Janë proza e poezi që i japin zë vuajtjes dhe i dokumentojnë përjetimet e kaluara në luftën e fundit në vend. Për poeten e studiuesen Blerina Rogova- Gaxha, ato bëhen objekte studimi në librin “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë”, i cili është përuruar tok me ekspozitën “Rojtarë të Memories” me poezi dhe prozë nga shkrimtarë që nëpërmjet shkrimit të tyre ruajnë kujtimet e luftës. Ceremonia nisi me “Bijë lufte”, ese filmike mbi traumat e shoqërive të pasluftës
Kujtesa ka qenë e përbashkëta e një trinomi artistik që për bazë ka pasur përurimin e librit më të ri të Blerina Rogova-Gaxhës. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u promovua libri “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë”, u hap ekspozita ”Rojtarë të Memories” dhe u prezantua eseja filmike “Bijë lufte”. Ngjarja nisi me “Bijë lufte” që u interpretua nga aktorja Sheqerie Buqaj. Trajton qenien e traumatizuar në shoqërinë e pasluftës dhe përmbyllet me fjalinë: “Lufta nuk ka kujtesë, por unë jam këtu”.
Libri “Memorie dhe Traumë” vjen si studim letrar-interdisiplinar që e trajton reprezentimin e luftës në letërsinë aktuale në Kosovë. Është vepra e parë e kësaj natyre, e cila dokumenton ruajtjen e memories kolektive të luftës nëpërmjet letërsisë.
Studiuesja dhe shkrimtarja Rogova-Gaxha në ceremoninë e promovimit të librit të mërkurën është shprehur se janë shumë projekte letrare që i japin zë vuajtjes dhe i dokumentojnë qoftë në prozë a poezi përjetimet e kaluara në luftën e fundit në vend. Përmbledhja e tyre në një libër është rezultat i hulumtimit dhe studimit të saj.
“Në këtë kohë që është një poetikë dimri dhe poetikë festash, kjo temë mund të jetë e rëndë, por është tema jonë, është tema e secilit prej nesh. Historia jonë na ka dëshmuar që njeriu i këtij vendi pavarësisht të gjitha përjetimeve është dashur që të ringrihet nga hiri, të gjejë forcën dhe të vazhdojë. Pikërisht kjo filozofi përcillet në shumë projekte letrare, qofshin ato në poezi a në prozë, të cilat i japin jehonë klithmës së dhimbjes dhe amplifikojnë zërat e viktimave të luftës, të të gjitha kategorive dhe të të gjithë të mbijetuarve”, ka thënë Rogova-Gaxha.
“Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë” ndahet në njëmbëdhjetë kapituj, secili një përmbledhje e punimeve letrare nga autorë, shkrimtarë e poetë të shumtë. Ndër ta Ali Podrimja, Halil Matoshi, Majlinda Bregasi, Ardian Haxhaj, Gazmend Bërlajolli e të tjerë.
Rogova-Gaxha ka shprehur falënderimin e saj për të gjithë bashkëpunëtorët. Për një vend si Kosova, nëpër historinë që ka kaluar, autorja e sheh si të domosdoshëm dokumentimin.
“Jam falënderuese për të gjithë autorët që ishin bashkëpunëtorë gjatë procesit të kësaj pune dhe të cilët e kanë kryer një mision. Thuhet se shoqëritë moderne janë harruese, të pashpresa, por në një vend si ne, me një histori tonën, në kryqëzim të madh historik në të cilin ne kemi kaluar, është më se e nevojshme që historia të ketë edhe kujtesën fiktive, ta reprezantojmë nëpërmjet artit të fjalës”, ka thënë Rogova-Gaxha.
Ka treguar për kapitujt që i ka pasur më të vështirë t’i shkruajë.
“Libri ndahet në kapituj dhe janë kategori të veçanta, të ndjeshme, secila në mënyrën e vet, por një prej kapitujve më të vështirë për mua ka qenë ajo për fëmijët e vrarë në luftë dhe për të pagjeturit e luftës duke e ditur se sa e ndjeshme është kjo tematikë”, ka përfunduar Rugova-Gaxha.

Shkrimtarja shqiptare Majlinda Bregasi e ka vlerësuar forcën shprehëse të autores Rogova-Gaxha. Për të “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë” është libër me ndikim.
“Në librin ‘Memorie dhe Traumë’ autorja shfaq një forcë dhe një performancë që e bën librin të tillë që kur fillon ta lexosh nuk ndalesh dot. Është ai stili i saj që kur ti e lexon librin as që mendon që është një libër studimor, sepse ndonjëherë librat studimorë dinë të jenë të mërzitshëm për ata që nuk merren me çështje studimore”, ka thënë Bregasi.
Ndërsa sipas studiuesit të letërsisë Agron Gashi, i cili në ngjarjen ku u promovua ka pasur edhe rolin e panelistit, ka thënë se, sipas Rugova-Gaxhës, letërsia është bërë art i dëshmisë për traumën, më pak për rezistencën e më shumë për ekzistencën.
“Blerina e bën një ekuivalencë në mes poezisë dhe kritikës apo më mirë mes letërsisë dhe interpretimit letrar. Libri ‘Memorie dhe Traumë’ është i strukturuar në njëmbëdhjetë kapituj që reflektojnë përmbajtjen, objektivizmin, temat, subtemat se kah i bie autorja interpretimit të saj”, ka thënë Gashi.
Të punuar me kompetencë dhe seriozitet e ka cilësuar librin poetja Donika Dabishevci.
“Një studiuese e zellshme dhe me përvojë në fushën e hulumtimit, studimit dhe shkrimit. Qysh në ballinë të librit e shohim të shenjëzuar si pjesë të titullit paradigmën që na e hap shtegun referencial të një perspektive leximi, studimi e shkrimi kryesisht të botës akademike me taban shekullin XX në fusha të ndryshme studimesh”, ka thënë Dabishevci.
Në ekspozitën ”Rojtarë të Memories” shfaqen poezi dhe prozë nga shkrimtarë që zgjodhën artin e fjalës për t’u bërë rojtarë të memories së luftës.
Projekti ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’ është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, në thirrjen për projektet në Art dhe Trashëgimi Kulturore 2023.