Ka kohë që letërsia e ka bërë të pavdekshëm, siç është edhe titulli i njërës prej veprave të tij në vargun e romaneve “Shakaja”, “Lehtësia e padurueshme e qenies”, “Ngadalësia”, “Valsi i lamtumirës” e të tjerë. “Unë dhe shumë admirues të tij, që nuk e kemi takuar kurrë Kunderën, kontribuojmë në pavdekësinë e tij të madhe. Sa ishte Kundera gjallë, e dinim kush ishte më i madhi. Tashmë nuk e dimë”, ka thënë shkrimtari Ag Apolloni, të mërkurën, në ditën kur u dha lajmi për vdekjen e shkrimtarit Milan Kundera. “Veprat e tij flasin për ‘historinë dhe historitë tona’, me një stil plot sarkazëm, duke qeshur për të mos qarë”, ka thënë studiuesja Nerimane Kamberi. “Shkrimtar origjinal i Evropës, që francezët e bënë pothuaj klasik modern të vetin”, ka thënë studiuesi Muhamet Hamiti
Si mjeshtër i romanit po se po, më i madhi i letërsisë, klasik modern, yll e gjigant i letrave, është konsideruar Milan Kundera. I heshtur në paraqitje publike, i fuqishëm në letërsi, goditës qe lajmi për vdekjen e tij i dhënë me një ditë vonesë nga Parisi, të mërkurën paradite. Ai ishte i 94 vjeç dhe ka kohë që letërsia e ka bërë të pavdekshëm, siç është edhe titulli i njërës prej vepra të tij në vargun e romaneve “Shakaja”, “Lehtësia e padurueshme e qenies”, “Ngadalësia”, “Pavdekësia”, “Valsi i lamtumirës” e të tjerë.
Për shumëkënd Kundera ishte nëse jo më i madhi, të paktën njëri ndër autorët më të mëdhenj të letërsisë së shekullit XX e më gjerë. Së bashku me emra si James Joyce, Franc Kafka, Vladimir Nabokov, George Orwell e të tjerë, Kundera hyn në listën e shkrimtarëve të mëdhenj që nuk arritën të merrnin çmimin “Nobel”. Dhe për adhuruesit e tij, tok me kritikët, pak peshë çon një fakt i tillë.
“Lehtësia...” e shpërthimit në stratosferën letrare
Shkrimtari me origjinë çeke, Milan Kundera, i lindur më 1 prill të vitit 1929 në Bërno të Çekosllovakisë së asaj kohe, e la vendin e tij qysh në vitin 1975, ku më pas u vendos në Francë. Për shkak të problemeve me pushtetin komunist, në vitin 1979 Kundera humbi nënshtetësinë çeke, për ta rikthyer tek vetëm disa vjet para vdekjes, në vitin 2019. Në artikullin kushtuar vdekjes së autorit, e përditshmja prestigjioze britanike “The Guardian” kujtoi edhe miqësinë e tij me shkrimtarin e njohur amerikan Philip Roth dhe adaptimin në film të veprës së tij më të njohur, “Lehtësia e padurueshme e qenies”. Aty e gjen edhe fillin e famës së tij botërore.

“Pasi që miku i tij Philip Roth botoi Kunderën si pjesë e serisë së tij, ‘Shkrimtarët nga Evropa tjetër’, ishte botimi i ‘Lehtësia e padurueshme e qenies’ së vitit 1984 që konfirmoi statusin e tij si një yll ndërkombëtar. I vendosur në një atmosferë marramendëse të Pragës në vitin 1968, romani ndjek dy çifte teksa luftojnë me politikën dhe pabesinë, duke shqyrtuar tensionin midis lirisë dhe përgjegjësisë. Përshtatja filmike e Philip Kaufman-it më 1988, me Daniel Day-Lewis dhe Juliette Binoche, siguroi ngjitjen e Kunderës në stratosferën letrare”, shkruan “The Guardian”. Megjithatë, Kundera nuk ishte i kënaqur asnjëherë me këtë adaptim duke potencuar se romani kishte humbur shtresimet e shumta filozofike.
“Një autor, i cituar dikur nga një gazetar, nuk është më zot i fjalës së tij... Dhe kjo, natyrisht, është e papranueshme”, kishte thënë ai, ka cituar “The Guardian”
Zëri i romanit kundrejt marrëzive të zhurmshme
Teksa ka cituar pjesë nga një bisedë që Kundera kishte realizuar me Roth për “The New York Times”, “The Guardian” kujton për dyshimet që Kundera kishte pasur për mënyrën se si nisi të shihej romani në atë kohë.
