Ekspozita me autor Arbër Selmanin, e fut publikun në botën e personave me aftësi të kufizuara, e prej aty tenton ta nxjerrë në një botë që nuk njeh kufizime të tilla. “Më lër brenda, më lër jashtë” e hapur në katin e tretë të hotelit “Grand”, nuk është thjesht thirrje për gjithëpërfshirje e për integrim. Është ftesë për njohje
Një shtrat i mbuluar me të bardhë, ka tre karroca të vendosura mbi dhe pranë tij. Muri pak më larg, është i errët. Aty është një fotografi që ka një karrocë të mbetur mes dy veturave. Qysh në shikim të parë, vizitori e përjeton një ditë të personave me aftësi të kufizuara. Barna të ndryshme e dokumente që ua bëjnë edhe më të vështirë jetën, pasqyrojnë një anë tjetër e asaj nëpër të cilën duhet të kalojnë ata. Shtrati i vendosur në mes është mesazh që këta persona duhet të çohen e të dalin jashtë tij.
Ekspozita “Më lër brenda, më lër jashtë” e autorit Arbër Selmani bën thirrje për t’i integruar këta persona në jetën publike. Ka përzgjedhur emra të cilët po i thyejnë paragjykimet dhe me punën e tyre çdo ditë e bëjnë ndryshimin në këtë qasje. Një pjesë e katit të tretë të hotelit “Grand” e ndarë në dhoma të ndryshme ka bërë që Selmani në ekspozitën e kuruar me Arlinda Hajrullahun ta fusë publikun brenda krijimeve dhe përditshmërive të këtyre personave. Një fustan fëmijërie, me një fotografi të kornizuar të asaj që e ka veshur është pjesë e ekspozitës. Ato i përkasin Arbenitës, motrës së autorit të ekspozitës.

