Bienalja Evropiane e Artit Bashkëkohor “Manifesta 14” i është përveshur me seriozitet punës për krijimin e një kornize për realizimin e projekteve ndërdisiplinore përmes angazhimit qytetar. Me fillimin e përgatitjeve për edicionin e 14-të, që do të mbahet në Prishtinë më 2022, bienalja ka zgjedhur të punojë edhe si “think thank” për të krijuar modele alternative për zhbirime urbanistike, sociale dhe kulturore në shtetin më të ri evropian.
Në një komunikatë për media të “Manifesta 14”, të lëshuar gjatë së enjtes, është bërë e ditur se tashmë janë përzgjedhur dy studio arkitekturale që do të shqyrtojnë përbërjen e kryeqytetit të Kosovës dhe të komuniteteve të tij.
“Në këtë drejtim, juria e kryesuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe drejtorja e Manifestës, Hedwig Fijen, ka përzgjedhur zyrën arkitekturale në Torino – Carlo Ratti Associati – në bashkëpunim me MIT Senseable City Lab për të zhvilluar vizionin urban të qytetit të Prishtinës për edicionin e radhës të Manifestës”, thuhet në komunikatë. “Vizioni urban funksionon edhe si hulumtim parabienal, edhe si vizion afatgjatë për të identifikuar strategji, lokacione dhe tema qenësore për qytetin”.
Sipas komunikatës, vizioni urban tregon se si do të marrë formë “Manifesta 14” përbrenda kontekstit lokal, teksa është nënvizuar se aspekti më i rëndësishëm kërkon të rikrijojë mënyrën se si qyteti i Prishtinës mund të transformohet ku qytetarët rikërkojnë hapësirat e tyre publike.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se kryeqyteti, si nikoqir i “Manifestës”, ka zgjedhur arkitektin dhe aktivistin e shquar italian, Carlo Ratti, për të punuar për realizimin e një studimi urban që do të fokusohet veçmas te Fabrika e Tullave.
“Komuna e Prishtinës mirëpret ambiciet e ‘Manifestës 14’ Prishtinë për krijimin e një pilot-modeli të një institucioni të përhershëm ndërdisiplinor në qytetin tonë, dhe jemi të lumtur t'ju njoftojmë se për këtë qëllim kemi përzgjedhur bibliotekën 'Hivzi Sylejmani'”, citohet të ketë thënë Ahmeti.
E arkitekti i zgjedhur, Carlo Ratti, ka vlerësuar se pandemia COVID-19 i ka bërë qytetet më me potencial për rilindje, teksa ka cituar fjalët e ekonomistit Joseph Schumpeter për “shkatërrim kreativ” në shkallë urbane.
“Kriza nuk u ka lënë qeverive opsione të tjera përveç përvetësimit të një qasjeje të shpejtë, duke mësuar nga gabimet. Inovacionet e jashtëzakonshme për zona pedonale, hapësira publike, banim të përballueshëm dhe zonim dinamik, të cilat kanë dalë në pah flasin për fuqinë e reagimit pozitiv të qytetarëve. Jemi në fillim të një epoke të re të inovacionit urban pjesëmarrës – i cili qëndron në thelbin e asaj që ne duam të eksplorojmë në Prishtinë me ‘Manifestën 14’”, citohet të ketë thënë Ratti, që është drejtor i MIT Senseable City Lab në Boston dhe themelues i firmës së projektimit dhe inovacionit CRA-Carlo Ratti Associati.
Sipas komunikatës, “Manifesta 14” ka vendosur që të zhvillojë edhe punëtori konsultimi me qytetarë nga komunitete të ndryshme në Prishtinë që do të udhëhiqen nga Studio LA, që është themeluar nga arkitektja boshnjake-holandeze Arna Maçkiq si dhe ai holandez Lorien Beijaert. Bëhet e ditur se këto punëtori do të përqendrohen te mënyra se si kultura kuptohet dhe praktikohet nga komunitete të ndryshme artistike dhe qytetare.
“Përveç kësaj, punëtoritë do të identifikojnë agjendën e banorëve në relacion me zhvillimin urban, si dhe politikat socio-kulturore dhe arsimore të qytetit të tyre”.
Në një deklarim të përbashkët, Maçkiq dhe Beijaert kanë thënë se dialogu është themel i një shoqërie përfshirëse, ku në bazat e demokracisë dhe barazisë nxirren vizione për botën nga njerëzit.
“Ndërveprimi midis qytetarësh të ndryshëm është qenësor në një mjedis të rehatshëm dhe me njëri-tjetrin për të shmangur që qytetarët të përjashtohen nga projekte të zhvillimit urban. Ne besojmë se projektimi i një hapësire publike ka ndikim. Projektimi dhe organizimi i hapësirës për dialog janë pjesë e praktikës sonë. Kemi nderin, veçanërisht për shkak të lidhjes sonë me Ballkanin, t'i kontribuojmë realizimit të punëtorive konsultuese me qytetarë në Prishtinë së bashku me ‘Manifesta 14’”, kanë thënë ata.
Ndryshe, “Manifesta 14” do të hapë zyrat e saj të përkohshme në zemër të Prishtinës, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ndërkohë që Komuna i ka dhënë edhe hapësirat e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” për ta shfrytëzuar si seli të ardhshme të “Manifestës 14”.
Përveç projekteve hulumtuese, “Manifesta 14” Prishtina po zhvillon një program publik parabienal me një varg partnerësh kulturorë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit, i cili do të nisë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në pranverë.
I nënshkruar në maj të vitit 2019 midis Komunës së Prishtinës dhe bienales evropiane të artit “Manifesta 14”, protokolli i bashkëpunimit parasheh që Prishtina të jetë nikoqire e këtij organizimi për të cilin aplikojnë e garojnë shumë qytete evropiane. Kështu, kryeqyteti i Kosovës pritet të jetë kryeqendra evropiane e kulturës më 2022, ku emrat më të njohur të artit dhe të arkitekturës do të realizojnë projekte enkas për qytetin, kurse urbanistë të njohur, si Renzo Piano, Rem Koolhaas, Winy Maas e të tjerë do të jenë pjesë e ekipit.