“Po mbyllet për disa muaj gjatë pushimit të dimrit për shkak të sfidave që rrjedhin kryesisht nga mungesa e financimit...”, është paragrafi i dytë i njoftimit për atë që është quajtur “mbyllje e përkohshme” e Qendrës për Praktikë Narrative, vendi qendror i bienales “Manifesta 14”, vendosur në objektin e dikurshëm të bibliotekës “Hivzi Sulejmani”. Në fakt, kjo është e vetmja shenjë që “Manifesta” ka lënë në Prishtinë, ani pse shtetit i kushtoi mbi 4 milionë euro
Prishtina e ka humbur të vetmen shenjë a adresë të bienales nomade “Manifesta 14”. Të paktën përkohësisht, Qendra për Praktikë Narrative do të jetë e mbyllur. Telashet financiare janë arsyeja kryesore. Ngjarja artistike në të cilën shteti ka investuar mbi 4 milionë euro nuk i ka lënë Prishtinës kurrfarë trashëgimie të prekshme. Përderisa për dikë krejt kjo ishte kronikë e paralajmëruar e për dikë tjetër “Manifesta 14” ka telashe me auditim, një gjë është e sigurt: as derivati i vetëm i kësaj ngjarjeje nuk ia ka dalë të mbijetojë.
Është vetë Qendra për Praktikë Narrative që ka lajmëruar se përkohësisht do të jetë e mbyllur.
“Pas një viti të suksesshëm plot aktivitete, shfaqje dhe programe edukative dhe të shoqërisë civile me partnerë publikë dhe privatë, CNP po mbyllet për disa muaj gjatë pushimit të dimrit për shkak të sfidave që rrjedhin kryesisht nga mungesa e financimit”, shkruhet në komunikatën e Qendrës. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për mbyllje të përkohshme, duke filluar nga 1 shkurti 2024, në përgatitje për një rihapjeje të suksesshme pranverore dhe eksplorimin e partneriteteve të reja të qëndrueshme publike dhe private për të ruajtur qendrën për vitet e ardhshme. Qendra, e cila ka selinë në ish-ndërtesën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, ka sqaruar se hapësira qe rinovuar përmes investimit të Qeverisë së Luksemburgut, si dhe Ambasadës holandeze dhe UNDP-së si partner implementues në vitin 2022.
“Qendra u bë vendi qendror i bienales ‘Manifesta 14 Prishtina’, si dhe trashëgimia e saj e qëndrueshme për qytetin e Prishtinës. Në vitin 2023, CNP ka funksionuar falë mbështetjes së Fondacionit Manifesta, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe Komunës së Prishtinës, dhe disa partnerëve të tjerë publikë. CNP kërkon partneritete të qëndrueshme për të krijuar një trashëgimi afatgjatë dhe për të riinvestuar kapitalin material dhe jomaterial të shpenzuar tashmë në ndërtesë dhe programet e saj institucionale”, shkruhet në komunikatë.
“Mbyllja e përkohshme shënon një lëvizje strategjike nga CNP për të ngritur ofertën e saj dhe për të forcuar pozicionin e saj si një themel kulturor në Prishtinë. Institucioni pret mbështetjen e partnerëve të tij dhe të komunitetit ndërsa nis këtë rrugëtim transformues”, shkruhet në komunikatë.
“Manifesta 14 Prishtina”, që është mbajtur prej fundit të korrikut deri në fund të tetorit të vitit 2022, ishte marrë vesh me Komunën e Prishtinës që ta shfrytëzojë hapësirën për Qendër të Praktikës Narrative në mënyrë që vetë “Manifesta” ta sigurojë funksionimin e saj. Por gjërat nuk kanë shkuar ashtu.
Në inaugurimin e Qendrës ishte thënë se Komuna ia kishte dhënë “Manifestës” hapësirën në shfrytëzim për katër vjet dhe fondacioni ishte përgjegjës për sigurimin e fondeve që Qendra të bëhet institucion i qëndrueshëm.
KOHA mbrëmjen e së martës i ka drejtuar pyetje Qendrës për Praktika Narrative, por i është thënë se përgjigjet do të kthehen të mërkurën.
