Kulturë

Migrimi – fenomen i përhershëm në formësimin e qyteteve të Kosovës

Dyshja e arkitektëve që sivjet përfaqësojnë Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venecie, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, kanë marrë si pikënisje veprën e tyre në ngjarjen madhore për të hapur edhe tema të tjera. “Migrimi si fenomen ka ndikuar përherë në formësimin e qyteteve”, ka thënë Qorri-Dragaj. Këtë e ka konfirmuar edhe Hamdi Qorri, i cili ka shtjelluar edhe “Pasiguritë e sigurta” siç është tema e sivjetme e Festivalit të Arkitekturë në Kosovë, ku kanë mbajtur ligjëratën

Bienalja e Arkitekturës në Venecia ku përfaqësojnë Kosovën, fenomeni i migrimit dhe ndikimi i tij në arkitekturën e qyteteve, roli i diasporës së Kosovës në shtrirjen dhe formësimin urbanistik, problemet arkitekturore me theks të veçantë në Prishtinë, kanë qenë disa prej temave që dyshja Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri kanë hapur në ligjëratën e tyre të mbajtur në kuadër të edicionit të 11-të të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë. Ligjërata e tyre të shtunën mbrëma në kino “Armatë” mbylli ciklin e prezantimeve të tilla që Festivali ka paraparë për korrik, për t’u rikthyer me të tjera në shtator.

“RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) është titulli i veprës së tyre në edicionin e më të madhes ngjarje të arkitekturës në botë që sivjet shënon edicionin e 18-të. U inaugurua më 20 maj dhe do të jetë atje deri në nëntor, dhe pikërisht ajo dhe ideja prapa saj kanë qenë pikënisje që dy kuratorët e Pavijonit të Kosovës në Bienalen ku vendi debutoi më 2012 të hapin edhe tema të tjera. Përmes një instalacioni minimalist ku mund të shihet një shtëpi e kthyer përmbys, dy arkitektët kanë trajtuar edhe temën e migrimit. Vepra në fakt trajton një fenomen tejet universal i cili ushtron ndikim të madh në planifikimin urban jo vetëm në Kosovë, por edhe në qendra të tjera në botë.

Poliksen Qorri-Dragaj ka thënë se projekti i tyre kishte në fakt një ndërlidhje edhe me filozofinë e migrimit dhe kalimit të kufijve.

“Gjatë viteve të tensionuara dhe luftës së ‘99-s në Kosovë shumë njerëz u detyruan t’i lëshojnë shtëpitë e tyre. Ballafaqimi me dhunën, braktisjen e shtëpive dhe njerëzve, si dhe gjetja e vetes në vend dhe hapësira të panjohura, e përmbysi jetën e tyre. Në projektin tonë ne përdorim trilogjinë e transendencës që përdoret shpesh në filozofi e që përshkruan procesin e kalimit të kufijve që ndanë dy frikë fondamentale nga njëra-tjetra”, ka thënë ajo.

Hapësira që krijohet midis vendit mikpritës dhe atdheut, hapësirë në të cilën jetojnë refugjatët, kishte qenë pika fillestare e asaj që ata e quajtën “lokaliteti transcendent”. Teksa ka folur për migrimin, Qorri-Dragaj ka thënë se ai ka luajtur përherë rol të rëndësishëm në mënyrën e strukturimit të qyteteve.

“Ne jemi këtu si arkitektë, si planifikues dhe pyetja është se si ne si arkitektë i trajtojmë konsekuencat dhe sfidat e migrimit. Në kuptimin e transcendencës lokale dhe të transicionit që ndodh në Kosovë pas luftës. Migrimi si fenomen ka ndikuar përherë në formësimin e qyteteve. Diskursi i migrimit në këtë kontekst merr rol, ky si rezultat i globalizimit dhe ngjarjeve të ndryshme sociale, ekonomike, politike në termet e transformimit teknologjik, në rritjen dhe shumë gjëra të tjera të përditshmërisë”, ka thënë ajo duke shtuar se “fakti që ata janë të pranishëm në dy vende njëkohësisht ndikon shumë në urbanizimin e hapësirave publike”.

Poliksen Qorri-Dragaj diplomoi më 2014 në arkitekturë dhe ka specializuar në planifikim urban në Institutin Teknologjik në Karlsruhe të Gjermanisë. Punoi si planifikuese urbane në zyrën e planifikimit në Karlsruhe. Prej vitit 2020 punon si asistente kërkimore në Katedrën e Planifikimit Urban. Hulumtimi i saj fokusohet në qytetet pas konfliktit. Për dyshen babë e bijë migrimi është i njohur sikurse për shumë shqiptarë të Kosovës.

Në ligjëratë Poliksen Qorri-Dragaj ka përmendur edhe migrimet e shumta të shqiptarëve të Kosovës të cilat ndodhën si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Sipas saj, kjo solli edhe krijimin e shumë vendbanimeve të përkohshme dhe ushtroi rol të madh e të rëndësishëm në planifikimin urban.

