Mjeshtrit italian të operës nuk i janë dashur më shumë se pesë ditë, që me trembëdhjetë zëra të konstatojë se skena operistike në Kosovë ka të ardhme. “Gjenerata e re” ka qenë koncerti i tretë i “Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj“ – pas atij kushtuar Nexhmije Pagarushës dhe atij që solli jazz – që ngjarjes operistike ia nxjerr në pah edhe misionin: të identifikojë emra të rinj
“New Generation” (Gjenerata e re) ka qenë koncerti i parafundit për këtë edicion të katërt të “Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj“. Njëjtë sikurse vitet paraprake, hapësirë e veçantë u dedikohet dhe talenteve të reja të cilët plot zell e pasion presin t’u hapen dyer si këto. Si mbështetje evidente del të jetë pikërisht “RLIOF”, ku nëpërmjet masterklasave me emra të njohur ndërkombëtarë, interpretuesve të rinj nga vendi e rajoni që kanë zgjedhur lirikën operistike si rrugëtim ua siguron “biletën” për eksperienca që rrallëherë do të përjetoheshin në kushte të tjera. Një e tillë është dhe masterklasa me trajnerin italian të vokalit, Dario Russo.
Prestigjiozja italiane, “La Repubblica”, e ka përkufizuar atë si një bass me një “ton fisnik”. Russo është i specializuar në repertorin Belcanto, gjatë karrierës së tij, ai ka interpretuar në shtëpitë kryesore të operës në Itali dhe në Evropë në vepra të shquara. I diplomuar në gjuhë dhe letërsi ruse dhe gjermane, zotëron një repertor në gjuhë të huaja, ndër të cilat ai ka shkëlqyer si në repertorin francez, ashtu edhe në atë gjerman. Ndër teatrot dhe sallat e koncerteve ku ai ka interpretuar janë Teatro alla Scala e Milanos, Teatri i Operës në Romë “Bunka Kaikan” në Tokio e shumë e shumë të tjerë.
Në mesin e aktiviteteve me të cilat një profil i tillë angazhohet, ai ka futur dhe masterklasën për të rinjtë e Kosovës e vendeve të rajonit. Materklasi i cili nisi më 23 korrik u kurorëzua me një mbrëmje ku koncertuan trembëdhjetë studentë të muzikës klasike.
Soprano, tenorë e mexosoprano kanë zgjedhur nga një arie më ambicioze se tjetra, por veç ambicies, duket se puna intensive njëjavore me mjeshtrin Russo u shpagua me performanca të arrirë nga të trembëdhjetit. Në pamje të parë ishte një koncert simpatik e plot shpresë në horizont, e vendi ku ngjau – Galeria e Fakultetit të Arteve, e stolisur që nga 21 korriku me kryevepra të piktorëve kosovarë nga ekspozita “Athua ëndërr ishe ti” që hapi këtë sezon të RLIOF-it – ishte simbolikë e dukshme, ku tablotë e Engjëll Berishës, Muslim Mulliqit, Simon Shirokës e të tjerëve, u jepnin kurajë e shtysë me vetë suksesin e peshën e përbrendësuar në to. Egzona Hoxha, Edina Pllana, Tamara Angelovska, Yllka Demukaj, Blenda Kelmendi, Neron Kacerja, Martina Lekaj, Klajdi Karaj, Anita Kërhani, Anna Tafani, Erald Rrustaj, Juana Shtrepi e Fiona Llapashtica interpretuan pjesë nga emra të mëdhenj të muzikës klasike si Verdi, Puccini, Mozart, por nuk u lanë anash as kompozitorët shqiptarë si Feim Ibrahimi.
Në formacione të tilla gabimet janë më të pritshme përgjatë interpretimeve, ankthi është evident gjithashtu, emocionet po se po, por mbi të gjitha ai që i ka qëndruar afër 13-shes ishte më i stresuar, ani pse në skenë krejt ia dolën denjësisht.
“Ishte një javë e shkurtër që punova me këngëtarë që s’i kam takuar asnjëherë më parë dhe procesi ishte i shpejtë, duhej të kuptoja se çfarë ata po bënin dhe se si do të përmirësoheshin me eksperiencën time. Është e vështirë, sepse përfshin aspekte të ndryshme, perceptimi i trupit, puna me frymëmarrje, ndjenjat, impenjimi emocional. Por këtu gjeta shumë këngëtarë të hapur, disa ishin më të rinj, të tjerët ishin më të avancuar, por në përgjithësi ishin të entuziazmuar për ta gjetur veten. Mund ta shihja në sytë e tyre që po mundoheshin të bënin gjëra të reja dhe jam shumë i lumtur që ata dolën shumë mirë me performancën”, është shprehur Russo në një prononcim për KOHË-n.
