I shtrirë 192 kilometra, shtegu “Majat e Ballkanit” lidh tri kombe të shkatërruara më parë nga lufta dhe kalon nëpër disa nga peizazhet më pak të eksploruara të kontinentit
Duke ecur nëpër luginat e gjelbra dhe livadhet e shpërndara nga lulet e egra nën rrezet flakëruese të diellit, me Alpet Shqiptare gëlqerore që ngrihen lart e më lart, u impresionova nga largësia e plotë e këtij peizazhi. Ndryshe nga vendpushimet më të famshme alpine të Evropës, nuk kishte hotele apo teleferikë në horizont. Në vend të këtyre, mjedisi gjithëpërfshirës ngjalli një ndjenjë befasuese izolimi dhe nuk mund të mos ndihesha se kisha hyrë në një tokë sekrete, në pjesën e pasme, që i ishte shmangur disi vëmendjes së botës së jashtme.
Shtrirë midis Shqipërisë Veriore, në jug të Kosovës dhe në pjesën verilindore të Malit të Zi, Alpet Shqiptare njihen më mirë me emrat vendas shqip (Bjeshkët e Nemuna) dhe serbokroatisht (Prokletije) – që në të dy rastet kanë të njëjtin kuptim. Megjithatë, pyetja se si këto shpate gëlqerore të thepisura e morën emrin e tyre të pazakontë, mbetet një mister.
Sipas legjendës lokale, djalli shpëtoi nga ferri dhe krijoi shkëmbinjtë e thepisur akullnajorë, në një ditë të vetme të ligë. Disa thonë se emri i Alpeve rrjedh nga një grua që mallkoi malet kur, në një ditë vape, po shkonte nëpër to me fëmijët e saj dhe nuk po mund të gjente ujë. Të tjerë pretendojnë se ushtarët sllavë ua dhanë maleve emrin e tyre teksa përpiqeshin të marshonin nëpër to. Në njëfarë mënyre, historia e çuditshme e origjinës së majave është diçka si një metaforë për Shqipërinë në tërësi.
E quajtur prej kohësh “enigma e Evropës” nga autorë librash dhe nga guida udhëtimi, Shqipëria është ndoshta vendi më i keqkuptuar në Evropë. Gjuha e saj është një anomali semantike pa asnjë të afërm të njohur në familjen gjuhësore indoevropiane. Pas Luftës së Dytë Botërore, sundimtari autoritar Enver Hoxha e mbylli efektivisht kombin malor nga bota e jashtme për katër dekada; ndalimi i fesë (duke e bërë atë kombin e parë ateist në botë); duke ndaluar udhëtimet dhe duke e shtyrë Edi Ramën, kryeministrin aktual të vendit, të thotë se Shqipëria dikur ishte “Koreja e Veriut e Evropës”. Gjatë Luftës së Ftohtë, Hoxha e bindi kombin se pjesa tjetër e botës donte ta përmbyste shtetin e tyre komunist, kështu që ai e mbushi vendin me diku 500 mijë bunkerë betoni që njerëzit të fshiheshin në rast sulmi.
Çuditërisht, bastioni komunist nuk ishte kurrë pjesë e Bllokut Lindor dhe që nga transicioni i tij në demokraci në 1991, nuk ka qenë kurrë anëtare e Bashkimit Evropian. Në vend të kësaj, ajo ekziston si një lloj paradoksi kontinental: është një nga dy vendet e vetme me shumicë myslimane në Evropë (së bashku me Kosovën fqinje); më shumë shqiptarë jetojnë jashtë vendit (afërsisht 10 milionë) sesa në të (2.8 milionë); dhe është një vend ku “po” do të thotë “jo” dhe “jo” do të thotë “po”.

Për dekada, pak udhëtarë dinin diçka për plazhet e arta të Shqipërisë, për malet e egra dhe rrënojat romake dhe otomane. Por në vitet që kur kombi ballkanik u hap me kujdes ndaj botës, ai ka tërhequr udhëtarët e etur për të zbuluar një nga qoshet e fundit të egra dhe më pak të eksploruara të Evropës. Një nga projektet e tij më të guximshme në kujtimet e fundit është “Majat e Ballkanit”- një shteg rrethor ecjeje 192 kilometra që lidh Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën përmes një sërë shtigjesh që shtrihen në Bjeshkët e Nemuna.
Vizioni për këtë projekt ndërkufitar erdhi në vitin 2013, por rrënjët e tij shkojnë shumë më larg. Shumë shqiptarë dhe kosovarë i referohen marrëdhënies së tyre të ngushtë si “një komb, dy shtete”, siç theksohet në sloganin popullor shqiptar “Jemi një”.
Në fakt, 93 për qind e kosovarëve janë etnikisht shqiptarë dhe flasin shqip. Kosova (më parë pjesë e Serbisë) dhe Mali i Zi u inkorporuan në Jugosllavinë e sapoformuar në vitin 1918, por shpërbërja e vendit në vitin 1992 shkaktoi një seri konfliktesh të ashpra etnike, pasi Serbia dhe Mali i Zi janë kryesisht të krishterë ortodoks. Si rezultat, qindra mijëra kosovarë u larguan nga shteti i tyre, duke kaluar nëpër Bjeshkët e Nemuna në Shqipëri. Në vitin 1999, sulmet ajrore të NATO-s i dhanë fund një lufte mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Kosova përfundimisht fitoi pavarësinë në vitin 2008, por tensionet përgjatë këtyre kufijve vazhduan.

