Kulturë

Margarita Xhepa – ylli që shndriti qiellin e artit shqiptar

Margarita Xhepa (2 prill 1934 – 4 prill 2025)

Margarita Xhepa (2 prill 1934 – 4 prill 2025)

Me rolet e saj sillte personazhe shpërthyese, të qeta e elegante. Aso që e bëjnë një aktore ikonë të artit. E tillë është përshkruar edhe Margarita Xhepa në ditëvdekjen e saj, të enjten. Ajo ishte 91-vjeçare. Ishte frymëzim edhe për Kosovën. “Me vdekjen e Xhepës është shuar ylli që ndriçoi mbi gjysmë shekulli qiellin e artit shqiptar. Ishte një xhevahir i vërtetë i artit skenik”, ka thënë regjisori Isa Qosja. Aktori Afrim Muçaj ka kujtuar sheshxhirimin me të

Portreti i saj ishte kuptimplotë sikurse në rolet ku luante një nënë të varfër e të leckosur myzeqare te “Pylli i lirisë” apo një alamet dame kur ekzekutonte në piano në “Koncert në vitin 1936”. Për rolin e nënës do t’i humbte nja 15 kilogramë që t’i përshtatej personazhit, kurse si muzikante do të shkëlqente si zonjë e ndonjë borgjezie me traditë në vendet evropiane. Margarita Xhepa, aktorja e rreth 100 roleve në teatër e rreth 30 të tjera në film, është prej personazheve më ikonike të historisë së kinematografisë e të teatrit shqiptar. Me rolet e saj sillte personazhe shpërthyese, të qeta e elegante. Aso që e bëjnë një aktore ikonë të artit. E tillë edhe është përshkruar të enjten, kur vdiq, një ditë pasi mbushi 91 vjet. Për kolegët e saj mbetet e pazëvendësueshme. Përderisa për kinematografinë shqiptare, një prej portreteve më peshërënda. Homazhet për të do të mbahen në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, të premten, kur do t’i jepet edhe lamtumira e fundit.

Takimi i parë me filmin

E lindur në qytetin e Lushnjës, më 2 prill të vitit 1934, Margarita Xhepa do të dallohej midis motrash kur mësonin vjershat. E ëma do t’i thoshte shpesh që t’i përsëriste ato, pasi i thoshte më bukur se motrat. Si fëmijë, për herë të parë film do të shihte në qytetin e lindjes. Kishin ngritur një beze në fushë sporti për të parë filmin jugosllav “Slavica”, prodhim i vitit 1947. I kishte pëlqyer shumë roli i Slavicës, portretizuar nga Irena Kolosar.

Margarita Xhepa, aktorja e rreth 100 roleve në teatër e rreth 30 të tjera në film, është prej personazheve më ikonike të historisë së kinematografisë e të teatrit shqiptar

“Jam mrekulluar që në beze lëviznin njerëzit. E mora atë rol më vete, e çoja veten te roli dhe në shtëpi ecja me atë gëzim të bukur që mora nga ai film, kur as nuk e dija që do të bëhesha aktore”, do të rrëfente ajo shumë dekada më pas. Filmi tregonte një përballje të partizanëve jugosllavë me fashistët italianë. E në jetën e saj role me këso historish Xhepa ka pasur me shumicë. E re e shtathedhur iu bashkua një grupi amatorësh në Shtëpinë e Kulturës në Lushnjë për të inskenuar një dramë me dy akte. Ishte Kaqusha, një ruse, në dramën që për titull kishte emrin e personazhit të saj. Seksioni i Kulturës në Lushnjë i kishte rekomanduar që të ndiqte Liceun Artistik. E në provimin pranues për aktore do të arrinte për herë të parë në Tiranë. Pjesë e përbërjes së jurisë aty qëlloi aktori e regjisori i njohur korçar, Pandi Stillu.

“Ju kam parë dje, keni blerë diçka dhe nuk keni paguar”, do t’i drejtohej ai të resë lushnjare, siç kujtonte Xhepa më 2016. Në Tiranë kishte shkuar bashkë me një kushërirë dhe në atë moment po e kërkonte me sy, derisa ajo kishte dalë për të pirë ujë.

