Bakllavaja është ëmbëlsira pa të cilën kjo pjesë e menysë në tryezë nuk është njësoj. Ato që e gatuajnë e quajnë “mbretëreshë e ëmbëlsirave”. E përtej prejardhjes së saj, studiuesit thonë se prej Pakistanit e deri te Bosnja kjo ëmbëlsirë është “etnike”, “tradicionale”, “nostalgjike”, “rituale” e me radhë.
Sido që të jetë, në shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës mysafiri e merr për nder kur një copë bakllava i servohet.
E puna për të bërë një bakllava nuk është aspak e lehtë. Është e mundimshme dhe merr shumë kohë. Mbase kjo ka bërë që shumë gra të heqin dorë nga përgatitja e saj. Rrjedhimisht sot është njëri prej atyre bizneseve që u ka mundësuar vetëpunësim shumë grave. Dy prej tyre janë gra të reja. Blerina Shehu-Limani, me profesion psikologe, po i përkushtohet tërësisht punës me bakllava. Njësoj edhe një tjetër grua, që për gazetën dëshiron të identifikohet vetëm si Egzona A. K. E përbashkëta e të dyjave është se vijnë nga Prizreni e janë të martuara në Prishtinë. Këtu e zhvillojnë veprimtarinë e tyre.
Aroma nëpër lagje e gara midis fqinjëve
Blerina Shehu-Limani është 33 vjeçe, dhe ka lindur në Prizren. Ka mbaruar shkollimin për psikologji në Universitetin e Prishtinës, e për një kohë në profesion të vet kishte gjetur punë në vendlindje. Ndërkohë është martuar e është bërë nënë e dy fëmijëve, të cilëve u është përkushtuar tërësisht.
“Jam e martuar qe gjashtë vjet dhe jam nënë e Zanës dhe Lirës. Vendosa që t’i rrisja vetë, duke e ditur rolin e pazëvendësueshëm të nënës në atë fazë të zhvillimit të fëmijës”, thotë ajo. Ndërkohë që vajzat u rriten dhe u bënë për kopsht, Blerina nisi të kërkonte punë në profesion.
“Por që ishte e vështire, sepse dihet se si shkojnë gjërat te ne...! Gjatë kësaj kohe unë gatuaja për familjen time, por edhe kisha kohë në dispozicion që të eksploroja edhe në ëmbëlsira të ndryshme”, thotë më tej Blerina, teksa flet për fillet e idesë që të merret me ëmbëlsira.
Reminishenca do të luante rolin e vet në këtë pikë.
“E mbaj mend si fëmijë, kur vinin festat dhe duhej të gatuhej bakllava, në shtëpinë tonë ishte një atmosferë e papërshkruar për ne fëmijët. Kureshtjen e kishim të madhe dhe shikonim se si bëhej. Aroma na mrekullonte dhe aty- këtu edhe i fusnim duart në ndonjë tortë ose merrnin pak miell dhe luanim me imagjinatën tonë”, kujton Blerina.
Tash që gatuan vetë, thotë se e sheh se kjo procedurë nuk ka qenë e lehtë për nënën e saj.
“Kërkon pothuajse një ditë të plotë pune. Një dhomë rezervohej gati për 24 orë për tharjen e petëve. Aroma e arrave dhe e gjalpit na mrekullonte gjatë pjekjes. Në lagje dihej se nga kush piqej bakllava, sepse aroma e kaplonte të tërën”, kujton Blerina, Prizrenin e fëmijërisë së saj, për të mos u ndalur me kaq.
“Gratë e lagjes i krahasonin bakllavat me njëra-tjetrën. Ajo e cila kishte arritur ta piqte me një ngjyrë të artë si në fund e si në fillim ishte më e lavdëruara”, thotë Blerina.
Sa për ta futur në punë profesionin e saj primar, ajo futet në një analizë psikologjike.
“Besoj se kjo është edhe ajo koha kur vajzat kanë dëshirë që kur të rriten të ngjajnë si nanat e tyre. Kështu edhe ne jemi rritur me gatimet e përgatitjet e nanave tona”, thotë ajo.
Miratimi nga nëna dhe halla
Hera e parë që Blerina Shehu-Limani thotë se ka provuar që të gatuante bakllava ishte para dy vitesh. Për festën e Bajramit. Nuk i duhet shumë që të kthehet në kohë, për të kujtuar se kur kishte filluar e kishte kapluar një ndjenjë e frikës dhe e pasigurisë.
“Asnjëherë më parë nuk kisha provuar të gatuaja diçka kaq të madhe vetë. Shtëpinë e bëra plot me miell e nisheste, por si përfundim bakllava doli e mirë. U shpenzua shpejt, gjë që ishte një shenjë se ajo ishte e shijshme, mora shumë lëvdata për guximin e iniciativën”, thotë Blerina, që e kujton edhe herën e dytë kur gatoi bakllava.
“Hera tjetër ishte kur shkova për vizitë në Prizren tek prindërit dhe provova që këto aftësi t’ia tregoja nënës dhe hallës sime duke shpresuar që të mos i zhgënjej. Bakllava më doli përsëri shumë e mirë dhe ato më përgëzuan për aftësitë e dëshirën time”, thotë Blerina.