Në një përpjekje për të rivendosur paqen, udhëheqësit e tri kombeve sugjeruan një shteg ecjeje që lidhte komunitetet myslimane, katolike dhe ortodokse (Serbia dhe Mali i Zi ishin një komb deri në vitin 2006), me guidat shqiptare dhe kosovare të ecjes në partneritet me bujtinat malazeze. Që nga hapja, rruga ka nxitur rritjen e ekonomisë rurale lokale dhe ka ndihmuar në krijimin e një lidhjeje më të madhe midis këtyre enklavave të largëta.
Krijimi i shtegut nënkuptonte hartim të rrugëve të njohura vetëm për barinj dhe mbështetjen e fermerëve për të hapur bujtina. Vula përfundime e miratimit erdhi kur planifikuesit i bindën autoritetet e tri vendeve që të hiqnin dorë nga kontrollet e pasaportave, në një kohë kur lëvizja e lirë përtej kufijve ishte e paimagjinueshme.
Për të mësuar më shumë, vendosa të merrja një shëtitje pesëditore, prej 59 kilometrash, në fshatin shqiptar Theth të Valbonës.
Aventura ime filloi në kryeqytetin e Shqipërisë në Aeroportin e Tiranës, ku ciceronët e mi (Mendi nga Shqipëria dhe Agoni nga Kosova) nga kompania turistike “Zbulo” më përshëndetën me një buzëqeshje të madhe dhe më njohën me një duzinë tjetër alpinistësh nga Britania, Gjermania dhe Zelanda e Re. Pas një kontrolli katërorësh në veri, arritëm në Liqenin e Komanit, një rezervuar i madh smeraldi jeshil mbi lumin Drin. Për të hyrë në Bjeshkët e Nemuna, hipëm në një traget të vjetër për një shëtitje tri-orëshe deri në Luginën e Valbonës, teksa mbi kokat tona shqiponjat ngriheshin lart.

Shëtitëm përgjatë lumit të kristaltë të Valbonës përmes një pylli të lashtë ahu të mbushur me luleshtrydhe dhe manaferra të ëmbla, të egra, që ndalova për t'i shijuar. Pas tri orësh, bujtinat tona u shfaqën: një koleksion kasollesh fshatare përballë Bjeshkëve të Nemuna, të cilat dilnin drejt qiellit me mprehtësinë e dhëmbit të një krokodili.
Mustafa, një ish-bari, është pronar kasollesh së bashku edhe me dy djemtë e tij. E pyeta pse hoqi dorë nga të qenit bari për të drejtuar një bujtinë.
“Në punën time të mëparshme kisha shumë udhëtarë dhe shëtitës që rrinin me mua, por kurrë nuk kam marrë para. Një bari nuk kujdeset vetëm për kafshët, por edhe për njerëzit”, tha ai. Më vonë, Mendi shpjegoi se Mustafa kishte pasur aq shumë mysafirë që kishin qëndruar te ai një natë, saqë ai e bindi të ndryshonte punën. Kështu, Mustafa përdori kursimet e tij, ndërtoi më shumë kasolle dhe që atëherë i është përkushtuar kujdesit tët udhëtarëve dhe këtë e bën me orar të plotë.
Mëngjesin tjetër, një ngjitje dyorëshe na pa të mbërrinim majën e Malit Trekufiti (2.366 metra). Këtu kufijtë natyrorë të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi u bashkuan në një pamje të thepisur panoramike. Një tabelë e rrahur nga moti na mirëpriti në Shqipëri dhe brenda pak minutash, operatori im telefonik më mirëpriti në Mal të Zi. Sot, këto shenja janë treguesi i vetëm i kufijve ndërkombëtarë, por nuk ka qenë gjithmonë kështu.
“Teksa po rritesha, bredhja nëpër male, ndjehej si liri, por lufta do të thoshte që nuk mund të shkoja [gjithmonë] atje”, më tha Agoni, teksa kaluam një përrua të vrullshëm të ushqyer nga majat akullnajore të maleve. “Kur mbaroi lufta, doja të bëhesha një udhërrëfyes ecjeje dhe t’i ndihmoja fëmijët e qytetit tim (Gjakovë afër kufirit me Shqipërinë) të eksplorojnë atdheun e tyre të bukur” – gjë që tani është e mundur që nga prezantimi i këtij shtegu.