“Kur erdhi, unë dola nga vetja. I thashë: ‘Tash e gjete të pije ujë. E pyeta nëse ia ka dhënë shitësit lekët dhe ajo më tha: ‘Po’. Më pikoi loti nga turpi. Pandi më tha se ishte shaka, por donte të shihte emocionin”, kujtonte ajo për ciklin e dokumentarëve të “DigitAlb” për yjet e kinemasë shqiptare.

Prej aty do të bëhej pjesë e atij që asokohe ishte Teatri Popullor, tash Teatri Kombëtar në Tiranë. Por me t’u themeluar Estrada e Shtetit më 1952, për pesë vjet do ta mbanin në formacionin e ri. E pas shumë kërkesave, më 1957 do t’i kthehej Teatrit, kur edhe mori rolin e Ofelisë, për t’ia hapur dyert për rolet kryesore në teatër e kinema. Gjatë karrierës së saj interpretoi në shfaqje si “Hamleti”, “Mbreti Lir”, “Romeo e Xhulieta”, “Rikardi III”, “Dhelpra dhe rrushtë”, “Xhaxha Vanja”, “Luiza Miler”, “Vizita e inspektorit”, “Vdekja e një komisioneri”, “Revizori”, ”Qeni i kopshtarit”, “Morali i zonjës Dulska”, “Elektra e Sofokliut” e shumë të tjera. Në film u bë personazh i shumë produksioneve të kinostudios “Shqipëria e re”, si tek “Vitet e para”, “Gjurmët”, “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë”, “Apasionata”, “Gjeneral Gramafoni”, “Rrethi i kujtesës”, “Vitet e pritjes”, “Dora e ngrohtë”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “E diela e fundit” e “I dashur armik”.

Portreti që jetoi me dinjitet e krenari jetën e artistes

Si aktore të niveleve të larta atë e kanë përshkruar shumë artistë shqiptarë. Për bashkëpunëtorët e saj, vdekja e Xhepës është një humbje e madhe.

“Ka qenë aktore e mrekullueshme, shumë e komunikueshme dhe nuk më lodhte. Ajo me një të lexuar të skenarit drejt e në xhirim. Kemi punuar në mënyrë të mrekullueshme. Sidomos në rolet femërore, në moshë madhore, kanë qenë brenda karakterit të saj”, ka thënë regjisori Esat Musliu, regjisor. Kurse regjisori Kiço Londo ka kujtuar energjinë që sillte Xhepa në punë. 

“Kudo ajo vinte shpirtin e saj, energjinë e saj dhe rezultati ishte i ndriçuar, i arrirë: në kinema, në teatër, në recitimin e poezive, të cilat i bënte aq bukur. Ishte një aktore që do të na mungojë dhe do të kalojë shumë kohë derisa t’i vijë në tokë simotra”, ka thënë Londo.

Me vdekjen e Xhepës, sipas regjisorit të njohur Isa Qosja, është shuar ylli që ndriçoi mbi gjysmë shekulli qiellin e artit shqiptar. Ka thënë se Margarita Xhepa ishte një xhevahir i vërtetë i artit skenik me mbi 100 role në teatër dhe rreth 30 role në filmin shqiptar.

“Gati nuk kishte vepër të Shekspirit ku nuk luajti, duke filluar nga  ‘Hamleti’ (Ofelia) e deri te ‘Mbreti Lir’ (vajza e dytë), por edhe në dramat e tjera të këtij autori. Po ashtu kishte role të panumërta edhe në vepra të tjera të autorëve të mëdhenj dhe edhe në dramën bashkëkohore”, ka thënë Qosja për KOHËN.  Sipas tij, në filmin shqiptar ishte e adhuruar nga të gjithë regjisorët, duke filluar nga Kristaq Dhamo, Viktor Gjika, Sajmir Kumbaro, Kujtim Çashku e deri te gjenerata e fundit e kineastëve. Ka thënë se pos angazhimeve dhe kontributit të pashlyeshëm në artin skenik, ajo gjeti veten pranë çdo krijuesi në ngjarjet e shumta artistike.

