulturë e trashëgimi kulturore. Të martën ai ka listuar të arriturat e MKRS-së gjatë këtij vitit, sidomos të periudhës nëntëmujore, prej kur është në krye të institucionit.

Konferencën e ka nisur me trashëgiminë kulturore. Ka përsëritur – për të disatën herë gjatë këtij viti – se janë identifikuar 200 monumente që janë në rrezik, janë bërë 13 ndërhyrje, 18 janë në proces e 16 pritet të nisin së shpejti. Ka thënë se për vitin 2022 kanë planifikuar mbi 50 ndërhyrje të tjera në monumente, që deri në fund të vitit 2023 të mos ketë asnjë monument që është në rrezik për shkatërrim.

“Për vitin 2022 kemi planifikuar buxhet prej 5.4 milionë eurosh për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, prej të cilave 1 milion për ndërhyrje emergjente”, ka thënë ai. Ka treguar se në proces është hartimi i tri planeve të menaxhimit: ai për lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”, Hamamin e Prishtinës dhe për Çarshinë e Pejës. Ka përmendur miratimin e disa akteve nënligjore në trashëgiminë kulturore. Por ka “harruar” të tregojë se pavarësisht se e kishte në plan legjislativ, MKRS-ja nuk ia ka dalë që të çojë përpara Projektligjin për trashëgimi kulturore. I pyetur për këtë, Çeku ka thënë se problemi është te deputet serbë. Ky ligj hyn te ligjet me interes vital dhe nuk kalon në Kuvend pa dy të tretat e deputetëve serbë.

“Kemi nevojë edhe njëherë të kthehemi në nivel të koncept-dokumentit dhe ta rimendojmë ligjin e ri. E pranoj përgjegjësinë, por bllokada është e pastër politike. Shpresoj që do të vijë momenti që të ecim tutje”, ka thënë ai.

Ministri Çeku ka thënë se sivjet janë dhënë 913 mijë euro për organizatat e individët që merren me trashëgimi kulturore. Ka treguar se Komiteti ndërministror për kompleksin memorial “Adem Jashari” ka bërë hapa konkretë.

“Është bërë vlerësimi i gjendjes, ndërsa këto ditë nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesa. Vitin e ardhshëm pritet master-plani”, ka thënë ai. Po ashtu ka treguar se është themeluar Komisioni ndërshtetëror për dokumentin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë luftës. Në këtë rast nuk ka përmendur ndonjë veprim konkret të këtij komisioni.

Ministri Çeku ka përmendur edhe faktin që janë ndërmarrë iniciativa për kthimin e artefakteve që i mban Serbia qysh prej fundit të viteve ’90. Por kjo çështje ka ngelur në nivel iniciative.

Por në konferencë, sa i përket trashëgimisë kulturore, nuk ka përmendur dy prej problemeve kryesore: gjendjen e Kalasë së Novobërdës e propagandën serbe që sivjet e bëri Manastirin e Deçanit të jetë pjesë e listës së monumenteve në rrezik të organizatës evropiane “Europa Nostra”.

I pyetur për këto raste, ai ka thënë se çështja e Kalasë së Novobërdës është duke u trajtuar.

“Jemi në komunikim me Zyrën e UNESCO-s në Sarajevë. Operatori i papërgjegjshëm e ka për detyrë që t’i sanojë dëmet. Po e bëjmë gjithë presionin e mundshëm. Presim që shumë shpejt kompania përgjegjëse për dëmin e shkaktuar ta bëjë sanimin”, ka thënë ministri Çeku.

KOHA ka raportuar disa herë se me një milion euro të BE-së, nëpërmjet një procesi të menaxhuar nga UNESCO, kompania beogradase “Koto” i kishte përfunduar punimet në Kala në vitin 2016. Por shembja e fasadës së gurtë i kishte kapluar muret. Kompania beogradase kishte tentuar ta bëjë një ndërhyrje më 2019, por puna ishte ndalur pas ndërhyrjes me buldozer. Prej atëherë, gjendja është e njëjtë.

Sa i përket pyetjes në lidhje me Manastirin e Deçanit, që në prill u fut në listën e shtatë monumenteve në rrezik nga organizata evropiane “Europa Nostra”, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se sivjet fondacioni “CHwB Kosova” dhe MKRS-ja e kanë nominuar si trashëgimi në rrezik Kalanë e Novobërdës.