Në serinë e arieve plot emocion e histori, koncerti shërbeu mbi të gjitha si një dëshmi e përkushtimit dhe rritjes së tyre, duke e shënuar mbrëmjen si një moment të rëndësishëm në udhëtimin e tyre operistik. Një muzikant i ri që studion muzikë klasike kalon nëpër një udhëtim fort kërkues, jo të lehtë. Ushtrime të rrepta vokale, kontrolli i frymëmarrjes, saktësia e notave dhe cilësia e tonit në të gjitha gamat për të mos u hyrë teknikave. I dukshëm është entuziazmi e gatishmëria që të përballen me vendndalesat e tjera të këtij udhëtimi.
Aria “Ach, ich fühl’s” nga opera “Flauti Magjik” e Wolfgang Amadeus Mozartit ishte zgjedhja e sopranos Martina Lekaj. E pastër dhe korrekte në interpretim e përcolli saktë kompleksitetin e emocionit njerëzor që e karakterizon veprën. E raporti i lirë bashkëpunues me Russon i ka shërbyer që gjatë këtyre ditëve të mësojë shumëçka.
“Puna me Darion ka qenë me të vërtetë intensive, kemi kaluar shumë mirë dhe na ka trajtuar pikërisht si kolegë dhe kemi pasur mundësi të bashkëpunojmë, të pyesim edhe të ndajmë përvoja me të, të marrim këshilla nga ai”, ka thënë ajo.
Cavaradossi i mbrëmjes ishte Erald Rrusta, tenori nga Shqipëria i cili interpretoi “E lucevan le stelle” nga “Tosca”e Puccinit. Për të RLIOF nuk është adresë veç tash. Kishte marrë pjesë dhe vitin e kaluar.
“Është hera e dytë që kthehem te ky festival. Këtë vit ka qenë akoma dhe më mirë, kishim mundësi të punonim me emra të mëdhenj, është një mundësi e jashtëzakonshme dhe besoj që kemi pasur të gjithë një efekt pozitiv edhe në teknikë dhe në performancë”, ka thënë ai.
E vërshuar nga duartrokitjet e brohoritjet pas interpretimit të aries nga Bellini, Juana Shtrepi u përkul para publikut prej dhjetëra të pranishmëve me shpresën që dikur do të përkulet dhe në shtëpitë më të mëdha të botës. Mbi të gjitha, është falënderuese për këtë mundësi, e hovi duket se nuk do t’i ndalet.
“Kam marrë një eksperiencë që do ta mbaj me vete gjatë gjithë karrierës sime artistike, kanë qenë pikë reference të mrekullueshme për ne në hapat e parë të këtij profesioni. Do t’ua uroja me shpirt gjithë të rinjve ta provonin, ta prekin si eksperiencë të bashkëpunojnë me këtë festival”, ka qenë mesazhi i saj për gjeneratat në vijim.
Në piano i ka përcjellë e motivuar, pianistja virtuoze nga Shqipëria, Laura Lila. Ajo ka potencuar se karakteri i gjithsecilit është vënë në pah nga repertori. Ka thënë se ky pesëditësh ishte tregues i një gjenerate që po u afrohet skenave me furi.
“Disa nga ariet gjatë procesit të mësimit ishin të përsëritura në këngëtarë të ndryshëm, por gjithsecili kishte veçantinë e tij dhe kërkonte nga ana ime shoqërime të ndryshme për të realizuar atë që donin. Ishte një program me arie të mëdha për të gjitha llojet e vokaleve, më vjen mirë që kishim shumë ngjyra të zërave dhe kjo tregon që e ardhmja e muzikës klasike nuk është pa prurje të reja, e në fakt ka shumë prurje të mira”, ka thënë Lila.
Ky edicion i katërt i festivalit “Rame Lahaj International Opera Festival” i cili sjell emra të ndryshëm nga skena ndërkombëtare, do të përmbyllet në të premten e 2 gushtit me mbrëmjen gala. Tre tenorët, Rame Lahaj, Murat Karahan e Charles Castronovo do të bëhen bashkë në sheshin “Skënderbeu”, të shoqëruar nga Orkestra e Operës së Kosovës nën dirigjimin e Sascha Goetzelit.