Kulturë

Makri: Pas suksesit të “Zgjoit”, kineastët shqiptarë nuk anashkalohen lehtë

Si bashkëpunim aktual midis Kosovës e Shqipërisë, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Eduard Makri, ka përmendur ligjin për kinematografi sikurse taksën e sheshtë me shesh xhirimet, ku Shqipëria ka detin dhe Kosova ka malet. Filmi “Zgjoi” ka qenë një promovues mjaft i mirë, ku artistët shqiptarë të filmit kur të paraqesin projektet e tyre për financim nuk do të anashkalohen lehtë. Suksesin e “Zgjoit” e gjen te tema e zgjedhur nga regjisorja Basholli, ndërkohë që sipas tij tashmë edhe në Kosovë fatkeqësitë duhet hedhur prapa krahëve dhe të shihet përpara dhe kjo vlen edhe për temat që duhet t’i zgjedhin regjisorët

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK) në Shqipëri, Eduart Makri, thotë se bashkëpunimi me Kosovën nuk ka reshtur dhe do të vazhdojnë në të ardhmen. Makri thotë se Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri ka qenë bashkëfinancuese e disa filmave që janë prodhuar në bashkëpunim me artistët nga Kosova. Sipas Makrit, bashkëpunimi me ish-drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka qenë shumë i mirë, ndërkohë shpreson se i njëjti bashkëpunim do të vazhdojë edhe me pasardhësin e tij.

“Aktualisht me Qendrën e Kinematografisë së Kosovës po bashkëpunojmë për Ligjin e kinematografisë, ku Shqipëria tashmë ka një ligj për kinematografinë”, ka thënë ai për KOHËN. Një tjetër fushë bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë është “ai i shesh xhirimeve, ku Shqipëria ka detin dhe Kosova ka malet”.

“Ne tashmë në Shqipëri kemi Ligjin e kinematografisë që përmes taksës së incentit na lejon t’i nxisim grupet e mëdha që duan të vijnë të xhirojnë në Shqipëri për shumë arsye, për koston e ulët që ka grupi i filmit, për vendet e xhirimit, të cilat janë të rralla dhe mund të vish t’i aksesosh me më pak shpenzime, sesa në vendet e tjera. Pra, do të krijojë një mekanizëm, i cili do ta lejojë industrinë kinematografike të zhvillohet shumë më tepër. Në këtë aspekt ne mund të bashkëpunojmë me Kosovën, ku grupeve që vijnë në Shqipëri t’ua rekomandojmë Kosovën për shesh xhirime në male ku mund të realizojnë të ardhura”, thotë Makri.

Mençuria e artistëve shqiptarë – tema

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, e ka vlerësuar lart filmin “Zgjoi” të Blerta Bashollit. Ky film, sipas Eduart Makrit, ka qenë një promovues mjaft i mirë për kineastët shqiptarë.

“Artistët shqiptarë të filmit kur të paraqesin projektet e tyre për financim nuk do të anashkalohen lehtë, pasi do t’u kujtohet shqiptarja Blerta Basholli me filmin ‘Zgjoi’ që u përzgjodh në listën e ngushtë për ‘Oscar’”, thotë Makri. Sipas tij, Kosova është me fat që një grup artistësh, kryesisht gra e vajza që janë shkolluar jashtë vendit po kthehen në Kosovë dhe po korrin sukses me filmat e tyre. Megjithatë, sipas Makrit, suksesi i “Zgjoit” ishte tema e zgjedhur nga regjisorja Basholli. Ka thënë se edhe në Kosovë fatkeqësitë duhet hedhur prapa krahëve dhe të shihet përpara dhe kjo vlen edhe për temat që duhet t’i zgjedhin regjisorët.

“Disa artistë kosovarë, kryesisht femra kanë ditur ta shfrytëzojnë më mirë vëmendjen që historia solli mbi Kosovën. Kanë ditur ta trajtojnë profesionalisht temën e ditës. Ne e kuptojmë shumë mirë që nuk mund të bëjmë filma që bën Hollywoodi, që shpenzon miliona dollarë dhe nuk kemi asnjë interes që t’i bëjmë këto gjëra. Atëherë mençuria e artistëve shqiptarë është që të zgjedhin një temë të tyren, e cila i përfaqëson ato nga pikëpamja historike, sociale dhe ta trajtojnë në një mënyrë profesionale. Filmi ‘Zgjoi” është një film mjaft interesant bazuar në një histori të vërtetë, krahasuar me filmat që shpeshherë kinematografitë e vogla bien pak viktimë e këtyre vuajtjeve, të pashpresë, gjërave të mbyllura. Ky film është shumë interesant sepse i bazuar mbi një histori të vërtetë jep një mesazh shumë pozitiv mbi jetën. Fatkeqësitë ndodhin pa na pyetur ne. Atëherë ne kemi dy rrugë: ose të nënshtrohemi ndaj këtyre fatkeqësive ose ta hedhim prapa krahëve këtë gjë dhe të ecim përpara dhe të shohim anët pozitive, gjithashtu dhe ta zhvillojmë pjesën e mbetur të jetës në mënyrë pozitive dhe produktive”, ka thënë ai.

