Nëse do të shtohen edhe 54 propozimet e Ministrisë së Kulturës, shteti do të ketë nën mbrojtje të përhershme 77 monumente. Të martën, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka pranuar propozimet për Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, e cila për pesë vjet kishte vetëm 23 asete. Në mesin e propozimeve janë edhe monumente që janë degraduar edhe nga vetë institucionet, siç është rasti me Hamamin e Madh të Prishtinës
Pesë vjet pasi shteti mori nën mbrojtje të përhershme 23 asete të trashëgimisë kulturore, është bërë hapi për ato të radhës. Të martën Ministria e Kulturës ia ka dorëzuar Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore dosjet e 54 monumenteve që janë nën mbrojtje të përkohshme. KKTK-ja do të bëjë vlerësimin e tyre e më pas do t’ia rekomandojë ministrit të Kulturës, që t’i përfshijë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.
Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, monumentet që janë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, nuk mund të marrin statusin e mbrojtjes së përhershme pa kaluar nëpër KKTK.
Në një ceremoni pa praninë e mediave, në Muzeun Etnologjik, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ia ka dorëzuar kryetares së KKTK-së, Zanita Halimi, dosjet e 54 monumenteve si propozime që të shqyrtohen nëse i plotësojnë kushtet të mbrohen përhershëm nga shteti.
Bëhet fjalë për monumente të veçanta, ansamble e lokalitet arkeologjike. Janë disa prej monumenteve ikonike të qyteteve kryesore të Kosovës. Në mesin e tyre edhe aso që janë degraduar edhe prej vetë institucioneve shtetërore si rasti i Hamamit të Madh të Prishtinës, ku janë derdhur gati një milion euro me një projekt që nisi këtu e një dekadë më parë, e që e betonoi monumentin pesëshekullor.
Por, për të ardhur deri te procesi i zgjerimit të mbrojtjes së përhershme, është dashur goxha kohë.
Prej tetorit të vitit 2016, kur 23 asete të trashëgimisë kulturore janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, shteti nuk ka arritur që asnjë monumenti tjetër t’ia japë këtë status. Nuk ka arritur që as t’u përmbahet përcaktimeve ligjore që dalin, pasi një aset ka marrë këtë status ligjor, siç janë planet e menaxhimit. Një prej shembujve është “Ulpiana”, që u bë park arkeologjik më 2016.
Deri në korrik të këtij viti – kur Kuvendi zgjodhi shtatë anëtarët e KKTK-së – Ministria e Kulturës nuk kishte as kujt t’i propozojë monumente për mbrojte të përhershme. Për tre vjet, ky Këshill ishte jofunksional. Prej themelimit, më 2009 funksionoi vetëm nga viti 2015 deri më 2018, në pjesën tjetër nuk ishte plotësuar kurrë me të gjithë anëtarët.
Kryetarja e KKTK-së, Zanita Halimi, pas ceremonisë së pranimit të dosjeve, ka thënë se një hap shumë i rëndësishëm është funksionalizimi i procesit të mbrojtjes së përhershme.
“Mbrojta e përhershme është e një rëndësie të veçantë, sepse bën të mundur ruajtjen e historisë dhe identiteti tonë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se trashëgimia kulturore është një burim i çmuar në shumë mënyra”, ka thënë Halimi në një deklaratë për KOHË-n. Sipas Halimit, trashëgimia kulturore është e rëndësishme për zhvillim ekonomik, është një atraksion turistik dhe një faktor identiteti. Prandaj, sipas saj, duhet të vazhdojë mbrojtja, jo vetëm për rolin e rëndësishëm në rritjen ekonomike, punësimin, por veçanërisht sepse është përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm.
“Ata kanë të drejtë të mësojnë dhe të përfitojnë nga kjo trashëgimi e së shkuarës. Vlerësimin e fillojmë vitin tjetër, njëherë pa e bërë vlerësimin fillestar s’mund t’ju informojmë për afatet kohore. Por, gjithsesi i gjithë procesi do të jetë transparent dhe do t’ju informojmë me kohë për detaje të tjera”, ka thënë Halimi.
Dorëzimin e dosjeve, në konferencën e fundvitit, ministri i Kulturës e Hajrulla Çeku, e ka prezantuar si një prej punëve që ka bërë MKRS-ja me institucionet vartëse. “Do të vazhdohet me dorëzimin e dosjeve të tjera”, ka thënë ai. Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme numëron mbi 1600 asete.
Propozimet sipas rajoneve
Prishtinë
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”
Biblioteka “Hivzi Sylejmani”
Hamami i Madh
Kulla e Sahatit
Muzeu Kombëtar i Kosovës
Shatërvani i vjetër
Shtëpi Banimi – Hyjnilerët
Varrezat Hebraike
Xhamia e Çarshisë
Xhamia e Jashar Pashës
Prizren
Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Kisha Katolike “Zonja Ndihmëtare”
Kino Lumbardhi
Kroi i Binbashit
Namazgjahu
Nishani i Emin Pashës
Nishani i Suziut
Shtëpia e Musa Shehzades
Ura e vjetër në Grykën e Lumbardhit
Shtëpia muze e Ukshin Hotit, Krushë e Madhe
Kulla e Sahatit, Rahovec
Kompleks banimi i familjes Hadro
Qendra Historike e Prizrenit
Gjilan
Atik Xhamia
Shtëpia e Zekeria Abdullahut
Shtëpia e Muhamer Shabanit, Përlepnicë
Shtëpia e Haxhi Ahmetit, Remnik
Kisha e Shën Anës, Dunav
Shkolla e Muzikës
Kisha e Shndërrimit, Pasjan
Teqja në Topanicë
Xhamia e Sinan Pashës, Kaçanik
Kompleksi Kisha dhe Xhamia, Ferizaj
Objekti i ish-depos ushtarake turke
Objekti i Kaimekamllakut
Mitrovicë
Kompleksi Memorial “Adem Jashari“, Prekaz
Hamami i Vushtrrisë
Hamami i Mitrovicës
Ndërtesa e Hotelit Jadran
Shtëpia e Xhafer Devës
Kulla e Isa Boletinit, Boletin
Kulla e Rexhë Gashit, Abri e Ulët
Pejë
Konaku i Tahir Beut
Bajrakli Xhamia,
Konaku i Kasapollëve,
Kulla e Ali Gecit, Llukë e Ulët
Kulla e Hasan Rexhë Salihaj, Shushicë e Ulët
Gjakovë
Shtëpia tradicionale e Mazllom Zherka
Kulla e Tosum Beut
Kulla e Koshit
Kisha Katolike e Shën Antonit
Çarshia e Madhe
Ura e Terzive
Ura e Tabakëve
Lokalitetet arkeologjike
Qyteti mesjetar i Novobërdës
Shpella e Radavcit, Pejë
Vendbanimi në Gllamnik, Podujevë
Katedralja e Shën Nikollës, Novobërdë
Xhamia e Trepçës, Mazhiq
Gërmadhat e kishës Latine/Katolike Sakse “Shën Pjetri”, Stan Tërg
Ura gurit, Vushtrri