Kulturë

“Mbrëmje me këngët...” rikthen hitet e kompozuara nga Reshat Randobrava

“Oh moj ti me sytë e zi” është një ndër hitet e pavdekshme, e kënduar për herë të parë në vitin 1981, në festivalit “Akordet e Kosovës” nga këngëtari i njohur, Sabri Fejzullahu. Megjithatë, muzika është vepër e kompozitorit të shquar Reshat Randobrava, i njohur veçmas edhe për kompozimin e vjershave të poetëve të njohur përfshirë: Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Agim Vincën e të tjerë.

Për të rikthyer edhe njëherë para publikut melodinë e këngëve të këtij kompozitori, në “Kino Armatë” është mbajtur “Mbrëmje me këngët e muzikës së lehtë të kompozitorit Reshat Randobrava”. Kryefjalë e saj ka qenë nostalgjia për vitet kur muzika shqipe sillte këngë të tilla çfarë ishin ato të Randobravës dhe kolegëve të tij. Nëpërmjet një dokumentari të punuar nga djali i tij, Andin Randobrava, publiku kishte mundësi që për gjysmë ore të dëgjonte interpretime të ndryshme të këngëve të Randobraves. Nisi me këngën “O moj ty me sytë e zi” për të vazhduar më pas me “Tungjatjeta” në interpretim të Bashkim Paçukut, “Buze liqenit” nga Sabri Fejzullahu e Kastriot Tusha, më pas “Mall” e interpretuar nga Marsela Çibukaj, “Bregu ëndërrtar” nga Bedri Islami, “Oh moj ti me sytë e zi” nga Inva Mula si dhe interpretimi i “Mall” interpretuar nga vet Randobrava.

Randobrava njihet si kompozitor i cili preferonte shansonën. Në dokumentar randobrava vjen edhe duke kënduar. Ai kishte një zë të bukur i cili kishte bërë për vete publikun e pranishëm atëherë, por edhe publikun në “Kino Armata”, i cili shpërtheu në duartrokitje pas shfaqjes së këtij interpretimi.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe vetë Reshat Randobrava, i cili doli në skenë dhe falënderoi të pranishmit.

“Është ndjenjë e mirë kur njeriu arrin një moshë dhe dëgjon atë çka ka krijuar për një kohë të gjatë. Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur në këtë mbrëmje. Ju dëshiroj gjithë të mirat”, ka thënë shkurt Randobrava.

Por miqtë e bashkëpunëtorët e tij, nuk përtuan të thonë disa fjalë për këtë kompozitorë të shquar të muzikës shqipe. Kompozitorja e njohur, Pranvera Badivuku, ka kujtuar kohën kur së bashku me Randobravën kishin punuar në asokohe Radiotelevizoni e Prishtinës. Ajo ka thënë se kjo mbrëmje e ktheu në kohë duke ia ngjallur nostalgjinë për këngët origjinale që krijonin në atë kohë.

“Ne kemi qenë koleg për një periudhë kohorë në produksionin muzikor të Radiotelevizionit të Prishtinës atëherë. Reshati ka qenë kryeredaktor, unë kam qenë redaktore për fëmijë, producente dhe bashkëpunim kemi pasur gjithmonë. Kjo mbrëmje mi ktheu kujtimet e asaj kohe kur kemi qenë së bashku, kur kemi punuar, kur kemi kontribuuar mjaft secili në mënyrën e vet, për të pasur një pasuri ndoshta të këngëve tona origjinale. Këto këngë janë të tilla që me të vërtetë nuk harrohen dhe më vjen mirë që po përsëriten po këndohen nga këngëtarë të ndryshëm. Po më gëzon pa masë”, ka thënë ajo.

Fjalë të mira për mikun e kolegun e saj ka pasur edhe kompozitorja Selvete Krasniqi- Ismaili. Ajo është shprehur e lumtur që këngët e tij po vazhdojnë të rikthehen e këndohen edhe nga gjeneratat e reja.

“Për besë kënaqësi e madhe. Edhe tani shkova ia urova edhe njëherë kompozitorit, profesorit Reshat Randobrava dhe ia shpreha që me të vërtetë kaherë nuk e kam ndier këtë kënaqësi dhe është shumë kënaqësi kur të përtërihen këngët me këngëtarë të ndryshëm. Unë e kam përcjellë me vite dhe e di si e kanë kënduar edhe këngëtarët fillimisht por edhe kur t’i këndojnë prapë është kënaqësi e madhe”, ka thënë ajo.

Qemal Buqinca ka thënë se ka qenë adhurues i Randobravës që nga fillet e krijimtarisë së tij. Përveç mjeshtërisë së tij si kompozitor, Buqinca ka vlerësuar edhe karakterin e tij si njeri human e atdhetarë të madh.

“U ndjeva jashtëzakonisht mirë, por plot nostalgji sepse kompozitorin, Reshatin e nderuar, e përcjell prej shumë kohësh, prej vitit 1970. Mund të kuptoni tash që është një periudhë e gjatë pesëdhjetë vjeçare. Por, çdo herë kur kam kontakt me të, si në këtë rast, ndihem shumë i emocionuar, sepse e di që prapa këtyre veprave qëndron një njeri i mirë. Nuk mjafton të jesh vetëm kompozitor i mirë, por njeri i mirë, i përkushtuar jo vetëm i familjes por edhe kombit. E pamë edhe kur këndoi në Lubjanë, atëherë kur ka dështuar të shkojë këngëtari, ai e ka marrë vetë mikrofonin dhe ka kënduar”, ka thënë ai.

