Kulturë

Marrëveshja Kosovë-Shqipëri për albanologji, “hap i madh” për kryeministrin

Dy institucione shkencore janë bërë bashkë që të përpilojnë e të çojnë përpara projekte albanologjike midis Kosovës e Shqipërisë, me fokus në trashëgimi kulturore.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Akademia e Studimeve Albanologjike nga Shqipëria janë marrë vesh për të bashkëpunuar në fushën e arsimit të lartë e po ashtu edhe për të bërë kërkime shkencore së bashku. Marrëveshja është konkretizuar të enjten midis rektorit të UP-së, Qerim Qerimi, dhe rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita.

Sipas njoftimit të UP-së, qëllimi është që të punohet së bashku në projekte konkrete për avancim të albanologjisë.

“Me anë të kësaj marrëveshjeje, ndër të tjerash, parashihet: Krijimi i grupeve të punës për hartimin e projekteve strategjike të përbashkëta në fushën e albanologjisë – përkatësisht në fushën e arkeologjisë, antropologjisë social-kulturore, historisë dhe gjuhësisë, ndërtimi i programeve të përbashkëta në studimet master dhe doktoratë në fushën e albanologjisë, krijimin e një platforme të përbashkët për shkëmbimin e stafit akademik, si dhe realizimin e projekteve hulumtuese të përbashkëta për trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe Shqipëri”, shkruhet në njoftim.

Këtë përmbajtje del të ketë marrëveshja e bashkëpunimit, e cila është publikuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Një hap i madh përpara në bashkëpunimin e studiuesve tanë”, ka qenë përshkrimi që ia ka bërë ai.

“Albanologjia dhe jo vetëm janë fusha për të cilat universitetet në Kosovë dhe Shqipëri duhet të kenë maksimumin e bashkërendimit dhe bashkëpunimit shkencor e profesional. Krahas marrëveshjeve që qeveritë tona i kanë në fushën e arsimit dhe në fushat e tjera, marrëveshjet dhe projektet e përbashkëta të universiteteve dhe profesionistëve në çdo fushë janë shumë të mirëpritura dhe të nevojshme”, ka shkruar Kurti duke renditur katër pikat e marrëveshjes. Ka shkuar edhe pak më tej.

“Së shpejti me nisma e projekte që jetësojnë synimet e përbashkëta”, ka paralajmëruar kryeministri Kurti.

Por shteti, të cilin nga ana ekzekutive e udhëheq kryeministri Kurti, ka jo pak telashe me trashëgiminë kulturore. Në marrëveshje përmendet specifikisht arkeologjia. Kjo fushë në Kosovë është në “vdekje klinike”. Për gërmime arkeologjike as që bëhet fjalë tash e disa vjet, me përjashtim në “Ulpianë”, ku vjet është punuar një muaj shkaku i një marrëveshjeje ndërkombëtare. Por, përtej kësaj nuk bëhet fjalë as për mirëmbajtje të lokaliteteve arkeologjike ku është gërmuar më herët. KOHA ka raportuar se në fillim të marsit MKRS-ja ka angazhuar 51 punonjës me kontrata për një vit. Paraprakisht për pesë muaj lokalitetet arkeologjike ku janë investuar të paktën dy milionë euro kishin mbetur edhe pa rojtarë. Gërmimet arkeologjike janë ndërprerë prej vitit 2019 shkaku i procedurave të financimit. Por, në këtë rast lokalitetet kanë pësuar edhe sa i përket mirëmbajtjes. Parkut arkeologjik “Ulpiana” i është prerë shiriti në vjeshtën e vitit 2016. Por, kurrë nuk është kompletuar si i tillë. Qysh para inaugurimit Instituti Arkeologjik i Kosovës ishte pajisur me leje për sjelljen e energjisë elektrike në lokalitet, por praktikisht puna për të nuk ka nisur ende. Pos kësaj, pas shpalljes së lokalitetit Park Arkeologjik nuk ka ciceronë e as udhëheqës. Kishte mbetur në vullnetin e të angazhuarve që të japin ndonjë shpjegim për vizitorët. Plani i menaxhimit ishte paraparë të përfundonte gjashtë muaj pas shpalljes së lokalitetit Park Arkeologjik. Rreth tre hektarë ku shtrihet Parku janë prona private të banorëve të zonës. Vazhdimisht janë vonuar edhe pagesat e kontratave që lidhen në baza vjetore me pronarët. Secila qeveri ka kërkuar të dhëna për shpronësimin e një pjese, por kjo nuk ka ndodhur ende.

Por edhe ku ka plan menaxhimi gjendja nuk ka ndërruar. Plani i menaxhimit të Kalasë së Prizrenit, i miratuar në dhjetor të vitit 2020, përcakton 16 punonjës në Kalanë e Prizrenit. Në korrik të vitit të kaluar qe emëruar edhe Njësia menaxhuese për këtë aset të trashëgimisë kulturore, ndër më të rëndësishmit në vend. Këto dy dokumente nuk kanë dhënë kurrfarë efekti. Degradimi në Kalanë sipër qytetit jugor veç ka marrë hov.

Sikurse në Kala, ku është edhe muzeu arkeologjik i lokalitetit, për rreth pesë muaj nuk kishte fare punonjës të angazhuar. Arkeologët krejt këtë e kanë përshkruar si alarm.

Në anën tjetër, institucionet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri po ashtu e kanë problem mirëmbajtjen e lokaliteteve arkeologjike. Shembull është Parku Arkeologjik i Butrintit për të cilin tash e dy vjet diskutohet që të jepet me koncesion.

Akademia e Studimeve Albanologjike u krijua në kuadër të ristrukturimit e të modernizimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër instituteve: Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore dhe i dy njësive kërkimore, Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare, të cilat ishin nën Akademinë e Shkencave. ASA u riorganizua si institucion kërkimor-shkencor më 10 mars 2008 dhe ka statusin e një qendre ndëruniversitare.