Kulturë

Marsi rikthen zotimin e radhës për shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë

Sheshi “Adem Jashari”

Sheshi “Adem Jashari” aktualisht është zona ku ndodhet ai që njihet si monumenti i “Bashkim-Vllaznimit” midis ndërtesës së Qeverisë dhe asaj të Kuvendit të Kosovës. Tash kryetari i Komunës Përparim Rama thotë se shtatorja do të vendoset në rrugën “Agim Ramadani”, në një hapësirë e cila do të shndërrohet në shesh dhe do të emërtohet “Adem Jashari”

“Kryeqyteti ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e heroit legjendar Adem Jashari”, ka shkruar të mërkurën e 5 marsit të sivjetmë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Në të njëjtën datë, një vit më parë, kryetari Rama kishte paralajmëruar për atë ditë hapjen e konkursit ndërkombëtar për shtatoren e heroit kombëtar. Me dhjetë ditë vonesë u hap jo për shtatore por për shesh monumental, ende pa lokacion. Në shtatorin e vjetëm u prezantuan pesë projektpropozime, ndërkohë pati deklarata të radhës, u fut në lojë edhe Inteligjenca Artificiale, e në janarin e sivjetmë u njoftua se ai konkurs ka dështuar. Dhe historia vazhdon...

Ka vjet që marsi rikthen zotimet e premtimet për shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë. Kësisoj ka ndodhur edhe sivjet. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të mërkurën ka thënë se kryeqyteti e ka caktuar lokacionin për monumentin e komandantit legjendar, Adem Jashari. Sipas Komunës, shtatorja do të vendoset në rrugën “Agim Ramadani”, në një hapësirë e cila do të shndërrohet në shesh dhe do të emërtohet “Adem Jashari”. Është zotimi i radhës. Vetëm kryetari i tanishëm i ka disa episode për të njëjtën çështje.

Rama rëndom këto zotime i bën në Facebook. Kësaj here ka shkruar se familja Jashari e ka dhënë pëlqimin për lokacionin. Një konkurs ndërkombëtar, prezantimi i pesë projekteve për atë që u quajt shesh monumental “Adem Jashari”, tashmë kanë rënë në ujë.

“Mirënjohja e dorëzuar familjes Jashari nuk është thjesht një simbol, por një zotim i kryeqytetit se sakrifica e tyre do të mbetet përherë në themelin e shtetit tonë, në ndërgjegjen kombëtare dhe, mbi të gjitha, në zemrat tona. Me përkushtim të plotë për të ruajtur dhe nderuar këtë trashëgimi, kryeqyteti ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e heroit legjendar Adem Jashari, lokacion për të cilin kemi pëlqimin edhe të vetë familjes Jashari”, ka shkruar ai në Facebook, të mërkurën e 5 marsit të këtij viti kur në Kosovë ka nisur Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kulmon më 7 mars në atë që njihet si “Nata e Zjarreve”. 

Por një deklaratë si kjo ka histori prapa. 

Në të njëjtën datë, një vit më parë, kryetari Rama në stilin e tij kishte paralajmëruar konkurs ndërkombëtar për shtatoren e heroit kombëtar. Këtë e kishte bërë pa pasur asnjë cent të paraparë për këtë projekt për atë vit e po ashtu pa përmendur lokacion konkret. Kishte përmendur buxhetin e vitit 2023 kur Komuna kishte paraparë 200 mijë euro për këtë projekt. 

“Ne kemi ndarë buxhetin për këtë edhe vitin e kaluar (2023 v.j.). Ishim të gatshëm ta shtyjmë përpara monumentin e heroit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, por ishim në diskutim edhe me familjen e heroit legjendar për vendosjen e monumentit, dhe tash kemi vendosur që ta shpallim një konkurs ndërkombëtar, që me siguri do të bëhet sot...”, kishte deklaruar ai. Kishte qenë e mërkurë paradite. Konkursi deri në orarin zyrtar nuk ishte hapur. Kryetari Rama kishte thënë se do të kërkojnë nga arkitektë, artistë e historianë të punojnë bashkë për të prezantuar “ide të ndryshme se si do të duket monumenti i ndërlidhur me peizazh, por edhe për propozimet për lokacionet e ndryshme që mendojnë arkitektët, artistët e historianët se do të ishin të përshtatshme për këtë monument”. Krejt kjo kishte tingëlluar goxha mirë për artistët kosovarë. Sa i përket lokacionit nuk kishte qenë i prerë.

