Kulturë

Me rinovim artistik, Komuna synon ringjalljen e Tunelit të Kurrizit

Është një nga pjesët më të frekuentuara nga banorët e kryeqytetit. Pas asfaltimit të rrugës nën Tunelin e Kurrizit në qershor të vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës po e konsideron edhe rinovimin artistik të kësaj pjese. Nëpërmjet një konkursi, Qeveria e kryeqytetit po synon që të gjejë një zgjidhje urbane e arkitektonike nëpërmjet artit. Lajmin e ka bërë të ditur të premten pasdite drejtori për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

“Tuneli i Kurrizit në lagjen ‘Dardania’ paraqet një aset kulturor dhe ekonomik, të cilin Komuna e Prishtinës do ta revitalizojë në mënyrë që ta kthejë atraktivitetin në këtë pjesë të qytetit, ashtu siç ishte gjatë viteve ‘90”, ka shkruar Berisha në llogarinë e tij në Facebook.

Teksa ka bërë thirrje që të aplikohet me projekte, ai ka shpjeguar se qëllimi kryesor i konkursit të sapohapur është hartimi i zgjidhjes urbane dhe arkitektonike për rigjenerimin e Tunelit të Kurrizit, nëpërmjet artit, “në mënyrë që kjo hapësirë të shërbejë për ngjarje të ndryshme kulturore”.

Sipas njoftimit për konkursin “Projektimi për rinovim infrastrukturor dhe artistik të Tunelit të Kurrizit”, vlera e parashikuar është 40 mijë euro.

E te projeksionet për projektet e sivjetme kapitale, “Tuneli i Kurrizit - renovim infrastrukturor dhe artistik i tunelit” si një nga 16 projektet e Drejtorisë së Kulturës, ka vlerë të parashikuar prej 100 mijë eurosh. Te “Planifikimi përfundimtar i prokurimit”, në janar të këtij viti, figurojnë 80 mijë euro.

Për projektim do të ndahen tre shpërblime: vendit të parë do t’i ndahet pagesa sipas çmimit që vendoset në projekt ideor dhe zbatues për konservim dhe adaptim. Kompania fituese është përgjegjëse edhe për hartimin e projektit zbatues. Çmimi i dytë do të shpërblehet me 3 mijë euro e i treti me 2 mijë euro.