Kulturë

Mbishkrimi i Justinianit – unik në botën romake dhe dëshmi e vazhdimësisë dardane

Në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, mbi mozaikun me motive të ndryshme është hasur në mbishkrimin latin. Megjithëse shkaku i sigurisë dhe studimit të mëtejmë janë publikuar vetëm segmente të mbishkrimit, aty qartësohet se ishte perandori Justinian, i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda. Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit. Përtej kësaj, detajet e mbishkrimit zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga perandori me prejardhje dardane, Justiniani

Burimet historike, por edhe të dhënat në terren kanë treguar se pas shkatërrimit të qytetit të Ulpianës, nja 700 metra në lindje ishte ndërtuar Justiniana Secunda. Dëshmi për këtë qenë edhe strukturat e kishës paleokristiane që kanë dalë në pah vjet. Por arkeologët sivjet kanë goditur në një tjetër pikë: në mbishkrimin që është zbulim unik.

Në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, mbi mozaikun me motive të ndryshme është hasur në mbishkrimin latin. Megjithëse shkaku i sigurisë dhe studimit të mëtejmë janë publikuar vetëm segmente të mbishkrimit, aty qartësohet se ishte perandori Justinian, i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda. Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit. Përtej kësaj, detajet e mbishkrimit zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga perandori me prejardhje dardane, Justiniani. E vazhdimësia dardane deri në mesjetë, po ashtu është faktuar nëpërmjet mbishkrimit në latinisht.

“Zbulim që ndodh një herë në jetë”

“Të jem i qartë dhe i shkurtër është diçka që ndodh një herë në jetë. Nuk është surprizë që jemi në Dardani, këtë e dinim nga burime të ndryshme”, ka thënë Christophe Goddard, i cili është përfaqësues i “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe drejton laboratorin “Aoroc”. Nëpërmjet bashkëpunimit midis institucioneve franceze, Universitetit të Prishtinës dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës e me financimin e Bashkimit Evropian, arkeologët kanë punuar në këtë lokalitete për një muaj.

“Është një dedikim monumental. Është dedikim edhe për qytetin që ndodhet në Dardani. Fakti që Perandori e përmend këtë si krijim të tij është një detaj interesant, pasi tregon se ai ka financuar ndërtimin e qytetit e ndërtimin e tempujve. Tash jemi të sigurt që jo veç kjo kishë është financuar nga Justiniani, por edhe më shumë përreth”, ka thënë Goddard të martën në mesditë. Nuk ka hezituar fare që të japë edhe një konstatim.

“Si mbishkrim i këtij lloji në latinisht është i vetmi i zbuluar deri tash në botën romake. Ka mbishkrime që i kushtohen Justinianit, ku banorët lokalë falënderojnë perandorin, por në këtë rast perandori ka dashur që të përmendet aty”, ka thënë ai. Ka elaboruar se duhet të ketë qenë Zyra e perandorit që ka sunduar prej vitit 527 deri më 565, që ka dashur që ky mbishkrim të jetë në pozitën qendrore të kishës.

Entuziazmin e tij e ka sqaruar edhe më tej.

“Pra nuk bën përjashtim vetëm për Kosovën. Për këtë jemi entuziastë, pasi kemi rënë në një vendim politik të asaj kohe ku perandori vendos të shkruajë diçka aty.

Sa i përket mbishkrimit në gjuhën latine ka thënë se tregon se Dardania në atë kohë ishte provincë perëndimore dhe perandori e ka parë veten si të tillë, si njeri që flet latinisht dhe jo greqisht. “Ai ka qendruar në Konstandinopojë, por ka rindërtuar Perëndimin, pasi ishte vendi ti tij”, ka thënë Goddard.

Qytet i Dardanisë

Arkeologët pritet që të thellojnë studimin për këtë mbishkrim dhe të dalin me të dhëna të detajuara gjatë pjesës së fundit të këtij viti. Por mozaiku me motive të ndryshme nga flora dhe fauna bashkë me mbishkrimin si ekzemplar unik kanë hedhur shumë dritë. Burimet historike kanë treguar se pas tërmetit të vitit 518 Ulpiana si qytet ishte shkatërruar. E më pas perandori Justinian do të rindërtonte qytetin më në lindje të paraprakut. Këtë histori e ka lënë të shkruar edhe historiani i shquar i shekullit të 6-të, Procopius.

Por sipas arkeologëve, mbishkrimi i jep vulë kësaj.

Image
Mbishkrimi në latinisht që ka zbërthyer me fakte të dhënat historike për marrëdhënien e perandorit Justinian me hapësirën e tij të origjinës, Dardaninë

“Mbishkrimi e konfirmon këtë pasi është perandori ai që ka vendosur bashkë me gruan e tij Theodoran që të bëhet ndërtimi. Është ai që ka zgjedhur vendin për ndërtimin e qytetit dhe e ka financuar atë. Pra, është kujdesur personalisht për themelimin e qytetit”, ka thënë profesori universitar i arkeologjisë, Arben Hajdari. Sipas tij, mbishkrimi tregon që janë ndërtuar edhe disa kisha. E kjo është e provuar edhe në incizimet gjeofizike. Rëndësia e mbishkrimit shkon deri tek ajo se shtohet edhe një dëshmi e shkruar se qyteti ishte i Dardanisë.