“Duke folur me Rothin në vitin 1980 në ‘New York Times’, Kundera u ankua se ai ndjeu se ‘romani nuk ka vend’ në botë, duke thënë se ‘bota totalitare, qoftë e themeluar mbi Marksin, islamin apo ndonjë gjë tjetër, është një botë përgjigjesh në vend të pyetjeve”. Kishte nxjerrë dhe një konkluzion të sojit që e shquan krejt natyrën e veprës së tij. “Më duket se në të krejt botën njerëzit në ditët e sotme preferojnë të gjykojnë më shumë sesa të kuptojnë, të përgjigjen në vend që të pyesin, kështu që zëri i romanit vështirë se mund të dëgjohet mbi marrëzinë e zhurmshme të sigurive njerëzore”, shkruan “The Guardian”
Teksa bën një përshkrim të tematikave dhe pikëpyetjeve që hapin romanet e Kunderës, “The New York Times” i përshkruan në një paragraf kapërcimet e fuqishme të tij, nga shkrimi brenda një bote komuniste te pavarësimi i tij në Francë e deri te romani i tij i fundit, i shkruar gati dhjetë vjet para vdekjes.
“Milan Kundera, një i përjashtuar nga Partia Komuniste, i cili u bë një yll i letërsisë botërore me romane të përgjakshme, të ngarkuara seksualisht që kapën absurditetin mbytës të jetës në parajsën e punëtorëve të vendit të tij të lindjes, Çekosllovakisë, vdiq në moshën 94 vjeçare. Seria e librave të popullarizuar të Kunderas filloi me ‘Shakaja’, që u botua për t'u bërë e njohur në vitin 1967, rreth kohës së Pranverës së Pragës. Më pas, disa muaj më vonë, u ndalua në shenjë hakmarrjeje pasi trupat e udhëhequra nga sovjetikët që e shtypën atë eksperiment në ‘Socializmin me fytyrë njerëzore’. Ai përfundoi romanin e tij të fundit, ‘Festa e të qenit i parëndësishëm’ (2015), kur ishte në mesin e të 80-ave dhe jetonte në rehati në Paris”, shkruan NYT.
“Sa ishte gjallë, e dinim kush ishte më i madhi...”
Ndonëse “Festa e të qenit i parëndësishëm” ishte romani i tij i parë, që nga viti 2000, sipas NYT-it, ai i kishte ndarë në dysh lexuesit e tij; në ata që “e lavdëruan humorin e tij jashtëzakonisht elegant” dhe në ata të cilën qenë të mendimit se ky roman shënon fundin e tij si autor i madh. Suksesi i tij ishte shumë larg suksesit të “Lehtësisë së padurueshme të qenies”, i cili ishte botuar në vitin 1984.

Po atë vit “The New York Times Book Review” e kishte futur romanin në listën e librave më të mirë, teksa theksonte se “puna e vërtetë e këtij shkrimtari është, që gjatë tërë jetës, të gjejë imazhe për historinë katastrofike të vendit të tij”, kujton NYT.
Pikërisht këtë roman e ka veçuar edhe studiuesja e letërsisë Nerimane Kamberi, adhuruese e madhe e romaneve të tij, ligjëruese në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Kundera prej vitit 1995 nisi t’i shkruante në frëngjisht edhe veprat e tij.
“Me vdekjen e Milan Kunderës letërsia botërore humbi sigurisht një ndër zërat e saj më të mëdhenj, humbi një mjeshtër të romanit, autorin e ‘Lehtësia e padurueshme e qenies’, roman për dashurinë dhe lirinë, që është cilësuar si kryevepra e tij. Te Kundera dëshpërimi mundet me humorin, dhe këto dy kategori bashkëjetojnë vazhdimisht te ai. Veprat e tij flasin për ‘historinë dhe historitë tona’, me një stil plot sarkazëm, duke qeshur për të mos qarë”, ka thënë Kamberi.
Ndërkaq shkrimtari Ag Apolloni ka kujtuar romanin “Pavdekësia” teksa është shprehur se, ndryshe nga deri më sot, tani nuk e dimë se kush është autori më i madh.
“Në romanin ‘Pavdekësia’, Milan Kundera thotë se njerëzit nuk janë të barabartë para pavdekësisë. Disa i takojnë pavdekësisë së vogël, domethënë kujtohen vetëm nga rrethi i tyre i familjarëve dhe miqve, ndërsa të tjerët kujtohen edhe nga ata me të cilët nuk janë takuar ndonjëherë. Unë dhe shumë admirues të tij, që nuk e kemi takuar kurrë Kunderën, kontribuojmë në pavdekësinë e tij të madhe. Sa ishte Kundera gjallë, e dinim kush ishte më i madhi. Tashmë nuk e dimë”, është shprehur Apolloni.
