Prej të premtes Qendrës për Praktikë Narrative të “Manifesta 14” do t’i vihet dryni në objektin e ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani”. Vetëm një vit ka mundur të qëndronte, ani pse planet e zotimet ishin të tjera. Tash, sërish pret mjete prej shtetit për t’u rihapur në pranverë. “Qendra po eksploron në mënyrë aktive partneritete të reja të qëndrueshme publike dhe private për të gjeneruar të ardhura dhe për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjate”, ka thënë për KOHËN drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen
Nja gjashtë, shtatë fëmijë të mërkurën, hapësirën e “Oazës”, një nga ambientet e Qendrës për Praktikë Narrative, e kanë shfrytëzuar për ta kaluar kohën e lirë pas mësimit. Me pijet mbi tavolina, e telefonat në duar kanë komunikuar me njëri-tjetrin për tema të ndryshme. Pak pas mesditës aty nuk është parë kush tjetër. Krejt ish-ndërtesa e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” ka ngjarë me hapësirë të braktisur. Një anëtare e stafit – e cila nuk ka pranuar të prononcohej – ka qëndruar në katin e sipërm, përderisa hyrja në ndërtesë ka qenë e mundur. Një ditë para mbylljes, të cilën stafi e quan të përkohshme, krejt ambienti është dukur si vend që nuk e përdor kush. Shenja e vetme e bienales nomade evropiane “Manifesta” në Prishtinë prej 2 shkurtit deri të paktën në maj do të jetë nën dry. Financat dalin të jenë arsyeja kryesore.
Hapësira e shumë aktiviteteve që ishte prezantuar si një qendër që do të funksiononte edhe pas “Manifesta 14 Prishtina”, sipas të dhënave të ofruara nga vetë Fondacioni, gjatë vitit të kaluar ka pasur pesë veta në staf me kontrata njëvjeçare dhe anëtari përgjegjës për financat – i vetmi që do të mbetet në punë me gjysmë orari – për të siguruar një qëndrueshmëri të re me partneritet publik e privat në mënyrë që Qendra të ketë jetëgjatësi për vitet e ardhshme. Qëllimet janë që stafi të rikontraktohet.
Vetë Qendra për Praktikë Narrative të martën ka lajmëruar se përkohësisht do të jetë e mbyllur.
“Pas një viti të suksesshëm plot aktivitete, shfaqje dhe programe edukative dhe të shoqërisë civile me partnerë publikë dhe privatë, CNP, po mbyllet për disa muaj gjatë pushimit të dimrit për shkak të sfidave që rrjedhin kryesisht nga mungesa e financimit”, shkruhet në komunikatën e Qendrës. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për mbyllje të përkohshme.
Drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen, në përgjigjet me shkrim për KOHËN, të mërkurën pasdite ka thënë se synojnë që Qendrën ta rihapin në maj të 2024-s.
“Qendra po eksploron në mënyrë aktive partneritete të reja të qëndrueshme publike dhe private për të gjeneruar të ardhura dhe për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjate. Si një projekt i përbashkët, Qendra është duke punuar ngushtë me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe me financues ndërkombëtarë, përfshirë ambasadat evropiane dhe fondacionin ndërkombëtar “Manifesta’, për të siguruar të ardhmen e Qendrës”, ka thënë ajo për KOHËN nëpërmjet një përgjigjeje me të përcjellë nga Qendra.
Sipas saj, Qendra ka marrë fonde nga një sërë burimesh gjatë viteve, duke përfshirë ambasadat e Holandës, Luksemburgut dhe Zvicrës, si dhe partnerë të tjerë publikë.
“Përveç kësaj, fondacioni ndërkombëtar ‘Manifesta’ ka investuar 72 mijë euro në financimin e operacioneve të Qendrës për Praktikë Narrative gjatë vitit 2023”, shkruhet në përgjigje. KOHA ka kërkuar sqarime shtesë për shumën e mjeteve të investuara në restaurimin e ndërtesës dhe për marrëveshjen që Fondacioni ka me Komunën e Prishtinës. Për këto sqarime KOHA është në pritje të përgjigjeve.
Por, përgjigje për atë që ka ndodhur me Qendrën, as të mërkurën nuk kanë pasur Ministria e Kulturës e as Komuna e Prishtinës. Sipas vetë Qendrës. mbyllja e përkohshme është veprim strategjik.
