Shkrimtari i njohur peruan Mario Vargas Llosa ka vdekur në moshën 89-vjeçare, në Lima. Lajmin e kanë konfirmuar fëmijët e tij përmes një deklarate në rrjetet sociale, ka raportuar The New York Times.
Vargas Llosa u bë i njohur në vitet ’60 me romanin “La ciudad y los perros”, një kritikë e guximshme ndaj ushtrisë peruane që shkaktoi reagime të mëdha, por edhe u bë një libër me sukses të menjëhershëm.
Në vitin 2010, Vargas Llosa fitoi çmimin “Nobel” për letërsi për paraqitjen, analizimin dhe shpërfaqjen me saktësi të mënyrave se si funksionon pushteti në shoqëri.
Shkrimtari ishte zë i fuqishëm liberal, i cili kritikoi hapur diktaturat në Amerikën Latine, përfshirë regjimin e Fidel Castros. Në vitin 1990 kandidoi për president të Perusë, por humbi në garën ndaj Alberto Fujimorit.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Conversación en La Catedral” dhe “¿Quién mató a Palomino Molero?”.
Ai nuk e braktisi kurrë gazetarinë, duke shkruar rregullisht për gazetën El País.
Jeta private e tij po ashtu tërhoqi vëmendjen e mediave. Pas martesës që zgjati 50 vjet, me Patricia Llosën, ai pati një lidhje me Isabel Preysler, ish-bashkëshortja e këngëtarit Julio Iglesias.
Edhe pse jetoi gjatë në Evropë, ai mbeti i lidhur me Perunë.
Melville e quajti Limën qyteti më i çuditshëm dhe më i trishtuar. “Nuk jam i sigurt që këto janë problemet më të mëdha të Limës”, pati thënë ai dikur me buzëqeshje.
Mario Vargas Llosa la pas një trashëgimi të madhe, më shumë se 50 vepra që do të jetojnë gjatë në kujtesën e lexuesve anembanë botës.
I lindur më 1936, në Arequipa të Perusë, Vargas Llosa e kishte kuptuar se dëshironte të bëhej shkrimtar qëkur ishte fëmijë, i mahnitur me romanet aventuriere të Jules Verne. Pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij e kishte kaluar në Cochabamba të Bolivisë, pastaj ishte vendosur me prindërit e tij në lagje të shtresës së mesme në Lima. Në mes të viteve ’50 kishte studiuar drejtësinë dhe letërsinë në Universitetin e San Markos në Lima – atëbotë një kohë trazirash dhe dhune në Peru – dhe pastaj kishte shkruar romanin “Bisedë në katedrale”, botuar më 1969. Pasi përfundoi kolegjin kishte shkruar për gazeta dhe sikurse shumë shkrimtarë të tjerë latinë, filloi karrierën letrare jashtë vendit, duke jetuar si i ri në Paris, Madrid dhe Londër. Veprimtaria e tij bëri bujë ndërkombëtare në vitet ’60 pas publikimit të “Koha e heroit”, një roman i bazuar në akademinë ushtarake peruane, që kishte nxitur një kundërthënie të madhe në atdheun e tij.
Në fillim të viteve ‘80, Llosa u bë shkrimtari më i lexuar latin në audiencat botërore pasi kishte botuar, në mesin e shumë veprave, edhe “Shtëpinë e gjelbër” dhe “Bisedë në katedrale”. Pasoi një kohë jo fort e suksesshme si zyrtar i zgjedhur. Meqë Peruja ishte mbërthyer nga inflacioni i lartë dhe sulmet maoiste të “Rrugës së ndritur”, më 1990, Vargas Llosa bëri një hap të guximshëm duke kandiduar për postin e presidentit, karshi Alberto Fujimorit, atëbotë një agronom pak i njohur.
