Kulturë

“Manifesta 14” me “histori ndryshe” në rimarrje të hapësirave publike

“Ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të tregojmë histori ndryshe”, është titulli kuratorial i “Manifesta 14”. Në dukje të parë goxha teorik, por Bienalja Nomade Evropiane, kur të nisë të marrë formën konkrete vitin që vjen në Prishtinë, do të lërë shenja konkrete, ashtu siç ishte paralajmëruar qysh se kryeqyteti u zgjodh nikoqir. Midis tyre mund të jetë edhe një urë që lidh Pallatin e Rinisë me sheshin “Zahir Pajaziti” a një shëtitore te hekurudha në “Arbëri”

“Manifesta 14” ka nisur të shpalosë propozimet konkrete në lidhje me shenjat që do të lërë në kryeqytet. Për edicionin e saj të katërmbëdhjetë ka bërë të ditur se po eksploron se si të rimerret hapësira publike për qytetarët, ndërsa kërkon mënyra të reja të rrëfimit brenda mjedisit social, ekologjik dhe urban. “It maatters what worlds world worlds: how to tell storiesotherwise” (Ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të tregojmë histori ndryshe), është titulli kuratorial me të cilin, më 2022, kjo Bienale Nomade Evropiane vjen në Prishtinë. Detaje si këto janë shpalosur të martën në dy konferenca për media që kanë bërë bashkë themelues e organizatorë ndërkombëtarë dhe drejtues institucionesh të vendit nikoqir.

Është australiania Catherine Nichols ajo që është emëruar ndërmjetësuese kreative për edicionin e radhës. Ajo ka bërë të ditur gjashtë propozimet e saj. Nichols do të punojë për së afërmi me arkitektin italian të emëruar më parë, Carlo Ratti, i cili para së të shpalosej koncepti kuratorial, prezantoi një vizion të ri urban për Prishtinën bazuar në modelin e tij për urbanizëm pjesëmarrës për qytetin e Prishtinës. Kështu “Manifesta” – pos ish-objektit të Fabrikës së Tullave e objektit të dikurshëm të bibliotekës “Hivzi Sylejmani, që ishin bërë publike kohë më parë si “stacione” të intervenimit – ka shënjestruar pjesën e hekurudhores që nuk përdoret në “Arbëri”, sheshin “Nënë Tereza”, parkingun e Ministrisë së Kulturës, Pallatin i Rinisë dhe Sporteve dhe hotelin “Grand”. Përmendet edhe ndërtimi i një ure që do të lidhë Pallatin e Rinisë me sheshin “Zahir Pajaziti”. Data 22 korrik e vitit që vjen do të jetë koha kur kjo ngjarje 100-ditore do të aterrojë në kryeqytet.

Bazë për projekte konkrete

Hedwig Fijen, themeluese e “Manifestas”, e ka nisur adresimin e saj duke theksuar se një ambient i pastër dhe i gjelbër është e drejtë njerëzore. Sipas saj, pas gjashtë muajsh pune, ekipi i Calo Rattit ka krijuar një vizion urban të Prishtinë në bazë të të dhënave që kanë mbledhur dhe se kjo njohuri që është mbledhur do të shërbejë si një themel për “Manifestan” në përgjithësi. Gjithashtu ka shtuar se duke i bërë të qasshme të dhënat edhe për të tjerët ato do të shërbejnë si bazë edhe për vetë qytetin për projektet në të ardhmen.

“Shpresojmë që vizioni i tij urban do të japë direksione dhe do të tregojë për mundësitë jo vetëm për të përmirësuar ambientin lokal duke adresuar edhe krizën globale të ambientit, por gjithashtu do të japë mundësinë për të njohur këtë të drejtë globale dhe do të ndihmojë për të fuqizuar komunitetin lokal në Prishtinë për të mbrojtur shëndetin e tyre, kulturën e tyre kundrejt shpërqendrimit rrethues. Mendoj se plani i Carlo Rattit shtrihet në mënyrë të përkryer në kuadër të kësaj kornize”, ka thënë ajo.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se janë munduar që ta bindin “Manifestan” që të vijë në Prishtinë duke u treguar se vetëm këtu mund të gjejnë gjurmë nga Perandoria Osmane, pastaj arkitekturë jugosllave, të komunizmit, neoliberale apo e periudhës së pasluftës. Ka thënë se gjithashtu në fund të ditës mund ta gjesh kaosin e Prishtinës “që ka një rend të vetin”.