“Mbyllja e përkohshme shënon një lëvizje strategjike nga CNP për të ngritur ofertën e saj dhe për të forcuar pozicionin e saj si një themel kulturor në Prishtinë. Institucioni pret mbështetjen e partnerëve të tij dhe të komunitetit ndërsa nis këtë rrugëtim transformues”, shkruhet në komunikatë. Në bazë të përgjigjeve të drejtoreshës mbështetje pritet edhe nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës. Në bazë të të dhënave të ofruara nga “Manifesta” 69 për qind e buxhetit për edicionin e Prishtinës është siguruar nga institucionet publike të Kosovës. Prej tyre 1 milion e 970 mijë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe 1 milion e 720 mijë nga Komuna e Prishtinës. Kurse 31 për qind e buxhetit, 1 milion e 600 mijë euro janë dhënë nga “Manifesta 14” nëpërmjet donatorëve.
Rivitalizimi dhe rikthimi i hapësirës publike në Prishtinë përmes intervenimeve në 25 hapësira, duke përfshirë Fabrikën e Tullave, “Korridorin e Gjelbër”, hotelin “Grand” dhe Qendrën për Praktikë Narrative qe një prej qëllimeve të “Manifestas”. Fabrika e Tullave nuk ka mbetur e rivitalizuar aspak. Komuna planifikon që këtë ta bëjë me rreth dy milionë euro. Korridori i Gjelbër mbetet dështim më vete. E Qendra për Praktika Narrative punon me “gjysmë orari”. Kurse për hotelin “Grand” e vetmja shenjë e “Manifestas” është instalacioni i Petrit Halilajt “Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin”, të cilin artisti ia ka falur shtetit.
“Krijimi i një trashëgimie afatgjatë për Prishtinën dhe banorët e saj në aspektin e infrastrukturës, politikave kulturore dhe rrjetëzimin ndërkombëtar; Zhvillimi i strategjive të programeve në fushën e edukimit dhe ndërmjetësimit kulturor me qëllim te forcimit të infrastrukturës lokale” ishin objektivat e tjera. Asnjë prej tyre nuk del të jenë arritur. E promovimi i Kosovës ndërkombëtarisht si vend për inovacion kulturor, turizëm dhe investime komerciale është bërë deri diku.
“Manifesta 14 Prishtina”, që është mbajtur prej fundit të korrikut deri në fund të tetorit të vitit 2022, ishte marrë vesh me Komunën e Prishtinës që ta shfrytëzojë hapësirën për Qendër të Praktikës Narrative në mënyrë që vetë “Manifesta” ta sigurojë funksionimin e saj. Por, gjërat nuk kanë shkuar ashtu.
Në inaugurimin e Qendrës ishte thënë se Komuna ia kishte dhënë “Manifestës” hapësirën në shfrytëzim për katër vjet dhe fondacioni ishte përgjegjës për sigurimin e fondeve që Qendra të bëhet institucion i qëndrueshëm.
Nëpërmjet një raporti të prezantuar në qershor të vitit të kaluar, “Manifesta” pretendonte se shifra prej 20.2 milionë eurosh është ajo që llogariste si impakt ekonomik gjatë periudhës 100-ditore prej 22 korrikut deri më 30 tetor të vitit 2022, bazuar në rezultatet e nxjerra nga Instituti GAP. Të dhënat e publikuara nga vetë drejtoresha e bienales nomade “Manifesta”, Hedwig Fijen, tregonin për një numër të madh vizitorësh, ku numri shkon deri në 139 mijë. Për organizatorët, shifra si këto ishin dëshmi se “Manifesta 14” është ngjarja më e madhe kulturore që ka ndodhur në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë.
“Impakti total ekonomik i ‘Manifestas’ ishte 20.2 milionë euro dhe kthimi nga investimet publike ishte 4 herë më i madh, që do të thotë se për çdo 1 euro të shpenzuar nga institucionet publike, në institucione lokale ekonomike janë kthyer 4 euro”, kishte shpjeguar Fijen.
“Manifesta” kishte nënshkruar marrëveshje me shtetin në prill të vitit 2019, nëpërmjet të cilit Kosova jepte garanci financiare prej 4.6 milionë eurosh për mbajtjen e kësaj ngjarjeje në Kosovë.