E gjelbër, është ngjyra identifikuese e “Manifesta 14”, e cila tashmë ka pushtuar Prishtinën me art bashkëkohor. Midis synimeve të mëdha dhe skepticizmit se çfarë do të mbetet pas 100 ditëve të saj, e premtja është dita e hapjes zyrtare të kësaj bienaleje nomade evropiane të artit. Një ditë para ceremonisë, organizatorë e përfaqësues politikë, kryesisht kanë dhënë premtime e garanci për përfitimet që ia sjell vendit një ngjarje si kjo e që buxhetit të shtetit i kushton jo pak
Kati përdhese bashkë me atë të sipërm të hotelit “Grand” paraditen e së enjtes kanë qenë të gjallë si rrallëherë. Mund të krahasohen veç me konferencat e tubimet menjëherë pas çlirimit të Kosovës dhe ato të ditëve të shkurtit 2008 kur edhe u shpall pavarësia. Më prapa në kohë, edhe me ditët kur hoteli i ka bërë konak mareshalit të ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito.
Gjallëria e së enjtes ishte konferenca hapëse e “Manifesta 14” për media. Hoteli “Grand” që ka një histori shumështresore asnjëherë nuk ka qenë më i mbushur me gazetarë të artit dhe kulturës e as me profesionistë të këtyre fushave. Para konferencës së Bienales nomade ata janë takuar me kryeministrin e Kosovës në kuadër të asaj që ditëve të fundit duket si një garë e politikanëve se kush po e shfrytëzon më shumë “Manifestan”. Kryeministri Kurti aty ka folur për domosdoshmërinë e gazetarisë së kulturës e atë se si këta profesionistë e bëjnë të prekshme edhe magjiken.
Edhe në konferencën për media në mënyrë indirekte është folur për të magjishmen. Më shumë për imagjinatën.
Me një varg statistikash, drejtorja e “Manifestas”, Hedwig Fijen, ka shpalosur programin 100-ditor që do të fillojë me hapjen zyrtare të premten mbrëma. Ka thënë se janë 4 shtylla kryesore.
“Janë ish-fabrika e tullave, ‘Grandi’, qendra për praktikën narrative tek ish-biblioteka ‘Hivzi Sylejmani’ dhe krejt hapësirat e tjera”, ka thënë ajo.
Kur ka folur për temat e sivjetme kanë thënë se janë katër a pesë kryesore. Fillimisht ka treguar se janë bërë radikalisht lokal. Këtë e ka mbështetur tek e dhëna se nga 103 pjesëmarrësit ku përfshihen 25 kolektive, 39 për qind kanë origjinë nga Kosova e 26 për qind vijnë nga rajoni. Janë 25 hapësira ku është ndërhyrë me vepra.
“Po punojmë për trashëgimi afatgjate për qytetin, së treti ne e arrijmë këtë trashëgimi përmes modelit tonë të angazhuar duke krijuar partneritet midis nikoqirëve dhe ‘Manifestas’, e katërta është praktika narrative. Kemi përgatitur një platformë për të hulumtuar të kaluarën dhe bashkë të ndërtojmë të ardhmen”, ka thënë Fijen.
Ua ka qarë edhe hallin qytetarëve të Kosovës që nuk gëzojnë liberalizim vizash. Në këtë rast ka përmendur edhe qeverinë e saj, atë të shtetit të Holandës që nuk mirëpret qytetarët e Kosovës pa viza.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pa ndonjë fjalim të shkruar ka folur në mënyrë të përgjithshme për transformimin e qytetit nëpërmjet bashkimit të forcave midis Bienales nomade e Prishtinës.
“Kemi intervenime të guximshme që ofrojnë optimizëm për qytetarët e Prishtinës. Procesi ka qenë fantastik duke na ndihmuar në brendimin e Prishtinës”, ka thënë ai. Ka folur gjatë për qytetin. Ka bërë thirrje që gazetarët e mediave të huaja të shkruajnë për atë që ndiejnë në kryeqytetin e Kosovës.
