Kulturë

Manifestimi “Himn për gruan” sjell poezi e mesazhe për barazi gjinore

Foto: Koha

“Himn për gruan” është titulluar manifestimi letrar nëpërmjet të cilit u kërkua barazi gjinore në vend.

Në këtë ceremoni të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, u promovua edhe platforma online “Poete shqiptare” e konceptuar dhe realizuar nga poetja Vlora Konushevci.

Në këtë manifestim, midis poeteve të disa gjeneratave, ishin të pranishëm edhe politikanë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani kanë folur për rëndësinë e barazisë gjinore e rolin e gruas në shoqëri.

Midis tjerash, Kurti ka lexuar dy poezi: “Njeriu pa tokë” e Luljeta Lleshanakut dhe “Është çudi kur je femër” e Mimoza Ahmetit.

“E para është që integrimi nuk mjafton, nevojitet çlirimi, e ngjashëm nuk mjafton përfshirja, nevojitet pjesëmarrja. Kur integrohesh, ky që është lart të integron ty prej poshtë, e kur çlirohesh, barazohesh. Ngjashëm nuk mjafton përfshirja por nevojitet pjesëmarrja se kur përfshihesh, përfshihesh prej dikujt që është lart, ndërkaq kur merr pjesë, barazohesh”, ka thënë Kurti, raporton KOHA.

E kryeparlamentarja Osmani ka thënë se kur flitet për barazi gjinore nuk flitet vetëm për gra, por edhe për shtetin, kombin, edukimin, shëndetin, zhvillimin ekonomik dhe paqen.

“Mbi të gjitha flasim për vetëdijesimin tonë si shoqëri. Është dëshmuar tashmë shumë herë se fati i një kombi është i lidhur ngushtë me statusin e gruas në shoqëri. Sepse, ndryshimet që i kanë bërë gratë kanë arritur ta përmirësojnë jo vetëm jetën e tyre, por të të gjithë shoqërisë dhe komunitetit”, ka thënë Osmani në ngjarjen e organizuar nga “ObserverKult” dhe “Social Creativity”.