Në vitin 1998, kur Agoni ishte 13 vjeç, babait të tij iu desh të mbronte familjen e vet nga forcat jugosllave që vinin nga Serbia dhe Mali i Zi, kur tensionet midis shqiptarëve, serbëve dhe Qeverisë jugosllave sa vinin e rriteshin. “Ne ishim të frikësuar, askush nuk po vinte për të na ndihmuar... ne duhej të mbroheshim”. Agoni papritmas u bë shumë emocional teksa fliste për atë që ndodhi më pas. Kjo histori është e pashmangshme përgjatë shtegtimit; pak më vonë, në një shteg të vetmuar mes fshatrave të barinjve, ai tregoi një memorial kushtuar tre pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vrarë atje nga forcat serbe.
Kaluam në Mal të Zi përmes shkëmbinjve të mbuluar me myshk në ujërat akullnajore të Liqenit të Hridit, sipërfaqja e tij e qetë, e ngjashme me xhamin, pasqyron bredhat me gjemba dhe pishat përreth tij. Teksa dielli i pasdites dilte nëpër tendën me gjemba, ne zgjodhëm ngadalë rrugën drejt tatëpjetës. Papritur, në vendpushimin tonë u shfaq një hapësirë idilike që na lejoi të shihnim pamjet mbresëlënëse të malit të Bogiqevicës.
Ballkani është i famshëm për mikpritjen e tij – dhe për servimin e porcioneve bujare të ushqimit. Operatorët turistikë si “Zbulo” organizojnë të gjitha akomodimet përgjatë shtegut, dhe mikpritësit tanë të bujtinave në fshatin Babino Polje ishin Mihajlo dhe Jelena, një çift i martuar. Mihajlo ishte krenar për gjizën e tij të bërë në shtëpi dhe reçelin e kumbullës, Jelena përgatit të gjitha vaktet e tyre. Ata janë të dy të krishterë ortodoksë dhe Jelena shpjegoi se Babino Polje ishte relativisht paqësore deri në vitet 1990. “Politikanët tanë donin një konflikt dhe e bënë fenë problem”, tha ajo. “Po të ishte ndërtuar kjo rrugë 30 vjet më parë, ndoshta nuk do të kishte pasur luftë. ‘Majat e Ballkanit’ u ofron shpresë komuniteteve tona”.
Akomodimet përgjatë shtegut variojnë nga shtëpitë e lëmuara deri te kasollet e thjeshta, dhe në fshatin e vogël shqiptar të Dobërdolit, afër kufirit me Malin e Zi dhe Kosovën, dushet e ftohta dhe tualetet ku duhesh galiç, janë normë.
Margarita ndihmon në drejtimin e bujtinës në Dobërdol. Duke pirë kafe, ajo shpjegoi: “Jam mjaft e vjetër për të kujtuar kohën kur fshati ynë ishte nën komunizëm. Familja ime dhe unë jemi katolikë dhe Qeveria mund të na ndëshkonte nëse do të shkonim në kishë”. Kujtoi gjithashtu varfërinë gjymtuese dhe paranojën e lidhur me regjimin e Hoxhës. “Jeta ishte e vështirë, por arratisja nuk ishte kurrë një opsion për mua. Nëse autoritetet e zbulonin, familja ime do të ishte në burg, ose më keq”.

Në ditën tonë të fundit, u nisëm për udhëtimin e shumëpritur drejt kullave ikonike shkëmbore të majës së Karanfilit (2,461 metra). Gjeologu francez Ami Boué e përshkroi këtë pjesë të Bjeshkëve të Nemuna si “vargmalin më të pashpjegueshëm, më të paarritshëm dhe më të egër në Ballkan”.
U ngjitëm pjerrtas në 800 metra, duke përshkuar me shkathtësi një kreshtë të ngushtë përpara se të arrinim majat binjake, të cilat ofronin pamje spektakolare të majave gëlqerore dhe luginës së Grebajës. Në majë, mund të shihnim Bjeshkët e Nemuna me gjithë lavdinë e tyre. Vargu malor i ngjante një fortese të ndaluar, pothuajse si ato të J.R.R. Tolkienit.

Ngjitjen tonë e përfunduam në Theth, një fshat shqiptar i rrethuar nga kullota të gjelbra dhe male madhështore, përrenjtë, të ftohtët malor të të cilëve rridhte nga nënura gungaçe osmane. Në fillim të viteve 1900, udhëpërshkruesja angleze Edith Durham shkroi për fshatin: “Mendoj se asnjë vend ku jetojnë qeniet njerëzore nuk më ka dhënë një përshtypje të tillë të izolimit madhështor nga e gjithë bota".Nëse Shqipëria është enigma e Evropës, ecja në këtë shteg më ndihmoi të kuptoja shumëçka për të. Duket se ky ish-shtet totalitar, i cili dikur u përpoq kaq dëshpërimisht të mbante botën jashtë, po përdor udhëtimin e ngadaltë si një mënyrë për të ftuar njerëzit brenda dhe për t'u mësuar atyre diçka se si një vend mund të shërohet dhe të ndryshojë
Përktheu: Mirjetë Sadiku. Marrë nga: BBC