“Janë të dhëna të rëndësishme edhe për arsye që konfirmon se dardanët dhe Dardania kishin dalë në mesjetë si një etnitet i konsoliduar mirë. Në të njëjtën kohë tregon se perandori Justinian kishte treguar një kujdes të veçantë për vendin e tij të origjinës”, ka thënë Hajdari.

Duke marrë parasysh telashet fillestare të Justinianit sa i përket martesës me Theodoran dhe shtyrjen e kurorëzimit, bashkë me faktin se gruaja më e pushtetshme e asaj kohës përmendet në mbishkrim, arkeologët kanë dhënë edhe periudhën e përafërt të ndërtimit të bazilikës.

“Sa i përket ndërtimit të kishës nuk mund ta dimë me saktësi. Mund të themi se qyteti dhe bazilika mund të jenë ndërtuar midis viteve 535 dhe 548”, ka thënë Hajdari.

Vulosja e burimeve historike

Milot Berisha, arkeolog i Institutit Arkeologjik të Kosovës, njëherësh udhëheqës i projektit për shndërrimin e një pjese të lokalitetit të Ulpianës në park arkeologji, ka thënë se mbishkrimi është akoma në proces të studimit.

Ka përshkruar se si aty në mes të tjerave përmendet emri i perandorit Justinian, siç ka thënë ai perandorit më të madh bizantin, i fundit prej latinfolësve në Perandorinë Bizantine.

“Ata kanë ngritur një kishë paleokristiane perandorake dhe flitet pra për një qytet në Dardani. Kjo është një vulosje e asaj që kemi thënë më herët. Pra është Justiniana Sekunda e ndërtuar nga Justiniani”, ka thënë ai.

Zbulimi ka marrë vëmendjen e të gjithë udhëheqësve të vendit. Të hënën në lokalitet arkeologjik kanë qëndruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. E të martën ekipi i arkeologëve është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Mbishkrimi në Kishën Paleokristiane është ndër zbulimet më të rëndësishme në arkeologjinë e vendit, si dëshmi e identitetit dardan në antikitetin e vonë dhe mesjetën e hershme”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook pas nikoqirllëkut.

Sipas tij, institucionet janë të përkushtuara për të mbështetur ekspedita të tilla.

“Falë punës, pasionit e dedikimit të arkeologëve në lokalitete të ndryshme, ato po bëhen qendra referuese për Kosovën teksa përkushtimi i Qeverisë mbetet i palëkundur, duke siguruar mbështetje të të gjitha formave, si teknike, shkencore, ashtu edhe financiare”, ka shkruar ai.

Arkeologët e njëjtë vitin e kaluar kishin rënë në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri me tash në Ballkan, 78 me 23 metra. E në bazë të hulumtimeve edhe gjeofizike kishin ardhur në konstatim se Justiniana Sekunda ishte qytet i fortifikuar me muri rrethues dhe kapte sipërfaqe prej 19 hektarësh. Goxha më i vogël se Ulpiana, që është 35 hektarë.

E paraprakisht grupi më 2021 kishte hulumtuar në një pjesë të Ulpianës.

“Ulpiana është Pompei i Ballkanit”, kishte thënë asokohe arkeologu francez, Christophe Goddard. Derisa Goddard kishte folur për shtresimet e gjetura, krejt në fillim kishte përmendur periudhën pararomake.

“Tani ne po qëndrojmë në periudhë pararomake. Qeramika që kemi nga këtu i takon periudhës dardane dhe nuk janë romake 99 për qind”, kishte thënë ai. Kishte konstatuar se romakët bënë këtë tempull nëpër shtresën që gjetën, pasi kanë ardhur në shekullin e parë të erës sonë.

Në tre hektarë vizitorët qysh nga viti 2016 – kur një pjesë e lokalitetit u shpall park arkeologjik – mund të shohin shumë struktura e gjetje. Në sektorin e parë të Parkut gjenden banja romake, tempulli e bazilika e fortifikuar me katër kulla. Por, e gatshme për t’u parë është vetëm një kullë. I dyti përbëhet nga vila suburbane apo vila periferike, përkatësisht nga rrënojat e mureve të një krahu të vilës, që pas gjysmës së shekullit I hapësira është shndërruar në varrezë dhe tash quhet nekropoli verior. E sektori i tretë ua ofron vizitorëve bazilikën episkopate, që ndryshe quhet edhe katedrale. Është kompleks i madh kishtar i periudhës së antikitetit të vonë, ndërtim paleokristian. Por, lokaliteti shtrihet në mbi 30 hektarë përreth. Është parku i vetëm arkeologjik në Kosovë.