Rreth 36 mijë shqiptarë të masakruar, të vrarë e të pushkatuar nga forcat komuniste jugosllave prej nëntorit 1944 deri në shtator 1945, është shifra që del nga arkivat. Njëra prej masakrave më të tmerrshme të asaj kohe është ajo e Tivarit. Pikërisht në 80-vjetorin e saj, në Institutin Albanologjik të Prishtinës është mbajtur tryeza shkencore “Masakrat ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi 1944-1945”
Masakra e Tivarit është një prej më të mëdhave ndaj shqiptarëve të Kosovës në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Përderisa gjatë periudhës moniste kjo masakër ka qenë në hije, prej viteve ’90 studiuesit janë munduar që të zbardhnin fakte në lidhje me atë që kishte ngjarë në fund të marsit e fillim të prillit 1945.
Në 80-vjetorin e Masakrës, në Institutin Albanologjik të Prishtinës është mbajtur tryeza shkencore “Masakrat ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi 1944-1945”. Dhjetë studiues në bazë të dokumenteve që kanë parë e rrëfimeve të dëshmitarëve kanë paraqitur perspektivat e tyre për atë kohë.
“Regjimi jugosllav vrau e masakroi rreth 36 mijë shqiptarë më 1944-1945”
Historiani nga Maqedonia e Veriut, Qerim Lita, ka folur për krimet e asaj kohe në trevat shqiptare verilindore. Por, ka paraqitur edhe të dhëna të përgjithshme.
“Të dhënat që ofrohen nga disa studiues eminentë shqiptarë, por edhe nga dokumentacioni arkivor, flasin se mes periudhës nëntor 1944 – shtator 1945 forcat komuniste jugosllave vranë, masakruan dhe pushkatuan rreth 36 mijë shqiptarë, kryesisht popullsi civile”, ka thënë ai, derisa ka shpalosur kumtesën “Masakrat ndaj shqiptarëve në trevat verilindore nga njësitë komuniste maqedono-jugosllave 1944-1945”.
Ai ka thënë se është me rendësi të vihet në dukje politika antishqiptare. Sipas tij, në emër të grumbullimit të armëve pushteti arrestoi dhjetëra patriotë shqiptar në Dibër e më pas i pushkatoi ata.
“Pas humbjes së madhe që pësuan njësitë komuniste në Preshevë, arrihet marrëveshje për vendosjen e njësive bullgare në Maqedoni. Bullgarët në fshatin Sopot kanë masakruar 68 burra. Në fshatin Bllacë të Shkupit në nëntor 1944, njësitë partizane arrestuan 250 fshatarë të Bllacës së Epërme dhe 40 të Bllacës së Poshtme, ku një pjesë e madhe e tyre u pushkatuan”, ka thënë Lita. Ai ka shpalosur me numra edhe vrasjet e shqiptarëve në disa pjesë të tjera të asaj që tash është Maqedonia e Veriut.
“Tivari 1945 është sikurse Srebrenica 1995”
Studiuesi nga Mali i Zi, Nail Draga, ka thënë se nëse në kohën e monizmit për shkaqe jo vetëm ideologjike Masakra e Tivarit nuk është theksuar në tekstet shkollore, tash në pluralizëm është obligim profesional për të kuptuar krimet e pushtetit jugosllav kundër shqiptarëve në të gjitha viset e tyre.
“Nxënësve duhet t’u shpjegohet e vërteta pa paragjykime pasi shkolla ka një mision të tillë”, ka thënë Draga, i cili është edhe autor i monografisë “Masakra e Tivarit – gjenocid kundër shqiptarëve”. Ai ka krahasuar këtë masakër me atë të Srebrenicës.
“Unë e kam bërë edhe një analogji, Tivari 1945 është sikurse Srebrenica 1995, ku kishte pothuajse të njëjtin mision për shfarosjen e një popullsie tjetër etnike, madje në këtë rast edhe në aspektin fetar”, ka thënë ai.
Sipas Dragajt, për këtë tragjedi në kohën e monizmit nuk është guxuar të shkruhej e as të flitej pasi pasojat ishin të mëdha. Ka thënë se çdo informatë ishte në heshtje, sepse politika komuniste e kohës si mision kishte eliminimin e krimeve duke mos i publikuar ato.
“Në lidhje me këtë ngjarje për të parën herë në Ulqin, në mars 2013, nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve është organizuar konferencë shkencore. Aty kanë marrë pjesë edhe të mbijetuar të kësaj masakre. Dy veta tregonin me dëshmi e në mënyrë autentike vendosjen e tyre në Monopol. Ishim në vizitë te vendi i krimit”, ka treguar ai. Ka sqaruar se në lidhje me këtë masakër nuk ka asnjë informacion në vendin e ngjarjes. Sipas tij, aty duhet ngritur një memorial.