“Për momentin ky është një qytet që ka një histori të vështirë. Është qytet që ofron platforma të ndryshme për krijuesit dhe në njëfarë kuptimi e quaj si një qytet që reflekton një pikturë abstrakte e jo realiste. Nuk është një qytet i definuar mirë siç janë për shembull Vjena apo Parisi”, ka thënë ai duke folur për një Prishtinë unike. Por, në këtë rast ka ngacmuar fort audiencën sa që është pyetur nëse është duke folur për anarki në Prishtinë.
Me një fjalim të gjatë, për dallim nga të tjerët në shqip, u është drejtuar të pranishmëve ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka treguar se Qeveria e ka përkrahur “Manifestan” me rreth 2 milionë euro. Saktësisht me 2.1 milionë deri tash. Bile është dashur që me vendime të veçanta Qeveria ta plotësojë këtë shumë përderisa janë afro 400 projekte kulturore të skenës së pavarur vendase që as në fund të muajit të shtatë të vitit nuk e dinë as shifrën e përkrahjes nga shteti. Bëhet fjalë për festivalet që e mbajnë gjallë kulturën alternative të Kosovës dhe janë shndërruar në pika reference ndërkombëtare para se në këto anë të përmendej emri “Manifesta”.
Çeku ka treguar se bashkëpartiaku i tij, Yll Rugova, si ish-drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë është më meritori që “Manifesta” është në Kosovë.
“Të gjithë ne bashkërisht po e zhvillojmë një narracion ndryshe për Kosovën tonë. Një narracion me jehonë botërore, brenda të cilit ka art e transformim të hapësirave publike, ka rini e komunitet, ka energji e pozitivitet. Në të njëjtën kohë ka edhe paradokse. Banorët e Kosovës, e cila organizon ‘Manifestën’, nuk mund të udhëtojnë pa viza nëpër Evropë. ‘Manifesta’ është edhe lobimi ynë politik për të ecur pa u diskriminuar në rrugën tonë integruese evropiane. ‘Manifesta’ është edhe kërkesa jonë legjitime për trajtim të barabartë me popujt e tjerë në rajon dhe në Evropë”, ka thënë ai.
Arkitekti Carlo Ratti, i cili është i angazhuar nga Bienalja që të merret me studimin urban, intervenimet urbane e projeksionet për të ardhmen e qytetit ka treguar se kanë bërë hartëzimin e qytetit. Ka thënë se synimi është që hapësirat publike t’u kthehen qytetarëve.
“Hapësira publike duhet të jetë në qendër të zhvillimit të ardhshëm të qytetit. Kemi mendar se si të kthejmë diçka që do të jetë afatgjate”, ka thënë ai. Ka shpjeguar se duhet filluar diçka që duhet të vazhdojë.
“Në fillim mund të jenë intervenime të vogla të cilat do të rriten. Jemi shumë të lumtur që ish-Fabrika e Tullave vetëm duke e pastruar mund të bëhet e përdorshme. Jemi në fillim të krijimit të asaj hapësire si vendbashkim i njerëzve”, ka thënë ai. Brenda këtij konteksti ka folur edhe për “intervenime të përkohshme që u bënë të përhershme”. Mënyra se si e ka shpjeguar një “transformim” të rrugës “2 Korriku” krahas Ministrisë së Kulturës ka ngjarë sikur aty të kishte ndodhur ndonjë alamet projekti.
bërë hapësirë e përhershme vetëm për këmbësorë. Kjo është bërë në bazë të informatave që kemi marrë nga njerëzit. Njerëzit thanë: ‘o Zot asnjëherë nuk kemi menduar se mund të përdoret kështu kjo pjesë e qytetit’”, ka thënë ai duke ftuar të gjithë që të shkojnë te pjesa që njihet edhe si “Kafet e rakisë” për të parë ndryshimet. Realisht në atë rrugë janë shtuar veç disa vija të verdha. E veturat që hynin në atë që ishte një lloj mini-parkingu ngjitur me MKRS-në, nuk hyjnë më. Ajo pjesë është shfrytëzuar nga punonjësit e Ministrisë së Bujqësisë për të parkuar vetura zyrtare. Por administrata e asaj Ministrie është zhvendosur nëpërmjet një procesi që nuk ka të bëjë me “Manifestan” e që buxhetit të shtetit i kushton goxha për qira në objekte private.
