Emri i tij ka kohë që është shënuar me emra të arta në botën elitare të muzikës. Maestro Pavle Deshpali, prej viteve ’60 të shekullit të kaluar kur nisi karrierën e bujshme, u afirmua si emër i përveçëm i elitës kulturore, jo vetëm në Kroaci ku u lind dhe jetoi, por anekënd botës. Në Kosovë kujtohet si muzikant i jashtëzakonshëm me rrënjë arbëreshe
Njëri prej mjeshtërve të fundit të muzikës, ka ikur. Ky ka qenë një prej komenteve me t’u dhënë lajmi për vdekjen e Pavle Deshpalit, dirigjentit, kompozitorit e instrumentistit të njohur me rrënjë arbëreshe. Ai ishte 87-vjeçar.
Maestro Deshpali, prej viteve ’60 të shekullit të kaluar kur nisi karrierën e bujshme, u afirmua si emër i përveçëm i elitës kulturore, jo vetëm në Kroaci ku u lind dhe jetoi, por anekënd botës. Muzika serioze e ka të pashmangshëm muziktarin e shquar, njashtu sikurse edhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, të gjeneratës para e pas tij.
Pavle Deshpali, u lind më 18 qershor të vitit 1934, në Blato të Korçullës. U rrit në një familje të njohur muzikantësh me vëllain Valter Deshpali, violonçelist i njohur dhe motrën Maja Deshpali, violiniste. Mësimet e para në muzikë i mori prej babait të tij, Shime Deshpali, kompozitor e shkrimtar i njohur. Studimet për kompozim i kreu në vitin 1960 në klasën e Stjepan Shulekut në Akademinë e Muzikës në Zagreb. Prej vitit 1962 deri më 1967 ka qenë dirigjenti kryesor i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit të Zagrebit e prej vitit 1963 këtë pozitë e ka mbajtur në Orkestrën Kamertale të RTZ-së, përderisa ka qenë edhe dirigjent mysafir i Filharmonisë së Zagrebit. Siç shkruhet në zërin për Pal Deshpalin, “kompozitor e dirigjent nga Arbneshi i Zarës”, në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, më 1961 themeloi festivalin “Mbrëmjet Muzikore të Donatit” në Zarë, më 1966 ansamblin kamertal të Beogradit. “Nga viti 1967 veproi në SHBA dhe nga viti 1970 ishte drejtor muzikor i Orkestrës Simfonike të Floridës, më pas mysafir-dirigjent i festivalit ‘Chicago Grand Park’ e nga viti 1981 shef dirigjent i Filarmonisë së Zagrebit dhe udhëheqës muzikor në festivalin ‘Lojërat Verore të Dubrovnikut’”, shkruhet po aty, në tekstin e përgatitur nga akademik Zeqirja Ballata. Prej vitit 1987 qe profesor i dirigjimit në Akademinë e Muzikës në Zagreb e prej vitit 1988 ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave të Arteve të Kroacisë.
Në karrierën e tij është edhe kapitulli i bashkëpunimit me Filharmoninë e Kosovës. Njëri prej koncerteve ishte edhe ai i qershorit të vitit 2014, kur zgjodhi këtë institucion për të shënuar 80-vjetorin e lindjes së tij. Këtë koncert dhe të tjerë, sikurse edhe takimin e parë me muzikantin e madh, i kujton edhe drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari. Pos jubileut të maestros, në po atë mbrëmje violonçelisti Antonio Gashi do të shënonte 35-vjetorin e karrierës, i cili Deshpalin e cilëson burim të pashtershëm njohurish.
Bashkëpunimin me Deshpalin e kujton mexosopranoja Merita Juniku e midis mësimeve prej tij, kujton edhe një batutë.
Jashari: “Deshpali e bën krenar të gjithë kombin tonë”
Lajmin për ndarjen nga jeta e dirigjentit Pavle Deshpali, dirigjenti Baki Jashari thotë ta ketë marrë me pikëllim të madh, jo vetëm për arsyen e humbjes së një artisti të jashtëzakonshëm muzikor, por edhe për disa momente të tjera që ndërlidhen me skenën vendore muzikore.
“Në veçanti me Filharmoninë e Kosovës. Fakti që maestro Deshpali është me prejardhje shqiptare dhe i biri i kompozitorit arbëresh, Shime Deshpali, e bën krenar të gjithë kombin tonë”, ka thënë Jashari të premten, pak orë pasi mediat kanë përcjellë njoftimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë se Deshpali vdiq të enjten në Zagreb.
Ishte viti 2002, kur Jashari do ta takonte për herë të parë Deshpalin.
“Isha i angazhuar si dirigjent në Filharmoninë e Kosovës në përgatitjen e Orkestrës Simfonike për koncertin e drejtuar nga ai. Nuk do t’i harroj asnjëherë lëvdatat e falënderimet e tij publike për punën në këtë program koncertal. Dy takimet e radhës ndërlidhen me vitet 2012/2013, kur tashmë në cilësinë e drejtorit e kam ftuar për të realizuar dy koncerte me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe violonçelistin tonë të mirënjohur, Antonio Gashi. Impakti i fituar nga puna e tij me instrumentistët tanë do të mbetet ndër përvojat profesionale më të spikatura të institucionit më të lartë muzikor në vend”, ka thënë drejtori i Filharmonisë së Kosovës.
Gashi: “Si dirigjent, burim i pashtershëm i dijenisë dhe i eksperiencës”
Violonçelisti Antonio Gashi me Deshpalin thotë të ketë bashkëpunuar në disa raste.
“Sa herë që ka ardhur në Kosovë. Të gjithë e njohim kryesisht si dirigjent, por maestroja i ndjerë ka qenë edhe kompozitor i madh me shumë vepra të shkruara, që luhen në mbarë botën”, ka kujtuar Gashi, i cili më 1991 diplomoi në Zagreb, në klasën e Valter Deshpalit.
Bashkë me Pavle Deshpalin, Antonio Gashi në koncertin e 15 qershorit të vitit 2014, në skenën e Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë, do të bëheshin tok në skenë për të shënuar përvjetorët: i pari 80-vjetorin e lindjes, i dyti 35-vjetorin e karrierës. Ndër të tjera, në atë koncert do të sillnin premierë në Kosovë edhe veprën “Moba” të Shime Deshpalit.
“Gjithmonë më pëlqen të luaj veprat e babait tim. Po besoj se do të ishte i lumtur sikur ta shihte se e luajta veprën e tij edhe në Kosovë. E kam luajtur këtë vepër në mbarë botën dhe kjo ishte hera e parë që kjo vepër luhet edhe në Kosovë”, do të thoshte Pavle Deshpali për “Kohën Ditore”, tek vlerësonte interpretimin e Gashit, duke nënvizuar punën e mirë në ekzekutimin e veprës së vështirë, Koncertit të Antonin Dvorakut.
“Si dirigjent ka qenë burim i pashtershëm i dijenisë dhe i eksperiencës që e ka bartur me vete gjatë udhëtimit të tij muzikor shumëvjeçar. Me pak fjalë, por të matura mirë dhe me një humor të stërhollë, me automatizëm e ka bërë për vete si individin, ashtu edhe publikun e gjerë”, ka thënë Gashi.
Juniku: “Një enciklopedi e gjallë si muzicient”
Mexosopranoja e shquar, Merita Juniku, u është kthyer kujtimeve nga koha e bashkëpunimeve me të gjatë karrierës së bujshme të saj.
“Bashkëpunimi me maestron e madh Deshpali ishte i fuqishëm. E kishe përballë një enciklopedi të gjallë si muzicient. Gjatë provave kishim kënaqësinë që të na shoqëronte edhe në piano”, ka thënë Juniku. Ka shpalosur edhe disa detaje e një batutë.
”Gjatë përgatitjes së ‘Simfonisë nr. 8’ të Gustav Mahlerit ku isha soliste, simfoni, e cila është e shkruar për 8 solistë vokalë, maestro Deshpali tha gjatë provave: ‘Nuk janë 8 solistë por 9, sepse unë isha shtatzënë dhe në familje e patëm përzgjedhur emrin e Marigonës... kështu që pati mbetur si batutë se Marigona është solistja e 9-të në Simfoninë e Mahlerit”, ka kujtuar Juniku. Edhe e bija e saj, sopranoja e shquar Marigona Qerkezi, që tashmë ka shkelur skenat botërore, do të merrte mësime prej tij.
