Me leximin e mesazheve frymëzuese të shkrimtares amerikano-kubaneze, Margarita Engle, është shënuar Dita Ndërkombëtarë e Librit për Fëmijë dhe të Rinj.
Në mjediset e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në kryeqytet, organizata ETEA dhe Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë kanë mbajtur sot një manifestim letrar për të shënuar këtë ditë e cila, prej vitit 1967, synon të frymëzojë dashuri për leximin e librave për më të vegjlit.
Aktiviteti ka nisur me një minutë heshtje për shkrimtarin për fëmijë, Hasan Hasani, i cili u nda nga jeta në dhjetor të vitit të kaluar.
Në fjalën e tij hyrëse, drejtori i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni ka thënë se 2 prilli është një festë e madhe e librit në shenjë nderimi për shkrimtarin danez për fëmijë, Hans Christian Andersen.
“Sot me miliona fëmijë, prindër, krijues e shkrimtarë anembanë botës festojnë në gjuhën e tyre, në dashurinë e tyre”, ka thënë ai.
Fill pas kësaj janë bërë të ditur emrat e fituesve të tri eseve më të mira nga konkursi letrar në të cilën morën pjesë nxënës nga shkollat fillore e të mesme të ulëta në kryeqytet.
“Kishim mbi dyzet punime të dorëzuara në konkurs dhe jam krenar që mora pjesë në vlerësimin e këtyre eseve”, ka thënë shkrimtari Ibrahim Kadriu i cili ishte pjesë e jurisë bashkë me Xhevat Sylën dhe Fatime Mehmetajn.
Sipas vendimit të jurisë, në këtë konkurs letrar eseja e nxënësit Dition Mala u vlerësua si fituese e vendit të parë; ajo e Vesa Shalës me vendin e dytë si dhe e Urta Reçicës me vendin e tretë.
Programi ka vazhduar me leximin e tri eseve fituese para audiencës, përderisa në fund është bërë promovimi i librit “Librat na qetësojnë” me ese nga konkursi paraprak i nxënësve të shkollave të komunës së Prishtinës.