Klasiku modern i Evropës
Shkrimtar origjinal i Evropës, ka qenë njëri prej cilësimeve që ia ka bërë Kunderës profesori i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Hamiti.

“I popullarizuar me romanin e tij të parë, ‘Shakaja’ (1967), edhe më shumë me ‘Lehtësia e padurueshme e qenies’ (1984), Milan Kundera është shkrimtar origjinal i Evropës që francezët e bënë pothuaj klasik modern të vetin. Shumëkujt i vjen keq që shkoi pa e fituar Çmimin Nobel për Letërsi”, ka thënë Hamiti.
Duke theksuar se një gjë e tillë nuk është për t’u habitur, ka thënë se romani i fundit ishte dëshmi e rënies së fuqisë së tij krijuese, artistike.
“Fuqia krijuese e Kunderës ka rënë dekadat e fundit, siç ndodh jo rrallë me shkrimtarët e mëdhenj që jetojnë më gjatë. Romani i tij i fundit, i para një dekade, ‘La fête de l'insignifiance’ (Festa e të qenit i parëndësishëm, në anglisht është botuar me titullin ‘The Festival of Insignificance’) është cilësuar i flashkët nga kritika. Prej kur Kundera nisi të shkruante në frëngjisht, romanet e tij u bënë më filozofikë, më pak politikë”, ka theksuar ai.
Ndonëse në ditët e sotme lexuesi shqiptar ka në dispozicion disa nga veprat e njohura të Kunderës, Hamiti ka përmendur edhe pikëpyetjet që Kundera kishte ngritur karshi përkthimit të veprave.
“Unë e kam lexuar Milan Kunderën fillimisht në shqip, ndonjë vepër të tij edhe në serbokroatisht, pjesën tjetër, më të madhe, lexime dhe rilexime, në anglisht. Domethënë, as çekisht, as frëngjisht. Po e theksoj këtë për arsye se Milan Kundera e ka parë gjithë procesin e përkthimit me mosbesim; te libri i tij ‘Testamente të tradhtuara’ bën autopsinë e gabimeve të përkthyesve të Kafkës në frëngjisht. Kundera angazhohet thjesht për qasjen e përkthimit fjalë për fjalë”, ka thënë ai.
Hamiti ka kujtuar se si pas lëvizjes nga Çekia në Francë dhe pasi që një pjesë e veprave të tij ishte shkruar në gjuhën e tij amtare, e tjetra në frëngjisht, Kundera kishte rishikuar vetë dhe kishte vendosur versionet përfundimtare të përkthimeve në këto gjuhë.
“Pasi jetoi me vite në Francë dhe zotëroi frëngjishten, Kundera e la çekishten dhe nisi të shkruante veprat e veta në frëngjisht nga mesi i viteve tetëdhjetë të shekullit XX. Në këto vite ai rishikoi të gjitha përkthimet e romaneve të veta në frëngjisht, që i kishte shkruar në çekisht, dhe i shpalli këto versione përfundimtare, autentike të romaneve të veta. Përkthimet u bënë origjinalet e tij. Më vonë, për të bërë versionet e reja çeke, ai përdori tri origjinale: dorëshkrimin në çekisht, versionet e para çeke të botuara (në Toronto, Kanada) dhe përkthimet definitive në frëngjisht. Nuk ka ‘version origjinal’ të veprës së Kunderës në kuptim tradicional të termit”, ka thënë Hamiti.
Ëndrra për t’u bërë i padukshëm
Por vetë ai ishte një zë origjinal, unik në letërsinë botërore. Kishte një pëlqim të thellë për mendimtarët dhe artistët e Evropës Qendrore, Nietzsche, Kafka, romancierët nga Vjena: Robert Musil dhe Hermann Broch, kompozitorin çek Leos Janacek e të tjerë. Një ndikim i tillë, siç kishte pohuar edhe vetë autori, kishte sjellë në dritë romanin tjetër të tij, “Libri i qeshjes dhe harrimit”.
“Ashtu si Broch, Kundera ka thënë, ai u përpoq të zbulonte ‘atë që mund të zbulojë vetëm romani’, duke përfshirë atë që ai e quajti ‘të vërtetën e pasigurisë’. Librat e tij u shpëtuan nga pesha e kësaj trashëgimie pjesërisht nga një lojë e gjallë që shpesh nënkuptonte përdorimin e zërit të tij për të komentuar punën në vazhdim. Ja se si ai fillon të shpikë ‘Tamina’, një figurë tragjike në ‘Librit i qeshjes dhe harrimit’ , e cila fillon si me një të ve të dëshpëruar çeke në Francë dhe disi përfundon duke vdekur në duart e fëmijëve mizorë në një përrallë’. ‘Unë llogaris se dy ose tre personazhe të rinj imagjinar pagëzohen këtu në tokë, çdo sekondë. Kjo është arsyeja pse unë jam gjithmonë në mëdyshje për t’u bashkuar me atë turmë të madhe të Gjon Baptistëve. Por çfarë mund të bëj? Në fund të fundit, personazhet e mia duhet të kenë emra’”, shkruan NYT.