“Me shumë fisnikëri e shprehte admirimin e vet ndaj krijuesve të tjerë dhe ndante entuziazëm motivues për të gjithë. Në kujtesën tonë do të mbetet portreti i Margarita Xhepës, që jetoi me dinjitet dhe krenari jetën e artistes dhe po ashtu jetën e një zonje të paharrueshme”, ka thënë Qosja.

Më 2022 Xhepa ishte pjesë e filmit “Bolero në vilën e pleqve” të regjisorit Spartak Peçani. Bashkë me Robert Ndrenikën kishin rolet kryesore si të moshuar që kishin ngelur vetëm. Në këtë film aktori Afrim Muçaj luan të birin e çiftit.

“Është një nder dhe privilegj i madh për mua si aktor i ri që kam pasur fatin të luaja krah legjendës së skenës dhe ekranit shqiptar, Margarita Xhepa. Ajo ishte një artiste e jashtëzakonshme, me një shpirt të rrallë, që të frymëzonte me çdo interpretim”, ka thënë Muçaj për KOHËN. Sipas tij, gjatë xhirimeve të filmit “Bolero...” përjetoi nga afër përkushtimin dhe madhështinë e saj artistike, si dhe ngrohtësinë e saj si njeri.

“Edhe pse në moshë të shtyrë, xhironte me orë të tëra me ne, pa u lodhur dhe gjithmonë me një energji e disponim të admirueshëm. Një ikonë e artit shqiptar”, ka thënë Muçaj.

Si aktore e madhe e njeri me vlera përtej artit, Xhepa është përshkruar nga udhëheqja e shtetit shqiptar.

“Ylli i skenës dhe ekranit shqiptar u shua sot. Me interpretimet e saj, ku spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës, Margarita Xhepa çoi dritë dhe u bë pjesë e dashur e familjeve shqiptare. Artistja e madhe, një figurë publike e respektuar, grua dhe nënë e nderuar, deri në vitet e fundit të jetës së saj iu kushtua artit dhe artin e saj e përdori për kauza të rëndësishme në mbrojtje të grave dhe fëmijëve”, ka shkruar presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Lamtumirë yll!”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Teatri ka qenë shkollë për mua”

Margarita Xhepa kishte një aftësi të natyrshme për t’u futur në role. Punonte me veten ditë e natë për t’u futur nën lëkurën e personazhit.

Te filmi “Tokë e përgjakur”, nën regji të Ibrahim Muçajt e Kristaq Mitros, i realizuar më 1976, ajo vajton për bashkëshortin që ia vret beu. Në periferi të Tiranës, kur po xhirohej filmi, disa banorë lokalë që kishin qëlluar afër sheshxhirimit do t’ia mësynin me vrap duke kujtuar se me të vërtetë asaj ia kishin vrarë bashkëshortin aty. Për një moment kishin harruar se po xhirohej film.  E në Divjakë, kur po xhirohej “Pylli i Lirisë”, nën  regji të Gëzim Erebaras, po më 1976, Xhepa do të binte goxha në peshë për t’iu përshtatur rolit.  Në intervistat e saj emocionohej fort kur kujtonte kohët e vjetra.

“Aktori do kulturë dhe leximi më ka ndihmuar shumë. Brezi ynë nuk pati fatin të bënte akademinë siç vijnë studentët e përgatitur. Teatri ka qenë shkollë për mua, ka qenë akademi. Nga çdo autor, aktori ka përfituar. Plus që unë të dashur e kam pasur librin dhe nuk e lëshoj nga dora. Librat më kanë pasuruar me fantazinë e karakteret e ndryshme”, kujtonte e këshillonte ajo. Me portretin impozant që kishte, Xhepa në një Shqipëri të hapur e jo të ngujuar nën regjim monist, do të kishte mundësinë që të jetë ndonjë alamet aktore e roleve botërore. Por, në rrethanat e saj u bë yll i pashuar i kinematografisë shqiptare.