“Marigona gjithashtu kishte një raport të afërt profesional me maestron Pavle Deshpali dhe u këshillua e mësoi shumë nga ky mjeshtër i madh”, ka thënë Juniku. Ajo ka veçuar edhe disa prej rrugëtimeve nëpër botë të muzikantit të shquar.
“Ka qenë shef dirigjent, si dhe dirigjent i orkestrave në Pittsburg, Filharmonisë Mbretërore të Londrës, ‘Mozarteum Orkestra e Salzburgut, Filharmonisë së Budapestit, Tokio Geidai Filharmonisë, profesor në Universitete në Tokio, si dhe i shumë shtëpive operistike prestigjioze”, ka thënë Juniku.
Çeku: “Një person që na tregoi përnjëmend se si funksionon muzika”
Pavle Deshpali do të shquhej edhe për punën e tij të çmueshme për ngritjen e gjeneratave të reja të muzikës, si profesor universitar, por edhe si muzikant aktiv në institucione e në skena prestigjioze.
Petrit Çeku, kitaristi i shquar i Kosovës, i cili si emër botëror u bë i njohur veçmas prej skenave në Kroaci, ku i vazhdoi studimet, ka thënë se me vdekjen e Pavle Deshpalit bota ka humbur jo vetëm një muzikant, dirigjent, kompozitor e violinist të madh.
“Por edhe një person që na tregoi përnjëmend se si funksionon muzika, si na përgjigjet dhe si na ndryshon ajo. Na tregoi se – meqë e kishte zotëruar në tërësi atë edhe si kompozitor edhe si interpretues – kur bënte muzikë dukej krejt e lehtë dhe gjithçka bëhej e qartë dhe e kuptueshme”, ka shkruar Çeku në një postin në rrjete sociale.
S’ka çmim e nderim në Kroaci dhe jo vetëm që s’e ka marrë Deshpali. Me kompozime do të merrej kryesisht në fillet e karrierës së tij. Pjesa tjetër është histori e rrugëtimit të bujshëm për të cilin maestroja rëndom fliste pak.
“Ka shumë gjëra që do të mund të flisja tani, por nuk dua”, do të thoshte Deshpali në humor, në një prononcim për “Kohën Ditore”, pas koncertit të 15 qershorit të vitit 2014 me Filharmoninë e Kosovës, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. “Kam qenë në mbarë botën, por prapë më së miri është të kthehesh në shtëpi, në Zagreb. E tëra familja ime është aty, prandaj është mirë të kthehesh në shtëpi”, do të shtonte dirigjenti me nam. Dy vjet para atij koncerti, më 2012 në një intervistë për gazetën, kur ai dirigjoi po ashtu një koncert të Filharmonisë, Deshpali do të thoshte se e ndiente veten kroat, por me rrënjë shqiptare. “Familja Deshpali ka ardhur nga Shqipëria Veriore dhe ka emigruar në Zarë, Dalmaci. Kanë qenë diku rreth pesë mijë veta dhe gjithmonë janë martuar mes vete. Babai im ka qenë i pari që është martuar me një kroate”, do të thoshte ai. Dhe emri i tij, ka kohë që është shënuar me të arta në botën e muzikës.
“Maestron Pavle Deshpali do ta kujtoj me mall jo vetëm për qasjen profesionale, bagazhin artistik të nivelit botëror, por edhe për natyrën e tij humane, sensin e humorit origjinal dhe padyshim rrënjët e tij kombëtare arbëreshe”, ka thënë dirigjenti Baki Jashari.
“Humbje e madhe për neve si muzicientë, por edhe nder i madh ta njihje”, ka thënë violonçelisti, Antonio Gashi.
“Botës muzikore do t’i mungojë dirigjenti, kompozitori, violinisti, profesori i dirigjimit. Artisti i madh i skenave koncertale dhe operistike ndërkombëtare dhe akademiku arbëresh, Pavle Deshpali më të cilin kam pasur kënaqësinë të kem bashkëpunim”, ka shkruar mexosopranoja, Merita Juniku.
“Njëri prej mjeshtërve të fundit të muzikës ka ikur. Prehu në paqe, Pavle Deshpali”, ka thënë kitaristi, Petrit Çeku.