Kulturë

Minibiblioteka në “Taukbahçe” – relikt i 11 prej tyre që s’janë më

Minibiblioteka në “Taukbahçe”

Minibiblioteka në “Taukbahçe”, e vetmja në Prishtinë si shenjë e një projekti që u sfidua prej se u inaugurua

E vetmja minibibliotekë prej 12 sosh sa ishin në Prishtinë, është ajo në lagjen “Taukbahçe”, të cilën e ka marrë nën mbrojtje një biznes privat. Rrugëtimi i minibibliotekave nisi më 2019 me ftesën “Sill një libër – merr një tjetër”. “Projekti, pavarësisht dështimit, mbetet një kujtesë e rëndësishme e sfidave dhe potencialit të punës për të përmirësuar jetën kulturore dhe sociale të qytetit”, ka thënë Agon Ahmeti nga “ETEA” që e nismoi projektin e të cilin tash thotë se do ta konceptonte ndryshe

Minibiblioteka në “Taukbahçe” duket një pamje idilike, midis parkut. Por në fakt, ajo “fsheh” historinë e një projekti jetëshkurtër e refuzimin e ftesës për të lexuar. Është relikti i vetëm prej 12 minibibliotekave gjithandej Prishtinës, 11 prej të cilave s’janë më. 

Rrugëtimi i tyre nisi më 2019 me ftesën “Sill një libër – merr një tjetër”. Kapitulli i të tjerave u mbyll dy vjet më pas kur u tërhoqën prej lagjeve ku ishin vendosur e kjo që ka mbetur, ka mbijetuar pasi atë e ka marrë nën mbrojtje pronari i një kafeneje aty pranë. 

Fisnik Krasniqi kujdeset për të, të tjerë edhe e furnizojnë me libra, por mbi të gjitha, ajo ruan shenjat e projektit që u nis me tjetër mision. Krasniqi ka thënë se e bën këtë pasi është dashamir i librit dhe ka marrë iniciativën me vetëdëshirë për ta furnizuar rregullisht me paratë e tij. Arsyeja tjetër pse është kujdesur, është se një pjesë e mirë e klientëve të tij, janë lexues dhe marrin libra gjatë kohës sa janë duke qëndruar në kafenenë e tij. 

“Kam pasur rast që të blej libra deri në 100 euro për ta furnizuar këtë minibibliotekë. Kam blerë libra edhe nga Çun Lajçi dhe i kushtoj rëndësi aq sa biznesit të cilin e kam. Përveç meje, është edhe Nazmi Shkodra, qytetar i lagjes ‘Taslixhe’, i cili më ndihmon dhe sjell libra herë pas here. Për momentin, aty janë rreth 20 libra të fushave të ndryshme dhe kryesisht në gjuhën shqipe dhe angleze. Por, një kontribut modest për këtë bibliotekë të vogël e ka bërë edhe një zyrtare nga Ambasada Gjermane, duke e dekoruar”, ka thënë Krasniqi. 

Kultura e trajtimit të së mirës së përbashkët dhe qasja ndaj publikes kanë dalë si sfida kryesore, duke reflektuar një mungesë të brumosjes së vlerave për mbrojtjen e asaj që është e përbashkët.

“Ky ka qenë projekt i mbështetur nga fondacioni Forumi nga Iniciativa Qytetare ‘FIQ’ dhe ka qenë kontraktor i Bashkimit Evropian. Buxheti ka qenë përafërsisht 8-10 mijë euro. Ishte një nismë që mori jehonë dhe i motivoi të tjerët. Filluam të kemi shumë kërkesa si, prej Maqedonisë, prej Malit të Zi edhe patën nisur iniciativa edhe të rinj nga qytetet e tjera, duke filluar t’i instalojnë këto minibiblioteka, por mandej na demotivoi komplet të gjithëve, sepse rezultati ishte i njëjtë në të gjitha pikat”, ka thënë Agon Ahmeti, drejtor i organizatës “ETEA” dhe iniciator i projektit.

Sipas tij, faktori i parë që ndoshta ka ndikuar e që ka pamundësuar për të vazhduar projekti, ka qenë niveli i sigurisë dhe besimi që kishte organizata se nuk kanë për t’u dëmtuar. Kur e ka menduar nga këndvështrimi i sotëm, ka theksuar se po të ishte kthyer në kohë, ndoshta gjysmën e buxhetit do ta investonte në nivelin e sigurisë edhe do t’i kishte ndërtuar vetëm 3 ose 5 sosh. 

“Nëse në të ardhmen do të merren iniciativa të ngjashme, mësimet e nxjerra nga ky proces mund të shërbejnë si bazë për një qasje më të qëndrueshme dhe më të suksesshme. Projekti, pavarësisht dështimit, mbetet një kujtesë e rëndësishme e sfidave dhe potencialit të punës për të përmirësuar jetën kulturore dhe sociale të qytetit”, ka thënë Ahmeti. 

