Kulturë

Mbijetesa e Kosovës me “Mua besoj më shpëtoi portreti” në “Berlinale”

Mbijetesa e Kosovës me “Mua besoj më shpëtoi portreti” në “Berlinale”

“Atmosfera ishte shumë e mirë. Pritja e publikut ishte shumë e mirë. Por ajo që është më e rëndësishmja besoj që është historia e babait ose historia e atij portreti të tregohet para publikut këtu. Njëkohësisht të tregojmë se edhe nëpër situata të tilla të pazakonshme arti mund të kryejë punë”, ka thënë regjisori Alban Muja në një komunikim me KOHËN pas premierës. Filmi do të jepet edhe në dy termine të tjera gjatë festivalit

Pengmarrja e Skënder Mujës më 1999, vuajtjet dhe mënyra se si ia ka dalë të shpëtojë janë shfaqur në Berlin nëpërmjet filmit “Mua besoj më shpëtoi portreti”. Premiera botërore e filmit të Alban Mujës është dhënë në “Berlinale” në kuadër të programit jogarues “Forum Expanded”. Në sallën numër një të kinemasë “Arsenal” me 236 ulëse – të gjitha të rezervuara – filmi ka shpalosur një copëz historie të Kosovës në edicionin e 75-të të festivalit dhe ka përkuar me 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Publiku i një prej festivaleve më me nam në botë të filmit, në mbrëmjen e së dielës ka parë një histori të Kosovës. Pengmarrja e Skënder Mujës më 1999, vuajtjet dhe mënyra se si ia ka dalë të shpëtojë janë shfaqur në Berlin nëpërmjet filmit “Mua besoj më shpëtoi portreti”. Premiera botërore e filmit të Alban Mujës është dhënë në “Berlinale” në kuadër të programit jogarues “Forum Expanded”. Në sallën numër një të kinemasë “Arsenal” me 236 ulëse – të gjitha të rezervuara – “Mua besoj më shpëtoi portreti” ka shpalosur një copëz historie të Kosovës në edicionin e 75-të të festivalit që ka nisur më 13 dhe do të vazhdojë deri më 23 shkurt. 

Premierat e tilla janë një histori suksesi veç për faktin se ku shfaqen. E nga përshkrimi që i është bërë ngjarjes nga të pranishmit, “Mua besoj më shpëtoi portreti” veç ka nisur rrugëtimin goxha furishëm. 
“Atmosfera ishte shumë e mirë. Pritja e publikut ishte shumë e mirë. Por ajo që është më e rëndësishmja besoj që është historia e babait ose historia e atij portreti të tregohet para publikut këtu. Njëkohësisht të tregojmë se edhe nëpër situata të tilla të pazakonshme arti mund të kryejë punë”, ka thënë regjisori Alban Muja në një komunikim me KOHËN pas premierës. Filmi do të jepet edhe në dy termine të tjera gjatë festivalit. 

Sipas paraqitjes që i ka bërë festivali i filmit, 25 vjet pas rrëmbimit të tij gjatë luftës së Kosovës, piktori Skënder Muja kujton një moment të rëndësishëm të mbijetesës. 

“Gjatë muajve të fundit të luftës, Muja dhe shumë qytetarë shqiptarë nga Mitrovica u kapën në përpjekje për të ikur nga Kosova. Të mbajtur në një shkollë të ribërë si një kamp paraburgimi, ata u përballën me izolim, frikë dhe një fat të pasigurt”, shkruhet në përshkrim. Aty sqarohet se një ditë, komandanti i policisë serbe i paraqiti Mujës një “ultimatum rrëqethës”

“Të vizatonte portretin e tij në një dërrasë të zezë. ‘Nëse është mirë, do të kurseheni. Nëse jo, nuk mund të garantoj asgjë”, paralajmëroi ai. Nën presionin e jashtëzakonshëm, Muja filloi të skicojë, i vetëdijshëm se jeta e tij varej nga aftësia e tij. Filmi ndërron dy këndvështrime: Muja duke krijuar portretin dhe fytyrat e shqetësuara të shokëve të tij të burgosur. Kur komandanti miraton vizatimin, Muja beson se ai i shpëtoi jetën”, përshkruhet filmi nga “Berlinale”. Sipas vlerësimit të festivalit, rrëfyer nga Muja, “Mua besoj më shpëtoi portreti” eksploron qëndrueshmërinë dhe ndikimin e thellë të artit edhe në rrethanat më shtypëse.

I biri i protagonistit të filmit, njëherësh artisti konceptual e regjisori Alban Muja, pas premierës ka thënë se ideja është që filmi të shihet sa më shumë dhe kjo histori të tregohet sa më shumë. 