Selmani, duke e njohur potencialin e tyre dhe sfidat nëpër të cilat kalojnë, mori edhe inspirimin për ekspozitën.
“Ideja për të punuar me persona me aftësi të kufizuara nis prej familjes sime. Një pjesë të ekspozitës e ka edhe motra ime që është Arbenita. Prej saj ka nisur inspirimi për të bërë diçka për këtë kategori”, ka rrëfyer ai për KOHËN. Në këndin dedikuar motrës, Selmani ka vendosur edhe një poezi që ka shkruar për Arbenitën 34-vjeçare.
“Ti ende mbetesh në një karrocë, për botën e gjymtuar, për mua, për jetën, një motër e munguar”, shkruhet në poezi. Janë të vendosura dhe dy piktura të artistes së re, Diella Valla. Aty, Fjolla Muhaxhiri-Agusholli, vajza me dëmtim në shikim është prezantuar me librin me titull “Mbretëresha e natës”. Rrugëtimi i gazetarit e këngëtarit Mentor Mripa është e prezantuar në një kënd të hapësirës ekspozuese. Punën që e bën ai përditë në radio, ku komunikon me dëgjuesit është e përfaqësuar në karrigen me pajisjet për punën e tij. Në lap-top përsëritet kënga e tij “Le ta dinë të gjithë”, duke i bashkuar kështu dy pasionet e tij më të mëdha: muzikën dhe gazetarinë.
Ai thotë se dëshira e tyre mbi të gjitha është të trajtohen si pjesë e barabartë e shoqërisë.
“Kjo shoqëri duhet të dijë se këta njerëz ekzistojnë, por edhe këta njerëz nuk duhet të mendojnë që ne jemi invalidë dhe mund të bëjmë çfarë të duam. Jo, të trajtohemi normalisht, prandaj jam pjesë e kësaj ekspozite”, ka thënë Mripa për KOHËN.
Pak më tej dhomave janë të vendosura krijimet shumëngjyrëshe të personave me autizëm. Aty jepet një përshkrim i shoqatës jofitimprurëse “Autizmi” që u themelua në vitin 2011 në Prishtinë. Objekte që lidhen me fëmijët me autizëm kanë krijuar këndin me më së shumti kolorit në ekspozitë. Selmani ka dashur që të paraqesë gjëra personale të personave me aftësi të kufizuara për të shprehur punën e tyre dhe për të prezantuar personalitete që janë inspirim për kategorinë së cilës i përkasin. Andaj edhe titulli “Më lër brenda, më lër jashtë” shpreh nevojën e tyre për të qenë pjesë e shoqërisë në çdo formë.
“Kjo është ekspozitë fuqizuese, sa është emocionale është edhe fuqizuese. Titulli është ajo çfarë këta e thonë “Më lër brenda” sepse këta njerëz kërkojnë që t’i lemë brenda jetës sonë, brenda artit, kulturës, televizionit, brenda diskursit publik. ’Më lër jashtë’ është sepse këta kanë dëshirë më i marr jashtë me karroca, më i shëtit, me dalë në darkë, faktikisht këta njerëz të arrijnë në atë pikë që këta me qenë aq të integruar sa ne të bëjmë shumë për ta”, ka theksuar Selmani për KOHËN.
Përveç punëve që këta persona bëjnë çdo ditë, aty janë të prezantuara edhe pasionet e tyre. Medina Surdulli e cila është edhe pjesë e “Down Syndrome Kosova”, është kampione e notit dhe është shpallur sportistja më e mirë për vitin 2012 nga Federata e Notit në Kosovë. Në Kampionatin Botëror në vitin 2012, ajo e ngriti flamurin e Kosovës. Këto janë veç pak nga pasionet e saj. E ky pasion i Surdullit është i prezantuar duke notuar nëpërmjet fotografive të shkrepura nga Nok Selmani. Aty është i ekspozuar edhe fustani i Eloida Alija, po ashtu e prekur me sindromën “Down”, sikurse edhe fustani i saj me ngjyrë të verdhë dhe fotografia nga sfilata e kreatorit Valdrin Sahiti. Alija, e cila është asistente dentare, këtë mbrëmje e ruan si kujtimin më të veçantë në jetën e saj. Genc Beqiri është i pasionuar pas futbollit. Suksesin e tij ia atribuon nënës së tij, Sebahate Hajdini-Beqirit. E për të ishte pikërisht Genci ai që e shtyri në luftën për një kauzë të madhe për këtë kategori të shoqërisë. Ajo në vitin 2007 ia vuri themelet shoqatës “Down Syndrome Kosova”. Krahas fanellës me të cilën ai luan futboll është i prezantuar edhe xhemperi që Genci e veshi për herë të parë. “Sot kur po shikoja xhemperin kujtova çdo vështirësi që kam kaluar këto 17 vjet, kujtova secilin person që më ka ofruar mbështetje, kujtova edhe ata te të cilët nuk kam gjetur mbështetjen… kujtova të gjitha momentet e bukura, sa më ke ndryshu e lumturu jetën Genc, e thashë në vete”, ka shkruar Hajdini-Beqiri. Kur kthehet në datën e lindjes së Gencit i kujtohet edhe mënyra se si një nga doktoreshat ia kishte kumtuar lajmin se biri i saj është me sindromën “Down”. Ndër të tjera, i kishte thënë se Genci nuk do të kishte mundësi të ecte, të fliste e të fliste. Për të ajo ka një mesazh të cilin e shpreh edhe nëpërmjet ekspozitës “Më lër brenda, më lër jashtë”.
“Asaj ne i themi sot që Genci është sportist”, ka theksuar ajo.

Elvana Shala vite më parë pasi që doli nga operacioni shkoi drejt e në mbrëmjen e maturës. Në ekspozitën e hapur të enjten mbrëma në hotelin “Grand”, ajo thotë se ky është një fustan që mbërthen forcën për të ecur tutje.
“Është fustani drejt forcës e guximit, fustani që e kam veshur në mbrëmjen e maturës në një periudhë shumë të rëndë të kohës sime dhe sot kur më kujtohet në çfarë rruge të vështirë kam kaluar, por që e simbolizon forcën time. Evente të tilla janë shumë të rëndësishme për ta sensibilizuar popullatën në mbështetjen sa më të madhe të kësaj kategorie”, është shprehur ajo për KOHËN. Në ekspozitë është edhe xhaketa e saj që e ka titulluar “Rruga drejt ëndrrës amerikane” të cilën e ka veshur për herë të parë në përfaqësimin e Kosovës në Samitin vjetor për të Rinjtë në OKB në New York në cilësinë e ambasadores.
Viti 2022 është shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara. Drejtori i “Handikosit”, Afrim Maliqi, ka thënë se ka shumë për të bërë që këta persona të shikohen nga këndi i të drejtave të njeriut.
“Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë vlera dhe më vjen mirë që ato vlera po prezantohen gjithnjë e më tepër. Kjo përkon edhe me këtë vit që është shpallur si vit i personave me aftësi të kufizuara dhe shoqëria t’i shohë personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht prej këndit të të drejtave të njeriut dhe jo prej këndeve të bamirësisë dhe të mëshirës”, ka thënë Maliqi për KOHËN.

Ekspozita “Më lër brenda, më lër jashtë” do të qëndrojë e hapur për tri javë në katin e tretë të hotelit “Grand” në Prishtinë.