Copëza të ngjarjeve të pranverës së 1981-s janë bërë bashkë në formë fotografish, kopjesh të aktgjykimeve, si dhe fragmente nga shtypi i kohës, për të përkujtuar 40-vjetorin e demonstratave historike. Krahas kësaj ekspozite, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës me “70 Vjet Arkiv” ka shpalosur edhe historinë e evoluimit të institucionit më të rëndësishëm arkivor në vend
Fiks 584 vjet i ka më i moçmi dorëshkrim që ruhet në mjediset e ngrehinës së Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Është fjala për fjalorin dygjuhësh persisht arabisht “Tuhfe-i Sibjân” i kopjuar më 1437.
Fotografitë e nja gjashtë faqeve relativisht mirë të ruajtura të manuskriptit të rrallë janë ekspozuar para qytetarëve paraditen e së hënës në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.
Nën organizimin e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, dy jubile janë bërë sebep për ekspozitën që qëndroi e hapur disa orë në qendër të Prishtinës: 40-vjetori i demonstratave të vitit 1981 dhe 70-vjetori i themelimit të institucionit më të madh arkivor në vend.
Në paletat e vendosura në radhë, historia e Arkivit të Kosovës është shpalosur kronologjikisht nëpërmjet fotografive origjinale, dokumenteve me vendimin kur iu pre kërthiza ekzistimit të këtij institucioni, asete të rralla dokumentare e deri te ato më të rejat – shpallja e Pavarësisë së Kosovës – që tashmë janë bërë lëndë për historinë bashkëkohore.
Një kopertinë e galme ruan brenda vetes edhe faqe bukur të ruajtura ku spikasin fragmente të shkruara me germa arabe. Është “Vakëfnameja e Mehmet Pashë Kaçanikut”, e legalizuar më 1608, që mbart cilësimin e dokumentit më të vjetër që ruhet në Arkivin e Kosovës.
Në të vërtetë, ideja për një institucion që do të kujdesej për mbrojtjen dhe qëmtimin e lëndës arkivore ishte hedhur në vitin 1948 me rastin e formimit të asokohshmes Qendër Arkivore, prototipi i institucionit të sotëm.
Por më 20 mars 1951, me vendim të Këshillit Krahinor, u themelua Arkivi Krahinor i Kosovës.
“Kur hidheshin themelet” është paleta ku janë vënë një dorë fotografish bardhezi gjatë ndërtimit të ngrehinës disakateshe ku sot funksionon ky arkiv.
Historia e tij është përcjellë edhe me copëza përmbajtjesore nga fonde dhe koleksione të vjela nga arkivat simotra jashtë Kosovës: të tilla janë dosjet nga fondi i albanologut Milan Šufflay në Arkivin e Kroacisë, dokumente e harta nga Arkivi i Stambollit e të tjera nga Arkivi Shtetëror i Oborrit dhe Dinastisë Mbretërore në Vjenë.

Vendime me nënshkrimin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu për formimin e komisioneve për Kushtetutën, për himnin e simbolet, ishin disa nga materialet e tjera të ekspozuara në ekspozitën “70 Vjet Arkiv”.
Kryeshefi i ASHAK-ut, Bedri Zyberaj, ka thënë se dy përvjetorë të rëndësishëm kanë qenë arsyeja e organizimit të këtyre ekspozitave.
“Ne e pamë të arsyeshme që të hapim sot një ekspozitë njëditore me copëza nga historia”, ka thënë Zyberaj për mediat.
Sipas tij, kjo ekspozitë shpalos evoluimin e institucionit kompetent për “ruajtjen e memories kombëtare”.
Ndryshe, javë më parë ASHAK-u e kishte shënuar përvjetorin e tij të 70-të me po të njëjtën ekspozitë, me ngjarjen “Java e Arkivave të Hapura”, si dhe me përurimin e librit “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare” e përgatitur nga Hatixhe Ahmedi.
E hapur fillimisht më 11 mars në Mensën e Studentëve, ekspozita “Vullkani i Republikës” ka bërë bashkë fotografi origjinale nga demonstratat e vitit 1981, aktakuza nga proceset gjyqësore të kohës, si dhe deklarata të shtypit që i komentoi këto ngjarje nga prizmi i pushtetit të kohës.
“Këtu janë përfshirë edhe një pjesë nga shtypi i kohës, që përpiqej t’i minimizonte këto ngjarje apo të deformonte të vërtetën për to”, ka shpjeguar Zyberaj teksa ka bërë me dije se së shpejti kjo ekspozitë do të udhëtojë edhe në Shkup, pas kërkesës nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSh).
“Deshën republikë, fituan qelitë”, “Tepër sekret”- janë disa nga paletat ku janë dritësuar dokumente e copëza gazetash nga ngjarjet e ndodhura 40 vjet më parë.
“Këto materiale janë si një pikë në oqean”, ka shtuar Zyberaj teksa ka thënë se materiale për grupe të tjera ndodhen të arkivuara në ASHAK.