Kulturë

Marigona Qerkezi debuton në teatrin ku pa shfaqjen e parë operistike

Këto ditë, sopranoja Marigona Qerkezi po i kalon në Teatrin Shtetëror të Kroacisë, në Zagreb. Është duke kryer prova për debutimin e saj në këtë institucion. Para publikut do të paraqitet me petkun e Leonorës për operën “Il Trovatore” të Giuseppe Verdit, nën dirigjimin e maestro Pier Giorgio Morandi dhe regjinë e Arnaud Bernard. Dalja e saj në skenë në shtëpinë e teatrit, operës dhe baletit të hapur në vitin 1834 është një ëndërr e kamotshme e sopranos. Nis qysh në fëmijërinë e saj.

“Është nder i veçantë të debutoj në Teatrin Shtetëror të Kroacisë, teatër ky shumë prestigjioz dhe ku kam ndjekur shfaqje për herë të parë në jetën time, si vajzë e vogël”, ka thënë Qerkezi.

“Il Trovatore”, premierën e pati më 19 janar në vitin 1853 në teatrin “Apollo” në Romë. Për të kompozitori Verdi ishte bazuar te libri “El trovador” (1836) i Antonio García Gutiérrez. Qerkezi ka thënë se provat për këtë shfaqje po mbahen me plot dinamizëm drejt përgatitjeve të fundit.

“Mezi po pres t’i jap sërish jetë Leonorës sime”, ka thënë sopranoja që u lind pikërisht në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb.

“Familja ime ka jetuar në Zagreb, mami im mezosopranoja Merita Juniku, ishte soliste e produksioneve të Operës dhe pikërisht me rolin e Azucenas me të njëjtën operë ‘Il Trovatore’ të Verdit debutoi në vitin 1990, ndërsa unë pas 32 vjetësh nga debutimi i saj paraqitem në të njëjtën skenë, si dhe në qytetin ku unë kam lindur dhe kam filluar shkollimin tim muzikor”, ka thënë tutje Qerkezi.

Në Zagreb ajo filloi edukimin muzikor për flaut. Për herë të parë u prezantua si soliste në moshën 6-vjeçare në Lubjanë dhe si 14-vjeçare ishte soliste në flaut 8 herë radhazi nën përcjelljen e orkestrës “JMJO” në Kroaci. Diplomoi për flaut, solokëndim dhe menaxhim biznesi. Në moshën 22-vjeçare debutoi në skenën operistike, në Operën Mbretërore në Muscat (Royal Opera House Muscat) me rolin e Mbretëreshës së Natës në operën “Flauti Magjik” të Mozartit. Që nga atëherë sopranoja ka karrierë tejet të suksesshme.

“Jam e nderuar të jem Leonora, pas suksesit që korra në performancat e shumta në Itali, e kësaj radhe ne një produksion të ri dhe komplet ndryshe për mua, atë të regjisorit Arnaud Bernard dhe nën dirigjimin e maestros fantastik Pier Giorgio Morandi”, ka thënë ajo.

Që kur debutoi me rolin e saj si Leonora, sopranoja Marigona Qerkezi është rikthyer në qendër të vëmendjes. Nuk kanë të ndalur kritikat pozitive që e lartësojnë punën që ajo ka bërë për operën “Il Trovatore” të kompozitorit italian Giuseppe Verdi.

Si Leonora, Marigona Qerkezi u prezantua shumë bindëse. Zëri i saj si soprano është fleksibil e preciz. Koloraturat dhe notat e larta në “Di tale amor che dirsi”, si dhe momente të ngjashme arritën në sallë si fishekzjarrë, ndërsa në arie zëri i saj u mishërua me një ekuilibër perfekt”, do të shkruante kritiku Bernardo Gaitan për “Opera World Spain”. Të ngjashme ishin edhe komentet e tjera për produksionin që pati premierën më datën 18 nëntor të 2021-s dhe do të zgjasë deri në fund të muajit shkurt të këtij vit. Shfaqja u dha në “Teatro Sociale” në qytetin italian Como të themeluar në vitin 1764.

“Me zërin e saj të jashtëzakonshëm dhe notat e larta kumbuese e mishëron shpirtin muzikor të kësaj opere”, ishte vlerësimi i Giulio Salzi që shkroi për “La Provincia di Cremona”. Kurse Roberto Cighetti nga “The BlogArtPost Italy” shkroi se ajo është një artiste që teatrot do të bënin mirë ta mbanin para publikut. Teatri Shtetëror i Kroacisë duket se ka vendosur ta bëjë këtë. Nën petkun e Leonorës, sopranoja shfaqet më 19, 22 dhe 26 janar.