Manastiri i Shën Julitës dhe Qirikut që konsiderohen mrekulli e perla arkitekturore të periudhës së mesjetës pritet t’u nënshtrohet ndërhyrjeve konservuese.
Projekti do të financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Fondi i Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore të SHBA-së dhe Ambasada e SHBA-së në Shqipëri, përmes fondacionit për trashëgimi “Trashëgimia kulturore pa kufij” në Shqipëri.
Procesi është në fazën e shpalljes së tenderit, siç është bërë e ditur në një njoftim nga “CHwB Albania”.
Aty ftohen kompanitë e licencuara në zbatimin e punëve restauruese në fushën e trashëgimisë kulturore të dorëzojnë ofertat e tyre.
Projekti është emëruar si “Ndërhyrje Konservuese në ‘Manastirin e Shën Julitës dhe Qirikut’” dhe konsiderohet monument i kategorisë së parë. Gjendet në fshatin Dhuvjan të Gjirokastrës.
“Trashëgimia Kulturore pa Kufij –fton kompani që janë të licencuara në zbatimin e punëve restauruese në fushën e trashëgimisë kulturore të dorëzojnë oferta financiare / të vlefshme për punë në një objekt kulti, monument i kategorisë së parë për projektin: ‘Ndërhyrje Konservuese në ‘Manastirin e Shën Julitës dhe Qirikut’, në Dhuvjan, në Gjirokastër”, shkruhet në njoftim.
Manastiri është një monument arkitekturor i Mesjetës, ndërtuar në vitin 1588. Kjo perlë e rrallë shfaq zgjuarsinë e ndërtuesve mesjetarë, me nefin e saj në formë kryqi të kurorëzuar nga një kube madhështore.
“Gjashtë kolona tërheqin sytë nga kupola mbresëlënëse, një dëshmi e aftësisë së epokës në krijimin e strukturave të forta por elegante. Jashtë, kisha magjeps me përmasat e saj harmonike dhe arkitekturën e detajuar me përpikëri, duke ofruar një vështrim në të kaluarën”, përshkruhet objekti i trashëgimisë kulturore
Me historinë e saj të pasur dhe arkitekturën e jashtëzakonshme, Kisha e Shën Julitës dhe Qirikut në Dhuvian përtej një vend adhurimi, por një thesar i së kaluarës mesjetare të Shqipërisë: një ndalesë e paharrueshme për adhuruesit e historisë dhe të pasionuarit e arkitekturës.