“Sheshi ‘Adem Jashari’ e ka emrin, mirëpo nuk domethënë domosdoshmërisht që me qenë monumenti aty, për arsye se heroizmi, liria të cilën e ka sjellë heroizmi i aspektit monumental i Adem Jasharit me gjithë familjen që kanë dhënë jetën për këtë vend, do të thotë se ata janë në secilin cep të vendit tonë”, kishte thënë ai. Sheshi “Adem Jashari” është zona ku ndodhet ai që njihet si monumenti i “Bashkim-Vllaznimit”. Sipas Ramës, ideja ishte që shtatorja të jetë e vendosur në një hapësirë që ka qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Kishte futur në lojë Inteligjencën Artificiale. 

“Duhet përdorur për shembull teknologjinë e re, Inteligjencën Artificiale, për të treguar historinë se çka ka ndodhur. S’duhet të jetë monument klasik, por të jetë diçka shumë e avancuar që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe e projekton të ardhmen e vendit tonë”, kishte thënë ai. 

Por historia nuk përfundon këtu. 

Konkursi ndërkombëtar ishte hapur dhjetë ditë pas asaj që për kryetarin më 5 mars ishte “sot”. Nuk bëhej fjalë për shtatore por për “shesh monumental”. Qëndroi i hapur një muaj. Rezultatet e konkursit dolën në shtator. Pesë projekte të “sheshit monumental për Adem Jasharin” prisnin votën e qytetarëve të Prishtinës. Projektet varionin në stile të ndryshme. Paraqisnin skulptura monumentale e dizajne arkitekturore, nëpërmjet të cilave synohej që të simbolizohej kontributi i familjes Jashari për lirinë e Kosovës. Pesë projekte, për një javë ishin ekspozuar në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës.  

Në konkursin e hapur në mesin e marsit të vjetëm mungonte lokacioni. Asokohe fillimisht njoftimi kishte kërkuar që bashkë me projektin të propozohej edhe vendi. Në mbrëmje vonë kishin ndërruar hesapet. 

“Hapet konkurs për sheshin monumental që nderon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari”, titullohej konkursi në platformën “Shërbimi i arkitektit të qytetit”. Aty bëhej e ditur se është hapur konkurs për sheshin monumental që simbolizon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si dhe peshën e saj në rrugëtimin drejt çlirimit.

Por në janarin e sivjetmë prapë kishin ndërruar hesapet. Në ditën e nëntë të muajit, kishte thënë se projektpropozimin për sheshin monumental “Adem Jashari” nuk e kishte mbështetur familja Jashari dhe për këtë arsye gjatë atij muaji Komuna e Prishtinës do të hapë konkurs të ri për këtë çështje. Kishte thënë se mjetet janë ndarë dhe në janar do të rihapej konkursi.

“Ne e kemi pasur konkursin edhe kemi pasur projektpropozime. Si pjesë e projektit ne kemi qenë sensitivë edhe ndaj çështjes së familjes së Adem Jasharit dhe kemi pasur reprezentuesin e familjes dhe në bazë të procesit nuk e kanë parë familja asnjë projekt që meriton për të ecë përpara për këtë arsye edhe nuk i kemi ecur përpara gjithë ato projekte që kanë ardhur. Mirëpo, e kemi ndarë prapë buxhetin e kemi 150 mijë euro që ta rihapim prapë konkursin dhe këtë do ta bëjmë në këtë muaj”, kishte thënë ai më 9 janar. Deri të mërkurën e 5 marsit nuk ka konkurs, por deklaratë të kryetarit Rama ku thotë se “kryeqyteti, ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e heroit legjendar Adem Jashari”. 

Por kapitulli i kryetarit Rama me shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë është vetëm njëri prej serisë së kahershme. Gjurmët e premtimeve e zotimeve të tilla hasen qysh më 2019, duke përjashtuar deklaratat zyrtare që janë edhe më të hershme. Sa i përket lokacionit, në nëntor të vitit 2019, kur Komuna udhëhiqej nga kryetari Shpend Ahmeti, Kuvendi Komunal kishte marrë vendim që ai të jetë midis ndërtesës së Qeverisë dhe asaj të Kuvendit të Kosovës. 

“Miratohet vendimi për vendosjen e shtatores së komandantit legjendar Adem Jasharit në cepin e hapësirës së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në Prishtinë”, shkruhej në vendimin e marrë më 7 nëntor të vitit 2019. Sipas numrit të ngastrës kadastrale, bëhet fjalë për cepin midis dy institucioneve që kufizohet me bulevardin “Nënë Tereza”, afër shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Vitin e kaluar asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës bashkë me ish-nënkryetaren e kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, kishin proklamuar se shtatorja do të jetë gati për 28 nëntorin e atij viti, ditë që pos festës kombëtare njihet edhe si ditëlindja e heroit Adem Jashari. Në këtë “lojë” qe inkuadruar edhe kryetari i PDK-së, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili postoi edhe video në rrjete sociale duke paralajmëruar shtatoren. Krejt kjo përfundoi si shumë iniciativa të tjera duke dështuar.