“I takon Qeverisë së Kosovës ta iniciojë këtë çështje te Qeveria e Malit të Zi. Është obligim profesional e qytetar për të hulumtuar arkivat jugosllave. Më 21 mars të këtij viti një aktivist i shoqërisë civile, i quajtur Aleksandër Sasha Zekoviq, ka ngritur padi penale kundër ish-Brigadës së 10-të malazeze për krimet që ka kryer në qytetin e Tivarit”, ka thënë Draga.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që para opinionit vendas e ndërkombëtar të tregohet se çfarë ka ndodhur.
Shifrat për shqiptarët e Kosovës të vrarë në qytetin bregdetar të Malit të Zi janë të ndryshme, varësisht nga burimet. Besohet se rreth 4 mijë veta janë vrarë në këtë masakër.
Kosova në udhëkryq historik në fund të 1944-s
Profesori universitar i historisë, Ibrahim Gashi, ka thënë se fundi i vitit 1944 e gjeti Kosovën në udhëkryq historik. Derisa ka shpalosur kumtesën me titull, “Kuvendi i Prizrenit (1945) dhe represioni jugosllav kundër sentimentit për ribashkim të Shqipërisë”, ka thënë se ripushtimi serb dhe jugosllav i Kosovës e goditi rëndë sentimentin për bashkim me Shqipërinë.
“Largimi i italianëve dhe gjermanëve ndërpreu realitetin e të qenit të bashkuar”, ka thënë ai.
Sipas Gashit, situata ishte renduar dhe në shkurt të vitit 1945 në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë u diskutua që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë dhe Shqipëria duhej të hynte në Jugosllavi. Por, sipas tij, shkaku i rrethanave gjeopolitike, autoritetet jugosllave kishin vendosur që Kosova duhej t’i bashkohej Serbisë.
Studiuesi Nuridin Ahmeti ka thënë se kumtesën e tij e ka shkruar mbi bazën e informacionit nga arkivat e rajonit.
“Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërorë tokat shqiptare jashtë Shqipërisë mbetën në Jugosllavi. Forcat partizane serbe në këtë periudhë filluan me burgosje, likuidime pa gjyqe e gjyqe të montuara ndaj shqiptarëve. Filluan edhe masakrimet në këto territore”, ka thënë ai, derisa ka lexuar kumtesën
“Masakrat e forcave partizane në Tetovë dhe rrethinë gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1945”.
Sipas Ahmetit, një material i vitit 1951 tregon për emigrantë nga rrethina e Tetovës që kishin ikur në Shqipëri.
“Materiali prezanton masakrat që u kryen në këtë rajon pa kursyer moshë e gjini. Pos mbytjes së njerëzve, fshatarët edhe u plaçkiten edhe ua dogjën shtëpitë”, ka thënë midis të tjerash ai.
Sipas Ahmetit, disa prej masakrave të asaj kohe pas viteve ’90 janë dokumentuar nga studiuesit shqiptarë.
Roli i Partisë Komuniste të Shqipërisë në atë kohë rezulton të këtë qenë goxha negativ në raport me shqiptarët e Kosovës. Shkaku i pikëpamjeve të shqiptarëve të Kosovës ndaj serbëve autoritetet komuniste në Shqipëri shpesh i konsideronin ata edhe si elementë pro pushtuesve nazistë e fashistë.
Qasje të tillë Partia Komuniste Shqiptare kishte deri pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë në fund të viteve ’40. Më pas deri diku kishte ndërruar kursi.
Në gjyqin ndaj Koçi Xoxës në Shqipëri ishin depozituar raporte edhe për krimet jugosllave ndaj shqiptarëve të Kosovës. Disa prej tyre i ka shpalosur studiuesja nga Shqipëria, Dorina Daiu.
“Në dosjen hetimore dorëzohet një raport i ministrit të Mbrojtjes, Haxhi Lleshi, ku i raportohet Qeverisë shqiptare vrasja e një mijë kosovarëve nga forcat e OZNA-s në territorin shqiptar. Konkretisht dokumenti është i datës 19 shtator 1950. Ka qenë një dokument top-sekret i mbajtur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë”, ka thënë midis të tjerash ajo, derisa ka lexuar kumtesën “Masakra e Tivarit, një etnocid i fshehur: dëshmi dhe dokumente”.
Materiali i shkencor i tryezës pritet të botohet në një përmbledhje të veçantë, si kontribut për të sjellë sa më shumë dëshmi për ngjarjen e errët të pranverës së vitit 1945.