Ndryshe nga festimet e tjera që ngjanin nëpër kryeqytet këtë 12 qershor, te “Hani i 2 Robertëve” nuk kishte vend për edhe një festë tjetër klishe. Reminishencë e kohëve të dikurshme, festime e nostalgji ishin vetëm disa nga elementet e kësaj feste, e sebep qe Nehat Beqiri me hapjen e ekspozitës së tij “Mbetje tingujsh” të kuruar nga Shkëlzen Maliqi. Ekspozita shpalos edhe ngjyrat e luftës, dhe kjo ngjan në hapësirën që si emër është shndërruar në sinonim të rezistencës. Në mars “Hanit…” iu vu flaka, çlirimi e gjeti të shkrumbuar, por historia e tij vazhdon
Çerekshekulli më parë, më 12 qershor të 1999-s, “Hani i 2 Robertëve” – selia e rezistencës artistike në Kosovë – kishte qenë i shkrumbuar nga zjarret e paramilitarëve serbë që endeshin nëpër qytet të dalldisur për të fshirë gjithçka që u dilte përpara në momentet e tyre të fundit. Por tash, “Hani...” me trashëgimi të bujshme e i regjur nga kohë jo fort të lehta, kremtimin e Ditës së Çlirimit të Kosovës e bëri pikërisht ashtu siç pritej.
Ndryshe nga festimet e tjera që ngjanin nëpër kryeqytet këtë 12 qershor, te “Hani...” nuk kishte vend për edhe një festë tjetër klishe me fjalime uniforme të cilat ngjasonin në një retorikë goxha të përsëritur. Reminishencë e kohëve të dikurshme, festime e nostalgji ishin vetëm disa nga elementet e kësaj feste, e sebep qe Nehat Beqiri me hapjen e ekspozitës së tij “Mbetje tingujsh” të kuruar nga Shkëlzen Maliqi.
Ambientet e “Hanit...” janë veshur me vepra të Beqirit nga cikle të ndryshme, por njëra nga hapësirat është rezervuar për një lajtmotiv të veçantë.
Lufta e Kosovës e trajtuar në veprat e Beqirit të realizuara gjatë viteve 1999-2000 paraqitet njëherësh edhe si shfaqje e trajtimit avangardë që i bën ai pikturës dhe artit në përgjithësi. Në ekspozitën “Mbetje tingujsh” ka risjellë një rikrijim të veprës “Four Horsemen of the Apocalypse” (Katër kalorës të Apokalipsit) nga Albrecht Dürer. Ndryshe nga ai, Beqiri sjell katër paleta ushtarake nga të cilat secila përfaqëson nga një degë ushtarake të forcave të armatosura respektive si marina apo forcat ajrore. Viz a vi me atë vepër janë dhe dy kompozicione të tjera abstrakte të varura në mur që ngjasojnë me akrepa gjigant të orës. Mesazhin, i cili përkon me këtë përvjetor simbolik për Kosovën e shpjegon edhe vetë artisti.

“Jam munduar ta bëj një version timin të asaj vepre, por duke e trajtuar temën pa patetizimin e luftës. Në atë kohë kur e kam punuar këtë ishte periudhë e vështirë dhe e dija se njerëzit janë të ndjeshëm, por mendoj se një vepër nuk duhet të jetë e një kohe të caktuar, ajo duhet t’i rezistojë asaj”, ka thënë Beqiri në një prononcim për KOHËN.
12 qershori për artistin ka rëndësi të madhe. E ka të vështirë ta artikulojë emocionin që ka ndier këtu e 25 vjet më parë.
“Kjo datë mbase është njëra ndër datat më të rëndësishme të kombit tonë, ka qenë e papërshkrueshme, në fakt vazhdon të jetë e tillë. Unë jam munduar që pjesë nga ajo kohë t’i paraqes në pikturat e mia. Ajo kohë duhet të kujtohet me veprat e kësaj kohe dhe me ato që do të vijnë. Ne duhet të bëjmë vendin tonë një vend të dëshirueshëm për ne dhe të lakmueshëm nga të tjerët”, ka qenë mesazhi i piktorit.
Hera e fundit që “Hani...” kishte operuar në vitin ‘99 kishte qenë dy ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s. Më 22 mars të 1999-s, pronari i “Hanit...” Fadil Dragaj ishte plagosur nga forcat serbe, ndërkaq në të njëjtën tavolinë ishte qëlluar për vdekje dhe aktorja Adriana Abdullahu. Për ditë të tëra ky pikëtakim për artistë, gazetarë e diplomatë të kohës ishte bërë shkrumb e hi.
Merita Dragaj bashkëpronare e “Hanit...” kujton rikthimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Kosovë në gusht të atij viti dhe ballafaqimin e parë me atë se çka kishte ngelur nga “Hani i 2 Robertëve”.
“’Hanin...’ e kemi gjetur të djegur krejtësisht, edhe pikturat bashkë me të. E tërë ekspozita e Gani Gashit ka qenë e djegur. Banorët që jetonin përreth na kanë treguar se ‘Hani...’ ishte djegur për tri ditë rresht”, ka thënë Dragaj.

