Gjashtë ditë pasi ka vdekur në Itali, trupi i regjisorit shqiptar Gjergj Xhuvani është kthyer në Shqipëri.
Sipas raportimit të medieve shqiptare, arkivoli i tij ka mbërritur paraditen e së martës në Tiranë. Pos kësaj është raportuar edhe se në orën 14:00 një grup familjarësh dhe miqsh të ngushtë të regjisorit ka bërë varrimin në një ceremoni krejt private, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjergj Xhuvani ka vdekur të mërkurën në një nga spitalet e Romës, pas një gjendjeje të rënduar shëndetësore. Ai ishte 56 vjeç. Sipas rrëfimeve të miqve, ai ndodhej në Itali për realizimin e montazhit të filmit të tij të fundit “Liqeni im”, xhirimet e të cilit kishin mbaruar gjatë vitit të kaluar.
Me mbështetjen e “Eurimages” në Yerevan dhe “SEE Cinema Network”, ky projekt kishte marrë mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Qendrës Kinematografike të Kosovës, Agjencisë së Filmit në Maqedoni, Qendrës Kroate të Audiovizualit (HAVC) dhe “Cineteca di Bologna”.
I lindur më 20 dhjetor 1963 në Tiranë, djali i prozatorit të shquar Dhimitër Xhuvani, Gjergji mbaroi studimet e tij për regji në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1986.
Pas një angazhimi disavjeçar si ndihmësregjisor, ai brenda viteve ’90 do të realizonte disa projekte filmike si “Bardhë e zi” (1991), “E diela e fundit” (1993), “Një ditë nga një jetë” (1994), “Dashuria e fundit” (1995) dhe “Funeral Business” (1999).
Filmi “Parullat” do të hapte etapën e dytë të suksesshme të regjisorit. Prodhim i vitit 2001, ky projekt kineast do të bëhej filmi i parë shqiptar që përzgjidhej në ekranin e “Director’s Fortnight” në Festivalin e Cannes në vitin 2001.
Sipas Bruce Williamsit, njohës amerikan i kinematografisë shqiptare, filmi “Parullat” i Gjergj Xhuvanit ka fituar më së shumti vëmendje të shtypit dhe internetit. Duke u mbështetur në databazën e IMDb, ai vërente se shikuesit demonstronin që kishin një njohje stereotipike të regjimit të Enver Hoxhës apo edhe mungesë dijesh për Shqipërinë.
“Më interesantja është se blogjet zbulojnë se shikuesit priren të krijojnë, pa dashje, një version jokohor të historisë në të cilin zhduken të gjitha dallimet mes së kaluarës komuniste të Shqipërisë dhe realitetit të saj”.
I përshkruar nga kritika e huaj si “kronikë e ngrohtë dhe prekëse e jetës në kohën komuniste”, filmi “Parullat” fitoi çmimin “Tokyo Grand Prix” në edicionin e 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokyo. Filmi që kishte fituar 5 milionë yenë ishte në mesin e 14 filmave të tjerë në garën e regjisorëve të rinj.
Një seri filmash të suksesshëm do të pasonte vitet e ardhshme. Bashkëprodhim shqiptaro-francezo-gjerman, filmi tjetër “I dashur armik” (2004) trajtonte sërish tema nga ngjarjet e gjëmimshme të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Edhe filmi shqiptaro-italian “Lindje, Perëndim, Lindje” (2008), nën regjinë e Xhuvanit, ishte përzgjedhur te filmat më të mirë në gjuhë të huaj në edicionin e 83-të të “Academy Awards”.
Vdekja e tij ishte konsideruar si një humbje e madhe për kinematografinë shqiptare. Kësisoj ishin shprehur emra të njohur të kinematografisë në Kosovë e Shqipëri e po ashtu edhe udhëheqësit e shtetit shqiptar.