Ai nuk rroi të shihte të botuara frytet e hulumtimeve të tij për historinë mesjetare shqiptare. Ditën kur historiani kroat u sulmua për vdekje në prag të shtëpisë, agjentët serbë morën me vete vëllimin e tretë të veprës në dorëshkrim “Acta Albanica”, e cila sot e kësaj dite konsiderohet e zhdukur. Në 90-vjetorin e vdekjes, Milan Šufflay është kujtuar nga kroatë e shqiptarë si intelektuali që nuk u dorëzua para ideve të Serbisë së Madhe
Prishtinë, 19 shkurt – Një mesoburrë kroat i kullandrisur si zotëri i vërtetë po ngjiste shkujdesur shkallët e apartamentit të tij në Zagreb. Në të tetëmbëdhjetën ditë të shkurtit të vitit 1931, ai mund të ishte i kredhur në mendime apo të ndiente lodhje nga puna, por nuk e kishte as idenë që po i avitej fundit të tij.
Dy si “hije” misterioze ia kishin zënë pritën në shkallë, kur me çekan e goditën në kokë. E nesërmja gdhiu me lajmin që përftoi zemëratë kudo në rrethet demokratike në Jugosllavinë monarkike: medievisti kroat Milan Šufflay kishte dhënë frymën e fundit në betejën e pamundur me plagët e rënda të sulmit të pabesë.
Zyrtarisht, autoritetet jugosllave nuk pëlqyen t’i japin bujë rastit. Por gjurmët e forta të urrejtjes së regjimit në Beograd ndaj eruditit kroat nuk mund të injoroheshin. Do të kalonin vite që hija e dorasëve të zhdavaritej pak nga pak: bëhej fjalë për agjentët e fshehtë të policisë serbe Branko Zwerger dhe Ljubomir Belošević, që të dy anëtarë të organizatës “Mlada Jugoslavije”.
Në vitin 1912, Šufflay kishte kundërshtuar mëtimet serbe për të dalë në Adriatik përmes argumenteve historike
Të premten janë bërë plot 90 vjet nga vrasja e mirëmenduar në Zagreb, që botës akademike e asaj albanologjike u mori pakthyeshëm një nga emrat më të veçantë. Por ditëvdekja e Šufflayt ka bërë tok kroatë e shqiptarë në nderimin e tij: tek të parët si intelektuali që nuk bëri kompromis me qarqet serbomëdha në Beograd, tek të dytët si njohësi më i shquar i shekujve mesjetarë të historisë shqiptare. Dhe me vrasjen e tij humbi edhe një dimension i jashtëzakonshëm pune shkencore, pasi dy vrasësit kishin hyrë në apartament dhe kishin marrë me vete dorëshkrimin e vëllimit të tretë të veprës monumentale “Codex Albanicus”.
“Një zemër kroate, që rrahu për Shqipërinë”
Me një dedikim të veçantë, kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, ka përkujtuar veprën e mikut të madh të shqiptarëve dhe dëshmorit të albanologjisë, Milan Šufflay.
Në 90-vjetorin e vrasjes brutale të historianit kroat, kryetari shqiptar ka vlerësuar se ai sakrifikoi jetën për të hedhur dritë mbi të vërtetën e historisë dhe lashtësisë së shqiptarëve.
Zyrtarisht, autoritetet jugosllave nuk pëlqyen t’i japin bujë rastit. Por gjurmët e forta të urrejtjes së regjimit në Beograd ndaj eruditit kroat nuk mund të injoroheshin
“Një zemër kroate, që rrahu për Shqipërinë, u përjetësua si një urë e rëndësishme lidhëse dhe simbol i miqësisë tradicionale mes dy popujve tanë!”, ka shkruar Meta në faqen zyrtare të Presidencës në “Facebook”.
Edhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët ka bërë një përkujtesë për Šufflayn, të cilin e ka cilësuar si një nga themeluesit e albanologjisë.
“Ky burrë i madh duhet të nderohet me nga një përmendore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup”, përfundon përkujtesa e QSPA-së.
“Koha kur joserbët persekutoheshin”
Vrasja e bërë para nëntë dekadash është përkujtuar njësoj edhe në Kroaci. Me emfazën që “kurrë të mos harrohet”, faqja kroate “Croatian Heritage Association” ka përkujtuar Šufflayn si historian, politikan e albanolog të shquar që u vra nga regjimi vrasës serb në Jugosllavinë e Parë.
“Ky lloj persekutimi i joserbëve ishte i kudondodhur para Luftës së Dytë Botërore. Milan Šufflay (1879-1931) ishte historian, shkrimtar dhe politikan kroat. Si patriot kroat, ai u përndoq si mijëra joserbë të tjerë në Mbretërinë e Jugosllavisë”, thuhet në faqen e kësaj shoqate.
Njoftimit i janë shtuar edhe reagimet ndërkombëtare që pasuan vrasjen e profesorit të shquar: fizikani i shquar Albert Einstein do të akuzonte për vrasjen e tij Qeverinë në Beograd në “The New York Time”. Në notën e protestës, që u përkrah edhe nga Heinrich Mann, kërkohej që të merreshin masa kundër “brutalitetit të tmerrshëm” të regjimit beogradas.