Sipas tij, duhet pasur në mendje si të mbrohet hapësira publike dhe si të mbrohen rrëfimet e Prishtinës.

“E di që do ta lë ‘Manifestën’ në duar të sigurta te kryetari i ardhshëm i Prishtinës. Kemi një grup të mrekullueshëm të kandidatëve e ku të gjithë kanë shprehur interesimin e tyre për ‘Manifestan’ dhe atë që ajo po përpiqet të bëjë. Dhe nëse duhet që ta jap një mesazh, atëherë le të jetë një i thjeshtë: ‘Le të mbrojmë çfarë ka mbetur nga hapësira jonë publike, le të rigjenerojmë atë dhe le të shohim sesi ajo do ta bëjë jetën e qytetarëve më të mirë”, ka thënë Ahmeti, tetë vjet kryetar i Prishtinës. Rineta Jashari, shefe e kabinetit të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë se propozimet e “Manifestas” do të jenë një udhërrëfyes i mirë se çfarë duhet bërë në të ardhmen.

“Besoj se kontributi i ‘Manifestas’ do të jetë vlerë e rëndësishme dhe do të ndikojë në atë sesi qyteti i Prishtinës mund të transformohet sa u përket hapësirave publike dhe njëkohësisht do të shërbejë si bazë për projekte të ndryshme që do të promovojnë dhe çojnë përpara rigjenerimin dhe krijimin e hapësirave publike”, ka thënë ajo.

Vizioni urban i Prishtinës

Image
Prezantimi i vizionit urban të “Manifesta 14” nga Carlo Ratti Associati, të martën në “Kino Armata”, në Prishtinë (Foto: “Manifesta”)

Vetë arkitekti Carlo Ratti ka dhënë një pasqyrë më të detajuar të asaj që është bërë e që do të bëhet sa i përket vizionit urban të krijuar për “Manifesta 14 Prishtinë” e që çon në zbatimin e një programi të qëndrueshëm dhe eksperimental 100-ditor në Prishtinë dhe përreth.

Duke punuar ngushtësisht me një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës, ata kanë zhvilluar një bazë të dhënash me pamje rrugore të Prishtinës e që aktualisht është duke u analizuar dhe që vihet në dispozicion të publikut.

Sipas tij, së bashku metoda e urbanizmit të hapur dhe njohuria e analizës teknologjike mund të tregojnë për mundësitë e së ardhmes alternative qytetare. Ka qenë ai që ka përmendur urën që lidh sheshin “Zahir Pajaziti” dhe Pallatin e Rinisë, dikur “Boro e Ramizi”, i inauguruar më 1977. Në fakt, s’bëhet fjalë për një projekt të ri që rikthehet në diskutim.

“Është një pjesë e cila mungon e që mendoj se do të ndihmonte dhe do të lejonte njerëzit që të kalojnë nga një hapësirë publike te tjetra e që është një urë e që ishte një propozim në kohën e Jugosllavisë, por që nuk është ndërtuar dhe ne kemi thënë se pse të mos e ndërtojmë këtë si një lidhje. Dizajni mund të ndryshojë varësisht nga reagimi që marrim nga njerëzit, por kjo urë është një nga gjërat kryesore që jemi duke e menduar për verën e ardhshme dhe jemi duke mbledhur fonde për këtë dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që ta realizojmë”, ka thënë ai.

E hapësira afër hekurudhës, që ndan qendrën me lagjen “Arbëria”, ka thënë se mund të shfrytëzohet për kalim të këmbësorëve, biçikleta a projekte të ngjashme.

“Shumë njerëz e përdorin këtë hekurudhë dhe e kemi vënë re se ka potencial aty për ta përdorur këtë hapësirë që për momentin është si një barrierë e padukshme në mes të një pjese të qytetit dhe pjesës tjetër, prandaj kemi menduar se si kjo mund të kthehet në një hapësirë lidhëse, hapësirë ku njerëzit mund të ecin”, ka thënë ai.

Tregimi kolektiv

Prezantim i dytë, që ia dha titullin Bienales, ka vënë në pah edhe plane të tjera më konkrete.

Hedwig Fijen e mori përsëri fjalën e para, duke theksuar se “Manifesta” si një Bienale evropiane mendon se koncepti se çfarë është një bienale duhet që të rimendohet veçanërisht në këtë kohë pandemie dhe ndoshta për shkak të limitit të burimeve që kanë qenë gjatë kësaj periudhe.