Ai kishte një epërsi gjatë fushatës presidenciale, së paku kështu tregonin rezultatet e anketimeve. Mirëpo mund të kenë ndikuar disa faktorë të tjerë në humbjen e tij: qasja e tij aristokrate në Perunë e zhytur në varfëri dhe fakti që në një vend me ndikim të madh të kishës katolike, shkrimtari ishte një agnostik.
Ai kishte shprehur njëfarë dyshimi për ta braktisur karrierën prej shkrimtari për t’i hyrë jetës publike.
“Do të doja të bëja fushatë për çështje dhe pastaj të kthehesha në zyrë të shkruaja”, kishte thënë Llosa në një intervistë të vitit 1988.
“Por e kuptova këtë si një përgjegjësi morale. Derisa ta kem përshtypjen se po ndihmoj, do të çajë përpara”. Fujimori i fitoi zgjedhjet presidenciale dhe kjo e dëshpëroi njeriun e letrave për fatin e ardhshëm politik të vatanit të tij. Ai kishte përshtatur shumë prej ideve të shkrimtarit për politikat e qeverisjes. Pas rënies së Qeverisë së tij, Fujimori u arratis në Japoni, dhe u burgos pasi u shpall fajtor për abuzimin e të drejtave të njeriut. Pas betejës së humbur politike, Vargas iu kthye edhe një herë letrave. Por duke shkruar kolumne për gazetën e njohur spanjolle, “El Pais”. Ai bëri nam në botën latine me shkrimet e tij për letërsinë, udhëtimet dhe politikën në Lindje të Mesme dhe Amerikë Latine.
“Nobelisti” paraprak latin i “gjeneratës së bumit”, Gabriel Garcie Marquez (1927 – 2024) fitoi për kryeveprën e tij, “Njëqind vjet vetmi” më 1982. Dikur miq të ngushtë, më 1976 plasi sherri ndërmjet Marquezit dhe Vargasit në Mexico City, kryeqytetin meksikan. Ky episod ndodhi në një premierë filmi. Kur Marquez iu afrua Vargasin ta përqafonte, shkrimtari peruan e “shpërbleu” mikun me një grusht të fuqishëm në fytyrë, duke mavijosur syrin, një grushtim i përjetësuar në një fotografi legjendare të fotoreporterit Rodrigo Moya. Një mister ka përcjellë këtë mesele, por është spekuluar se belaja kishte lidhje me gruan e Llosas, me të cilën besohet se më herët Marquez kishte përzier punë në Paris.
Llosa pos si shkrimtar, shquhet edhe si aktivist i zëshëm i të drejtave të njeriut në atdheun e tij. Në vitet shtatëdhjetë, Vargas që dikur kishte mbështetur revolucionin kuban, denoncoi Fidel Castron, duke iu bashkuar deklaratave të shumë kolegëve të tij. Vargas kishte shprehur një simpati të madhe për tregun e lirë të kombinuar me idealet liberale. Kishte shprehur një urrejtje të madhe për regjimet autoritare. Disa adhurues të tij kurrë nuk ia falën që ai shkoi nga e djathta, duke thënë se do ta fitonte më herët “Nobelin” sikur të mos i ndryshonte bindjet politike. Presidenti peruan, Alan Garcia, një politikan konservator, ka thënë se “ky ishte një akt i madh drejtësie. Kemi pritur këtë që nga koha e rinisë sonë”. Më 2010 Llosa kishte kritikuar para një muaji asokohe presidentin Garcia për mosndëshkimin e kriminelëve të kohës së regjimit ushtarak. Ai ka kritikuar edhe presidentin socialist të Venezuelës, Hugo Chavez, një aleat i ngushtë i Castros.
Mario Vargas Llosa, me veprat e tij është munduar ta shpërfaqë korrupsionin e thellë dhe ndikimin e politikës në çdo skutë të jetës shoqërore në shtetin e Amerikës Latine.
Ka një kapitull unik edhe me rastin e Kosovës, kur u rreshtua kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit e u be zëri i shqiptarëve në atë kohë.