Ndonëse, pas rënies së komunizmit, Kundera kishte mundësi të shkonte në vendin e tij të lindjes, ai arriti ta rikthente nënshtetësinë tek në vitin 2019.
“Pas 40 vjetësh, përveç vizitave të shkurtra dhe të rralla në atdheun e tyre, Kundera dhe gruaja e tij, Vera, e rikthyen më në fund nënshtetësinë çeke në vitin 2019, një vit pasi u takuan me kryeministrin çek, Andrej Babiš, i cili e përshkroi takimin si një ‘nder i madh’. Një vit më vonë, Petr Drulák, ambasadori i Republikës Çeke në Francë, ia dorëzoi certifikatën e shtetësisë, duke e përshkruar atë si ‘një gjest simbolik shumë të rëndësishëm, një kthim simbolik i shkrimtarit më të madh çek në Republikën Çeke’. Ai tha se Kundera ishte ‘në një humor të mirë, thjesht mori dokumentin dhe tha ‘faleminderit’”, shkruan “The Guardian”.
Milan Kundera lindi në një familje të klasës së mesme shumë të kulturuar. Babai i tij, muzikologu dhe pianisti Ludvík Kundera (1891-1971), ishte nxënës i kompozitorit të famshëm Leoš Janáček. Babai i mësoi Kunderës të luante në piano që në moshë të re. Me vonë Kundera studioi muzikë për njëfarë periudhe. Influenca e muzikës, ashtu si referenca të shpeshta mbi të, mund të gjenden në shumë vepra të Kunderës. E përfundoi shkollën e mesme në Bërno më 1948. Më pas vazhdoi studimet e larta për letërsi dhe estetikë pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin Charles. Pas dy vjetësh studime u transferua në Fakultetin e Filmit të Akademisë së Arteve të Bukura ne Pragë. Më 1950 Kundera u detyrua t’i ndërpriste studimet për arsye politike. Pas diplomimit më 1952 u caktua si profesor i letërsisë botërore pranë Akademisë së Filmit. Kundera i përkiste brezit të të rinjve çekë që nuk e kishin provuar Republikën Demokratike Çekosllovake të paraluftës. Rritja e këtij brezi u karakterizua prej eksperiencës së fituar nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga pushtimi gjerman. Përvoja e totalitarizmit gjerman krijoi një imazh bardhezi të botës tek ky brez (komunizëm dhe fashizëm) dhe, për rrjedhojë, shtyu një pjesë të madhe të tyre të aktivizoheshin pranë rretheve marksiste dhe të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste. Milan Kundera u anëtarësua në Partinë Komuniste Çekosllovake, e cila ishte në pushtet në vitin 1948, kur ishte ende adoleshent. Më 1950 bashkë me një tjetër shkrimtar çek, Jan Trefulka, u përjashtua nga partia për “aktivitete kundër partisë”. Trefulka e përshkruan incidentin në novelën e tij “Pršelo jim štěstí” (Lumturia ra mbi ta) ndërsa Kundera u frymëzua nga kjo ngjarje për të shkruar novelën e tij të parë Žert (“Shakaja”, 1967). Milan Kundera u ripranua në Partinë Komuniste më 1956. Më 1970 ai u përjashtua nga partia për herë të dytë. Kundera së bashku me artistë dhe shkrimtarë të tjerë si Václav Havel, ishte i përfshirë në Pranverën e Pragës së vitit 1968. Gjatë kësaj periudhe reformizmi dhe optimizmi i pakët u shtypën nga pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik në gusht të 1968. Kjo e ndau nga kultura dhe jeta çeke, u ndalua përkthimi i librave të tij të shkruar në frëngjisht.
Por kjo s’e ndali dot hovin e shkrimtarit të stratosferës. Nuk iu realizua dot asnjë ëndërr e kahershme.
“Kur isha çunak me pantallona të shkurta, ëndërroja një krem mrekullibërës që do të më bënte të padukshëm. Pastaj u rrita, nisa të shkruaja, dhe doja të bëhesha i suksesshëm. Tani jam i suksesshëm dhe do të doja ta kisha atë krem që do të më bënte të padukshëm”, kishte thënë ai më 1985.
Në vend se të bëhej i padukshëm, u bë i pavdekshëm nëpërmjet veprës së tij.