Aktori e regjisori Makri, ka thënë se mesazhi është mjaft i mirë nga ana njerëzore.

“Po ta shoshësh edhe shoqërinë tonë disa gjëra të së kaluarës duhen hedhur dhe duhet të shohim përpara”, thotë Makri. Megjithatë, tematika e filmave është e lirë.

“Artistët janë të lirë të bëjnë çfarë të duan në një sens dhe ta shfrytëzojnë talentin e tyre dhe të qenët qytetarë për të ngritur problemet që ka shoqëria sot, të cilat janë të shumta. Ne kemi aq shumë probleme dhe aq shumë ushqim, por jo gjithmonë ky lloj ushqimi në mënyrë profesionale vjen në ekran dhe lidhet me spektatorin. Kjo hapësirë, ky gardh që i themi ne, ky është qëllimi i artistit që të ngushtojë këtë hapësirë në mënyrë krijuese, në atë që do të thotë edhe në atë që thotë, të ngushtohet nga ana artistike dhe njëherësh ngushtohet distanca midis tij dhe spektatorit”, thotë Makri.

Marrëveshja që hap mundësi për bashkëprodhime

Për të viti 2021 ka qenë një vit pak a shumë i suksesshëm edhe për kinematografinë shqiptare.

“Dy ose tre nga filmat shqiptarë kanë marrë disa vlerësime, si për shembull filmi i Bujar Alimanit, ‘Virgjëreshat shqiptare’, hapi Festivalin e Varshavës dhe mori disa çmime në këtë Festival. Për fat të keq nuk kemi një kritikë zyrtare mbi kinematografinë që të ulet dhe të zbatojë si të thuash veprën artistike me profesionistë, kështu që i vetmi ballafaqim i yni kritik në filmat janë festivalet”, theksoi Makri. Ndërkohë, që si sukses të Qendrës që ai drejton, tash e gati tre vjet ka veçuar edhe Marrëveshjen Evropiane për bashkëprodhimet kinematografike.

“Marrëveshja Evropiane për bashkëprodhimet kinematografike tashmë është realitet dhe ka kaluar. Kjo do të ndihmojë dhe do të krijojë një mundësi më të madhe për të gjithë ato që duan të bëjnë bashkëprodhime kinematografike me rajonin dhe Evropën. Po flasim për kinematografi që kanë buxhete jo shumë të mëdha, buxhete të vogla. Gjithsesi kjo i mbron këto prodhime qoftë në pikëpamje të gjuhës, kur futen gjuhët e vogla, ose gjuhët ku financimi është i paktë. Me këtë rast këto trajtohen njësoj si të barabartë. Pra, është një element pozitiv”, thotë ai.

Elementi tjetër për të cilin thotë të kenë punuar me intensitet, pavarësisht ngadalësimeve, kanë qenë disa ndryshime në Ligjin mbi kinematografinë, të cilat do ta modernizojnë ligjin.

“Kemi futur një element, elementin e taksës së incentit, pra një mekanizëm, i cili nuk ka qenë në ligjin e mëparshëm dhe do të shtyjë përpara investimet në fushën e kinematografisë”, thotë ai. Drejtori i QKK-së në Shqipëri ka thënë se kanë buxhet të vogël, megjithatë, sipas tij, kineastët shqiptarë kanë fituar shtatë projekte që kanë aplikuar në “Euroimage” në dy vjetët e fundit. “Kemi buxhet të vogël, por nga ana tjetër ne kemi, le të themi, që në qoftë se kemi një x kërkesë për filma në të gjithë sektorët, ne mbështesim kryesisht 1/3 e kërkesës dhe kjo është për arsye të konkurrencës dhe jo për mungesë fondesh. Të gjitha projektet kinematografike që financohen nga QKK-ja në mënyrë të detyrueshme duhet të aplikojnë në ‘Euroimage’, për të marrë fondet e tyre në qoftë se kanë një ose më shumë bashkëprodhues. Këta dy vjetët e fundit ka një rritje të konsiderueshme të numrit të projekteve që fitojnë aty. Në dy vjet kanë fituar shtatë projekte që i bie mesatarisht një aprovim projekti për mbledhje, nga tri mbledhje që mbahen në vit. Ajo që unë shpresoj që të ndodhë në të ardhmen është sepse në krahasim me projektet e vendeve të tjera, ata që fitojnë në ‘Euroimage’, zakonisht marrin çmime të rëndësishme në Evropë, në Cannes e të tjera. Ne kemi filluar që ta ndiejmë një gjë të tillë, jo në atë masë që unë shpresoja, por kinematografia është një proces. Nuk bëhet në 24 orë. Do një brez që të vijë, të eksperimentojë, të punojë dhe të presë rezultate”, ka përfunduar drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, Eduart Makri.