“Historia vjen 25 vjet pas luftës dhe pasi ne nuk kemi arkiva që tregojnë të kaluarën, është mirë të punohet në projekte që ndajnë informata me të tjerët e po ashtu edhe eksperiencat tona si artistë, si familje e si shoqëri”, ka thënë Muja. 

Paraprakisht në janar kur ishte bërë i ditur programi i sivjetmë i “Berlinales” Muja kishte thënë se ngjarjet kthehen si retrospektivë dhe sillen të freskëta, një çerekshekull pas.

“Ata përballeshin me frikë, izolim dhe një të ardhme të pasigurt. Filmi flet për atë çka kishte ndodhur në këtë ‘shkollë’, pasi babi ishte detyruar të bëjë portretin e komandantit që ishte përgjegjës për atë burg të improvizuar, në të cilin kishin përjetuar çdo gjë. Babi beson se portreti që i ka bërë komandantit mund t’ia ketë shpëtuar jetën. Filmi është për këtë portret dhe për mënyrën se si arti mund të ketë ndihmuar atë gjatë ditëve të vështira të jetës”, kishte thënë Muja.

Në vitin 2010, në edicionin e 60-të të këtij festivali garonte filmi “Unplay” ku Muja ishte bashkautor me Joanna Rytel. Garonte në kategorinë e filmave të shkurtër të “Berlinales”.

“Si autor i filmit, është shumë e rëndësishme për mua që të kthehem në ‘Berlinale’ pas 15 vjetësh, por ajo që është më e rëndësishme është të ndaj këtë histori tonën me një publik të gjerë të festivalit, pasi ‘Berlinale’ është një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë filmike botërore. Filmi është në seksionin ‘Forum Expanded’, një seksion që më pëlqen shumë, pasi sjell para publikut kinemanë e re dhe art-filmat”, kishte thënë ai. 

Rrëfimet nga Kosova jo rrallë dëgjohen në “Berlinale”. Në edicionin e kaluar aty e pati premierën filmi “Afterwar” me skenar dhe regji të danezes Birgitte Stærmose që garonte në programin “Panorama”. Filmi me frakturë dokumentare rrëfente për pasojat e luftës dhe jo vetëm. Gjithashtu çdo vit QKK-ja është pjesë e Tregut Evropian të Filmit në “Berlinale”. Vjet qe mbajtur nën moton “It all starts here!”.

Kosova ka histori në festivalin me nam në skenën ndërkombëtare.
Më 2019, dokumentari “Në mes”, nën regji të Samir Karahodës e kishte çuar Kosovën për herë të parë në konkurrencën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”, ku edhe pati premierën botërore.

E emri i Kosovës në këtë festival ishte dëgjuar edhe nëpërmjet filmave të Visar Morinës, “Exil” e “Babai”, përderisa aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi ishin të parët nga Kosova, të cilët në shkurtin e vitit 2011 parakaluan në tepihun e kuq të “Berlinales”. Atje i çoi filmi ku ata luajtën “Falja e gjakut”, nën regji të Joshua Martsonit, i cili shkroi edhe skenarin bashkë me Andamion Muratajn. Produksioni shqiptaro-amerikan u shpërblye me dy çmime në festivalin prestigjioz.

Sivjet për çmimin kryesor, “Ariu i Artë” konkurrojnë 19 filma dhe disa prej tyre janë drejtuar nga regjisorë që po kthehen në kryeqytetin gjerman këtë vit. Midis tyre janë rumuni Radu Jude me komedinë e re të zezë “Kontinental ‘25” dhe regjisori jugkorean Hong Sang-soo me komedinë familjare “What Does that Nature Say to You”. Linklater, regjisori amerikan i njohur për filmin “Before Sunrise”, rikthehet në festival pas më shumë se një dekade me filmin “Blue Moon”. Është historia e kompozitorit të Broadwayt, Lorenzo Hart. Linklater ka bërë bashkë në film yjet si Ethan Hawke, Margaret Qualley dhe Andrew Scott. Në edicionin e 75-të në “Berlinale” janë më shumë se 150 vende të botës. Edhe sivjet atje Qendra Kinematografike e Kosovës prezantohet ne “European Film Market”.

QK e Kosovës dhe Instituti austriak i Filmit këto ditë nënshkruan në Berlin një marrëveshje për të forcuar bashkëpunimin në kinematografi. Sipas QKK-së, marrëveshja synon bashkëprodhime filmike dhe projekte të përbashkëta, duke krijuar mundësi të reja për industrinë e filmit në Kosovë dhe Austri.