Ky karakter i pathyeshëm i “Hanit...” i cili vazhdon ende t’i qëndrojë besnik filozofisë së vet, u përmend dhe nga pedagogia Lindita Aliu-Tahiri, e cila kaherë e frekuenton këtë “fole”. Ka treguar se mënyra e festimit të këtij përvjetori me një ekspozitë arti është më se e mirëseardhur.
“Festimi me art për mua është një pasurim i kësaj dite, është shumë më shpirtërore se këto skemat e përsëritura. E përgëzoj ‘Hanin...’ për këtë, por nuk befasohem, sepse ‘Hani...’ gjithmonë ka qenë kështu. Është njëfarë ikone sa i përket kulturës së kafeneve, e rimbush me kuptim konceptin e kafes si ambient, sepse shpesh e shohim si humbje kohe, por këtu shkëmbehen mendime, ka kulturë, ka shpirtërore dhe kjo shpirtërorja ka qenë një autenticitetit që e ka identifikuar ‘Hanin...’ prej fillimit”, ka thënë Aliu-Tahiri.
Abstraksioni i Nehat Beqirit në “Mbetje tingujsh” përkon natyrshëm dhe me atmosferën që rëndon “Hanin...” në këtë përvjetor të 25-të të çlirimit. Ngjyrat, format, vijat, kompozicionet e ndryshme përbëjnë një ritëm të vetëm, ani pse secila nga veprat ka një rrëfim unik të mbërthyer më vete.
Kuratori i ekspozitës, Shkëlzen Maliqi, në konceptin kuratorial të “Mbetje tingujsh” zbërthen stilin e Beqirit si një ndërthurje të ngushtë e të nënvetëdijshme me muzikën.
“Mendoj se, pa dyshim, abstraksioni i Beqirit është i tipit jazz, sepse kombinon thjeshtësinë konceptuale të temave, përsëritjen e elementeve pikturale harmonike dhe racionale, me shpërthime spontane të pasazheve ‘irracionale’ me ‘zhurma’ dhe ‘njolla’, që pikturave u japin dinamikë të shtuar, sikur që improvizimet e lartësojnë jazzin, dhe mu te ky moment vjen në pah mjeshtëria e madhe e artistit, sepse Beqiri gjithnjë gjen masën, balancën e duhur që çdo vepër e tij, si tërësi, të duket realizim me shije të hollë”, thuhet në konceptin kuratorial.
Edhe veprat e realizuara viteve të fundit nga artisti nuk u lanë pa u vlerësuar. E pranishme në hapje të ekspozitës ka qenë edhe Vjollca Bajraj, poete dhe bashkëshortja e poetit Xhevdet Bajraj.

Ndryshimin e panoramës nga hapësirat e ndryshme të ekspozitës e kishte vërejtur edhe ajo. Pikturat e Nehat Beqirit i ka cilësuar unike, bashkë me materialet e teknikat që ai përdor.
“Kjo piktura këtu portokalli, duket se e paraqet periudhën e koronavirusit. Shihet si një rrugë e zezë e cila hyn në botën e njerëzve e bën tollovinë, por prapë del dhe shkon, por e lë një shenjë. Megjithatë, ne dalim fitimtarë, prapavija e pikturës është e shndritshme, është një ngjyrë shumë optimiste”, ka thënë Bajraj.
Ka rikujtuar dhe 12 qershorin. Si refugjate në qytetin e Durrësit bashkë me djemtë dhe bashkëshortin e saj, poetin e mirënjohur Xhevdet Bajraj, çlirimin e Kosovës e kishin festuar në një mënyrë të veçantë që u shkon hireve të një familjeje të një poeti.
“Në momentin kur e kemi marrë lajmin ka qenë si një shkëndijë në fund të një tuneli të errët. Nuk i kemi pasur mundësitë me festu, por gjithkush e ka festuar në mënyrën e vet. Mbaj mend që kemi dalë me Xhevdetin dhe me djemtë te deti dhe e kemi shikuar detin. Është dukur si shpresa jonë më e madhe që po vjen diçka nga deti, një erë e re, një epokë e re për Kosovën. Janë disa ndjenja që thjesht nuk ka fjalë që e përshkruajnë atë ditë”, ka thënë ajo.