Meqë kishte marrë miratimin se bakllavat e saja ishin të shijshme, Blerina s’do ta ndalte më dorën. Do të përsëritej sidomos kur ajo shkonte për vizita në Prizren. Por një ditë kjo punë do të merrte tjetër drejtim.
“Ishte halla ime ajo që më tha: ‘Pse nuk provon që këtë pasion ta shndërrosh edhe në biznes’”, thotë ajo. “Ishte diçka që unë nuk e kisha menduar asnjëherë”, shton më tej.
Do ta diskutonte këtë ide edhe me bashkëshortin e saj, nga i cili thotë se mori përkrahje të madhe.
“Në fillim vendosëm që të bashkëpunonim me restorante, ku ishte mundësia më e mirë që produkti të shijohej. Rezultoi shumë e suksesshme. Klientët e pëlqenin shumë dhe kërkesa sa vinte e shtohej. Fatmirësisht bashkëshorti im vjen nga fusha e dizajnit grafik (advertising) dhe së bashku vendosëm ta hapnim një faqe në rrjetet sociale. Ai e dizajnoi logon dhe e hapi faqen në Facebook dhe Instagram me emrin të cilin unë identifikohem, ‘Bakllava Blerina’s’”, thotë ajo.
Blerina tregon se në fillim blerësit e bakllavasë së saj kanë qenë miqtë e rrethi i ngushtë. Por klientela po rritet vazhdimisht.
“Tani klientë kemi nga e gjithë Kosova, sepse produktin tonë e dërgojmë me posta të shpejta kudo që klientët e kërkojnë”, thotë ajo.
Kështu, ideja që lindi dhe u zhvillua në kushte shtëpie shumë shpejt pritet të zgjerohet. Blerina planifikon që në muajin mars të hapë edhe dyqanin e parë, meqë thotë se kërkesa për bakllavanë e saj po shtohet çdo ditë. “Aty patjetër se do të ketë edhe gatime dhe ëmbëlsira të tjera”, thotë ajo.
Kapërcimi në eksplorim
Bakllavanë, që Blerina e gatuan në mënyrë artizanale, thotë se e bën me produktet më cilësore të mundshme dhe, mbi të gjitha, me shumë dashuri e përkushtim. Ajo thotë se në ditët e sotme janë të paktë ata që përgatisin bakllavanë në mënyrë tradicionale.
“Sigurisht zhvillimi i teknologjisë në gastronomi e ka bërë të veten, kështu është zëvendësuar njeriu me makinën, mirëpo kjo ka ndikuar në uljen e cilësisë së produktit”, thotë Blerina, që e njeh për pikë të fortë të saj pikërisht faktin se ajo vazhdon ta ruajë mënyrën tradicionale të prodhimit të bakllavasë.
“Hollimi i 100 petëve bëhet me dorë. Pastaj tharja e tyre dhe arrat nga më të mirat në treg e bëjnë bakllavën time shumë të kërkuar. Duke mos lënë anash edhe procesin e pjekjes dhe sherbetin, që luajnë rol kryesor për cilësinë e produktit final”, thotë Blerina. Të gjitha këto procedura, nga fillimi deri në fund, ajo thotë se kërkojnë kohë nga 6 deri në 7 orë punë e përkushtim.
Blerina thotë se ka shumë mënyra të përgatitjes së bakllavasë, dhe se kjo ndryshon nga vendi në vend. Krahasimin e bën me Turqinë.
“Atje pëlqehet më shumë bakllava, e cila është në ngjyrë më të çelët, më e butë dhe kryesisht me fëstëk. Tek ne është krejt e kundërta, preferohet më e pjekur, ajo që bën kërrc dhe me arra”, thotë ajo.
Edhe sa i përket prerjes, Blerina më së shumti e preferon atë tradicionale, meqë thotë se me të identifikohet tamam bakllavaja.
“Më së shumti e aplikoj formën tradicionale, por nuk mungojnë as forma të tjera, siç janë: katrore, e rrumbullaket, lule e të tjerë”, thotë ajo.
Sa u përket përbërësve, Blerina po ashtu mbetet tek ata tradicionalë, megjithëse i pëlqen të eksperimentojë, saqë ka krijuar një lloj të vetin të bakllavasë.
“Tek bakllavaja tradicionale i përdori përbërësit e njëjtë si në të kaluarën. Por unë kam eksploruar në shije dhe përbërës që më ka rezultuar në një specialitet shumë të pëlqyer. E quaj ‘bakllava Negro’ ose ‘Çoko bakllava’, ku përbërës kryesor është kakao. Është bakllava që përgatitet më vështirë sesa tradicionalja, por ia vlen”, thotë ajo, që nuk flet më gjatë, por e kthen në humor kur thotë se disa përbërës e procedura gjithmonë mbesin nga ato elementet dalluese, “prandaj mbesin sekret i shefit”.
E shefja thotë se rëndësi të madhe ka edhe mënyra se si servohet bakllavaja.
