Kulturë

“Malësori” i traditës së berberëve në Lipjan

Një dyqan i vogël në qendër të Lipjanit është vendi në të cilin dy persona ushtrojnë zejen e berberit. Janë babë e bir. Dyqani është gati monumental, me elemente të vjetra të kësaj zeje, që pothuajse kanë marrë epitetin e artefakteve.

Xhamail Haliti nuk është prej atyre zanatlinjve që ka nisur në moshë të hershme të marrë zanatin. Tregon se e ka filluar në vitin 1983, si 27-vjeçar. Madje zanatin e ka mësuar nga vëllai i tij më i vogël, po kështu një situatë jo aq e zakontë për trashëgimin e zanatit.

Zanati në ushtri

“Ai ka qenë ushtar, në atë kohë në ushtrinë e ish-Jugosllavisë, e atje e kish pasë marrë zanatin. E kur u kthy nisi të punojë te një mjeshtër këtu, mjeshtër Smajli quhej”, tregon Haliti.

Pas një viti që kishte punuar aty, vëllai i tij Sejdiu do të hapte dyqan më vete.

“Unë në atë kohë isha në studime në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. E po më thotë një ditë: ‘Hajde këtu derisa ta përfundosh fakultetin, nisja edhe ti puno’”, thotë më tej ai.

Vetëm një provim do ta linte Halitin pa diplomë të Shkollës së Lartë Pedagogjike. Në ndërkohë ai do të kërkonte punë tjetër. Por kërkesa e vëllait të tij do ta përcillte vazhdimisht.

“Ka qenë kohë e vështirë për t’u punësuar atëherë. Ishin ato diferencimet ideopolitike, nëse nuk ke qenë në Lidhjen Komuniste e ke pasë shumë zor me hy në punë të shtetit”, shprehet Haliti.

Do të niste t’i qëndronte pranë vëllait të tij, në dyqanin që, si sot edhe atëherë, njihej me emrin “Malësori”.

“Kur je i interesuar në një punë, nuk ka dallim mosha”, thotë Haliti.

Rreth një vit kryesisht do të vëzhgonte, por edhe do të punonte kohë pas kohe.

“Edhe atëherë ka qenë njëfarë kohe që i kanë kushtu rëndësi flokëve. I mbanin floktë më të gjata dhe ato zylyfet, që nuk ka qenë bash kollaj me u rregullu. Tash me këto makinat, e fut 3-shin, 2-shin a 1-shin... është shumë më lehtë”, thotë ai. “Atëherë duhej të punonim vetëm me gërshërë, edhe disa makina i kemi pasë me dorë, që ka qenë vështirë të punohet”.

“Pa pare nuk të lë, por para kurrë nuk mund të bësh”

Haliti thotë se deri në vitin 1995 pothuajse kanë qenë të vetmit berberë shqiptarë në Komunën e Lipjanit.

Image

Pamja e dyqanit “Malsori” është kësisoj prej vitit 1985


“Kanë qenë edhe 3-4 serbë që kanë punuar, por shqiptarë të tjerë nuk ka pasë. Ne atëherë kemi pasë shumë punë. Vinte mësuesi i shkollës fillore e të mesme, e sillte gjithë klasën”, thotë Haliti.

E ka një dilemë.

“Shpesh mendoj mos kam hy në gjynah me veten. E pisha duhanin në atë kohë, nuk kisha kohë as një cigare me ndez siç duhet”, thotë Haliti teksa shton se me këtë zanat është vështirë të mbërrihet diçka.

Xhamail Haliti nuk është prej atyre zanatlinjve që ka nisur në moshë të hershme të marrë zanatin. Tregon se e ka filluar në vitin 1983, si 27-vjeçar. Madje e ka mësuar zanatin nga vëllai i tij më i vogël. E krahas tij punon edhe i biri, Nevzati. Objekti që ka të njëjtën pamje që prej vitit 1985, ka vlera monumentale. Aty ruhen mijëra ngjarje e rrëfime, ashtu sikurse edhe tradita që vazhdon

“Pa pare nuk të lë, por para kurrë nuk mund të bësh”, thotë duke qeshur ai. Tash ai thotë se janë bërë shumë berberë në Lipjan.

“Unë i kam ata myshterinjtë e gjeneratës sime. Në vendet tjera tradita çmohet shumë. Këtu nuk është interesimi i njerëzve me shiku a është mjeshtri pak më i vjetër a ka traditë, a është më profesionist, por thjesht hajt të kryejë punë. Sot një i ri me pak kurs që e bën nis të shkurtojë flokë, sepse edhe është më lehtë. Por kur te shikosh, më mirë le të punojnë e të marrin një pagë se me bredh rrugëve”, thotë ai.

