(DW) – Ajo u konsiderua si “nëna e lëvizjes ‘Fluxus’”, e cila theu traditën duke përdorur mjete dadaiste për të kthyer jetën e përditshme në art. Mary Bauermeister vdiq në moshën 88-vjeçare, siç ka konfirmuar i biri i saj, Simon Stockhausen. Për Bauermeister, e cila u lind më 7 shtator 1934 në Frankfurt, ky kategorizim nuk kishte kuptim.
“’Fluxus’ nuk ekzistonte as në fund të viteve ‘50”, do të thoshte ajo në një intervistë në vitin 2018. Termi nuk ishte në përdorim deri në vitin 1963, kur festivalet “Fluxus” po mbaheshin në Dusseldorf dhe në qytete të tjera anembanë Gjermanisë. Në atë kohë, Bauermeister veçse po shkëlqente në SHBA.
Para kësaj ajo kishte qëndruar në Cologne, ku u vendos në moshën 22-vjeçare, kur studionte artin në Ulm dhe Saarbrücken. Qyteti me katedralen e famshme ishte pastruar nga rrënojat dhe ishte në mes të “mrekullisë ekonomike”. Grave u ishin dhënë të drejta të barabarta me ligj.
Një pioniere që shpërfillte normat, kishte deklaruar se natyra ishte materiali për artin e saj, duke thyer të gjithë kufijtë e zhanrit mbizotërues.
Në të famshmet e saj “kutitë e lentave”, copa xhami në formë kubesh, lente zmadhuese dhe prizma u bashkuan për të formuar imazhe dhe fjalë të shtrembëruara në mënyrë optike që dukeshin si struktura magjike.
Bauermeister shpejt u përfshi në skenën e “Muzikës së Re” në Rheinland. Apartamenti i saj në zemër të pjesës historike të Colognes kishte shërbyer edhe si studio e saj e ishte zhvilluar edhe si hapësirë takimi për muzikën dhe artin avangardist ndërkombëtar. Muzikantë si John Cage , David Tudor dhe La Monte Young dhanë aty koncertet e tyre të para me ftesë të Bauermeister-it.
Transmetuesi publik i Gjermanisë Perëndimore “WDR”, me radiostacionin e tij dhe studion e njohur për muzikën elektronike, ishte magnet për muzikantët nga e gjithë bota.
“Shoqëria Ndërkombëtare për Muzikë të Re (IGNM)” ishte nikoqire e një festivali në qytet. Mbrëmjeve, pas ngjarjeve të ndryshme të “WDR-së”, audienca ndërkombëtare dhe artistë nga gjithë bota do të mblidheshin në studion e Bauermeister-it, ku do të mbahej një “kundërfestival”, ku do të shfaqeshin shumë artistë që janë refuzuar nga juria zyrtare e “IGNM-së”.
Mes marsit të vitit 1960 dhe tetorit të 1961-s, ekspozita legjendare zunë vend në apartamentin e Bauermeister-it pos koncerteve. Yje të rrymës “Fluxus” si Wolf Vostell, Nam June Paik dhe Christo performuan apo shfaqën punën e tyre në “Bauermeister Studio”. “Light Ballet” i artistit Zero Otto Piene u shfaq premierë në mbështetje të Bauermeisterit. Studioja e saj ishte një qendër kreativiteti dhe e mendimit të lirë.
“Gjithë figurat e mëdha flinin në dyshekët e mi – John Cage, Christo, shkrimtari Hans G. Helms, pianisti David Tudor dhe kompozitori korean Nam June Paik – i cili konsiderohet si shpikësi i artit me video”, do të kujtonte Bauermeister në një intervistë. Ajo ishe aktive edhe në pleqëri. Atë që ajo ka ndarë me shoqërinë e saj ishte dëshira për improvizim.
Ajo ka thënë se perspektiva e saj për jetën ishte formuar në reagimin e Gjermanisë së kaluar nacionalsocialiste: “Njerëz që vritnin hebrenj gjatë ditës teksa dëgjonin Beethovenin në mbrëmje na kanë bërë të dyshonim. Pra, ne donim gjithçka që ishte radikale dhe që ndahej me të kaluarën”, kishte thënë ajo.
Baumeister jo vetëm që ishte mikpritëse në një lëvizje avangarde të dominuar nga meshkujt, por gjithashtu zhvilloi vazhdimisht instalimet e saj të bëra nga pasqyra, skulptura të bëra nga kube floureshente ose “shkrimi i fotografive”. Ajo krijoi forma spirale me guralecë të lëmuar, të cilat e bënë të famshme në SHBA në vitet ‘60. Ajo gjithashtu eksperimentonte me çarçafë të arnuar që i montonte në kuti të ndriçuara. Shifra, shenja dhe fragmente tekstesh nga shkenca, filozofia dhe matematika, muzika dhe arti formuan bazën për vizatimet, kolazhet dhe objektet e saj.
Gjatë një kursi kompozimi në Darmstadt, Bauermeister u takua me kompozitorit Karlheinz Stockhausen. Në vitin 1962 publikuan veprat e përbashkëta në Amsterdam – ishte ekspozita e parë në muze e Bauermeisterit. Një vit më vonë ajo u zhvendos në New York, ku prizmat e saj dhe kutitë e lentave shiteshin me çmime të larta në galeri. Një vështrim më i afërt në sferat e saj prej xhami zbulon shënime nga John Cage apo tekstet e saj autobiografike.
Bauermeister u martua me Karlheinz Stockhausen në vitin 1967. Përpara kësaj të dy jetuan për disa vjet nën një çati me gruan e parë të Stockhausen-it, Doris. Dy nga katër fëmijët e Stockhausen-it ishin të Bauermeister-it.
Më vonë ajo shkroi librin me titull “Ich hange im Triolengitter: Mein Leben mit Karlheinz Stockhausen” (E varur në rrjetë tresheje: Jeta ime me Karlheinz Stockhausen) për këtë kohë. Ishte botuar në vitin 2011.
Derisa Muzeu i Artit Modern në New York ekspozonte veprat e Baumeiser-it në vitet ’90, Gjermania hezitoi për një kohë të gjatë. Artistja u rizbulua në vendin e saj vetëm disa vjet më parë. Tani veprat e saj janë të ekspozuara në muzetë gjermane.
Baumeister vazhdoi të punonte në shtëpinë e saj afër Colognes, duke krijuar forma gjeometrike në formën e kërmijve dhe piramidave nga gurët e lëmuar prej detit. Ajo gjithashtu kishte krijuar fotografi me pjesë të pipave të pijeve të rregulluara në mënyrë delikate, të lyera me ngjyrë fosfori, teknikë që kishte filluar ta përdorte në vitin 1958. Në shtëpinë e saj në Forsbach, ajo rregullisht fliste me të interesuarit për ngjarjet e jetës së saj gjatë mëngjeseve të së dielave.