“Nëse ajo servohet me një enë të duhur, dhe e shoqëruar edhe me disa gjëra të tjera, e zgjon edhe më shumë dëshirën për ta shijuar e provuar”, thotë ajo.
Në listën e gjatë të ëmbëlsirave, për Blerinën, bakllavaja e mban kurorën.
“Pra njihet ndryshe si mbretëresha e ëmbëlsirave. Nëse shikojmë në traditën tonë, ata të cilët përgatisin bakllavanë për festa e raste speciale konsideroheshin edhe si më të pasur. Në rastet kur përgatitej bakllavaja ajo tregonte edhe për respektin që ua bënin pranisë së mysafirëve në festë”, thotë Blerina, që shpreh bindjen se bakllavaja nuk e ka humbur as sot rëndësinë për festa e ahengje. Pa bakllavë, sipas saj, s’mund të quhet festë.
“Nëse ajo është e pranishme, atëherë konsiderohet që festa është e kompletuar”, thotë ajo.
Receta e trashëguar nga gjyshja
Egzona A. K., 27 vjeçe, po ashtu nënë e dy fëmijëve, është një tjetër grua që, ndër të tjera, merret edhe me prodhimin e bakllavave në kushte të shtëpisë. Ka filluar pesë vjet më parë këtë punë, fillimisht që të përgatisë për familje.
“E pashë që po më pëlqen kjo punë, e bëja me shumë vullnet dhe pa përtesë. Më kanë frymëzuar shumë edhe rrethi e familja, që më thoshin pse nuk po punon me porosi, se bakllavatë janë perfekt? Dhe kështu nisa”, tregon ajo.
Se si bëhet bakllavaja, Egzona thotë se ka mësuar nga gjyshja e saj, ndërsa mënyra se si e ka bërë ajo dikur këtë ëmbëlsirë e si bëhet sot nuk ka ndryshuar shumë.
Edhe Egzona thotë se i duhen së paku pesë orë punë e përkushtim për prodhimin e një bakllavaje.
“Për ta bërë qysh duhet, me petë të holla duhen së paku 7 orë, varësisht edhe prej temperaturës në të cilën duhet të thahen petët. Veç pjekja i merr diku deri në 3 orë”, thotë ajo.
Egzona e quan punë me stres atë për prodhimin e një bakllavaje.
“Mundesh krejt punët me i kry mirë, me dështu në shërbet të dështon e gjithë bakllava”, thotë Egzona.
Egzona ka dy vjet që e ka publikuar në Facebook faqen “Bakllava te Egzona”, dhe thotë se puna po i shkon mirë.
“Klientët janë shumë të kënaqur me bakllavatë e mia, por në të njëjtën kohë befasohen me moshën time kaq të re”, thotë ajo.
I ka ndodhur që deri në 6 bakllava njëkohësisht të gatuajë në një ditë, ndërsa e natyrshme, thotë se, në kohë festash kërkesa rritet. Thotë se është mund i madh, por “çdo fillim është i vështirë, e me kohë mësohesh”.
“Tash më vjen shumë lehtë”, thotë ajo.
Egzona shpreh bindjen se bakllavaja është ëmbëlsira që nuk mund të zëvendësohet në tryezë, e se shija e saj e veçantë ka rëndësi të madhe.
“Kur një mysafiri i servon bakllava, nënkupton se ai mysafir është shumë i rëndësishëm për ty”, thotë Egzona, që pa ndonjë matje shpreh bindjen se 90 për qind e njerëzve në Kosovë e duan shijen e bakllavasë.
Pikëpyetjet rreth prejardhjes
Antropologu Arsim Canolli, i specializuar në kulturën buknore, teksa flet për bakllavanë, thotë se kuzhina në përgjithësi është shtresa-shtresa dhe udhëton nëpër hapësirë. Ai thotë se “bakllava apo bakllavaja është ëmbëlsirë tipike e një qarku të gjerë dhe të shtresuar kulturor”.
“Ajo hapësirë është mjaft e madhe dhe rrok Azinë dhe Evropën, e madje edhe Afrikën. Haja tipike që shpjegon difuzionin dhe gërshetimet kulturore”, thotë profesori në Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Ai thotë se ka lloje e variante të ndryshme të saj, të cilat janë popullarizuar kryesisht gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.
“Historianët ende diskutojnë, sidomos ata turq dhe grekë, se kush e ka gatuar i pari, por ka edhe pretendime solide se prejardhja e saj është perse. Megjithatë, sarajet e sulltanëve e kanë shndërruar në një prej ikonave të ëmbëlsirave botërore. Por, pavarësisht kësaj, prej Pakistanit e deri te Bosnja, kjo haje është ‘etnike’, ‘tradicionale’, ‘nostalgjike’, ‘ritualeske’ e me radhë”, thotë Canolli, që nuk lë pa komentuar edhe faktin se së fundi, “bakllavaja është shndërruar në një komoditet mjaft të standardizuar”, duke përmendur shembullin e Turqisë “që ka krijuar recetë standarde për të”.