Gjithçka në lidhje me minibibliotekat kishte nisur në nëntor të vitit 2019. Brenda dy muajve u bë finalizimi i tyre. U lyen me ngjyra që gërshetoheshin me ambientin përreth dhe në secilën prej tyre u vendosën rreth 100 libra. Tituj si “Evgjeni Grande” i Balzacut, “Vilhelm Teli” i Schillerit e “Rikardi i Dytë” i Shakespeareit ishin veç disa nga librat që zinin vend në raftet e minibibliotekave. Kishte tituj për të rritur dhe fëmijë. Qëllimi ishte që njerëzit që kalonin andej t’i merrnin librat dhe t’i lexonin, ose ta përvetësonin në shkëmbim të një libri tjetër në minibibliotekë. 

Në përurimin e minibibliotekës së parë, më 5 nëntor të vitit 2019, Ahmeti nga “ETEA” kishte thënë se ato do të arrijnë që të bëhen pjesë e përditshmërisë së kryeqytetit.

“Libri do të jetë në dispozicion të kujtdo që dëshiron të lexojë. Derisa libri ekspozohet çdo ditë, banorët do ta kenë në mendje librin sa herë kalojnë para tyre”, kishte thënë ai. 

Por, gjithçka u përmbys. Thyerja e xhamave, gjuajtja me vezë, hedhja e mbeturinave brenda tyre, vjedhja e librave u bënë disa nga incidentet. Minibiblioteka në “Dardani”, pa kaluar 24 orë nga inaugurimi, u gjuajt me vezë. Pas saj, më 15 nëntor të vitit 2019 ishte hapur minibiblioteka në lagjen “Ulpiana”, ndërsa më 21 nëntor, në të njëjtën ditë me atë në “Breg të Diellit” dhe Lagje të Spitalit ishte hapur edhe një në “Velani”. Të parës fillimisht i ishin thyer xhamat dhe si rrjedhojë e dëmtimeve ishte vendosur në një pikë të re, përkatësisht në parkun e ri afër sallës së sporteve “1 Tetori”. Të dytës i ishin vjedhur librat. Më 12 dhjetor ishte inauguruar minibiblioteka në sheshin “Adem Jashari” dhe ajo në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Dëmtime kishte pësuar edhe kjo e fundit, prandaj ishte zhvendosur te parku “Heroinat”.  Më 24 dhjetor të atij viti ishin vendosur minibibliotekat te “Qafa” dhe në “Arbëri”, një ditë më pas ato në “Parkun e Qytetit” e në “Taukbahçe”, për ta përmbyllur këtë projekt me minibibliotekën në sheshin “Ibrahim Rugova”. 

Ngjarja kulmore qe ajo e prillit të vitit 2021, kur u demolua minibiblioteka në lagjen “Qafa” me qëllimin e shitjes për skrap. “ETEA” mori vendim që t’i largojë 9 prej tyre e në tetorin e vitit 2020 me synimet për t’i rifunksionalizuar iu dha tri minibibliotekave në sheshe imazh të ri me shpresë që kjo do të shpëtonte projektin e tyre – veçanërisht pas njoftimit nga Komuna e Prishtinës se do t’i largonte për shkak se po i japin pamje të shëmtuar qytetit. Kërkuan ndihmë edhe nga festivali i muraleve, “Mural Fest”. Por, portretizimi i figurave të njohura në minibiblioteka ishte një test që nuk pati sukses pasi shumë shpejt këto 3 minibiblioteka u zbrazën dhe mbetën pa asnjë libër. 

“E gjithë kjo ka zgjatur dy vjet, prej vitit 2019 deri më 2021. Pas kësaj periudhe, u defunksionalizuan plotësisht dhe ishin larguar disa, kurse në disa të tjera ishte investuar në bashkëpunim me ‘Mural Fest’, duke i bërë disa figura të shquara si, Ali Podrimja, Musine Kokalari e figura të tjera. Kjo ishte bërë për të tentuar një ide më ndryshe, duke menduar se ndoshta është pak më problem të goditet diçka kur ka fytyrë, kur ka person, por as ajo nuk dha rezultat dhe u detyruam t’i largojmë edhe ato. Përkundër shumë përpjekjeve dështoi dhe sot ekziston vetëm ajo në Taukbashçe që mirëmbahet nga një qytetar që ka një biznes familjar”, ka thënë Ahmeti. 

Tash, teksa e kujton projektin, Ahmeti numëron disa arsye të dështimit të tij. Në krye të listës, rendit mungesat kulturore për t’i trajtuar si duhet hapësirat publike. 

“Nxënësit, e shohin librin si një mjet obligativ dhe të detyrueshëm, prandaj mund të kenë reaguar me revoltë ndaj bibliotekave publike pranë shkollave, duke i dëmtuar ato. Por gjithashtu edhe kufizimet financiare nga donatorët filluan të bëhen problem. Nuk ishin të gatshëm të vazhdonin mbështetjen, duke parë se projekti po shkon drejt dështimit”, ka thënë Ahmeti, pesë vjet pas projektit me minibiblioteka, për të cilat asokohe besonte se do të bëheshin përditshmëri në Prishtinë me thirrjen: “Sill një libër – merr një tjetër”.