Catherine Nichols, si ndërmjetësuese kreative, ka treguar se para se të merret me punë kreative është thelluar në atë se çfarë paraprakisht ka ndodhur në Prishtinë. Ka thënë se është bazuar në hulumtimet dyvjeçare.
“Detyra ime ka qenë që të bëj disa artistë bashkë dhe t’i vendos ata në hapësira të bukura e ekzotike. Kam shikuar se çfarë duan njerëzit në qytetin e vet”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ndërmjetësuesi kreativ duhet të marrë shumë pyetje dhe të dëgjojë shumë rrëfime.
Kur përgjegjësja e komunikimit për publikun në “Manifesta 14” ka hapur mundësinë për të bërë pyetje të pranishmit, situata ka ndërruar fort. Sidomos te themeluesja e drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen.
Kuratorja suedeze, Maria Lind, ka pasur tri pyetje. Për të parën është bazuar te fletushkat informative që janë shpërndarë. Ka pyetur se përse askund nuk përmendet fjala art. I ka interesuar se cila do të jetë trashëgimia që do të lërë “Manifesta” dhe nga vjen financimi dhe si përdoren mjetet.
Kur kryesuesja e stafit për komunikim ka nisur të flasë e t’ia japë fjalën dikujt prej stafit që të përgjigjet, drejtorja Hedwig Fijen ka ndërhyrë goxha ashpër. “Mbylle gojën”, i ka thënë asaj. Në mënyrë urdhëruese i ka thënë se Catherine Nichols që të përgjigjet për pyetjen e parë.
“Kurrë nuk mendoj për artin si kufizim. Duhet të shikojmë që njerëzit të mendojnë në mënyrë multidisiplinare...”, ka thënë ajo në mënyrë rrethanore duke iu shmangur pyetjes konkrete për komponenten e artit në këtë edicion.
Për dy pyetjet e tjera është përgjigjur Fijen.
“Investimi i përgjithshëm është 4.9 milionë, duke mos përfshirë kontributet jomateriale. Investimet direkte në Kosovë janë 3.10 milionë. 1.61 milionë në komisionimet artistike, 764 mijë në projekte urbane siç është për shembull restaurimi dhe rehabilitimi i ish-bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’, korridorit të gjelbër dhe qasjes publike në hotelin ‘Grand’. 850 mijë në paga dhe zhvillim të kapaciteteve për stafin që janë në Prishtinë. Stafi në Amsterdam paguhet nga një organizatë filantropike e Holandës. 250 mijë në komunikim e 183 mijë për operacione”, ka thënë ajo. Sipas Fijen, donatorët ndërkombëtarë paguajnë 2.3 milionë dhe kjo është një shumë e madhe.
Sa i përket trashëgimisë që do të lërë edicioni në Prishtinë, ka thënë se bashkë me ndikimin do të analizohen nëpërmjet anketimit publik nga një organizatë e pavarur pas përfundimit të edicionit më 2023. Sipas saj, në shumicën e qyteteve kthimi i investimit të qeverive ka qenë 2.5 fish më shumë se investimi. Ka thënë se kanë të angazhuar 53 punëtorë kosovarë dhe 150 veta në staf mbështetës.
Instalacionet bashkë me ndërhyrjet e tjera në 25 lokacione tashmë janë gati. Artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë kanë paraqitur veprat e ndërhyrjet e tyre. Për trashëgiminë që do të mbetet bashkë me mundësinë për të prekur të magjishmen e përmendur nga kryeministri Albin Kurti, mbetet të shihet.
VIDEO: