Është një lloj tjetër rrëfimtarie që nuk është zhvirgjëruar fare në letrat shqipe. Me indiferencë simpatike ndaj historive politike, Çapaliku vihet në kërkim të fateve njerëzore duke ua hequr heronjve dhe antiheronjve uniformat, stemat e besimet ideologjike. Nëpërmjet tyre, letrari shkodran e çon lexuesin në bregun e matanshëm, aty ku historia shqiptare shihet nga një kënd qenësisht tjetër. Romani “Mbyllur për pushime”, i cili të mërkurën u promovua në Prishtinë, është metafiksioni historik që përmes letërsisë evokon anë e kënde të pathëna të historisë sonë: kërkesën e shqiptarëve për “Shqipërinë e vjetër” siç vinin re Hermann Neubacher e Joachim von Ribbentrop, ushtarë e oficerë gjermanë që kryen vetëvrasje në tokën shqiptare, një shkodran që i hyri rrugës së priftërisë por u sfidua nga dashuria, ashtu sikurse edhe një i ri tirons që la Romën për t’u bërë pre e lëvizjes komuniste në Shqipëri
Fitues e humbës të Luftës së Dytë Botërore mund t’i kuptimësojnë më mirë dallesat mes kohëve sesa çdo lloj filtri tjetër lexues. Kur e majta ngriti flamujt e fitores në gjysmën e Evropës dhe të botës, ligjërimet mbi të kaluarën iu përshtatën midesë së saj. Kompleksiteti i historisë dhe gjendjeve njerëzore u zëvendësua me një bardhezi interpretuese: të mirë, të këqij e të shëmtuar po të shërbeheshim me diçka të Sergio Leones.
Më shumë sesa një shëtitje në “pyllin e tregimtarisë”, romani i fundit i Stefan Çapalikut “Mbyllur për pushime” është një kaptim në bregun tjetër për të parë ndryshe historinë më të re shqiptare.
Pas Tiranës, Durrësit e Shkodrës, Prishtina ka qenë logu i radhës për promovimin e romanit të studiuesit, shkrimtarit e dramaturgut shkodran.
Në promovimin e mbajtur mbrëmjen e së mërkurës në librarinë “Dukagjini” në kryeqytet, autori Çapaliku ka bashkëndarë me publikun ngacmimet e tij që sollën në jetë krijimin e tij më të ri letrar, përmbajtjen e romanit si dhe vramendje të tjera për letërsinë shqipe dhe lexuesit në botën shqiptare.
Çapaliku: “Frika nga lexuesi më udhëheq gjatë të shkruarit”
Në diskutimin e moderuar nga Iliriana Hasaj, autori i romanit “Mbyllur për pushime” ka thënë se gjatë karrierës së tij jo të shkurtër letrare ka kuptuar që kontakti me lexuesit është fort i rëndësishëm. Dhe teknologjia e re e komunikimeve, sipas tij, nuk i bën më pak të rëndësishme takime të tilla letrare që e bëjnë bashkë krijuesin dhe lexuesin.
“Nga përvoja ime në teatër kam mësuar që gjatë shfaqjeve mund të shoh audiencën nga lozha kur rri, por si shkrimtar kjo është e pamundur, sepse audienca është kudo”, ka thënë Çapaliku. “Kështu kuptova që audienca është si një fëmijë i llastuar, një entitet antropologjik krejt i pakuptueshëm”.
Shkrimtari 56-vjeçar ka theksuar se hija e audiencës është gjithherë e frikshme, e tillë që vjen nga lexuesi potencial.
“Kjo frikë më udhëheq në procesin tim të të shkruarit”, ka thënë ai teksa ka theksuar lidhjen e tij me shijet e lexuesit bashkëkohor.
Dhe promovimet tok me diskutime letrare, ka vijuar Çapaliku, janë sikurse një panair gastronomik në të cilin vihen ca mostra sa për t’i provuar ushqimet.
Një homo urbanus
Por ç’nxitje shërbeu që shkrimtari t’i rrekej një udhëtimi tjetrazi për të parë historinë ashtu siç nuk ishte parë e menduar për dekada e dekada të tëra që pasuan fundin e Luftës së Dytë Botërore?
Me luftën e fituar nga aleatët, e majta e instaluar kudo në botë e shkroi historinë sipas interesit të saj, duke e ndikuar në mënyrë “kapilare e qelizore” gjithë jetën kulturore e akademike.
“Askush nuk na pengon ta kthejmë historinë prapa e ta shikojmë nga një kënd sikur lufta të ishte fituar nga fuqitë e Bllokut”, ka thënë Çapaliku.
Dhe ishte kjo sipërmarrje fascionuese që atë e çoi në “terrenin fanatik shqiptar”, siç e ka cilësuar ai, aty ku gjërat shkojnë gjithnjë në ekstreme. Sepse “tipari kryesor i të qenit provincial është ta marrësh modën me vonesë e ta çosh në ekstrem”.
“Këtë e bën edhe në Shqipëri me rastin e shkrimit të historisë”, ka shpjeguar ai tok me vërejtjen që në këtë kronikim të ri historie u jashtëla krahu urban i shoqërisë shqiptare. Dhe fati e qëlloi që vetë Çapaliku të ishte një “homo urbanus” nga ky substrat.
Fatet njerëzore dhe “Shqipëria e vjetër”
Kështu, romani “Mbyllur për pushime” është në mënyrë simpatike indiferent ndaj historisë politike: ai vë theksin tek fatet njerëzore. Dhe a e kishte menduar kush që, përveç historive me partizanë, ballistë e kuislingë, të kishte rreth 100 oficerë e ushtarë gjermanë që u vetëvranë më 1944 në Shqipëri?