“Por nuk ka hyrë as në listën e ngushtë. Për mua ky është një konfirmim i pastër që me rastin e Manastirit të Deçanit ‘Europa Nostra’ ka vepruar me direktiva politike të Serbisë. Kompania përgjegjëse për shkatërrimin e Kalasë është nga Serbia dhe ata nuk duan ta bëjnë këtë publike”, ka thënë ministri Çeku. Sipas tij, ky rast mjaftueshëm e ka delegjitimuar përpjekjen e “Europa Nostras”. Sipas tij, përfaqësuesit e kësaj organizate kanë thënë se do të vijnë për ta vizituar Manastirin dhe është fundi i vitit e nuk kanë ardhur asnjëherë.

“Mund të konstatojmë se kanë një qasje totalisht joprofesionale”, ka thënë Çeku.

Sa i përket kulturës, ministri Çeku ka thënë se dy janë synimet kryesore: institucionet e kulturës dhe skena e pavarur kulturore. Ka thënë se janë duke punuar intensivisht për menaxhimin financiar efikas të institucioneve publike. “Institucioneve u mungojnë zyrtarët financiarë për të pasur autonomi. Jemi duke punuar për këtë”, ka thënë ai.

Ka përmendur ndërhyrjet rinovuese në sallën ku ushtron Baleti Kombëtar i Kosovës në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ka paralajmëruar që vitin që vjen të ketë një renovim edhe më të madh të ndërtesës.

“Kemi siguruar hapësirë shtesë në Pallatin e Rinisë për Filharmoninë, Operën, Baletin, Teatrin dhe QKK-në”, ka thënë ai. Shifrën prej 3.8 milionë eurove e ka prezantuar si shumë me të cilën është përkrahur skena e pavarur e kulturës. Një pjesë e madhe e kësaj shifre ishte nga Pakoja për ringjallje ekonomike. Nuk e ka përmendur dështimin për të blerë vepra arti, ku MKRS-ja hoqi dorë nga procesi, pasi zgjodhi të blejë vepra nga 68 artistë me shumën prej 247 mijë eurove. Por pas reagimeve MKRS-ja u tërhoq.

Ministri Çeku ka folur edhe për Projektligjin për kinematografi, të cilin MKRS-ja nuk e çoi përpara shkaku i nevojës për konsultime shtesë. Themelimin e Operës së Kosovës e koncertin inaugurues i ka përmendur në konferencë. Aktualisht Opera ka veç një person në staf – zëvendësuesin e drejtorit. Ka treguar që vitin që vjen do të nisë edhe procesi për projektin e teatrit të operës dhe baletit.

Ka “harruar” projektet e tjera kapitale. Atë për muze të artit bashkëkohor, teatrin e ri kombëtar e sallën koncertale, si bashkëpunim me komunën.

I pyetur për këto, ai ka thënë se për muzeun e artit bashkëkohor kanë nisur diskutimet me “Manifestan” dhe së shpejti do të takohet me kryetarin e ri të Prishtinës, Përparim Rama, për t’i diskutuar këto projekte.

“Një hapësirë e mundshme për këtë muze mund të jetë ‘Tulltorja’. Për sallën koncertale kemi lëvizur mjaft me fondet IPA. Janë duke u realizuar disa studime në objekt”, ka thënë ai. Qëllimi ish-menaxhmentit të Komunës së Prishtinës ishte që ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” të shndërrohet në sallë koncertale. Për këtë është përzgjedhur projekti. Ndërtesa është monument dhe duhet aprovim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

“Duhet të shkojmë me një konkurs ndërkombëtar për dizajn për teatrin e ri kombëtar të Kosovës. Çështje e rëndësishme që duhet ta zgjidhim është caktimi i lokacionit për teatrin e operës dhe baletit”, ka thënë ministri Çeku. MKRS-ja sivjet kishte hequr dorë nga lokacioni afër Fakultetit Teknik, ku ishin shpenzuar mbi një milion euro për projekt dhe nisjen e punimeve. Guri themeltar qe vënë në dhjetor të vitit 2009.