Kulturë

Mësimi i historisë dhe kulturës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian – mjet kundër diskriminimit

Përfshirja e historisë dhe kulturës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është e rëndësishme, jo vetëm për njohjen e tyre, por edhe për luftimin e diskriminimit, i cili ende është i pranishëm në Kosovë, është thënë në kuadër të përmbylljes së asaj që është quajtur ekspozita e Holokaustit me titullin “Diagnoza racore: ‘magjup’ – gjenocidi nazist mbi sinti-romët dhe lufta e gjatë për njohje”. Lidhur me domethënien e përfshirjes së historisë së këtyre komuniteteve të margjinalizuara kanë diskutuar Ilirjana Blakaj, antropologe nga “Stands for United States Holocaust Memorial”, Avdi Misini, gazetar në Radiotelevizionin e Kosovës dhe Urma Menekshe, mësuese e gjuhës rome, me ç’rast kanë vënë në pah edhe nevojën për luftimin e gjuhës së urrejtjes, por edhe të ndërgjegjësimit për një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

Urma Menekshe ka theksuar se mbajtja e mësimit fakultativ në katër shkolla të Prizrenit ka mundësuar që nxënësit e komunitetit rom të mësojnë për historinë, kulturën dhe traditën e komunitetit rom.

“Përpjekjet tona janë që numri i nxënësve të rritet dhe ky mësim të ndiqet edhe nga nxënësit e komuniteteve të tjera, që të mësojnë për traditën e historinë e komunitetit rom”, ka thënë ajo.

Sipas saj, meqë nuk ka pasur shumë të dhëna e libra rreth historisë dhe kulturës rome, me angazhimin e intelektualëve romë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës është hapur biblioteka rome në Prizren.

“Qëllimi ka qenë që përmes librave edhe komuniteti rom, por edhe pjesëtarët jorom, të lexojnë, të hulumtojmë më shumë për një gjuhë, për një histori, dhe të krijojnë empati ndaj këtij komuniteti. Besoj se përmes librit do të luftojmë paragjykimet, dhe të promovojmë kulturën rome, si dhe të bashkëpunojmë me MASHT-in që në librat shkollorë të kemi tekste për komunitetin rom”, ka deklaruar Menekshe.

Gazetari Avdi Misini ka theksuar se në librat shkollorë deri në klasën e nëntë nuk ka tekste ku përmenden komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

“Bashkë duhet të punojmë që t’i promovojmë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë në librat shkollorë, në lëndën e edukimit qytetar, ashtu që komunitetet joshumicë dhe ai shumicë të njihen më mirë”, ka thënë Misini.

Sipas tij, kultura rome është shumë e pasur.

“Por për fat të keq deri në vitet ’90 nuk është shkruar për kulturën e romëve, e në anën tjetër në praktikë romët gjithmonë kanë kontribuar edhe në muzikë, edhe në teatër, edhe në kulturë. Kohëve të fundit falë angazhimit të aktivistëve, shkrimtarëve dhe me zhvillimin e teknologjisë informative po pasurohet literatura në gjuhën rome për kulturën dhe identitetin, por edhe me angazhimin e OJQ-ve dhe mediave po shpërndahen informata për vlerat kulturore e të trashëgiminë shpirtërore të komunitetit rom në Kosovë e më gjerë”, është shprehur Misini.

Në kujtesën e romëve ende rëndon edhe plaga e relativizimit të krimeve të luftës të kryera ndaj tyre nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tmerret e përjetuara gjatë asaj kohe janë sjellë në vëmendjen e publikut për një muaj përmes ekspozitës së Holokaustit në qendrën “Evropa”, në Prizren.

Antropologia Iliriana Blakaj ka theksuar se dokumentimi i Holokaustit në Ballkan është një prej fushave shumë pak të kërkuara për arsye të ndryshme, dhe se Muzeu i Holokaustit i ShBA-së është thelluar në mikrohistori dhe histori gojore.

“Ne kemi dashur me e pa se cila është e vërteta në terren, sepse e vërteta në terren dhe dinamikat në terren shpeshherë dallojnë në masë të madhe prej informatave që ne i konsumojmë prej librave historikë, sepse librat historikë mund të tingëllojnë shpeshherë sipërfaqësorë dhe të njëtrajtshëm dhe nuk u shkojnë në thelb problemeve shoqërore, as dinamikave shoqërore”, ka thënë ajo, duke shpalosur përvojat në hulumtimin e realizuar me dëshmitarët e Holokaustit në Ballkan.

Ekspozita është prezantuar përmes një sërë objektesh, fotografish dhe elementesh që pasqyrojnë Holokaustin kundër romëve, dhe nga nikoqirët është përshkruar jo vetëm si një mësim për historinë dhe vuajtjet e romëve, por edhe si një moment reflektimi mbi përgjegjësinë njerëzore ndaj antisemitizmit, racizmit dhe antigjipsizmit, dukuri që kanë jehonë edhe në ditët e sotme.

Ekspozita e Holokaustit ka nisur një turne në Ballkanin Perëndimor, duke synuar të promovojë ndërgjegjësimin për gjenocidin që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër popullit rom dhe sinti nga nazistët gjermanë. Ekspozita u hap në Serbi në fillim të këtij viti, pastaj vijoi në Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë. Në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës në Prishtinë qe hapur në maj, e pas Prizrenit do të hapet në Tiranë.