Kulturë

Mësimdhënia në sfidat e zbatimit të dijes në praktikë

Në testimet e fundit ndërkombëtare, të njohura si PISA, nxënësit e Kosovës ishin renditur kah fundi i tabelës me mbi 70 vende nga mbarë bota. Sipas njohësve të arsimit, problemi është edhe te përgatitja e mësimdhënësve, formimi i të cilëve nuk përkon me kërkesat e testimeve ndërkombëtare që fokusohen më shumë te kapaciteti i nxënësve për ta vënë në praktikë dijen e nxënë

Mësimdhënia jo gjithnjë mund të shihet si e shkëputur nga rrethanat e përgjithshme shoqërore. Ndërsa sot teknologjia është faktori vendimtar përcaktues edhe sa i përket monopolit të informacionit, roli i mësuesit nuk është më ai siç ishte tradicionalisht.

Në këtë dritë edhe historiku i mësuesisë në Kosovë ka këto ecejake: nga vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, kur mungonte thuajse gjithçka, e deri në dekadën e fundit, kur statusi i mësimdhënësit ka fituar një prestigj.

Me këto observime e të tjera është vërtitur diskutimi “Mësuesia ndër vite” që u mbajt pasditen e së hënës në mjediset e qendrës “Libart” në kryeqytet.

Në debatin e moderuar nga Shkëlqim Berisha, të pranishmit kanë bashkëndarë përqasjet e tyre nga pozita të ndryshme profesionale.

Mësimdhënësi i pensionuar, Abdyl Gashi, është rikthyer pas në kohë duke evokuar kohën kur kishte qenë nxënës në vitet ’50. Sipas tij, kjo ishte koha kur kishte mësues me kualifikim të duhur, por nuk kishte mjete të përshtatshme për mësimdhënie.

“Megjithatë, ata gjenin kohë për të shpjeguar edhe kur nuk kishte tekste mësimore, por edhe të na jepnin motiv për të mësuar më shumë”, ka thënë ai.

Gashi – i cili gjatë karrierës së tij në arsim kishte qenë edhe drejtor i shkollës së mesme “Sami Frashëri” dhe inspektor – ka thënë se pas Plenumit të Brioneve në fund të viteve ’60 tekstet mësimore kishin nisur të merrnin elemente më kombëtare.

“Ishte një gjendje ku duhej të bëhej kujdes që nxënësit të mos pësonin”, ka thënë ai.

Në vijim Gashi ka shtuar se ndonëse prej viteve ’70 ishte përmirësuar infrastruktura, bashkë me masivizimin e arsimit, mjetet mësimore kishin qenë gjithnjë pikë e dobët.

I pranishëm në diskutim ishte edhe dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, i cili ka shkoqitur në pika të përgjithshme gjendjen e mësimdhënies në vend, si dhe të përgatitjes së kuadrit arsimor. Derisa, sipas tij, Fakultetin e Edukimit tani po e mësyjnë nxënës me suksese paraprake të shkëlqyera, profesioni i mësuesit po bëhet më atraktiv si status.

“Kjo ka të bëjë edhe me sistemin e pagave që sadopak është përmirësuar gjatë viteve të fundit”, ka thënë Saqipi.

Ndonëse deri më tani ka mungesë studimesh empirike, institucionet përkatëse duhet të marrin në konsideratë ndryshimin e modalitetit të përgatitjes së mësimdhënësve.

“Roli dhe perceptimi mbi mësimdhënësin kanë ndryshuar ndër dekada”, ka thënë dekani i Fakultetit të Edukimit.

Kështu në faza të mëparshme roli i mësimdhënësit kishte qenë përcjellja e informacionit, meqë ishte jo lehtësisht i qasshëm për të gjithë. Më tej, sipas tij, ky rol kaloi në një autonomi më të madhe për mësimdhënësit që vendosnin se çfarë ishte më e mirë për nxënësit, ndërkohë që mësimdhënia moderne ka përballë sfida të shumëfishta.

Saqipi ka përmendur edhe rezultatet e viteve të kaluara të testimit ndërkombëtar, PISA, në të cilat nxënësit nga Kosova kishin treguar rezultate jo të mira.

“Nuk është me vend të fajësohen mësimdhënësit, sepse forma dhe mënyra e përgatitjes së tyre dallon me ato çfarë kërkohet tani”, ka thënë ai, për të shtuar se vlerësimet ndërkombëtare orientohen te kompetenca dhe aftësia e nxënësve për të përdorur informacionin.

“Ndaj faji nuk është te mësimdhënësi, por duhet të gjendet një mekanizëm që dallon cilësinë e tyre”, ka shtuar më tej Saqipi.
Kurse mësimdhënësja Aulona Bulliqi-Zhitia ka folur për përvojën e saj në këtë profesion, për të cilin ka thënë se për sa kohë bëhet me dashuri është tejet tërheqës.

“Ndihmesë sot janë bërë edhe prindërit, që po punojnë më shumë me nxënësit”, ka thënë Zhitia.

Ajo, ndër të tjera, ka veçuar si problem në shkolla “burokracinë” që, sipas saj, po e mbyt kreativitetin.

“Janë me dhjetëra plane ditore, javore e mujore që duhet t’i përgatisin mësimdhënësit”.

Zhitia, e cila është mësuese në shkollën fillore “Faik Konica”, e ka cilësuar si të vlefshme punën e praktikës që ishte realizuar gjatë kohës së studimeve në Fakultetin e Edukimit.

“Më së shumti më ka ndihmuar praktika në vitin e katërt”, ka thënë ajo.