Edhe Arkivi Shtetëror Kroat (Hrvatski Državni Arhiv – HDA) ka përkujtuar vrasjen e Šufflayt duke sjellë një portret biografik me kontributet kryesore të tij.
“Trashëgimia shkrimore e Milan Šufflayt ruhet në Arkivin Shtetëror Kroat si HR-HAD-832”, thuhet në njoftim.
Agjentët serbë zhdukën dorëshkrimet e tij për Shqipërinë
Me një shkrim të gjatë, mediumi zagrebas “cronika.hr” e ka quajtur Šufflayn si një nga kroatët më të mëdhenj.
Në shkrim thuhet se ai u vra brutalisht në prag të shtëpisë nga mbështetësit e Serbisë së Madhe, “dhe fakti që ai u mbajt në burg për tradhti të lartë, ndonëse nuk bëri asgjë, flet shumë mbi atë se sa nuk duheshin kroatët në Jugosllavinë e dikurshme”.
Pas një biografie mbi të ndjerin, mediumi kroat vë në dukje sesi Šufflay, fill pas kthimit nga një vizitë zyrtare në Shqipëri, kishte pranuar një letër kërcënuese, e ndjekur më pas edhe me sulme të shpeshta në shtyp, “një shenjë e qartë se qarqet e Serbisë së Madhe kishin vendosur ta hiqnin qafe atë”.
Fizikani i shquar Albert Einstein do të akuzonte për vrasjen e tij Qeverinë në Beograd në “The New York Time”. Në notën e protestës, që u përkrah edhe nga Heinrich Mann, kërkohej që të merreshin masa kundër “brutalitetit të tmerrshëm” të regjimit beogradas
“Anëtarë të organizatës regjimiste ‘Mlada Jugoslavia’, që gëzonte mbrojtjen e mbretit, e takuan atë më 18 shkurt 1931, në prag të shtëpisë dhe e goditën në kafkë me çekan. Pastaj ata hynë në apartament dhe morën me vete dorëshkrimin e vëllimit të tretë të ‘Codex albanicus’”, shkruan mediumi kroat.
Bir i një familjeje mesatare fisnikësh, Šufflay u lind më 1879 në qytetin e Lepoglavës. Ai kreu shkollën e lartë të përgjithshme në Zagreb, aty ku po ashtu studioi historinë e filologjinë klasike.
Më 1901, doktoroi në Universitetin e Zagrebit me tezën “Kroacia dhe Përpjekja e Fundme e Perandorisë Lindore nën Skeptrin e Tre Komnenëve”.
Gjatë viteve studimore, Šufflay do të shndriste si njohës i frëngjishtes, gjermanishtes, italishtes, anglishtes, latinishtes, si dhe greqishtes së vjetër e asaj të re. Këtyre gjuhëve iu shtuan tevona edhe shqipja, hebraishtja dhe sanskrishtja. Nga viti 1904 deri më 1908, ai punoi për Muzeun Kombëtar në Budapest dhe, nga 1912 deri më 1918, si profesor i historisë mesjetare në Zagreb.
Përtej fushës së studimeve, Šufflay bëri emër edhe si kundërshtar i rreptë i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, për çka më 1921 u dënua me burgim. Shtatë vjet më vonë atij iu ofrua posti i kryesimit të Departamentit të Historisë Evropiane në Universitetin e Budapestit, por Qeveria në Beograd nuk pranoi që ai të angazhohej në këtë funksion.
Kur Zogu mbështeste punën e profesorit kroat
Interesimet e Šufflayt për albanologjinë sollën disa nga veprat më të mira në fushën e mesjetës. Prej tyre përmenden “Povijest severnih Arbanasa” (Histori e shqiptarëve të veriut), “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich ëährend des Mittelalters” (Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, kryesisht gjatë mesjetës) dhe “Srbi i Arbanasi: njihova simbioza u srednjem vjeku” (Serbët dhe shqiptarët: simbioza e tyre gjatë mesjetës), si dhe një numër artikujsh të tjerë.
“Anëtarë të organizatës regjimiste ‘Mlada Jugoslavia’, që gëzonte mbrojtjen e mbretit, e takuan atë më 18 shkurt 1931, në prag të shtëpisë dhe e goditën në kafkë me çekan. Pastaj ata hynë në apartament dhe morën me vete dorëshkrimin e vëllimit të tretë të ‘Codex albanicus’”
Në vitin 1912, Šufflay kishte kundërshtuar mëtimet serbe për të dalë në Adriatik përmes argumenteve historike. Përmes angazhimit të Mit’hat Frashërit, mbreti Ahmet Zogu e kishte ftuar profesorin kroat ta vizitonte Shqipërinë. Shteti shqiptar i akordoi 3 mijë franga ari për shpenzimet e udhëtimit dhe kopjimin e materialeve në arkivat e Raguzës dhe të Kotorit, si dhe dyfishin e tyre për grumbullimin dhe publikimin e materialeve. Për kontributet e tij të shumëfishta në studimin e historisë shqiptare, më 2002 në Tiranë u mbajt konferencë shkencore, pas së cilës edhe iu akordua post mortem çmimi “Naim Frashëri”.