“Aty ka pasur inxhinierë, mjekë e balerinë që një i çmendur me emrin Adolf Hitler i kishte nisur në Shqipëri”, ka thënë Çapaliku teksa në minutat në vazhdim ka zbuluar skeleturën e romanit të tij.
Brenda 188 faqeve, narracioni shtjellohet në tri linja kryesore rrëfimtarie. E para është ajo që merret me të ngarkuarin e Fyhrerit për Ballkanin: Hermann Neubacher. Tok me Ribentropin, ai sheston mënyrën për të parandaluar zbarkimin e aleatëve në jug të Shqipërisë, ashtu sikundër edhe sigurimin e rrugëve për tërheqjen e divizioneve e batalioneve gjermane nga Greqia.
“Ribentropi thoshte që shqiptarët e duan ‘Shqipërinë e vjetër’ që si term përdoret për herë të parë në letërsi”, ka vijuar Çapaliku.
Teksa ngjarjet stivohen njëra pas tjetrës, linja e dytë e romanit përshfaq një djalosh shkodran që mësyn Salzburgun e Austrisë për t’i hyrë rrugës së priftërisë. Dashuria me një austriake e vë atë mes ndërdymjes për të zgjedhur dashurinë ose celibatin. Dhe e treta linjë rrëfimtare sjell Ibrahim Arapin, një djalosh tirons që ndjek modën e që studion artet pamore në Romë. Teksa lidhjet me atdheun vinin gjithnjë e më të holla e më të zbehta, shokët e tij i punojnë një rreng: e gënjejnë se i ka vdekur nëna, ashtu që ta bindnin të kthehej për pak në Shqipëri. Por ky rrëng qëllon të jetë fatal në njëfarë mënyre për Ibrahimin: rrugët drejt Italisë mbyllen, kurse ai bëhet pre e lëvizjes komuniste.
“Sepse komunizmi i treguar ndërmjet letrave ishte fare i ngjashëm me futurizmin”, ka vënë re Çapaliku gjatë diskutimit.
Kështu me të tri linjat e kryqëzuara, romani “Mbyllur për pushime” është tributi për njerëzit e shtrënguar të jetojnë në kontekste krejtësisht të gabuara. Ishte Shqipëria e muajve të fundit të 1944-s kur këlthitej gjithë entuziazëm “Rroftë” për Çërçillin, Ruzveltin e Stalinin.
“Ishte shumë e vështirë të orientoheshe”, ka shtuar Çapaliku.
Apolloni: “Roman ku e vërteta nuk është absolute”
I pranishëm në përurim ishte edhe shkrimtari, dramaturgu e studiuesi Ag Apolloni, i cili e ka vlerësuar romanin e ri si krejt të ndryshëm nga krijimet e mëparshme të autorit.
“Nuk është vetëm risia tematike, por edhe ajo teknike që ndryshon prej stilit paraprak”, ka thënë Apolloni teksa mbarështrimin rrëfimësor të autorit e ka cilësuar si “teknikë kinematografike”.
Ngjarjet e vendosura edhe jashtë Shqipërisë si në Itali e Serbi, sipas tij, përbëjnë një mozaik “settingu” me kultura të ndryshme, të cilat gërshetohen edhe me fatet njerëzore.
“Romani nuk ngulmon për të vërtetën absolute, por është një roman që në gjuhën postmoderne quhet metafiksion historik ku lexuesi e merr një nga të vërtetat”, ka vlerësuar Apolloni, teksa ka shtuar që libra të tillë i kanë munguar letërsisë shqipe.
“I mirëpritur ndër lexues”
Frano Kulli, drejtues i shtëpisë botuese “Fishta”, ka thënë se botuesi në mënyrë metaforike është veçse rrobaqepës apo fotograf i librash. Sipas tij, secili botues përpiqet të zgjedhë atë që lexohet e kërkohet më së shumti.
“Me romanin e fundit të Çapalikut kam përjetuar satisfaksionin e mirëpritjes nga lexuesit”, ka thënë Kulli duke aluduar në promovimet e romanit në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.
I lindur më 1965 në Shkodër, Stefan Çapaliku është një nga emrat e dalluar në fushën e letrave shqipe, dramës dhe studimeve. I diplomuar më 1988 në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Tiranës, ai ka ndjekur studimet e mëtejshme në Itali, Çeki dhe Angli. Më 1996 mori titullin e doktorit në shkencat filologjike në Tiranë. Nga viti 1933 deri më 1998 drejtoi Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Shkodrës. Një kohë punoi edhe pranë Ministrisë së Kulturës, duke pasur përgjegjësinë e hartimit të politikave kulturore në fushën e botimeve, bibliotekave dhe arkivave. Më 2007 u emërua profesor i Historisë së Letërsisë dhe Qytetërimit Shqiptar në Katedrën e Albanologjisë në Fakultetin Filologjik të Beogradit. Pjesë nga veprat e tij në poezi, prozë, dramë dhe ese janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, bullgarisht, serbisht, maqedonisht dhe turqisht. Ai është i nominuar për çmimin “Europa Prize of Theater for the New Theater Realities” (Çmimi Evropian për Teatrin e Ri). Si dramaturg është nderuar me çmimin e autorit më të mirë shqiptar në vitet 1995, 2003, 2007, 2012 dhe 2016.