Arkitekti Hamdi Qorri është marrë me zbërthimin e temës së Bienales së Venecias, “Laboratori i së ardhmes” dhe atë të Festivalit të Arkitekturës “Pasiguritë e sigurta”.

“Bienalja e ka për temë bosht ‘Laboratorin e së ardhmes’. Pavijoni i Kosovës ka temën e lokaliteteve transcendentale dhe Festivali i Arkitekturës në Kosovë ka këtë temë që ka të bëjë me ‘pasiguritë e sigurta’. Si nga tema qendrore e Bienales, edhe këto janë të lidhura me pasiguritë e sigurta që ndodhin gjithandej. Këto pasiguri ndodhin në të gjithë rruzullin tokësor e jo vetëm te ne. Është një çështje që është shtruar para njerëzimit. Ku po shkojmë? Për këtë të gjithë profesionalistët, përfaqësues të shoqërisë e të tjera, bëjnë përpjekje për të ardhur deri te një zgjidhje që të jetë e qëndrueshme”, ka thënë Qorri.

Nisur nga përvoja e tij në këtë bienale, ai ka thënë se e ardhmja është një çështje që i preokupon të gjithë.

“Gjatë Bienales pati reagime të ndryshme edhe nga studiot e njohura dhe pyetën për dilemën se ku po shkon Bienalja. Mirëpo me vite Bienalja është duke u marrë me problemet e njerëzimit. Probleme që kanë të bëjnë me gjenerata që do të vijnë. Ku do të shkojnë, si do ta kenë hapësirën, çfarë jete do të bëjnë e të tjera”, ka thënë Qorri.

Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është një temë e re. Ka thënë se pasiguritë e sigurta janë trajtuar edhe më herët, ndonëse me kalimin e viteve Bienalja ka nisur të ndërrojë temë.

“Këto pasiguri të cilat i ka shtruar Festivali i Arkitekturës kanë qenë gjithmonë. Edhe në të kaluarën ka pasur pasiguri të sigurta, por ndoshta me kohën kanë filluar të harrohen dhe tani kemi këto të kohës sonë. Dikur nëpër Bienale është folur më tepër për të bukurën, qoftë për fasadat, qoftë për mermerë të shkëlqyer, enterierë me glamur e të tjera, ndërsa sot Bienalja ka një qasje për shtjellimin e problemeve me të cilat ballafaqohet njerëzimi”, është shprehur ai.

Kur ka folur për gjendjen në të cilën gjenden vendet urbane të Kosovës sot, Qorri ka përmendur në rend të parë ndikimin, e së bashku me të edhe migrimet që solli lufta. Përveç migrimeve jashtë vendit, ka përmendur edhe ato brenda vendit.

“Ajo që ndodh përherë pas konflikteve, luftërave e të tjera, është problemi i popullsisë nga një vend në tjetrin. Lëvizje të tilla kemi edhe në vende e kombe të ndryshme sikurse popullsia jonë që pas luftës lëvizi me të madhe në drejtim të vendbanimeve urbane, dhe kjo ishte e papërballueshme për institucionet, gjegjësisht departamentet e planifikimit hapësinor të shtetit të Kosovës. Si pasojë solli në një gjendje ku kemi një rritje dhe shtrirje urbane në mënyrë të pakontrolluar”, ka thënë ai.

Hamdi Qorri diplomoi më 1985 në Degën e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Jeton dhe punon në Drenas dhe Prishtinë. Në vitin 2017, në Universitetin e Sarajevës punoi në disertacionin në temën “Përhapja urbane si fenomen në një kontekst tranzicional”.

Në rolin e arkitektes dhe specialistes së planifikimit urban, Poliksen Qorri- Dragaj ka folur edhe për ndryshime të nevojshme në rikonstruktimin e vendbanimeve në Kosovë.

Kur ka folur për deformimet urbanistike, Qorri-Dragaj ka marrë si shembull ato që në Prishtinë njihen si “Banesat e gjelbra” në lagjen “Dardania”, ku renditja e njëpasnjëshme e tyre ka krijuar një lloj muri të gjatë me mungesa të shumta të nevojave njerëzore. Teksa ka folur për mënyrën e ndërtimit të komplekseve banesore, por edhe të shtëpive në qendër të Prishtinës, Qorri- Dragaj ka potencuar disa probleme, përfshirë mungesën e hapësirave gjelbëruese, mungesën e parkingjeve, mungesën e transportit urban, ndërtimin e banesave përgjatë tërë parcelës duke mos lënë hapësirë as për makinat e banorëve apo për gjelbërim. Si një zgjidhje ka përmendur “city walkable” ku në një hapësirë të ngushtë banorët kanë gjithçka që u duhet, gjë e cila, sipas saj, e zbeh nevojën për të pasur apo përdorur makinën, krijimin e më shumë hapësirave gjelbëruese e të tjera. Në kohën e “pasigurive të sigurta” kërkesat si këto janë të kahershme e imediate.