Një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij si kompozitor, Reshat Randobrava ua dedikoi fëmijëve. Disa prej fëmijëve që u krijoi këngë përbëjnë emra të njohur për skenën muzikore kosovare, mes tyre: Armend Rexhepagiqi, Violeta Rexhepagiqi, Elida Kryeziu, Zana Badivuku e të tjerë. Bashkëshortja e Randobravës, Hylkije Randobrava është shprehur e lumtur që gjeneratat e reja po kanë mundësi të shohin e të mësojnë më shumë për vitet kur bashkëshorti i saj kishte krijuar disa nga kryeveprat e muzikës shqipe. Ka folur edhe për kontributin që ajo vetë ka dhënë në krijimin e kësaj muzike.

“Është shumë e rëndësishme me pa që ka ekzistu një kulturë, një nivel. Në kohën tonë nuk ka pas muzikë ‘tra la la’ që po i thonë tash. Ka pasur shumë kriteriume. Madje vinte puna që edhe unë të jepja kontribut si pedagoge sepse Reshati ka komponu shumë këngë edhe për fëmijë dhe unë i kam ndje gati asaj anës edukative të tekstit. Nuk kam lejuar që të del diçka që nuk ka karakter edukativ, sepse edhe teksti është shumë i rëndësishëm sa edhe vetë kënga”, ka thënë ajo.

Ajo ka ndarë diçka edhe nga jeta e tyre e përditshme. Ka folur për kohën kur ishin njoftuar si dhe për mënyrën se si e organizonin jetën atëherë kur Randobrava krijonte pa ndalur.

“Ne kemi qenë profesorë në shkollat e mesme kur jemi njohë. Jemi martuar shumë shpejt pas njohjes. Nuk ka pasur ndonjë kërkesë të veçantë. Ka pasur orarin e punës. Paradite ishte fillimisht në shkollë por më pas kaloi në Radio Televizion. Çdo pasdite e ka pasur dhomën e punës. Në dhomën e pritjes ka qenë pianoja. Nuk kemi pasur dhomë të veçantë por gjithmonë disa orë, ka kaluar atë kohën e vet. Ka punuar, ndërsa ne këndej kemi pasur kuzhinën dhe një dhomën tjetër. Jemi tërhequr dhe e kemi ditur që babit nuk duhet t’i pengojmë”, ka thënë ajo teksa në sytë e saj shihej nostalgjia për atë kohë.

Në rolin e bashkëshortes dhe nënës, Hylkije Randobrava ka treguar se ishte përpjekur që t’i krijonte kushte sa më të mira bashkëshortit duke i edukuar edhe fëmijët në atë frymë që ata të kuptonin se sa e nevojshme ishte hapësira dhe respekti për punën që bënte babai i tyre.

Reshat Randobvrava u lind më 5 gusht të vitit 1939 në Prizren. Përfundoi shkollën e mesme të muzikës në Prizren, kur edhe filloi të shfaqte tendencat e para drejt kompozimit. Ai i takon gjeneratës së parë të profesionistëve në muzikës të cilët gradualisht filluan ligjërimin në gjuhën shqipe. Në mungesë të institucioneve përkatës në vend, Randobrava u obligua që studimet muzikore t’i ndiqte në Akademinë e Muzikës në Beograd, ku ishte në klasën e pedagogut Marko Tajçeviq.

Në vitin 1972, Randobava u bë pjesë e Radio-Prishtinës si producent e redaktor i produksionit muzikor. Kolegët e kishin përshkruar si kërkues e bashkëpunëtor të shkëlqyer. Pas masave të dhunshme të regjimit serb, në vitin 1990/91, Randobrava u largua me forcë nga puna kur edhe vazhdoi karrierën si kompozitor dhe artist i pavarur.

Promovimin e parë e mori në edicionin e parë të festivalit “Akordet e Kosovës”. Arriti të dilte fitues me këngën “Ty, vetëm ty” të interpretuar nga Ismet Koshutova. Ky festival Randobravën do ta nxirrte fitues edhe për shumë herë të tjera. Më pas mori edhe shumë çmime e mirënjohje brenda dhe jashtë Kosovës.

Pas përfundimit të Akademisë ka ligjëruar disa lëndë muzikore në dy shkolla të mesme, në Prishtinë dhe në Prizren, dhe pesë vjet punoi si profesor në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë. Randobrava formimin e tij profesional e zgjeroi duke realizuar edhe shkallën e dytë të studimeve në vitin 1963 në Sarajevë. Ai dallohet si kompozitor i cili u kushtonte rëndësi të veçantë tri shtyllave të muzikës: orkestrimit, tekstit e vijës melodike.

Në dhjetor të vitit 2019, Randobrava e kishte festuar gjashtëdhjetë vjetorin e karrierës së tij duke lansuar një CD të titulluar “Nga Festivali në Festival” e ku gjenden 23 këngë ndërsa në gusht të vitit të kaluar, muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica shkroi një monografi për të.