“’Manifesta’ dëshiron që të marrë përsipër të gjitha përpjekjet për të krijuar një kornizë pune në këtë edicion, por edhe të ardhshmit, për t’u fokusuar në bashkëkrijim, bashkëprodhim. Të projekteve bashkë më komunitetin vendas dhe regjional për të ndërtuar modele të qëndrueshme dhe për të eksperimentuar sesi dhe në çfarë mënyrë mund të jetojmë së bashku, mësojmë dhe punojmë”, ka thënë ajo.

Ka bërë të ditur emrin e ndërmjetësueses kreative, duke theksuar se ajo është përzgjedhur për shkak të ekspertizës së saj dhe vizonit të saj artistik. Sipas saj, Nichols bashkë me ekipin e Bienales do të punojnë që të shndërrojnë një Bienale Arti në një platformë kolektive, me të qëndrueshme, eksperimentale e multidisiplinare.

Në anën tjetër, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se Kosova po bëhet gati për ndryshime të rëndësishme në kulturë. Gjersa ka shtuar se “Manifesta” vjen në këtë periudhë të zhvillimit kur në Kosovë komuniteti artistik dhe i gjithë ekosistemi i kulturës është gati për ndryshime me ndikime afatgjate.

“Pikërisht këtu vjen në shprehje bashkëpunimi ynë, i cili duhet të jetë i orientuar deri në shterjen e çdo kapaciteti që ofron kjo platformë e ‘Manifestas’ e që pa dyshim do t’i shërbejë kulturës në vendin tonë. Ky bashkëpunim do të kontribuojë në ridefinimin, rikonceptimin, eksperimentimin dhe çlirimin e të gjitha kapaciteteve vendore, artistike, në një nivel shumë me të gjerë në rajon dhe përtej”, ka thënë ai.

Gjashtë propozimet e Bienales

Image
Kuratorja Catherine Nichols, në prezantimin e vizionit artistik të “Manifesta 14”, të martën në “Kino Armata”, në Prishtinë (Foto: “Manifesta”)

Catherine Nichols ka treguar më shumë për titullin përmes të cilit “Mnaifesta 14” merr përsipër sfidën e eksplorimit dhe gjenerimit e praktikave dhe mënyrave të reja të tregimit kolektiv.

“Kur vizitova Prishtinën, njerëzit që takova, bisedat që kisha, puna që pashë më dhanë një ndjenjë të dukshme të fuqisë transformuese, e cila qëndron në storie dhe në aktin – në praktikën e rrëfimit. Këtu mund të ndieni vërtet së është tregimi ai që krijon sferën publike: hapësirën midis meje dhe teje”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se është e gëzuar që i është bashkuar ekipit të “Manifestas” për të sjellë së bashku artistë, mendimtarë, shkencëtarë, dhe qytetarë nga e gjithë Evropa dhe më gjerë për të eksploruar se si rrëfimi mund të mundësojë angazhimin për të sjellë një botë të përbashkët më shumë se njerëzore. Dha detaje edhe për gjashtë propozimet e saj.

I pari do të jetë një qendër për narrativen praktike, e cila do të zërë vend në ish-bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, që mund të shërbejë edhe si hapësirë për ekspozita e punëtori, por jo vetëm. E ish-Fabrika e Tullave do të shërbejë si një qendër për mësime eko-urbane, por detaje të tjera do të bëhen të ditura më vonë. Nichols ka thënë se si pikë e tretë do të jenë disa intervenime artistike në hapësira publike. E propozimi i katërt ka të bëjë më hotelin “Grand”, që mund të shërbejë, sipas saj, edhe si një qendër për hulumtime multidisiplinare. Ka treguar se si propozim është edhe realizimi i një radiostacioni online. Kurse e ka përmbyllur duke theksuar se do të ketë propozime për hapësira për të ecur.

Catherine Nichols është studiuese e arteve dhe letërsisë, kuratore dhe shkrimtare me qendër në Berlin. Qëkur përfundoi doktoratën në Universitetin e New South Wales në Sidney, më 2001, me një tezë mbi Hans Magnus Enzensberger, ajo ka kuruar një gamë të gjerë të ekspozitave të historisë kulturore në institucionet në të gjithë Gjermaninë mbi tema që përfshijnë ato nga Reformimi te pasionet, nga dielli te seksualiteti. Ajo gjithashtu ka zhvilluar mbi njëzet ekspozita monografike dhe tematike të artit.