Emri i Shaqir Hotit është i lidhur fort me muzikën nga të gjitha perspektivat. Qe interpretues në shumë instrumente, punues e shpikës i tyre e mbi të gjitha me shumë vullnet u bë frymëzim i gjeneratave të reja sa i përket pasionit të tij në punë.
Nga punimet e tij të shumta, një vlerë jashtëzakonisht të madhe, si në aspektin e kulturës e po ashtu edhe të trashëgimisë kulturore, kishte instrumenti frymor, okarina. Duke e punuar atë, Hoti ia ktheu Kosovës instrumentin parahistorik.
Lidhur me punimin e këtyre instrumenteve muzikore, karakteristikat e tyre si dhe mënyrat e shumta të interpretimit, muzikologia Rreze Kryeziu Breznica, ka shkruar librin “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” me nëntitull “Në fjalët e Shaqir Hotit: udhërrëfyes për ndërtimin dhe interpretimin e instrumenteve popullore frymore”.
Në kuadër të Festivalit “DAM”, të mërkurën mbrëma në “Kino Armatë”, kompozitori Valton Beqiri i cili ka folur në rolin e recensentit të librit, ka thënë se figura e Shaqir Hotit ka një rëndësi të madhe në fushën e muzikës, sepse ai ngërthen brenda vetes edhe kompozitorin edhe instrumentistin e edhe interpretuesin.
“Në historinë tonë muzikore, shumë njerëz kanë qenë të njohur si kompozitor, instrumentist, interpretues, por të rrallë kanë qenë ata të cilët i kanë gërshetuar të gjitha gjërat sikurse baca Shaqë”, ka thënë Beqiri.
Sipas Beqirit, Shaqir Hoti është një personalitet shumë i rëndësishëm i kulturës shqiptare, sepse ai dinte edhe të punonte një numër të llojllojshëm instrumentesh frymore, punë kjo shumë e rrallë në ditët e sotme.
“Përveç këtyre karakteristikave dhe vlerave që ka pasur, Shaqir Hoti ka edhe një vlerë më të madhe, sepse ka qenë edhe punues i instrumenteve. Një njeri i cili, përveç njohurive dhe dashurisë ndaj muzikës, ka tentuar që ato t’i punojë në një natyrë sa më autoktone. Pra, kryesisht instrumentet me frymë meqenëse edhe vet ka qenë flautist”, ka shpjeguar ai.
Autorja e librit “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën...” Rreze Kryeziu Breznica ka thënë se në të vërtetë ideja për të shkruar ka ardhur nga vetë Shaqir Hoti, por që për shkak të vdekjes së tij asaj i ishte dashur ta përfundonte vetë projektin. Hoti vdiq në prill të vitit të kaluar në moshën 85-vjeçare.
“Për t’i mbledhur materialet, nuk ka qenë e vështirë sepse burimin kryesor e kisha, ishte baca Shaqë dhe ishte bashkëbisedimi me të ai i cili e realizoi këtë produkt. Pastaj ajo marrëdhënia ose fakt se si u iniciua me gjasë me qenë shumë punë vetëm profesionale, u shndërrua në një marrëdhënie shoqërore e cila fatkeqësisht u këput në gjysmë. Por unë e sigurt si kurrë më parë se atë që ai dëshironte ta realizonte, do ta jetësoja, u bë sot me promovimin e këtij libri”, ka shpjeguar Kryeziu-Breznica.
Ka treguar se punën e saj në këtë vepër e cilëson më shumë si kuratoriale sesa si autore e saj.
“Jo më kot unë e kam përmendur disa herë se ky produkt ka ardhur nga ne të dy, më tepër nga Baca Shaqë. Unë e shoh veten si një kuratore të krejt asaj çka ai e ka transmetuar, qoftë në bashkëbisedime e qoftë në të shkruar, gjatë tërë aktivitetit të tij, si ndërtues, si interpretues i instrumenteve dhe si njëri nga personalitetet më aktive të skenës muzikore vendore” ka thënë ajo.
I pranishëm në panel ishte edhe kompozitori Liburn Jupolli, i cili ka thënë se me punën e tij të madhe në zhvillimin e instrumenteve frymore, Hoti e ka mbajtur gjallë trashëgiminë tonë kulturore.
“Te Shaqir Hoti e shohim një lloj ruajtjeje të flakës. D.m.th. ai nuk është mjaftuar me gjetjen e okarinës edhe sjelljen e versionit të cilin e ka parë në ekzemplarë të ndryshëm sikurse ato në Akordet e Kosovës, por ai ka vazhduar t’i zhvillojë sikurse edhe fyejt e ndryshëm me të cilët ka punuar dhe të cilët i ka në numër të shumtë,” ka thënë Jupolli, njëherësh këshilltar i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.