Pamja e dyqanit “Malsori” është kësisoj prej vitit 1985. Bashkë me vëllanë e tij ai do të punonte në këtë lokal deri në vitin 1998.

“Pak para se të niste lufta, ai shkoi për Amerikë. Unë u ktheva këndej pas luftës. Djali vinte këtu edhe na shikonte kohë pas kohe, dhe gradualisht e mori zanatin”, thotë ai.

Orenditë nuk janë ndërruar thuajse asnjëherë, ndërsa karriget janë ndërruar një herë, megjithatë Haliti beson se ka së paku 30 vjet që i ka në lokal.

“Ne jemi mësu me to. Më pëlqejnë më shumë se këto të rejat”, thotë ai.

Pasi ishte përcaktuar për zanat, e kishte lënë anash shkollimin. Haliti kishte kryer edhe trajnimin e nevojshëm për certifikim në zejen e berberit.

“Gjashtë muaj te një mjeshtër është dashur të shkosh. Ka qenë një komision i cili bënte vlerësimin”, thotë ai. “Ndodhte deri në 4 – 5 herë e rrëzonin njeriun. Ka pasë kontroll më të rreptë atëherë”, thotë ai më tej.

Haliti insiston se në këtë zanat, nëse je i interesuar e mëson lehtë, por nëse nuk të pëlqen kurrë nuk mund ta përsosësh.

Kur krahason kohët, Haliti thotë se në të kaluarën edhe trajtimi i shtetit për zanatlinjtë ka qenë më i mirë.

“Në këtë kohë nuk na ka këqyr kush me sy. Nuk e këqyr kurrkush njeriun e drejtë e punëtor, por vetëm për interes”, shpreh mllefin ai.

E, megjithatë, teksa kthehet pas për të kujtuar të kaluarën, ndalet te disa ngjarje që i kanë ndodhur.

“Nja tri-katër vjet pasi nisa punën, erdhën me u qeth disa kroatë që patën ardh me jetu në Lipjan. Njëri e ka pasë një mjekër të gjatë, e marr me e rru, nuk mundem. Sikur mu shtangën duart. Dikur i them atij vëllait, a po e merr me rru se nuk di çka i bëj këtij”, kujton Haliti, që ende nuk ka shpjegim për atë se çfarë i kishte ndodhur në ato momente.

E pak para luftës së fundit në Kosovë, një serb lokal kujton se i sillte telashe.

“Ka qenë njëri që vinte, dhe kurrë nuk shikonte as a ka rend a jo, ulej. Donte veç me kriju konflikt. Njëherë pat qillu bile një polic në radhë, e më tha: ‘Po e lajmëroj’. I thashë: ‘Bën çka të dush, a po e sheh çfarë po më bën’. Por kurrë nuk janë marrë masa ndaj tij. Çfarë, ata i kanë nxitë edhe vetë”, thotë më tej ai.

Tradita që nuk çmohet

Megjithatë, gjithë këto vite punë, 66-vjeçari shpreh krenari.

“Nuk më ka ndodh me u çu dikush prej karriges e me u nda i pakënaqun a me thanë: ‘Nuk më rregullove mirë’. Por edhe unë kurrë nuk jam mundu veç me masku njeriun sa për me qit prej lokalit, e le të bën çkado më pas”, thotë ai.

E shton edhe një gjë.

“Më besoni, ende pyesin myshterinjtë për vëllanë tim, se ku është e qysh është. Aq shumë që kanë pasë respekt për të”, thotë Haliti.

Krahas tij punon edhe djali i dytë i tij, Nevzat Haliti. Të dy shprehin kënaqësi që janë pranë njëri-tjetrit, në dy karrige të ndryshme në të njëjtin lokal.

“Edhe një vëlla i imi ka punuar para meje, por e la. Punë e lehtë nuk është hiç. Por kur e don e mëson dhe nuk e ndien lodhjen”, thotë Haliti i ri, tek shton se ka kënaqësi që punon përkrah të atit.

Shpejt ndërhyn i ati.

“Është shumë interesant, është shumë kënaqësi e madhe se një fëmijë e ke bërë në bukë të veten. Prindi ka dëshirë që me pa fëmijën e vet më mirë se veten. Unë kënaqem kur më thonë se djali po qeth mirë. Krenohem se po lë një pasardhës të mirë, një mjeshtër e një djalë të mirë pas”, thotë ai.

Megjithëkëtë, Nevzati është skeptik për të ardhmen në këto kushte.

“Kështu është problem me mbijetu, me këtë lokalin tonë në këtë mentalitet. Nuk ia dinë fort vlerën. Në Perëndim kjo çmohet më shumë, e këtu si të hap dikush një dyqan të ri, të gjithë vrapojnë”, thotë ai.

Image

Dyqani i berberëve të dy gjeneratave...