Në anën tjetër, dramaturgu Jeton Neziraj vazhdimisht ka thënë se impakti dhe trashëgimia e “Manifestas” në Kosovë do të jenë të barabarta me zero.
Për mbylljen e Qendrës ka thënë se është veç kronikë e një dështimi të paralajmëruar.
“Qendra për Praktikë Narrative ka qenë sall një zgjatim i një mashtrimi të madh, e mashtrimi s’ka se si të përfundojë, pos kësisoj, me dështim”, ka thënë ai.
Deputetja Eliza Hoxha ka thënë se mbyllja e Qendrës është mospërmbushje e obligimeve të “Manifestas”.
“Ata e kanë kërkuar objektin për shfrytëzim për katër vjet shtesë, e kanë zgjedhur vetë bordin menaxhues dhe kanë pasur t’i sigurojë fondet. Tani një vit pas hapjes dhe pas ‘Manifestas’ e shohim se si nuk ka menaxhim e as fonde. Sepse fondet nuk janë menaxhuar mirë dhe nuk është mbyllur auditimi tash e sa kohë pas përfundimit të ‘Manifestas’”, ka thënë Hoxha njëherësh arkitekte e artiste. Sipas saj, kjo i bie që mbi katër milionë euro të shpenzuara nuk kanë lënë gjë për t’u mbajtur në mend në Prishtinë.
“’Korridori i gjelbër’ është projekt krejtësisht i paqëndrueshëm dhe investim i kotë e Qendra për Praktikë Narrative mbyllet për shkak të menaxhimit të dobët”, ka thënë Hoxha.
Nëpërmjet një raporti të prezantuar në qershor të vitit të kaluar, “Manifesta” pretendonte se shifra prej 20.2 milionë eurosh është ajo që llogariste si impakt ekonomik gjatë periudhës 100-ditore prej 22 korrikut deri më 30 tetor të vitit 2022, bazuar në rezultatet e nxjerra nga Instituti GAP. Të dhënat e publikuara nga vetë drejtoresha e bienales nomade “Manifesta”, Hedwig Fijen, tregonin për një numër të madh vizitorësh, ku numri shkon deri në 139 mijë. Për organizatorët, shifra si këto ishin dëshmi se “Manifesta 14” është ngjarja më e madhe kulturore që ka ndodhur në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë.
Raporti me pompozitet ishte shpalosur në Qendrën për Praktika Narrative.
“Investimi total i institucioneve publike kosovare ishte 3.7 milionë dhe 1.7 milionë shtesë ishin siguruar nga ‘Manifesta’ përmes donatorëve si Ambasada holandeze në Kosovë. Impakti total ekonomik i ‘Manifestas’ ishte 20.2 milionë euro dhe kthimi nga investimet publike ishte 4 herë më i madh, që do të thotë se për çdo 1 euro të shpenzuar nga institucionet publike, në institucione lokale ekonomike janë kthyer 4 euro”, kishte shpjeguar ajo.
Atë ditë ishte thënë se veç Ministria e Kulturës në mënyrë direkte kishte investuar 1.9 milionë euro për ardhjen e “Manifestas” në Kosovë. Krahas kësaj, Qeveria kishte ndarë mjete bashkë me Komunën e Prishtinës. “Manifesta” kishte nënshkruar marrëveshje me shtetin në prill të vitit 2019, nëpërmjet të cilit Kosova jepte garanci financiare prej 4.6 milionë eurosh për mbajtjen e kësaj ngjarjeje në Kosovë. Një tjetër “shenjë” e “Manifestas” kishte qenë edhe shenjëzimi te “Kafet e Rakisë” në rrugën “2 Korriku”, por qe vetë Komuna e Prishtinës shpejt e zhbëri edhe atë ndërhyrje të arkitektit Carlo Ratti, e prezantuar jo pa pompozitet. Gjurma që ende frymon është majë hotelit “Grand”, ku shkruhet: “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”. Është vepra të cilën artisti Petrit Halilaj ia ka falur shtetit.